Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Fillimi i Muajit Misionar – Tetor 2019

Fillimi i Muajit Misionar – Tetor 2019

Vëllezër e motra, reflektimi mbi përmasën misionare të Pagëzimit tonë (“Të pagëzuar dhe të dërguar” – kjo është tema që Ati i shenjtë ka zgjedhur për këtë rast) nuk mund të kufizohet brenda pak minutash në një homeli, ashtu si nuk mund të shterohen në një letër të gjitha tekstet e përgatitura për këtë muaj të jashtëzakonshëm misionar. Bëhet fjalë për gatishmërinë e zemrës sonë për të hyrë brenda vetes sonë, për të marrë seriozisht në konsideratë hirin e pagëzimit tonë, për të kuptuar se si të qenit i pagëzuar na hap ndaj përmasës misionare, për të vendosur që ta jetojmë këtë përmasë misionare në jetën tonë të zakonshme të krishterë dhe, ndoshta edhe në atë të jashtëzakonshme. Shpesh jemi mësuar të quajmë “misionarë”, dhe t’i konsiderojmë si të tillë, vetëm ata që lënë shtëpinë dhe tokën e tyre për të shkuar në vendet ku Krishti nuk njihet ende dhe ku mesazhi i tij i shpëtimit nuk ka mbërritur akoma. Me siguri, këta burra dhe gra kanë marrë prej Zotit një thirrje specifike për mision; por përmasa misionare është e lidhur ngushtë me Pagëzimin dhe, pra, i përket me të drejtë çdo të krishteri. Pastaj, kjo e drejtë, është edhe një detyrë; ashtu siç thotë Shën Pali: “I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!” (1Kor 9,16).

Për të krishterin, angazhimi misionar i ka rrënjët e veta në misionin e Trinisë së shenjtë dhe, në veçanti, në atë të Jezusit, dërguar prej Atit për shpëtimin e botës. Të krishterët nuk “bëjnë mision”, por “marrin pjesë”, secili sipas karizmave të veta, në misionin e vetëm të Birit të Hyjit, falë impulsit dhe veprimit të Shpirtit Shenjt, që gjithmonë vepron në jetën e Kishës.

Papa thotë: «Jeta jonë është, në Krishtin, një mision! Ne vetë jemi mision, sepse jemi dashuri e Hyjit të komunikuar, jemi shenjtëri e Hyjit krijuar në përngjasim të tij. Pra, misioni është shenjtërimi ynë dhe i botës mbarë, qysh prej krijimit (krh. Ef 1,3-6). Përmasa misionare e pagëzimit tonë përkthehet kështu në dëshmi shenjtërie, që i jep jetë dhe bukuri botës» (Papa Françesku, Fjalimi drejtuar Drejtorëve Kombëtarë të Veprave Misionare Papnore, 1 qershor 2018).

Pra, duke mos mundur që të paraqes këtu, në pak minuta, krejt teologjinë e misionit, po kufizohem të paraqes disa pika për reflektim marrë prej letrave të Liturgjisë që jemi duke kremtuar.

Veprimi profetik i Zakarisë synon që të ngushëllojë dhe të ngulitë një fuqi të re te populli i vet pas periudhës së mërgimit në Babiloni. Në vazhdimësi me traditën profetike, Zakaria e di mirë se cila është thirrja e popullit të Izraelit në mes të të gjithë popujve të tjerë, por e di edhe se si pabesnikëria e popullit e ka çuar atë që të provojë mërgimin e hidhur, rast ky për të arritur në një vetëdije të re: vetë Hyji është bariu dhe udhëheqësi i popullit të vet. Jo vetëm, por vetë Hyji do të hidhet në veprim, me qëllim që përgjatë historisë, por sidomos në fund të kohëve, “popuj dhe banorë të shumë qyteteve; banorët e një qyteti do të shkojnë tek ata të tjetrit, duke thënë: “Le të shkojmë menjëherë t’i përgjërohemi fytyrës së Zotit dhe të kërkojmë Zotin e ushtrive. Edhe unë do të shkoj” (Zak 8, 20-23).

Në Ungjill kemi dëgjuar se si Zoti Jezus i bashkon me veten e vet të gjithë njerëzit që përgatisin kalimin e tij në qytetet dhe në fshatrat ku ai shkonte, duke marrë përsipër edhe rrezikun e mospranimit të tyre. Apostujt me pohimet e tyre tregojnë se ende nuk e kanë kuptuar domethënien e misionit të mëshirës së Birit të Hyjit, duke pohuar kështu një linjë mendimi tipike për Izraelitët e kohës, domethënë atë që ta konsideronin veten si zotërues absolutë të Hyjit. Por Hyji nuk mund të zotërohet, pasi ai vetë u dhurohet falas të gjithëve. Ka vetëm nevojë për dikënd që t’ia përgatisë rrugën.

Pra, misioni i Kishës është vetëm ai që të marrë pjesë në misionin e Birit të Hyjit, i cili është Bariu i vërtetë që i mbledh të gjithë popujt, i tërheq të gjithë tek vetja jo me fuqinë e madhështisë, por me forcën dhe fuqinë e kryqit. Jezusi, rrugës për Jerusalem, ku do të përmbushte misionin e vet, u ka kumtuar të vetëve për tre herë radhazi mënyrën me të cilën do të realizohej ky shpëtim, por ata nuk e kanë kuptuar, sepse është e vështirë që të kuptosh se si mund të shpëtohet në një mënyrë tjetër prej mënyrës se si bota e kupton shpëtimin.

Shpesh edhe Kisha përgjatë shekujve ka pasur të njëjtën vështirësi, duke menduar se mund ta bëjë më mirë misionin e vet nëse, krahas përmasës shpirtërore që e karakterizon atë, të shtonte edhe atë të pushtetit kohor. Por historia i jep edhe një herë të drejtë Jezusit: vetëm kryqi mund ta sjellë shpëtimin. Kryqi ka forcën dhe pushtetin që ta shkatërrojë mashtruesin më të madh të njerëzve që, pasi ka dështuar në tundimin e Jezusit në shkretëtirë, kthehet vazhdimisht për t’i tunduar besimtarët në Krishtin me të njëjtat iluzione të pushtetit dhe të zotërimit.

Kurse Jezusi na pajis me disa ilaçe shumë të efektshme në ushtrimin e misionit: atë të varfërisë, kur të tijve u urdhëron që të mos marrin asgjë me vete kur udhëtojnë, sepse zotërimi ngadalëson misionin; atë të vëllazërisë, kur sugjeron që të qëndrojnë në një shtëpi, e cila bëhet pikë takimi në mision, sepse marrëdhëniet vëllazërore janë mjeti më i mirë i përhapjes së mesazhit; atë të vendosmërisë, kur urdhëron që të mos përshëndesin askënd gjatë rrugës dhe që të shkundin pluhurin nën këmbë kur nuk pranohen prej të tjerëve, sepse misioni nuk pranon ngadalësime.

Është e nevojshme që t’i kushtojmë një vëmendje të madhe njeriut, siç bën Jezusi, për të parë se si Hyji e ka dashur atë dhe se si e ka bërë objekt të privilegjuar të mesazhit të shpëtimit të Jezusit. Ta duam Hyjin deri në atë pikë sa marrja pjesë në misionin e Birit të na hapë domosdoshmërisht ndaj një dashurie të madhe për njerëzimin, derisa kjo e fundit të arrihet prej vetë dashurisë së Atit.

Kështu, Kisha lidhet më shumë me botën, taman nëpërmjet një vëmendje më të madhe ndaj njeriut, për gëzimet dhe shpresat e tij, për trishtimet dhe ankthet e tij, sidomos nëse ai është i varfër, i dobët, i braktisur, i largëtKjo vëmendje ndaj njeriut, pashtaj, nuk mund te mos jetë edhe burim thirrjesh te reja, jo vetëm për jetën e krishterë, por edhe për jetën e shuguruar dhe meshtarinë ministerial.

Ashtu siç është e nevojshme edhe që të kemi një dashuri të madhe për krijimin, i cili nuk mund të përjashtohet prej angazhimit misionar të besimtarit në Jezusin, sepse edhe ai – siç thotë Shën Pali – pret së bashku me ne, që shëlbimi i bërë prej Jezusit të arrijë plotësinë e vet të plotë (krh. Rom 8,22).

Po i përfundoj këto mendime të mia ashtu siç kam filluar, duke nxitur njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë me qëllim që të bëjmë të mundur që kremtimi i sotëm të ndikojë fortësisht te ndërgjegjet tona dhe të shkaktojë një impuls të fortë misionar. Uroj që, duke u mbledhur sërish më 26 tetor në Vlorë, të zbulojmë në fytyrat tona gëzimin se kemi rigjetur në ne bukurinë e vetëdijes se jemi pjesëmarrës të misionit të Jezusit, me forcën e Shpirtit Shenjt, me qëllim që krejt bota ta njohë, ta adhurojë dhe ta dojë Hyjin. Atij ndera dhe fuqia në shekuj të shekujve Amen.