Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Homelia 13 dhjetor 2015 – Imzot Angelo Massafra OFM

Vëllezër e motra,
Ati i Shenjtë Françesku ka përuruar të martën e kaluar Vitin e Shenjtë të Mëshirës në Bazilikën e shën Pjetrit dhe, në Bollën e Shpalljes së së Jubileut, na ka bërë një dhuratë madhështore: mundësinë që të kemi një Portë të Shenjtë edhe në Dioqezën tonë. Në të vërtetë, këtu në Shkodër do të jenë dy të tilla: ajo që e hapëm sot dhe ajo që do ta hapim të shtunën e ardhshme pranë Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë.
Por çfarë është Porta e Shenjtë? Cila është domethënia e saj?
Jezusi ka thënë: “Unë jam dera” (Gjn 10,7) për të treguar se askush nuk mund të shkojë te Ati përveçse nëpërmjet tij. Jezusi është e vetmja rrugë që çon në shëlbim. Si rrjedhojë, kalimi nëpërmjet Portës së shenjtë kujton kalimin që çdo i krishterë është i thirrur të bëjë nga mëkati në hir nëpërmjet Krishtit, që i thërret të gjithë për të marrë pjesë në frytet e shëlbimit të Zotit dhe të mëshirës së tij.
Papa Françesku ka kujtuar: «Nëpërmjet Portës së Shenjtë do të lejojmë të na përqafojë mëshira e Hyjit dhe do të angazhohemi që të jemi të mëshirshëm me të tjerët ashtu sikurse Ati është me ne».
Kështu kremtohet Jubileu, duke kryer shtegtimin drejt Kishës Katedrale, ose drejt Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë, ose drejt njërës prej Bazilikave më të Mëdha që gjenden në Romë dhe duke kaluar nëpër Portën e Shenjtë.
“Shtegtimi është një shenjë e posaçme e Vitit të shenjtë sepse kujton ecjen që çdo person bën në ekzistencën e vet. Jeta është një shtegtim dhe qenia njerëzore është “udhëtare”, shtegtare që përshkon një rrugë deri në cakun e dëshiruar”. Pra, shtegtimi është një rrugëtim pendimi dhe përgatitjeje për përtëritje të brendshme që besimtari e bën në hapat e Jezusit.
Duke bërë ato gjeste, kaq të thjeshta por shumë domethënëse, do të angazhohemi që të jemi persona më të mirë, dhe me mirësinë tonë do të ndihmojmë që ta bëjmë këtë botë një vend më të mirë.

Liturgjia e Fjalës e kësaj të diele III të Ardhjes nuk mund të ishte një rast më i mirë për të nisur Vitin e Shenjtë në Arqidioqezën tonë. Në të vërtetë, ajo na flet për gëzim, për galdim… fjalë që kujton, pikërisht, Jubileun që përuruam. Askush nuk do të kishte mundur ta shpjegonte më mirë se Sofonia profet konceptin e Jubileut; ai na ka thënë:
Këndo hareshëm, bija e Sionit,
thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael!
Gëzo e galdo me gjithë zemër,
ti, bija e Jerusalemit!
E tërhoq Zoti dënimin tënd!
Ja, Jubileu është pikërisht kjo tërheqje e dënimit që të gjithë meritonim për shkak të mëkatit tonë. Është viti i faljes së mëkateve dhe të ndëshkimeve për mëkatet, i kthimit dhe i pendesës sakramentale.
Duke kaluar nëpër atë Portë dhe duke iu afruar Sakramentit të Pajtimit, mëkatet tona do të falen. Dhe jo vetëm mëkatet do të falen, por edhe ndëshkimet e lidhura me to. Teologjia katolike mëson se çdo mëkat i yni ka një pasojë të dyfishtë:
–    krijon një faj që falet me zgjidhjen sakramentale në Rrëfim, nëpërmjet së cilës mëkatari rivendoset në gjendjen e hirit dhe në bashkimin me Hyjin.
–    shkakton një ndëshkim që mbetet përtej zgjidhjes. Njeriu mëkatar, megjithëse i pajtuar me Hyjin, është ende i shënuar prej atyre “mbetjeve” të mëkatit që nuk e bëjnë krejtësisht të hapur ndaj hirit.
Në veçanti, ndëshkimi i përkohshëm mund të kryhet në tokë me lutje dhe pendesa, me vepra bamirësie dhe me pranimin e vuajtjeve të jetës. Për ta shlyer borxhin e ndëshkimit të përkohshëm, Kisha u lejon besimtarëve të pagëzuar të marrin ndjesët.
Ndjesa mund të jetë e pjesshme (është vetëm një hap në ecjen e pastrimit) ose e plotë, e tërësishme (siç është ajo jubilare), sepse është një hir i jashtëzakonshëm që e shëron krejtësisht njeriun, duke e bërë atë një krijesë të re.

Por Papa Françesku e kupton atë edhe në një mënyrë tjetër: ai na thotë se Jubileu është “një mënyrë për ta rizgjuar ndërgjegjen tonë shpesh të fjetur para dramës së varfërisë dhe për të hyrë gjithnjë e më shumë në zemrën e Ungjillit ku të varfërit janë të privilegjuarit e mëshirës hyjnore”.
Kjo do të thotë se mënyra e parë për ta jetuar mirë Jubileun është të pranojmë se jemi “të varfër”, që të mund të jemi destinatarët e privilegjuar të Mëshirës së Hyjit. Jemi me të vërtetë “të varfër” sipas ungjillit kur e bëjmë thelbësore jetën tonë, kur nuk lejojmë të na pushtojë dëshira për të pasur sa më shumë, kur jemi të lumtur me atë që kemi dhe dimë të bashkëndajmë me ata që janë më pak fatlumë se sa ne. Nëse nuk është kështu, varfëria materiale bëhet një mallkim dhe jo lumturia e shpallur prej Jezusit në Ungjill.
Një tjetër kuptim i varfërisë ungjillore është ai që ta njohim veten përvujtërisht mëkatarë dhe prandaj “nevojtarë” për mëshirë para Hyjit, si tagrambledhësi i shëmbëlltyrës së treguar prej Jezusit në ungjillin e Lukës. Ta konsiderojmë veten të drejtë përballë Hyjit do të thotë ta bëjmë veten të barabartë me Hyjin; dhe ky është pikërisht tundimi që i çoi prindërit tanë të parë në mëkatin e rrjedhshëm: në të vërtetë, Jezusi na mëson se vetëm Hyji është i drejtë.
Së fundi, me të drejtë Papa na jep edhe një tjetër çelës leximi të Jubileut si vëmendje ndaj dramës së varfërisë së tjetrit, qoftë ajo materiale apo edhe morale e shpirtërore. Edhe ungjilli i sotëm na flet për këto “vepra të mëshirshme” që jemi të thirrur t’i bëjmë si shenjë e fortë dhe shprehëse e kthimit tonë personal dhe bashkësior: Gjon Pagëzuesi na fton në kthim nëpërmjet këtyre gjesteve të jashtme të vëmendjes ndaj të afërmit dhe që ne do të përpiqemi ta kuptojmë më mirë gjatë Nëntëditëshes e përgatitjes për Krishtlindje që do ta fillojmë të mërkurën e ardhshme.
Shumë të dashur, këto janë shkurtimisht karakteristikat e Vitit Jubilar të Mëshirës që sapo e filluam dhe që, uroj të sjellë fryte të begatshme në Dioqezën tonë, në tokën tonë shqiptare dhe në të gjithë botën.
Do t’ju jepen disa udhëzime për ta jetuar mirë këtë Vit të Shenjtë; dhe nëse ndokush nuk do t’i kuptojë, t’ua kërkojë meshtarëve shpjegimet për të cilat ka nevojë; sikurse personazhet e Ungjillit të sotëm, të kemi guximin të pyesim: “Çfarë duhet të bëjmë?”.
Ja disa udhëzime: të lexojmë Ungjillin, për të qenë të mëshirëshëm ndaj të tjerëve, kujdes ndaj më nevojtarve, të angazhohemi që familjet që janë në gjak të pajtohen.
Të mos e privojmë veten prej së mirës që kremtimi i këtij Jubileu mund t’i sjellë jetës sonë dhe shoqërisë sonë: nuk është vetëm ëndrra e Papës Françesku, por është vetë ëndrra e Hyjit, t’i shohë bijtë e vet të pajtuar me Të, me vetveten dhe me të afërmin.
Të realizojmë në këtë Vit Jubilar Psalmin e kësaj të diele III të Ardhjes. Nxitjes sime:
Me galdim do të merrni ujë
nga burimet e shëlbimit.
Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij!

ju të mund t’i përgjigjeni:
Ja, Hyji Shëlbuesi im,
kam besim e nuk kam frikë,
sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti,
Ai është shpëtimi im.

Ju uroj të gjithëve ju shenjtëri!