Festa e Zojes se Shkodres 2019

Shkoder, 21/10/2019 (FESTA E ZOJES SE SHKODRES)

Qofte levduar Jezu Krishti!

I dashur Don Vlash, famullitar i famullise,

Te dashur Anetare te keshillit baritor e famullise,

Te dashur Meshtare, Rregulltarë dhe Rregulltare,

Te dashur Vellezer dhe Motra,

Festa që tradicionalisht kremtojmë në këtë datë na bën që më së shumti të kujtojmë lidhjen që Shkodra ka me Nënën dhe Pajtoren e vet. Është e vërtetë, Ajo është për të gjithë të krishterët Nëna e Këshillit të Mirë, por për ne, të paktën sot, është Zoja e Shkodrës. Një festë që është vetëm për ne, në atë intimitet që bijtë dëshirojnë të ketë me Nënën e tyre, edhe nëse Ajo është Nëna e të gjithëve.

Por, ta nderosh Marinë në Shkodër nuk është vetëm një festë fetare, por na kujton edhe vlerën identitare që kjo ikonë e Virgjërës ka për popullin tonë: Asaj i janë drejtuar etërit tanë; në vështrimin e saj plot dashuri janë drejtuar sytë i Martirëve tanë në momentin suprem të flisë së tyre; fytyra e saj kaq e ëmbël në kontakt me fytyrën e dashur të Birit ka qenë flamuri i valëvitur me guxim në momentin kur ky popull u lirua nga zgjedhë e diktaturës dhe, edhe sot, kjo fytyrë e dashur sundon në altarin e madh të kësaj kishe Katedrale për të na kujtuar të gjithëve rëndësinë që ka të qenët afër saj dhe të bashkuar me të.

Në përkujtimin e Shenjtes Terezë të Avilës që pak ditë më parë kemi kremtuar, Kisha na ftonte që të lexonim një pjesë prej shkrimeve të kësaj Shenjteje ku ajo thoshte: “nuk mund t’i pëlqejmë Hyjit dhe prej Tij të marrim hire të mëdha, përveçse përmes duarve të njerëzisë shumë të shenjtë të Krishtit, e cila i pëlqen atij”. Ja: më pëlqen ta shoh fytyrën e Jezusit kaq të bashkuar me fytyrën e Nënës dhe të shoh në njerëzinë e tij edhe njerëzinë tonë; dhe kështu, të imagjinoj – por me sigurinë e zemrës – që në atë Fëmijë është krejt populli ynë që, butësisht, mbështetet me siguri te Nëna e vet.

Dhe nuk besoj se ky është vetëm mendimi im; edhe leximi i ikonës së Nënës së Këshillit të Mirë më ngushëllon në këtë lexim të realitetit: autori ka përdorur simbologjinë e ngjyrave të ikonografisë së shenjtë duke shkëmbyer atributet e tyre. Birit i ka atribuar ngjyrat e njerëzimit, ndërsa Nënës ngjyrat e hyjnisë. Dhe kjo është domethënëse, pasi na tregon qëllimin e jetës sonë tokësore: shenjtërinë. Në Besëlidhjen e Vjetër thuhet: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj” (Lev 19,2); po ashtu edhe Jezusi na përsërit vazhdimisht: “Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell” (Mt 5,48).

Të shikojmë shenjtërinë e Marisë, ndërsa ndiejmë fort njerëzinë tonë me të gjitha të mirat e të këqijat, na mundëson që të fluturojmë lart, që të mos kënaqemi me gjërat e kësaj toke, por të dëshirojmë dhe të aspirojmë me guxim ato të Qiellit. Dhe Nëna na ndihmon me fjalën e saj dhe me shembullin e saj, ashtu si vetëm nënat dinë të bëjnë.

Sapo kemi dëgjuar pjesën e ungjillit të Gjonit ku “Nëna e tij u tha shërbyesve: «Bëni gjithçka t’ju thotë!»” (Gjn 2,5). Sot ata shërbëtorë jemi ne; jemi mbartësit e kësaj “këshille të mirë”: t’i bindemi Krishtit është vetë natyra e të krishterit. Jo vetëm, por Krishti është ai vetë “Këshilli i Mirë”: Fjala e dërguar prej Atit për ta çuar botën drejt bashkësisë me hyjnorin.

Po ashtu, Maria na ndihmon me shembull, duke qenë Ajo vetë nxënësja e parë e Birit, lumnia e të cilës është fakti se ka dëgjuar Fjalën e Hyjit dhe se e ka vënë atë në praktikë; e njëjta lumni që, sipas fjalëve të Jezusit, i përket edhe të gjithë nxënësve të tij të vërtetë: “Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!” (Lk 11,28).

Çfarë rrjedhojash duhet të ketë ky reflektim në jetën tonë të përditshme?

Rrjedhoja e parë është ajo e shenjtërisë së jetës. Ashtu si Maria, edhe ne duhet t’i hapemi veprimit të Shpirtit Shenjt që, vazhdimisht e shtrin mbi ne hijen e vet (krh. Lk 1,35). Shenjtëria është para së gjithash veprim i Hyjit, nismë e Hyjit, në jetën tonë. Pastaj edhe veprim i njeriut që bashkëpunon me veprimin e Hyjit duke u bërë i butë për mikpritjen e stimujve të tij.

Rrjedhoja e dytë duhet të konsistojë në praktikimin e jetës së krishterët sipas Ungjillit që duhet të njihet prej të gjithëve dhe po për të gjithë duhet të jetë një pikë referimi. Jemi duke jetuar muajin misionar, domethënë një muaj ku në mënyrë të veçantë jemi të ftuar për të reflektuar se si Kisha nuk mund të mos jetë misionare. E kemi thënë në Meshën e hapjes së këtij muaji: vetë natyra e Kishës është që ajo të jetë misionare. Kjo nuk do të thotë të bësh proselitizëm, por të dëshmosh bukurinë e të qenit nxënës i Jezusit. Por si mund ta dëshmojmë Jezusin nëse nuk e njohim Ungjillin? Shën Jeronimi pohon që “të mos i njohësh Shkrimet do të thotë të mos e njohësh Krishtin”. Ungjilli është rregulla e jetës së të krishterit, për këtë arsye kam dëshirë që të gjithë të krishterët e Shkodrës ta njohin dhe ta praktikojnë Ungjillin.

Vëllezër e motra, nëse duam të jemi ne ajo faqe e mbështetur në faqen e Marisë nuk kemi rrugë tjetër për të bërë veç atë të koherencës së jetës ungjillore që na bën të jemi në këtë botë qytetarë shembullorë të qytetit tokësor dhe, në të njëjtën kohë, na hap rrugën për të qenë një ditë qytetarë me të drejta të plota të qytetit të amshuar.

Për këtë qëllim, dëshiroj t’ia drejtoj mendimin tim atyre që në këtë qytet kanë përgjegjësi drejtuese apo qeverisëse për t’i siguruar për lutjen dhe bashkëpunimin faktik të të gjithë katolikëve shkodranë. Të kesh përgjegjësi nuk është arsye krenarie, por të vë në një pozicion të veçantë, pasi bëhet fjalë për t’u kujdesur për të mirën e përbashkët me të gjitha vështirësitë që rrjedhin prej një gjëje të tillë. Për këtë arsye, ftoj që të favorizohet më shumë bashkëpërgjegjësia e qytetarëve në mbarështimin e gjërave publike, duke shmangur kështu rrezikun e interesave private, që nuk ndihmojnë në zhvillimin e vërtetë të një shoqërie.

Në fund, dua t’i kushtoj një fjalë ngushëllimi të fundmëve të qytetit tonë, të sëmurëve, atyre që jetojnë situata të sikletshme shoqërore apo ekonomike, të burgosurve, atyre që janë viktima të abuzimeve apo të krimeve: kini shpresë! Fjalën e fundit në lidhje me situatat e ndryshme të jetës sonë mund ta thotë vetëm Zoti. Shikoni me besim atë Fëmijë shikimi i të cilit kryqëzohet dashamirësisht me atë të Nënës: Ai sot ju thotë të keni shpresë, pasi dëshirat tuaja janë në duart e Zotit dhe, nëse i besojmë me besim Provanisë së tij, Ai do të bëjë të mundur që të mos na mungojë ajo për të cilën kemi nevojë. Le të mësojmë t’ia besojmë Atij vuajtjet tona, me sigurinë që ato nuk do të jenë të kota dhe që, në projektin e Hyjit, kanë një vlerë të pashlyeshme.

Bekimi i Hyjit dhe i Nënës së tij shumë të shenjtë zbrittë mbi këtë qytet, mbi këtë Kishë dhe të gjithë i mbushtë me hirin dhe me ngushëllimin e Shpirtit Shenjt. Amen.