Scroll Top

Homelia (01/09/2020)

 Homelia (01/09/2020)

(Mons. Angelo Massafra)

Të dashur vëllezër e motra, e falëndërojmë mirësinë e Hyjit që na lejon të fillojmë, me këtë kremtim, një vit të ri baritor, pas kohës verore që zakonisht i kushtohet pushimit e që, shpresoj, të na ketë sjellë të gjithë neve energji të ripërtërira për t’u angazhuar me më shumë entuziazëm në ecurinë që çdo bashkësi e krishterë është e thirrur për të ndërmarrë në këtë periudhë.

E po e bëjmë me nje shikim kundrues mbi shtëpinë e përbashkët që Ati, Hyji na ka dhuruar, krijimin! Këtë vit kujtojmë 5 vjetorin e Enciklikës së papë Françeskut “Ti Qofsh lëvduar”, një dhuratë e madhe për Kishën, një dokument themelor që na lejon t’i hapim sytë mbi dhuratën që kemi marrë – krijesen –  e që shumë shpesh nuk e vlerësojmë sa duhet, madje e keqtrajtojmë, me rrezikun që t’i bëjmë keq vetvetes dhe të tjerëve, duke na çuar në shkatërrim.

Tashmë, sa kohë në kishën katolike dhe në kishat e tjera motra, ajo ortodokse dhe protestante, është ndërmarrë kjo rrugë që Ati i shenjë ka dashur ta ratifikojë me këtë Enciklikë. Edhe ne, si Kishë e pranishme në Shqipëri, duam t’i bashkohemi këtij angazhimi me të gjitha fuqitë tona. Prandaj, ju ftoj të gjithë juve, meshtarë, rregulltarë e laikë, të merrni në dorë këtë dokument, ta meditoni dhe të nxirrni përmbledhjet vepruese konkrete të cilat ta shohin angazhimin tonë për një ndryshim rrënjësor mentaliteti, për t’iu bindur në këtë mënyrë urdhrit të Hyjit krijues, atij për ta qeverisur tokën. 

“Me qeverisë” nuk do të thotë të bëjmë si të duam, por të shikojmë të mirën dhe të përpiqemi me çdo mjet për ta arritur atë, duke u nisur nga stilet tona të jetës, të cilat gradualisht, por me angazhim serioz, duhet të ndryshojnë gjithnjë për më të mirën. Përvoja e emergjencës shëndetësore që po jetojmë për shkak të pandemisë së Covid-19, na mëson se çfarë është vërtetë e rëndësishme dhe çfarë jo. Por, a kemi me të vërtetë nevojë që natyra t’i kundërvihet njeriut, që të mund të kuptojmë rëndësinë e të bërit mirë vetes sonë duke i bërë mirë natyrës?

Leximet e këtij Kremtimi eukaristik janë të njëjtat që shpresoj të merren, së bashku me kremtim, nga të gjitha bashkësitë e Dioqezës, e të cilat j’ua kemi dërguar të gjithëve, e për rehati i kemi vënë në dispozicion në faqen e internetit dhe në social media të Dioqezës. Është rëndësi themelore që pas kësaj Meshe, të vazhdojmë me reflektua dhe me u lutë, duke lejuar që të ndriçohemi nga Fjala e Hyjit.

Çfarë na thotë kjo Fjalë?

Në leximin e parë kemi dëgjuar një ftesë të fortë, një qortim ndaj ndokujt, që edhe duke besuar në Hyjin, nuk bën asgjë për t’u kthyer mbrapa nga sjellet e liga, duke përfituar nga mirësia e Hyjit që vazhdon t’i bëjë mirë botës nëpërmjet stinëve dhe fryteve të tokës.

Kemi dëgjuar në Ungjill fjalën ngushllimtare të Jezusit që, ndërsa pohon mirësinë e Hyjit kundrejt çdo njeriu, është njëkohësisht edhe një ftesë për të mos e shfrytëzuar natyrën, por për ta ngritur veten, duke kërkuar përkundrazi mbretërinë e Hyjit: kjo do të jetë për ne garanci se përfitimet e tokës do të vazhdojnë të mos na mungojnë.

Kështu, edhe psalmi na garanton që, sapo të jemi kthyer duke u larguar nga e keqja , Hyji nuk do të lejojë që të na mungojë aq sa na nevojitet për jetesë.

Çfarë mund të mësojmë nga ky mësim biblik?

Jemi krijesa, pjesë e këtij krijimi që i është besuar përgjegjësisë sonë. Çfarëdo lloj forme shfrytëzimi i lig (përdorimi i planetit tonë më shumë sesa mund të na japë), manipulimi (shkuarja kundër ligjeve të natyrës), keqtrajtimi (ndyrësia, ndotja, djegia) është mëkat: është shkuarja kundër Hyjit që na ka bërë këtë dhuratë përgjegjësie, dhe ne e përdorim keq.

Në fakt është tamam ky përkufizimi i mëkatit sipas katekizmit të Kishës Katolike. “Mëkati është një mangësi kundër arsyes, të vërtetës, ndërgjegjes së shëndoshë; është një shkelje e rendit të dashurisë së vërtetë, kundrejt Hyjit dhe kundrejt të afërmit, për shkak të një lidhjeje të çoroditur me disa lloj të mirash. Ai e plagos natyrën e njeriut dhe e cenon solidaritetin njerëzor” (n.  1846).

Të sot jemi në fillim të një rrugëtimi të ri, për t’i kërkuar falje Hyjit për çdo mëkat që kemi mundur të bëjmë kundër tij, të afërmit tonë dhe krijimit, që është shtëpia jonë e përbashkët. Të kërkojmë mëshirë e hir, që të dimë të shoshitim çfarë është e mirë dhe e drejtë për t’u bërë, kështu që koha jonë ta gjejë qetësinë, të stabilizohen rishtazi ekulibrat që kemi prishur, dhe ecja jonë drejt lirimit të plotë nga korrupsioni na lejoftë që të hyjmë në “lirinë e në lavdinë e bijve të Hyjit” (Rom 8, 21).

Zoti na bekoftë të gjithëve dhe na liroftë nga çdo e keqe. Amen.