Shkodër, 26/06/2018
Shumë i nderuar Zoti President i Republikës,
I dashur Nunci Apostolik
Të dashur Ipeshkevij dhe meshtarë,
Te dashur miq dhe të ftuarit,
Ndihem shumë i nderuar që sot marr dekoratën “Nënë Tereza”, pak më shumë se 25 vjet prej ardhjes sime në Shqipëri si misionar dhe 21 vjet prej shugurimit tim si Ipeshkëv për të mirën e kësaj toke dhe të këtij populli shqiptar.
Origjina ime arbëreshe gjithmonë më ka bërë që të kem një shikim të drejtuar kah “toka përballë” meje, ndërsa në Pulje, që është pikërisht përballë Shqipërisë, bëja detyrat e mia si frat françeskan, në pritje të ditës kur do të ishin hapur kufijtë dhe do të kishte ardhur liria.
Zoti deshi që ëndrra ime të realizohej. Nuk e dija se çfarë do të kisha gjetur në tokën përballë meje, apo më saktë, e merrja me mend, por takimi me realitetin më bëri të kuptoj që kishte vërtet shumë punë, në të gjitha pikëpamjet: njerëzore dhe shpirtërore.
Dhe kështu, prej shërbimit të thjeshtë të bashkëndarjes së përshpirtërisë françeskane me ata fretër të rinj, që i afroheshin Urdhrit tonë rregulltar, më është dashur të bëj një shërbim edhe më të vështirë, atë të përgjegjësisë mbi pjesën më të madhe të popullsisë katolike shqiptare, që edhe sot e kësaj dite shërbej dhe do të shërbej derisa të kem mundësi.
Jam frat françeskan dhe ipeshkëv misionar: një arsye e dyfishtë për të qenë pranë popullit dhe me popullin; një popull që aq shumë ka vuajtur dhe që meriton shpërblimin shoqëror dhe njerëzor që i takon. Por, si ipeshkëv, kam edhe detyrën e vështirë për të qenë “roje” vigjilente, domethënë për të dalluar nga larg mundësitë dhe rreziqet që mund ta godasin popullin që më është besuar. Disa prej këtyre i kemi denoncuar publikisht së bashku me sivëllezërit e mi ipeshkvij dhe me përgjegjësit e besimeve të tjera fetare.
Rreziqe të tjera dhe të reja, për fat të keq, shihen në horizont dhe në momentin e duhur do t’i paraqiten atyre që kanë detyrën delikate të vigjëlojnë mbi të mirën e Kombit, qytetar i të cilit kam nderin të jem, por jam edhe, si rrjedhim, pjesë përbërëse dhe aktive e tij.
E gjithë kjo për të shprehur falënderimin tim më të vërtetë dhe më të ndier për dekoratën që sot më jepet, por edhe për t’ju siguruar se do të vazhdoj të jetoj dhe të veproj për të mirën e Kombit tonë dhe të Kishës, të cilës ia kam dhuruar jetën time.
Këtë dekoratë ua kushtoj “Kishës Martire në Shqipëri” dhe “të varfërve më të varfër”, që ishin në zemrën e Shenjtes sonë Nënë Tereza të Kalkutës.
Shumë faleminderit, Zot President!
† Angelo Massafra O.F.M.
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult