Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Globalizmi ekonomik ne encikliken caritas in veritate

Proceset e globalizimit, nëse konceptohen dhe adminstrohen në mënyrë të përshtatshme, japin mundësinë për një rishpërndarje të madhe të pasurisë në nivel planetar, ashtu siç nuk ka ndodhur kurrë më parë; nëse administrohen keq, mund të bëjnë që të rriten varfëria dhe pabarazia, si edhe ta trondisë krejt botën me një krizë (Caritas in Veritate, 42)

Globalizimi ekonomik: përcaktime të konceptit

Termi globalizim, i cili ka filluar të përdoret gjerësisht duke filluar që nga vitet ’60 të shekullit XX, edhe sot e kësaj dite nuk ka një përcaktim apo përkufizim të saktë dhe ezaurues. Një gjë e tillë e bën të pamundur zhvillimin e një analize teorike dhe përcaktuese, që të mundësonte krijimin e një kornize brenda së cilës të mund të analizojmë me koherencë edhe evidencat e panumërta empirike, të cilat i mveshen herë me të drejtë e herë pa të drejtë këtij fenomeni kaq modern. Në lidhje me këtë, një nga ekonomistët më të famshëm botërorë Jagdish Bhagwati, shkruan:

Non si ha ancora un’idea chiara, coerente e “globale” di come funziona questa globalizzazione…e di come si può farla funzionarla meglio[1] 

Megjithatë, studiues të fushave të ndryshme janë përpjekur të përkufizojnë një fenomen të tillë. Kështu sociologu i famshëm i nivelit botëror, Zygmunt Bauman, e përcakton globalizimin si një zhvlerësim të rregullave si të tilla: njeriu, duke qenë i paaftë të rregullojë dhe të ndikojë mbi fenomenet që zhvillohen dhe ndryshojnë në shkallë globale, bëhet një spektator pasiv para situatave të pakontrollueshme dhe të paparashikueshme.

Në të njëjtën kohë, është e famshme shprehja e matematicienit Edward Lorenz, sipas së cilës në një botë të globalizuar tronditjet e ajrit që shkaktojnë krahët e një fluture në Amazonë mjaftojnë për të nxitur një furtunë në Teksas.

Përkufizime të tjera shfaqen si rrjedhim i pozicionimeve politike të autorëve të tyre. Mbështetësit më të vendosur të tregut, apo djathtistët kryesisht, e shikojnë globalizimin si fazën më të arrirë, si triumfin e kapitalizmit liberal, ku tregu dhe dora e tij e padukshme rregulluese do të ndihmojë në zhvillimin e shoqërisë botërore. Kundërshtarët më të guximshëm të globalizimit, apo majtistët, e dallojnë atë si fazën më të arrirë të imperializmit dhe kolonizimit të vendeve të varfëra prej vendeve të pasura. Në mes këtyre dy grupimeve qëndrojnë të moderuarit, të cilët e shikojnë globalizimin si një fenomen, i cili mund të krijojë zhvillim nëse administrohet siç duhet, qoftë në vendet e varfëra apo në vendet në zhvillim, qoftë edhe në vendet e zhvilluara. Duhet thënë detyrimisht gjithashtu se një administrim i keq i këtij Procesi, ashtu sikurse thotë edhe Papa Benedikti XVI, mund të shtojë varfërinë, pabarëzinë dhe të prodhojë kriza mbarëbotërore.

    Edhe pse do të ndalem në aspektet ekonomike, globalizimi është një Proces i cili përfshin të gjitha aspektet jetësore: politike, sociale, ekonomike, demografike, ambientale, kulturore, etj., megjithëse kushtet paraprake të zhvillimit të këtij Procesi duket se kanë patur më tepër karakter ekonomik dhe social. Si rrjedhim analiza e tij në mënyrë të pjesshme nuk do ta plotësonte kuadrin plotësisht, por për qëllime studimore bëhet i pashmangshëm studimi i tij sektorial. Në të njëjtën kohë duket e qartë se globalizimi është një fenomen i pandalshëm, i cili duhet pranuar si i tillë dhe të administrohet në atë mënyrë që të jetë i vlefshëm për të gjithë njerëzimin, duke marrë parasysh edhe karakterin e tij mbarënjerëzor.

     Edhe mbi origjinën e globalizimit ka mendime nga më të ndryshmet. Diferenciali kohor midis këtyre mendimeve nuk është i parëndësishëm: përfshin shekuj, por edhe mijëvjeçarë duke filluar që me tregtinë në Egjiptin e vjetër, duke kaluar në zbulimin e Amerikës, duke vazhduar më pas me revolucionin industrial të shek.XIX e deri në zhvillimin teknologjik të disa dekadave më parë.

    Megjithë rëndësinë e zbulimeve dhe marrëdhënieve tregtare të disa shekujve apo disa mijëvjeçarëve më parë, duhet thënë se zhvillimet e dy shekujve të fundit, duke filluar nga revolucioni industrial i shek.XIX, kanë qenë vendimtare në Procesin e globalizimit për një sërë arsyesh të cilat e dallojnë globalizimin e tanishëm nga integrimet e mëparshme në disa pika:

  1. volumi tregtar ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme në dy shekujt e fundit në nivel botëror;
  2. varieteti i mallrave dhe shërbimeve të përfshira në marrëdhëniet tregtare kanë pësuar një rritje të konsiderueshme;
  3. diferenca midis cmimeve për të njëjtin produkt apo shërbim ka pësuar një rënie të vazhdueshme ne tregjet e vendeve te ndryshme;
  4. shmangia e efekteve inflacioniste nëpërmjet rritjes së disponibilitetit të faktorëve prodhues si rezultat i rritjes së marrëdhënieve tregtare ka bërë të mundur që të ndajë presionin e çmimit mbi faktorët e pamjaftueshëm prodhues.

    Duke marrë parasysh ekzistencën e pashmangshme të një fenomeni në evolucion, zhvillimet e kohëve të fundit që lidhen me një intensifikim më të madh të Proceseve globalizuese, kanë rritur edhe presionin e forcës kritike nga shumë aktorë të rëndësishëm që veprojnë në skakierën vendimmarrëse botërore.

    Në këtë kuadër edhe Papa Benedikti XVI, duke marrë një shtysë të fortë edhe nga situata e krizës financiare mbarëbotërore që shpërtheu këto vitet e fundit, i referohet Proceseve të globalizimit dhe administrimit të tyre. Po cilat janë këto Procese? Si duhen administruar ato?             Duke iu referuar globalizimit ekonomik, mund t’i zbërthejmë Proceset e tij në zhvillim e sipër kryesisht në këto makro – faktorë:

  1. Rritja e marrëdhënieve tregtare nëpërmjet liberalizimit dhe hapjes së tregjeve;
  2. Integrimi i tregjeve financiare
  3. Rritja e investimeve direkte të huaja;
  1. Liberalizimi dhe hapja e tregjeve të mallrave dhe shërbimeve

   Marrëdhëniet tregtare dhe krijimi i lehtësirave për të bërë tregti midis popujve nuk është dicka e re dhe nuk mund të barazohet me procesin e globalizimit. E reja qëndron në faktin se me zhvillimin e komunikacionit dhe me zhvillimin e teknologjive dhe infrastrukturës në përgjithësi janë krijuar mundësi më shumë se asnjëherë më parë që njerëzit dhe popujt të zhvillojnë tregti me njëri – tjetrin. Debati më i madh që lidhet me liberalizimin dhe hapjen e tregjeve, por edhe me procesin e globalizimit në tërësi, ka të bëjë më faktin sesa e aftë është tregtia e lirë të prodhojë zhvillim dhe të luftojë varfërinë në botë. Në këtë pikë dua të ndalem në dy momente: së pari të kuptohet se cfarë do të thotë zhvillim dhe varfëri dhe së dyti të kuptohet se cila është përgjegjësia e hapjes së tregjeve në këtë zhvillim apo varfëri botërore.

    Në lidhje me pikën e parë zhvillimi apo varfëria e një individi të caktuar nuk mund të përcaktohet thjesht me disponibilitetin monetar të një individi, edhe pse mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm. Në Caritas in Veritate Papa Benedikti XVI shprehet se “Zhvillimi njerëzor i tërësishëm supozon lirinë e përgjegjshme” (CiV, n. 17). Në lidhje me këtë sikurse thekson edhe ekonomisti Amartya Sen një individ me të ardhura të larta, mund të jetë i penguar nga shkaqe të ndryshme, si p.sh: sëmundje fizike, analfabetizmi, rendi shoqëror ku jeton, të cilat e pengojnë të konsumojë lirshëm të ardhurat në dispozicion. Si rrjedhim koncepti i varfërisë duhet të jetë më i gjerë aq sa të përfshijë edhe indikatorë të tjerë, përvec të ardhurave për frymë të popullsisë, sic mund të jenë: vdekshmëria në lindje, mosha mesatare, alfabetizmi, etj. në mënyrë që lufta ndaj varfërisë të kuptohet si një luftë për t’u cliruar nga nevoja dhe nga pengesat individuale për të vepruar[2]. Një koncept i tillë mbi zhvillimin dhe varfërinë është marrë parasysh edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara nëpërmjet programit të saj për zhvillim, i cili ka prodhuar një indeks të quajtur Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI)[3]. Nëpërmjet këtij indeksi mund të vihet re që jo gjithmonë vendet me një Prodhim të Brendshëm Bruto (PBB) të lartë kanë edhe një HDI të atij niveli apo më të lartë, p.sh po të marrim rastin e Shqipërisë vëmë re se në nivel botëror renditet rreth 20 pozicione më lart po të marrim parasysh HDI sesa po të marrim në konsideratë vetëm PBB.

 Indeksi I Zhvillimit Njerëzor – Shqipëria 2007

Vlera HDIPBB për frymë (PPP US$)
1. Norvegjia (0.971)1. Lishtensh. (85,382)
68. Bjellorusia (0.826)91. Ekuador (7,449)
69. Shen Lucia (0.821)92. Grenada (7,344)
70. Shqipëria (0.818)93. Shqipëria (7,041)

Pra po të marrim parasysh indikatorë të tillë si HDI duhet të konsiderojmë një numër të konsiderueshëm faktorësh që lidhen me varfërinë dhe zhvillimin e një individi apo popullsie të caktuar. Si ndikon integrimi i tregjeve në rritjen apo uljen e varfërisë në nivel botëror?

     Në bazë të teorive të zhvilluara, por edhe nga të dhënat empirike të nxjerra nga analizat ekonometrike rezulton se liberalizimi i tregjeve ka aftësinë që të rrisë produktivitetin e faktorëve prodhues dhe në total të prodhojë më tepër të ardhura[4]. Në të njëjtën kohë nuk gjendet ndonjë studim që të provojë të kundërtën dhe se sipas Jagdish Bhagwati, proteksionizmi apo mbyllja e tregjeve është e keqja më e vogël në raste krizash apo problemesh të mëdha ekonomike[5]. Një rast tjetër kur proteksionizmi mund të jetë i dobishëm verifikohet në rastet kur përkohësisht vendet në zhvillim kërkojnë që të mësojnë teknologjitë e reja dhe si rrjedhim mbrohen nga ndërmarrjet shumëkombëshe para se ato të ndërhyjnë në këto tregje duke përfituar nga njohuritë më të mëdha teknologjike:

    La liberalizzazione degli scambi con l’estero, in quanto impedisca l’evolvere di imprese in settori nei quali si potrebbero acquisire vantaggi competitivi, può risultare però prematura in una prospettiva dinamica. Il cosidetto principio di protezione delle industrie nascenti non è dunque l’esaltazione del protezionismo commerciale, ma la scelta difficile di tutelare per un periodo limitato la genesi delle nuove capacità di produrre.[6]

    Kështu parë në tërësi, liberalizimi i tregjeve mund të shihet si një faktor pozitiv për të luftuar varfërinë dhe nënzhvillimin. Po të marrim si shembull Shqipërinë (por në tërësi edhe vendet e bllokut socialist, një pjesë e të cilave anëtare tashmë në BE) integrimet tregtare me BE, por edhe me tërë vendet e tjera rezultojnë të jenë pozitive në vlerë absolute. Në të njëjtën kohë rezulton se nga liberalizimi i tregjeve kanë më tepër avantazh vendet në zhvillim sesa vendet e zhvilluara.

     Por skenari i liberalizimit të tregjeve nuk mbyllet me kaq. Problemi i rëndësishëm dhe që krijon mjaft kritika, të cilat bien kryesisht mbi vendet e zhvilluara – promotore të liberalizimit të tregjeve, qëndron në rishpërndarjen e pasurisë së krijuar nga një shkëmbim më i madh mallrash dhe shërbimesh. Evidencat empirike tregojnë se me rritjen e integrimit tregtar, hendeku i të ardhurave mes të pasurve dhe të varfërve nga viti 1870 në vitin 1985 është rritur me 40 herë dhe sa më shumë që ky hendek rritet, aq më tepër zhvogëlohen mundësitë për të luftuar varfërinë.

    Pra kemi verifikimin e një situate ku varfëria në vlerë absolute zvogëlohet, por të pasurit pasurohen më shumë se të varfërit. Po pse ndodh një fenomen i tillë? Pjesërisht arsyen e këtij fenomeni na e jep teoria ekonomike, sipas së cilës mosfunksionimi i rregullt i tregjeve, që realizohet nëpërmjet asimetrive informative dhe pushtetit që ushtrohet mbi to si dhe pjesëmarrja e ulët e konsumatorëve të cilët nuk përfshihen në këtë integrim, sic mund të jenë banorët e zonave rurale, bëjnë që pasuria e krijuar të mos shpërndahet në mënyrë të drejtë.

    Duke marrë shkas nga faktorë të tillë, kritikat më të mëdha të liberalizimit të tregjeve drejtohen mbi pabarazitë që ekzistojnë mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim të paktën në dy drejtime[7]. Sipas tyre nuk mund të ketë një barazi në nisje, kur a)strukturat prodhuese dhe b) ligjet mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim kanë një ndryshim të madh, që shkon i gjithi në favor të vendeve të zhvilluara. Përsa i përket strukturave prodhuese dihet që vendet në zhvillim mund të konkurrojnë me pak produkte, të cilat kanë një vlerë të shtuar të ulët dhe me cmime, që luhaten vazhdimisht. Një gjë e tillë i vendos ata në kushte dobësie, ashtu sikurse në kushte dobësie ndodhet BE me produktet e veta bujqësore, por që nuk lejon hapjen e këtyre tregjeve përkundrejt vendeve në zhvillim. Në këtë rast shohim një asimetri pikëpamjesh: në rast se vendet e zhvilluara e shohin të arsyeshme hapjen e tregjeve globale, atëherë ata e kërkojnë me forcë një gjë të tillë, në të kundërtën vendet e zhvilluara nuk i hapin tregjet e veta. Si rrjedhim në këtë mënyrë, këta kritikë mendojnë se tregtia midis vendeve është e dobishme, por duhet të ndryshojnë rregullat e funskionimit.

    Nga ana tjetër, kritikët që e shohin problemin tek legjislacioni apo ligjet e vendeve në zhvillim kanë një vizion më radikal. Duke marrë shkas nga fakti se në vendet në zhvillim ligjet janë më të dobëta, punonjësit nuk mbrohen si duhet, fëmijët dhe gratë detyrohen të bëjnë punë të rënda, atëherë ata e shikojnë proteksionizmin si një mënyrë për të evituar që sipërmarrësit e vendeve të zhvilluara të sillen apo të veprojnë në atë mënyrë që nuk do të lejoheshin të bënin në tregjet e tyre të origjinës (race to the bottom), pra të shfrytëzonin punën e fëmijëve, të mos respektonin të drejtat e punonjësve, etj.

   Sigurisht që këto fenomene dhe këto probleme e vështirësojë situatën dhe shpjegojnë arsyet se pse rritja e të ardhurave nuk shoqërohet me një shpërndarje më të drejtë. Por a mund të fajësohet për këtë tregtia e lirë mes tregjeve? Mos vallë shkaku për punën e rëndë të fëmijëve në Pakistan lidhet drejtpërsëdrejti me tregtinë e lirë?

    Sipas një pjese të studiuesve, shfrytëzimi apo keqtrajtimi i kategorive të ndryshme demografike në vendet në zhvillim nuk ka si shkak primar tregtinë e lire apo liberalizimin e tregjeve. Sikur tregu të ishte i mbyllur, jo medoemos situata e shtresave të caktuara shoqërore, do të ndryshonte së tepërmi, p.sh fëmijët do të vazhdonin të shfrytëzoheshin, gratë të keqtrajtohen e situata të tjera si këto. Braktisja e shkollës nga ana e fëmijëve, keqtrajtimi i gruas në shoqëri nuk janë probleme që lidhen drejtpërsëdrejti me tregtinë e lirë. Një arsyetim i tillë mund të bëhet edhe më i dukshëm, sikurse tregojnë edhe të dhënat empirike, se një pjesë e madhe e këtyre kategorive të dëmtuara dhe të varfëra nuk merr pjesë në rrjetën tregtare të produkteve apo nënprodukteve që eksportohen nga vendet në zhvillim.

     Pra efektet pozitive të liberalizimit të tregjeve nuk mund të shfaqen në mënyrë automatike Gjithashtu edhe liberalizimi i tregjeve në vetvete nuk rezulton i dëmshëm. Së pari dëmin e krijojnë tregjet me shtrembërime e tyre konkurrenciale (shpeshherë dhe monopoliste). Së dyti dëmi krijohet sepse liberalizimi i tregjeve nuk shoqërohet edhe me një numër të caktuar riformash në fusha të tjera, sic është arsimimi, trajnimi, shëndetësia, etj. për të përforcuar dobishmërinë e liberalizimit të tregjeve. Së treti dëmi krijohet sepse mungon solidariteti social ndaj shtresave në rrezik, të cilat gjenden të pambrojtura ndaj ndryshimeve alokuese të faktorëve prodhues si rezultat i liberalizimit të tregjeve[8]. Po ta konkretizojmë me një shembull konkret, të cilin po e jetojmë në mënyrë dinamike sic është ai i integrimit të Shqipërisë na BE, një nga problemet më të mëdha që lindin nga integrimi rajonal ka të bëjë me punësimin. Efektet më pozitive të këtij integrimi do të drejtohen tek punonjësit e kualifikuar dhe një pjesë e punonjësve të punësuar në industritë labour intensive. Ndërsa efektet negative do të vihen re tek ata punonjës të pakualifikuar të punësuar në industritë më pak konkurruese për Shqipërinë në nivel ndërkombëtar sic mund të jenë industria tekstile, industria minerale dhe kimike, industri këto capital intensive të cilat nuk mund të konkurrojnë me industri të vendeve të tjera: 

    The impact on overall employment is positive, but there are notable variations by sectors. Sectors like agriculture, apparel and some other manufacturing sectors appear to benefit more, while textiles, metals, chemicals and minerals lose out. In declining sectors it is the unskilled workers relative to the skilled who are more adversely affected and are therefore more vulnerable to liberalization.[9]  

    Ky rezultat tregon që në disa sektorë të vecantë, qeveria shqiptare, organizata joqeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare, duhet të ndërhyjnë me politika sociale në mënyrë që kjo forcë punëtore të jetë në gjendje t’i përgjigjet realiteteve të reja. Politika të tilla mund të jenë financimi i kurseve të formimit profesionale, ritrajnimi, etj. në mënyrë që të mos krijohen probleme të tjera varfërie dhe papunësie (një plagë kjo shumë e përhapur në vendin tonë). 

     Në fund të fundit, ashtu sikurse shprehet edhe Papa Benedekti XVI, problemi nuk është liria e tregjeve, shkëmbimi i mallrave, por përgjegjësia njerëzore e administrimit të këtyre proceseve, sepse “kjo liri i përket zhvillimit që kemi para nesh, por, njëkohësisht, u përket edhe situatave të nënzhvillimit, që nuk janë fryt i rastit apo i një nevoje historike, por varen prej përgjegjësisë njerëzore”(CiV, n.17)

  1. Liberalizimi i tregjeve financiare

Në vazhdën e botëkuptimit neo – liberal të kapitalizmit, duke filluar nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, edhe tregjet financiare kanë pësuar një liberalizim të theksuar duke vënë theksin në këtë mënyrë tek “dora e padukshme” e tregut, i cili mund të përmirësojë situatën e vendeve në zhvillim (dhe natyrisht edhe të vendeve të zhvilluara) pa qenë e nevojshme ndërhyrja dhe kontrolli i shtetit në daljet dhe hyrjet e kapitalit.

            Cfarë ndryshimesh ka shkaktuar një liberalizim i tillë në aktorët veprues të tregjeve dhe cilat janë pasojat e këtij liberalizimi financiar?

    Përsa i përket aktorëve financiarë duhet thënë se tashmë vihet re një shumëllojshmëri aktorësh që veprojnë në tregjet financiare. Sot bizneset mund të kërkojnë kredi me procedura më të thjeshta pranë tregjeve financiare. Bankat e nivelit të dytë mund t’i drejtohen tregut dhe të financohen nga banka të tjera apo edhe nga biznese të tjera, kur më përpara duhej të drejtoheshin kryesisht tek bankat qendrore në rast problemesh likuiditeti. Vetë Shteti, mund të veprojë në të njëjtën mënyrë si bizneset e tregut financiar. Si rrjedhim Shteti, bankat dhe operatorë të tjerë veprojnë në të njëjtin treg duke i përzier rolet, role të cilat para liberalizimit ishin më të qarta dhe më të ndara. Në të njëjtën kohë ka marrë një zhvillim mjaft të madh tregu i derivatëve financiare, të cilët shërbejnë për të siguruar instrumentet primarë financiarë (si p.sh aksionet) nga rreziku i luhatjes së interesave apo këmbimit monetar: këto derivatë financiarë kur përdoren për qëllime spekullimi, pra për një fitim afatshkurtër, bëhen mjete mjaft të rrezikshme për të prodhuar kriza, duke qenë se ndikojnë në mënyrë indirekte në kostot e ekonomisë reale. Në fakt derivatët financiarë janë “tituj mbi tituj” të cilët e shpejtojnë qarkullimin financiar dhe e “virtualizojnë”ekonominë reale duke rritur së tepërmi rrezikun e falimentimit që si një valë cunami mund të përfshijë të gjithë tregun financiar tashmë të globalizuar. Për të kuptuar rolin dhe përhapjen e madhe të këtyre mjeteve financiare mund ta konkretizojmë këtë duke thënë se transaksionet financiare ndërkombëtare janë në vlerën e 1000 miliardëve dollarë në ditë kur vlera e shkëmbimeve të mallrave dhe shërbimeve është shumë herë më e vogël se kaq. Një gjë e tillë tregon që veprimet në tregjet financiare nuk kanë një raport të drejtpërdrejtë me shkëmbimet ndërkombëtare të mallrave dhe shërbimeve. Një panoramë e tillë shtyn menaxherët e bizneseve që në vend që të merren me biznesin e tyre primar dhe kryesor, të merren me atë që Benedekti XVI quan “mesianizma të mbushur me premtime” në mënyrë që të realizohen objektivat e fitimeve afatshkurtra. Një situatë e tillë përshpejtohet edhe nga zhvillimi i teknologjisë së informacionit, i cili afron tregjet me njëri – tjetrin pothuajse në kohë reale duke bërë të mundur që, përveç anëve pozitive të rritet edhe aftësia kontraktuese e spekullatorëve.

    Po kështu liberalizimi i tregjeve ka mundësuar edhe shtimin e parajsave fiskale, ku mund të investojnë bankat, bizneset shumëkombëshe deri edhe mafiat e ndryshme, të cilat mund ta riciklojnë mjaft lirshëm pasurinë e krijuar nga aktivitetet e tyre të paligjshme[10].

    Përsa i përket pasojave të liberalizimit të tregjeve financiare do t’i referohemi kontributeve të teorisë ekonomike dhe paralelisht me të do të bazohemi tek të dhënat empirike për të vërtetuar koherencën e përfundimeve teorike me realitetin ekonomik.

     Kështu sipas teorisë ekonomike, tregjet financiare janë të dobishme për disa arsye. Së pari, liberalizimi i tregjeve financiare mundëson lëvizjen e kapitalit nga ato vende ku gjendet me shumicë, në vendet ku ka një deficit të bilancës së pagesave, pra ku ka një mungesë kapitalesh. Alokimi efektiv i kapitalit rrit mirëqënien e përgjithshme të popujve. Si rrjedhim një gjë e tillë do të mundësonte që p.sh. kapitali me shumicë nga vendet e zhvilluara të lëvizte drejt tregjeve financiare të vendeve në zhvillim. Së dyti,  liberalizimi i tregjeve mundëson kërkimin dhe gjetjen e atyre tregjeve që ofrojnë investime me fitime më të mëdha. Së treti, rritja e konkurrencës mes ndërmjetësve financiarë do të duhet të zvogëlojë kostot e financimit e cila përkthehet në një ulje të kostos së investimit për ndërmarrjet e vendeve të financuara. Së katërti, zhvillime të tilla ku kemi një përmirësim të funskionimit të tregjeve dhe një shtim të operatorëve në konkurrencë me njëri – tjetrin do të shërbentë për një zhvillim të tregjeve financiare ku drejtohen financimet.

    Nga këto avantazhe teorike mund të mendohet se liberalizimi i tregjeve financiare është i dobishëm dhe natyrisht, i dobishëm për zhvillimin e vendeve të varfëra duke qenë se atje vihet re vazhdimisht një deficit i bilancit të pagesave, vihet re një treg financiar i pazhvilluar me kosto të larta financimi. Mirëpo realiteti i tregjeve nuk na paraqet gjithnjë një pamje të tillë. Së pari ndërmjetësit financiarë investojnë në një numër mjaft të ngushtë vendesh, madje kërkojnë që të investojnë kryesisht brenda kufijve të tyre kombëtarë duke lënë jashtë lojë mjaft prej vendeve në zhvillim apo të varfëra që do të kishin nevojë reale për këto financime. Së dyti, duke marrë parasysh se teoria ekonomike bazohet në perfeksionin e tregjeve, realiteti nuk është aq perfekt duke bërë që tregjet financiare të marrin shtrembërime të tilla që rrjedhin nga mungesa e informacionit transparent dhe të ndershëm: asimetria informuese dhe hazard moral. Me fjalë më të thjeshta asimetri informuese  do të thotë se njëra nga palët kontraktuese në shkëmbimin financiar ka informacione më të shumta se pala tjetër. P.sh. në rastin e shitjes së një makine të përdorur, shitësi ka informacione më të mira në lidhje me makinën sesa blerësi. Apo në rastin e dhënies së një kredie, zakonisht debitori ka informacione më të mira në lidhje me gjendjen e tij financiare, në lidhje me dobishmërinë ekonomike të projektit të vet, për të cilin po kërkon një kredi nga banka. Natyrisht që edhe depozituesi ka një informacion më të paktë në lidhje me bankën ku po derdh kursimet e veta. Në rastin e hazard moral i kredituari, duke parë pamundësinë e bankës për të ndjekur dhe monitoruar si duhet veprimet e tij, përpiqet që të zbatojë projekte të rrezikshme, kostot e të cilave, në rast falimentimi, bien mbi bankën. Në të njëjtën situatë do të ndodhej edhe depozituesi, i cili investon kursimet e tij në bankë apo tek ndërmjetësi financiar. Së treti, qeveritë e vendeve të financuara gjenden me duar të lidhura në momentin kur duan të drejtojnë politikat ekonomike për të shmangur krizat financiare, për arsye se nuk mund të kontrollojnë njëkohësisht politikat fiskale, politikat monetare dhe kursin e këmbimit. Së katërti, gjithcka sa thamë më sipër nuk ndihmon në përmirësimin dhe zhvillimin e tregjeve financiare në vendet në zhvillim, por i përkeqëson ato duke i drejtuar drejt krizave të papritura, që mund të përhapen në nivel mbarëbotëror, ashtu sikurse ka ndodhur edhe në realitet.

   Siç vërehet të dhënat empirike tregojnë se realiteti është i mbushur me devijime etike dhe morale sic janë: spekullimet, hazard moral, mungesa e transparencës, etj. të cilat e shtrembërojnë dukshëm perfeksionin e tregut financiar, që predikohet nga teoria ekonomike dhe neo – liberizmi kapitalist. Kjo tregon se teknikat financiare sado të sofistikuara që të jenë nuk mund ta zgjidhin në mënyrë automatike cështjen e zhvillimit, ashtu sikurse ndodh edhe me zhvillimin dhe liberalizimin e marrëdhënieve tregtare në nivel global. Ashtu sikurse thekson edhe Benedikti XVI, në vetvete liberalizimi i moderuar i tregjeve financiare nuk është i dëmshëm, por duhet një përgjegjësi sociale paraprake e investitorëve për të drejtuar kapitalet aty ku është e nevojshme, pa anashkaluar edhe leverdishmërinë e investimit “Nuk ka arsye të mohojmë se njëfarë kapitali mund të bëjë mirë, nëse investohet jashtë vendit dhe jo në atdhe[…]duhet të mos lejojmë që arsyeja për përdorimin e burimeve financiare të jetë spekulative dhe t’i hapë udhë tundimit për të kërkuar vetëm përfitimin afatshkurtër dhe jo edhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjes afatgjatë, shërbimin e përpiktë të saj ndaj…nismave ekonomike edhe në vendet që kanë nevojë për zhvillim” (CiV n. 40).

    Të dhënat empirike tregojnë gjithashtu se me liberalizimin e tregjeve financiare numri i krizave financiare në vende të ndryshme të botës ka ardhur duke u rritur, ndërsa kontributi i tij në rritjen ekonomike të vendeve në zhvillim është parë vetëm në ato vende ku ka patur një soliditet të indikatorëve makroekonomikë, pra një soliditet të ekonomisë reale, një sistem të zhvilluar financiar dhe një autoritet të fortë monitorimi dhe kontrolli të veprimeve financiare[11]. Ndërsa në vende të tjera ku liberalizimi financiar ka ndodhur në mënyrë të shpejtë dhe të pabazuar në ekonominë reale, të dhënat empirike tregojnë se aty ka patur kriza financiare që kanë minuar edhe indikatorët makroekonomikë të atyre vendeve.

    Jo pa qëllim edhe Benedikti XVI në shkrimin e kësaj enciklike ka marrë një shtysë mjaft të fortë edhe nga kriza e fundit globale, me origjinë vendin më të zhvilluar ekonomikisht në nivel global SHBA – të, një krizë me pasoja në zhvillimin ekonomik dhe social tek të gjitha vendet e botës. Po të ndalemi dhe të shikojmë shkaqet e verifikimit të kësaj krize, do të vërejmë se nuk janë teknikat dhe mjetet financiare të përdorura në nxitjen e kësaj krize, por morali dhe papërgjegjësia njerëzore në përdorimin e teknikave dhe mjeteve financiare. Kështu po të ndalemi tek sektori i ndërmjetësimit të banesave, një sektor nga i cili pati origjinën edhe kriza financiare, dëshira e madhe për të fituar shpejt dhe mirë nga ana e ndërmjetësve financiarë dhe bankave, bëri që të krijohet dhe të zhvillohet një sistem ku garancitë mbi banesat nuk bazoheshin mbi vlerësime reale të fuqisë shlyese të blerësve të atyre banesave thjesht dhe vetëm sepse cmimi i tregut i banesave ishte vazhdimisht në rritje derisa u krijua ajo që quhet flluska financiare, që medoemos herët a vonë do të shpërthente, si në cdo krizë tjetër financiare. Një krizë e tillë financiare pati pasoja tek të gjitha ato vende që ishin të integruara fortësisht në këtë sistem financiar, por pasojat i ndien edhe vende të tjera, sikurse edhe Shqipëria, që nuk janë të integruara në ekonominë virtuale financiare, por gjithsesi ekonomitë e tyre të hapura varen edhe nga ekonomia reale e vendeve të zhvilluara sikurse Italia, Greqia, etj. Kështu në Shqipëri kriza filloi të ndihet në pakësimin e të ardhurave nga emigrantët; duke qenë se Shqipëria është një ekonomi e cila varet së tepërmi nga importet kemi një shtrenjtim të tyre dhe në të njëjtën kohë zhvlerësimi i lekut, që do të shërbente në rastin e një aftësie më të madhe eksportuese, i shtrenjton mallrat dhe shërbimet e importura; fuqia kredituese e bankave ra duke sjellë zvogëlim të financimit të bizneseve dhe si rrjedhim edhe të investimeve nga ana e këtyre të fundit; nga e gjitha kjo krijohen tensione sociale që vijnë si rezultat i rritjes së papunësisë nga mbyllja e bizneseve apo shkurtimit të vendeve të punës. Sidoqoftë duhet thënë se si rezultat i këtij integrimi të ulët në tregjet financiare, Shqipëria pati një avantazh të madh, që po i shërben për ta ndjerë më pak krizën sesa vende të tjera rajonale.

    Si konkluzion mund të themi se në rastin e liberalizimit të tregjeve financiare duhet që qeveritë e vendeve që pranojnë këtë liberalizim ta bëjnë atë në mënyrë graduale, me qëllim që liberalizimit financiar t’i paraprijë një përforcim i llogarive makroekonomike pra i ekonomisë reale, një rritje e kontrollit të veprimtarisë së institucioneve financiare nga ana e agjencive qeveritare dhe mbi të gjitha një zhvillim më i madh i asaj që quhet financa etike. Financa etike është pikërisht një mënyrë financimi për të shmangur dhe zgjidhur disa nga kostot që verifikohen dhe që përmendëm më lart në rastin e liberalizimit dhe integrimit të tregjeve financiare. Financa etike ka lidhje të ngushtë me atë që quhet përgjegjësi sociale e bizneseve, e cila merr parasysh jo vetëm qëllimin e fitimit por edhe mbartësit e interesave më të gjera sociale dhe ambientale. Konkretisht financa etike organizohet nga vetë bankat apo institucionet financiare, të cilat financojnë biznese (që nga ana e tyre veprojnë në bazë të një përgjegjësie të caktuar sociale) apo individë që kanë nevojë për kredi, por që në kushtet e varfëra në të cilat ndodhen, nuk do ta merrnin asnjëherë atë në qoftë se ata do t’i drejtoheshin tregut klasik financiar dhe nuk do të operonte financa etike nëpërmjet mikrokredive apo mikrofinancave, fondeve etike, etj. të cilat ofrojnë kredi me kushte më të favorshme për kategoritë më të marxhinalizuara nga hapja e tregjeve financiare, p.sh Grameen Bank ofron hua për të varfërit  pa garanci pasurore dhe me një interes të përballueshëm nga ata[12]. Iniciativa të tilla po ndërmerren edhe nga institucionet klasike financiare, siç janë bankat, të cilat kanë filluar të lidhin kontrata bankare, nëpërmjet të cilave depozituesi bie dakord që një pjesë të fitimit nga interesi apo të kuotës së kapitalit të depozituar ta destinojë në projekte që ruajnë ambientin apo në projekte që përkujdesen për shtresat në nevojë.[13] Këto përvoja duhen inkurajuar sepse “Dashuri në të vërtetën në këtë rast, do të thotë se duhet t’u jepet formë dhe organizim atyre nismave ekonomike që, edhe pa e mohuar përfitimin, synojnë të shkojnë përtej logjikës së këmbimit  të të barabartëve dhe të përfitimit si qëllim në vetvete” (CiV, n. 38).  

  1. Rritja e investimeve direkte të huaja: bizneset shumëkombëshe

Një fenomen tjetër, i cili karakterizon dukshëm globalizimin ekonomik, vërehet në zhvillimin dhe rritjen e investimeve direkte të huaja. Kjo dukuri lidhet me shtimin e numrit të bizneve shumëkombëshe të cilat kontrollojnë një pjesë mjaft të madhe të kapitalit të investuar qoftë në vendet e zhvilluara, qoftë në vendet në zhvillim. Një biznes shumëkombësh përkufizohet si një korporatë, e cila ka biznesin – mëmë në një vend të caktuar të botës dhe operon nëpërmjet biznesve – bija në vende të tjera të botës në bazë të ligjeve dhe rregullave juridike që kanë këto vende.

    Investimet direkte të huaja, që kanë një lidhje të ngushtë me bizneset shumëkombëshe, kanë pësuar një rritje të jashtëzakonshme këto dy dekadat e fundit, periudhë e cila përputhet thellësisht edhe me zhvillimin e globalizimit ekonomik. Po t’i referohemi shifrave në periudhën 1973 – 1997 do të vërejmë që Prodhimi i Brendshëm Bruto ka patur një rritje me 60% në nivel global, tregtia ndërkombëtare ka patur një rritje prej 210%, ndërsa Investimet direkte të huaja një rritje totale prej 780%, ose 9,5% në vit[14]:

 Investimet direkte të huaja 1973 – 1997           

     Për të kuptuar rolin që kanë bizneset shumëkombëshe qoftë në vendet e zhvilluara, qoftë në vendet në zhvillim, duhet të kuptojmë fillimisht arsyet që shtyjnë bizneset – mëmë që të investojnë në mënyrë direkte në vende të tjera, së dyti të analizojmë impaktin që kanë këto biznese shumëkombëshe në realitete të ndryshme ekonomike duke marrë në konsideratë qoftë kontributet e teorisë ekonomike, qoftë analizën empirike të dobishmërisë apo dëmeve që mund të shkaktojnë bizneset shumëkombëshe në vendet e ndryshme të botës ku operojnë: vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim.

Në lidhje me çështjen e parë, pra të arsyes së krijimit të bizneseve – bija në vende të ndryshme të botës, duhet të kuptojmë se:

  1. pse biznesi – mëmë ka më tepër leverdi të prodhojë diku tjetër sesa të eksportojë apo të angazhojë biznese lokale nëpërmjet kontratave licensuese (integrim horizontal);
  2. pse biznesi – mëmë ka më tepër leverdi të kontrollojë prodhimin e lëndëve të para sesa t’i       importojë këto të mira primare, p.sh. produkte bujqësore apo lëndë minerale (integrim      vertikal);

Një përgjigje e drejtpërdrejtë do të ishte fakti se kostoja e punës në vendet ku ndodh një delokalizim i tillë është më e ulët se në vendet e origjinës, pra të biznesit – mëmë, që do të thotë se bizneset – mëmë delokalizohen në ato vende ku të ardhurat për frymë të popullsisë janë më të ulëta, pra kryesisht në vendet në zhvillim.

            Edhe pse një përgjigje e tillë mund të jetë e vërtetë, nuk është ezauruese apo përfundimtare për vetë faktin se fluksi më i madh i investimeve direkte të huaja ndodh ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe vetëm një pjesë e tyre ndodh në vendet në zhvillim:

             Worldwide FDI continued to growth in the 1990s. In 1998 the world FDI stock reached $ 4,088 billion. Roughly three quarter were invested in developed countries…Approximately 85% of the flows had developed countries as source and as host of FDI[15] 

             Si rrjedhim duhen gjetur edhe arsye të tjera për të shpjeguar rritjen e investimeve direkte të huaja. Përsa i përket integrimit horizontal, ato duhen gjetur në rritjen e kapaciteteve prodhuese, në rritjen e konkurrencës, në rritjen e aktiviteteve që kanë të bëjnë me kërkim – zhvillimin në vendet e origjinës, që i shtyjnë bizneset – mëmë të shtrihen në tregje të reja për të patur një shkallë më të madhe prodhimi në mënyrë që të mbulohen kostot e larta që këto aktivitete mveshin në vetvete (të ashtuquajturat ekonomi shkalle). Duke qenë se kemi të bëjmë në këtë rast me një transferim të njohurive teknologjike, bizneset – mëmë kanë tendecën që t’i kontrollojnë këto transferime pa i “dorëzuar” ato në duar të një pale kontraktuese, e cila mund të ketë sjellje oportuniste në dëm të biznesit – mëmë për vetë aspektin delikat të njohurive teknologjike.[16]

    Përsa i përket integrimit vertikal duhet thënë se biznesi – mëmë ka interes të kontrollojë burimet furnizuese në mënyrë që t’i krijojë një vazhdimësi të sigurtë biznesit të vet dhe së dyti të krijojë edhe një avantazh konkurrues me bizneset e tjera. Lidhjet kontraktuale me autorë lokalë mund të jenë të pasigurta dhe me një rrezik më të madh për të siguruar një furnizim të rregullt e të vazhdueshëm me lëndë të para.

  Globalizimi me efektet e veta, kryesisht zhvillimet teknologjike në fushën e informacionit, i ka shumëfishuar dhe i ka lehtësuar ndërlidhjet midis bizneseve dhe midis vendeve duke bërë të mundur që tregu t’i kalojë kufijtë kombëtarë dhe të zhvillohet lehtësisht midis tregjeve të kthyer tashmë në tregje transnacionale.

    Teorikisht investimet direkte të huaja mund të kontribuojnë në rritjen e mirëqënies së vendeve, qoftë atyre të zhvilluara, qoftë atyre në zhvillim nëpërmjet disa kanaleve:  

– vendet me aftësi akumulimi të kapitalit të ulëta mund të kenë dobi nga investimet direkte të huaja duke bërë të

   mundur investimin e projekteve të ndryshme që kontribuojnë në rritjen ekonomike;

– zvogëlon kostot e transaksioneve ndërkombëtare duke mundësuar shkëmbimin e të mirave materiale, por edhe të

   atyre jo materiale;

– së treti bizneset shumëkombëshe mund të krijojnë një presion konkurrues duke mundësuar në këtë mënyrë edhe

   zhvillimin e bizneseve lokale

   Evidencat empirike tregojnë se në vendet e zhvilluara, për arsye të zhvillimeve globale dhe delokalizimit, pasojat negative vërehen në shtresat sociale të pakualifikuara duke qenë se tashmë bizneset – mëmë në vendet e origjinës (vendet e zhvilluara) merren me aspektet e projektimit, krijimit dhe marketingut të produkteve dhe shërbimeve, të cilat kanë një përmbajtje të theksuar teknologjike dhe një personel më të arsimuar dhe kualifikuar. Sidoqoftë, vende të tilla si Suedia apo Japonia, nëpërmjet formave të ndryshme të trajnimit dhe ri-trajnimit kërkojnë që të kualifikojnë punonjësit e tyre për të mos i nxjerrë jashtë tregut të punës. Gjithsesi punonjësit e pakualifikuar të vendeve të zhvilluara mbeten një kategori vulnerabël me ndryshimet e krijuara nga globalizimi.

   Në vendet në zhvillim çështja e efekteve të rritjes së investimeve direkte të huaja është më komplekse. Mund të evidentohen raste në dukje të një impakti pozitiv, sikurse edhe raste të një impakti negativ të hapjes së tregjeve të vendeve në zhvillim ndaj investimeve të huaja.

    Përsa i përket prodhimit vendas dhe eksportit vërehet një rritje e tyre. Gjithashtu bizneset shumëkombëshë ofrojnë paga më të larta për punonjësit lokalë sesa vetë bizneset lokale, e cila i shtyn edhe bizneset lokale të kenë një tendencë të tillë në paga, edhe pse jo në nivelin e pagave në bizneset shumëkombëshe. Problemi më i madh qëndron në transferimin e njohurive dhe teknologjive të prodhimit[17]. Barrierat e vendosura nga bizneset shumëkombëshe, sidomos përsa i përket mbrojtjes së të drejtës së pronësisë intelektuale edhe mbi produkte apo shërbime të domosdoshme për vendet e varfëra e shtyn Benediktin XVI të theksojë se “flukset e njohjeve teknike shumohen, por në dobi të pronarëve të tyre, ndërsa situata reale e popullsive që jetojnë nën dhe gati gjithmonë në padije të këtyre flukseve mbetet e pandryshuar, pa mundësi reale të lirimit” (CiV, n.71).

Probleme të tjera kanë të bëjnë me efektet e globalizimit në ambientin dhe kushtet e punës në vendet në zhvillim: përsa i përket efekteve të dëmshme në ndotjen e ambientit vihen re situata të ndryshme në vende të ndryshme, p.sh kodet e sjelljes së mirë janë një model pozitiv, por edhe shfrytëzimi i minierave në Kongo është një model negativ. Sidoqoftë nuk vihet re një lidhje e drejtpërdrejtë mes rritjes së aktivitetit të bizneseve shumëkombëshe dhe ndotjes së ambientit, të paktën në një nivel kohor aftagjatë. Ajo që mund të thuhet është se në një nivel kohor afatgjatë, nëse bizneset shumëkombëshe prodhojnë mirëqënie në vendet në zhvillim (dhe kjo varet shumë edhe nga faktorët qeverisës lokal), atëherë presioni dhe kapitalet rriten për të parandaluar ndotjen e ambientit.

   Po kështu përsa i përket kushteve të punës, evidencat empirike tregojnë se bizneset shumëkombëshe kërkojnë të investojnë kryesisht në ato vende ku zbatohet legjislacioni, ku zbatohen rregullat, ku të drejtat e pronësisë janë të qarta, ku ka më pak korrupsion, ku forca punonjëse është më e kualifikuar, pra në ato vende ku qartësia apo sundimi i ligjit është evident. Dhe qartësia, sikurse edhe sundimi i ligjit vihet re në ato vende që kanë një demokraci pak a shumë të konsoliduar. Vetë fakti që pjesa më e madhe e investimeve direkte drejtohen në ato vende ku ka një qartësi më të lartë ligjore dhe forcë punëtore më të kualifikuar, tregon se synimi primar i bizneseve shumëkombëshe nuk është shfrytëzimi i drejtpërdrejtë i kapitalit njerëzor. Po të marrim si shembull rastin e Shqipërisë, edhe pse investimet e huaja direkte kanë pësuar një rritje konstante në vite, çështja e paqartësisë së pronësisë është një pengesë e madhe që i frenon investitorët për të derdhur investimet e tyre në këtë vend. Pra edhe në këtë aspekt nuk shihet një lidhje e drejtpërdrejtë mes rritjes së aktivitetit të bizneseve shumëkombëshe dhe përkeqësimit të kushteve të punës së punonjësve. Ajo që vihet re është se në ato vende ku ka një arsimim më të lartë, ku ka punonjës më të kualifikuar dhe ku ka rregulla të qarta pra mundësi kontraktimi të qartë dhe të garantuar, janë derdhur më shumë investime dhe bizneset shumëkombëshe kanë patur një impakt pozitiv në zhvillimin e atyre vendeve, p.sh në vendet e ashtuquajtur tigrat aziatikë. Sigurisht nuk mungojnë edhe mjaft raste të cilat shfrytëzohen për qëllime oportuniste dhe spekulluese nga bizneset shumëkombëshe (së bashku me bizneset lokale), të cilat synojnë fitimin afatshkurtër duke mos marrë parasysh respektimin e dinjitetit të njeriut dhe të ambientit ku shoqëria lokale ka ndërtuar jetesën e vet pikërisht në ato vende ku lulëzon korrupsioni, mungesa dhe forca e ligjit për të vepruar.

   Si rrjedhim impakti i bizneseve shumëkombëshe mbi vendet në zhvillim nuk zhvillohet në mënyrë automatike, pa pjesëmarrjen e aktorëve të tjerë vendimmarrës politikë në vendet në zhvillim. Në këtë aspekt, së pari qeveritë e vendeve në zhvillim së bashku me bizneset shumëkombëshe duhet të luajnë një rol vendimtar në krijimin e kushteve të arsimimit dhe edukimit për t’u liruar nga nevoja e njohurive dhe zhvillimit të teknologjive dhe për të zhvilluar kapitalin njerëzor. Së dyti qeveritë (apo të ashtuquajturit policy makers) e vendeve në zhvillim duhet të kujdesen që të krijohen kushte për mbrojtjen e konkurrencës dhe tregut si dhe eliminimin e mundësive për monopol apo koncentrim nga ana e bizneseve që operojnë në ato vende. Së treti, hapjen e tregut, policy makers duhet ta ekuilibrojnë me një zhvillim të amortizatorëve socialë në mënyrë që të mbrohen dhe të riakualifikohen kategoritë e punonjësve që mund të gjenden në vështirësi nga ndryshimet në globalizimin ekonomik.

   “Nuk ka arsye as që të mohohet se delokalizimi, kur sjell me vete investime dhe formim, mund t’u bëjë mirë popullsive të vendit që e mikpret atë…Por nuk është e lejueshme të delokalizohet vetëm për të gëzuar kushte të veçanta të favorshme, ose edhe më keq, për shfrytëzim, pa i sjellë shoqërisë lokale një ndihmesë të vërtetë…”(CiV, n.40).

   Dhe në radhë të parë dashuria dhe ndihma ndaj shoqërisë lokale mund të vijë detyrimisht nga vetë qeveria apo vendimmarrësit lokalë, aty ku mbështetet edhe shoqëria lokale, aty ku ajo ka besuar ushtrimin e sovranitetit të vet[18].

Konkluzion

  Globalizimi, si një fenomen në evolucion, po influencon të gjithë sferën jetësore të njeriut, qoftë si individ, qoftë në marrëdhëniet me të tjerët. Si rrjedhim edhe debatet që lindin prej tij janë të shumëllojshme: ekonomike, sociale, politike, kulturore, teologjike, etj.

    Nga këndvështrimi ekonomik, debati më i rëndësishëm që ka të bëjë me globalizimin lidhet me dobishmërinë e tij në zhvillimin e vendeve të varfëra. Duke qenë se globalizimi ekonomik lidhet me liberalizimin globalisht dhe jo thjesht ndërkombëtarisht   të marrëdhënieve ekonomiko – sociale, e realizuar kjo me shtysën dhe iniciativën e vendeve të zhvilluara për të hapur tregjet e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe më pak të individëve, atëherë në pamje të parë duket se të humburit e këtij Procesi mund të jenë të varfërit e globit.

    Megjithatë një arsyetim i tillë do të ishte shumë i thjeshtë dhe reduktues për vetë karakteristikat e Procesit globalizues. Globalizimi ekonomik ka aspektet e tij pozitive, por edhe rreziqe të konsiderueshme, që jo vetëm nuk do ta reduktonin hendekun e pabarëzisë midis njerëzve, por në të kundërt do ta thellonin atë. Dhe rreziku më i madh, sikurse thekson edhe Benedikti XVI, qëndron te mënyra sesi administrohen Proceset e globalizimit: globalizimi nuk është as i mirë e as i keq, i mirë ose i keq mund të jetë administrimi i tij nga ana e njeriut. Dora e fshehtë e tregut, e predikuar aq shumë nga teoria neo-liberiste, nuk ka të bëjë me forcën vetrregulluese të tregut, por me forcën morale, me këndvështrimin etik të transaksioneve tregtare, financiare, investuese që realizojnë palët me njëra – tjetrën. Dhe shembulli më konkret është kriza financiare e radhës që po përjeton mbarë globi: përgjegjës nuk është teknika financiare e përdorur, por modelet e papërgjegjshme të administrimit të lirisë njerëzore. “Prandaj nuk është mjeti ai që duhet thirrur në çështje, por njeriu, ndërgjegja e tij morale dhe përgjegjësia e tij personale e shoqërore” (CiV, n.36).

Dhe dashuria në të vërtetën si rrjedhim bëhet emëruesi i përbashkët për gjithë Procesin e globalizimit në të gjitha fushat e sferës njerëzore. E mbyll me një thirrje apo nxitje të Benediktit XVI drejtuar mbarë njerëzve vullnetmirë “…dashuria dhe e vërteta na vënë përpara një angazhimi të ri dhe krijues, sigurisht shumë më të gjerë e kompleks. Bëhet fjalë për ta zgjeruar arsyen dhe për ta bërë atë të aftë t’i njohë e t’i orientojë këto dinamika të reja e të mëdha, duke i nxitur ato në perspektivën e atij ‘qytetërimi të dashurisë’, farën e të cilit Hyji e ka vënë në çdo popull, në çdo kulturë” (CiV, n.33)  

BIBLIOGRAFIA

ANDREOTTI A., Globalizzazione: una voce sotto scala, Lampi di stampa, 2007.

BALDWIN R., FRANCOIS J., RICHARD P., The cost and benefits of eastern enlargement: the impact on the EU and central Europe, Economic Policy, April 1997, fq. 127-176;

BENEDIKTI XVI, Dashuria ne te verteten, Arqipeshkvia Metropolitane Shkoder – Pult, Shkoder, 2009.

BERRINI A, Le crisi finanziarie e il ‘derivatus paradoxus’, Editrice Monti, Saronno 2007.

BHAGWATI J., Elogio della globalizzazione, Gius. Laterza & Figli Spa, Roma – Bari, 2005.

BOERI T., Eastern Enlargement and EU-Labour Markets: Perceptions, Challenges and Opportunities, World Economics, Vol. 2, No. 1 (Jan/Mar 2001).

BONAGLIA F., GOLDSTEIN A., Globalizzazion e sviluppo, il Mulino, 2003.

BREUSS F., Costs and benefits of EU enlargement in model simulations, IEF Working Paper, Wien, Juni 1999FRIGERO P., Economia Applicata, Giappichelli Editore, 2003.

KESHILLI PAPNOR I DREJTESISE DHE I PAQES, Permbledhje e doktrines shoqerore te kishes, Arqipeshkvia Shkoder – Pult, 2006.

KLEINERT J., The role of Multinational Enterprises in Globalization: An empirical overview, Kiel Working Papers No. 1069, August 2001,

KOBRIN S., Sovereignty@bay: Globalization, multinational enterprise and the international political system, http://www-management.wharton.upenn.edu.

MAJONE A.G., La globalizzazione dei mercati: storia, teoria, istituzioni, FrancoAngeli Editore, 2004, fq. 21 – 29.

MARIANO L., Responsabilità etica d’impresa. Teoria e buone pratiche, Napoli, Liguori Editori, 2008.

MARTIRANI G., Dal mercato globale alla giustizia universale, Ligjëratë e mbajtur në Unversitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, Tiranë, 21 prill 2009.

NEUDER F., Costs and benefits of EU enlargement, Intereconomics, Jul/Aug 2003.

PALI VI, Zhvillimi i popujve, Arqipeshkvia Metropolitane Shkoder – Pult, Shkoder 2007.

PARITANTI O., Azienda ed etica: modelli per lo sviluppo economico e gestione di aziende etiche, Pisa 2008.

YUNUS M., Il banchiere dei poveri, Milano, Feltrinelli, 2000.

ZAHARIADIS Y., The effects of the Albania – EU Stabilization and Association Agreement: Economic Impact and Social Implications, ESAU (Economic and Statistics Analysis Unit) Working Paper 17, Overseas Development Institute, London 2007.

FAQE WEB

http://hdr.undp.org/en/statistics/
http://www-management.wharton.upenn.edu.

 v.cit., fq. 139

[7] MAJONE A.G., La globalizzazione dei mercati: storia, teoria, istituzioni, FrancoAngeli Editore, 2004, fq. 21 – 29.

[8] BONAGLIA F., GOLDSTEIN A., v.cit, fq. 44 – 45

[9] ZAHARIADIS Y., The effects of the Albania – EU Stabilization and Association Agreement: Economic Impact and Social Implications, ESAU (Economic and Statistics Analysis Unit) Working Paper 17, Overseas Development Institute, London 2007, fq. 52.

[10] MARTIRANI G., Dal mercato globale alla giustizia universale, Ligjëratë e mbajtur në Unversitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, Tiranë, 21 prill 2009.

[11] ANDREOTTI A., Globalizzazione: una voce sotto scala, Lampi di stampa, 2007, fq. 68.

[12] YUNUS M., Il banchiere dei poveri, Milano, Feltrinelli, 2000.

[13] MARIANO L., Responsabilità etica d’impresa. Teoria e buone pratiche, Napoli, Liguori Editori, 2008, fq. 136-137.

[14] KLEINERT J., The role of Multinational Enterprises in Globalization: An empirical overview, Kiel Working Papers No. 1069, August 2001, fq. 3

[15] KLEINERT J., v.cit., fq. 4

[16] FRIGERO P., v.cit., fq.103

[17] BONAGLIA F., GOLDSTEIN A., v.cit., fq.69.

[18] KOBRIN S., Sovereignty@bay: Globalization, multinational enterprise and the international political system, http://www-management.wharton.upenn.edu/kobrin/Research/Oxford%20rev2%20print.pdf,  fq. 25