Scroll Top

HOMELI ME RASTIN E FESTËS SË ZOJËS SË SHKODRËS

Ashtu si në predikimin e djeshëm, me rastin e hapjes së Ecjes sinodale në Arqipeshkvinë tonë, edhe sot, në këtë festë që qyteti i Shkodrës kremton Pajtoren e vet, vazhdoj t’jua paraqes Atë që duhet të jetë referimi i qenies sonë si Kishë dhe si nxënës të Jezusit.

Zoja e Shkodrës, ose Nëna e Këshillit të Mirë, siç u quajt më vonë në Gjenacano, është ikona e identitetit të popullit tonë, fytyra në të cilën të gjithë ne e njohim veten… ajo fytyrë e dashur dhe e përkëdhelur nga Biri. Fytyra e Marisë është fytyra jonë: në atë fytyrë edhe ne jemi të dashur dhe të përkëdhelur nga Jezu Krishti.

Ta shikojmë me vëmendje këtë ikonë e cila, e restauruar dhe e kthyer në shkëlqimin e saj pas restaurimeve të bëra disa vite më parë, tani spikat në këtë altar dhe i fton të gjithë të meditojnë për atë që ajo shpreh.

Ta lëmë veten të tërhiqemi nga ngjyra e arit të aureolave dhe të skajeve të veshjeve dhe në to të shohim shkëlqimin dhe dritën e amshimit që ato përfaqësojnë dhe drejt të cilit të gjithë duhet të priremi. Amshimi duhet të përcaktojë fundin ose kufirin e gjithçkaje në jetën tonë: aktivitetet tona, dëshirat dhe aspiratat tona, angazhimet e përditshme të gjendjes sonë të jetës (rregulltare, të shuguruar, të martuar, fëmijë, studentë, punëtorë, etj.): gjithçka duhet të priret drejt Amshimit.

Të lëmë veten të ndriçohemi nga shkëlqimi i atyre fytyrave të bardha dhe të ndritshme që simbolizojnë hyjninë. Sigurisht që vetëm Biri është hyjnor, por Maria është Nëna e Hyjit; edhe Jezusi në Ungjill, duke cituar shkrimet, thotë: “A nuk shkruan në Ligjin tuaj: Unë thashë: Hyjë jeni?” (Gjn 10,34): Ai, duke marrë pjesë në njerëzimin tonë, na bëri edhe ne pjesëtarë të hyjnisë së tij. Sa e bukur është kjo perspektivë e shenjtërisë, e cila na përket neve si një thirrje përfundimtare!

Të mahnitemi nga veshja e kuqe, e dhunshme dhe e përgjaktë e rrobave të Birit, shenjë e njerëzimit me të cilën u vesh për ne, për të na siguruar shpëtimin përmes Mundimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së tij dhe ta falënderojmë me gjithë zemër për dhurimin e vetvetes për shpëtimin e botës.

Ashtu siç duhet të mahnitemi përpara ngjyrës blu të mantelit të Virgjërës, e cila na kujton Parajsën dhe na tregon se si, pavarësisht se jemi krijesa, fati ynë ndërthuret në mënyrë të pashmangshme me vetë jetën e Hyjit, bij të të cilit jemi. Me Shën Palin mund të përsërisim: “E nëse jemi femjië – atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të” (Rom 8,17).

Ta lëmë veten të ngushëllohemi nga ngjyra e gjelbër e veshjes së Marisë që na kujton shpresën, një virtyt që nuk duhet të mungojë kurrë në jetën e të krishterit. Deri në atë pikë sa Papa Françesku na e përsërit shpesh: “Mos lejoni që t’jua vjedhin shpresën!”. Maria na e tregon rrugën e shpresës, ajo që mbeti e fortë në këmbët e kryqit dhe që priti me durim kumtimin e Ngjalljes në Çenakull. Kështu edhe ne, në situatat tona të jetës, ato të dhimbshme që na shtyjnë drejt trishtimit: të mos lejojmë që të na e vjedhin shpresën!

Ta shikojmë edhe atë ylber. Autori ka dashur që t’ia ndryshojë ngjyrat origjinale, por edhe ai na kujton dhe u referohet realiteteve përfundimtare: ferrit, purgatorit dhe parrisit, gjëra për të cilat vështirë se flitet në ditët tona, por që janë pjesë e Katekizmit të Kishës Katolike dhe që, pa frikë, por me fe dhe dashuri, duhet t’i reflektojmë dhe t’i meditojmë.

Vëllezër dhe motra, edhe ne marrim pjesë në lojën e shikimeve midis Nënës dhe Birit: ato na tregojnë se çfarë mirëkuptimi të thellë duhet të ketë midis nesh dhe Jezusit. Ashtu si midis Marisë dhe Krishtit mirëkuptimi shkon përtej asaj të lidhjes së gjakut për t’ia shtrirë një farefisnie shpirtërore me gjithë njerëzimin për të qenë “vëllezër të gjithë”, siç thothë Papa Françesku.

Dora e majtë e Fëmijës që kap cepin e mantelit të Nënës, ndërsa me të djathtën kapet për qafën e saj, tregon se si hyjnorja kapet tek njerëzorja me një familjaritet që ishte i mundur vetëm në Krishtin. Ashtu si Maria, ta lëmë veten të përqafohemi nga Krishti në mënyrë që të hyjmë në një marrëdhënie me Të dhe të jemi të dashur prej Tij. Por, në të njëjtën kohë, t’i lejojmë Krishtit që të kapet për ne për të kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin tonë në mënyrë që dëshira e Tij për të mirën e njerëzimit të gjejë në ne bashkëpunëtorë të gatshëm për veprën e ungjillëzimit: me Shën Palin, edhe ne përsërisim: “Sepse, të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua, është detyrë që më duhet ta kryej: I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin” (1Kor 9, 16).

Në fund, ta marrim parasysh ylberin e gjykimit hyjnor të cilit duhet t’i nënshtrohemi, por të cilit mund t’i bëjmë ballë me ndërmjetësimin e Krishtit që u bë njeri dhe me ndërmjetësinë e fuqishme të Marisë, e cila, ashtu si ne, ishte veshur me hyjninë e Birit.

Gëzuar festën, Shkodër! Zoja dhe Pajtorja jonë marrtë për ne çdo hir dhe bekim nga Biri dhe ky popull përparoftë në rritjen dhe në zhvillimin e virtyteve njerëzore, të cilat t’i rrënjosë mirë në virtytet shpirtërore.

Zoja e Shkodrës, lutu për ne.

 

18/10/2021 – Imzot Angelo Massafra OFM – Arqipeshkev