Dita rinore dioqezane – 8 prill 2017

Fjalimi I Arqipeshkvit Imzot Massafra

Per diten rinore dioqezane me 8 prill 2017

Fort të dashur të rinj,

vij e ju takoj në vendet e Dioqezës ku jeni mbledhur për të kremtuar Ditën që Kisha jua ka kushtuar juve. Ajo ju ndien si bij të saj, ashtu si edhe në fakt jeni.

Dita që po jetojmë, e Diela e Larit, është një simbol shumë i fortë i jetës sonë, pasi në këtë ditë kujtojmë momentin e lavdisë së Jezusit, që hyn në Jerusalem, në kulm të rinisë dhe të misionit të vet. Por ky moment lavdi nuk është i shkëputur prej Mundimeve që Ai do të përjetojë pak më vonë dhe që do ta çojnë në fillim në kryq dhe më pas në ngjallje.

Edhe një herë Jezusi, Mësuesi dhe Zoti ynë, me përvojën e Vet na mëson se jeta përballohet me guxim, duke e ditur se ajo sjell edhe momente të dhimbshme, por që tejkalohen me qetësinë e brendshme të atij që është duke jetuar plotësisht, pa u fshehur apo pa i anashkaluar ato. Ky është çelësi i suksesit, edhe nga një pikëpamje vetëm njerëzore.

Por për ne që jemi nxënës të Jezusit ekziston një vlerë shtesë: vetëdija se nuk jemi vetëm në përballimin e jetës. Kemi pranë nesh praninë e gjallë dhe të vërtetë të Jezusit, që na ka thënë: “Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!” (Mt 28,20b). Jemi pjesë e një bashkësie personash besimtarë si ne dhe që, ashtu si ne, janë në ecje, domethënë Kisha: duke ndihmuar njëri-tjetrin mund të shkojmë larg.

Papa Françesku, në mesazhin që ju ka dërguar për këtë ditë dhe që ju ftoj ta lexoni drejtpërdrejt në sitin e Vatikanit, flet për Kishën duke thënë: “Përvoja e vërtetë si Kishë nuk është si një flashmob, ku mund të takohesh, ku bën një paraqitje dhe pastaj secili shkon në punë të vet. Kisha sjell me vete një traditë të gjatë, që përçohet prej brezit në brez, duke u pasuruar në të njëjtën kohë me përvojën e çdo individi. Edhe historia jonë e gjen vendin e vet brenda historisë së Kishës”. Dhe vazhdon duke ju propozuar si model Marinë e Nazaretit, që, në takim me traditën, të përfaqësuar prej Elizabetës, di të ruajë në zemër dhe t’i meditojë veprat e mrekullueshme që Hyji ka bërë në histori.

Fort të dashur të rinj, ju jeni vazhdimi i kësaj historie të Kishës dhe me jetën tuaj jeni duke ndërtuar historinë e Kishës së sotme. Për këtë arsye ju ftoj që të jeni të lidhur fort me Jezusin, me qëllim që me praninë e tij në jetën tuaj të dalloheni prej të tjerëve. Etërit e Kishës, kur flisnin për të krishterët e parë, i përshkruanin si persona shumë normalë, njëlloj si të gjithë, por të aftë që të dalloheshin në mjedisin ku jetonin. Kështu ju sot: dallohuni prej të tjerëve! Jetoni së bashku me të tjerët, por dallohuni prej tyre nga mënyra se si e konceptoni jetën, se si mendoni, se si silleni, se si i përmbushni detyrat tuaja të përditshme të studimit apo të punës pa bërë kompromise me të keqen.

Jini prani e gjallë e Krishtit, “era e mirë e Krishtit” siç thoshte Shën Pali. Por sidomos, uroj që të dini të dalloheni prej të tjerëve me praktikimin e dashurisë së krishterë. Duajini të gjithë, duani gjithmonë, duani dhe falini fyerjet, sepse Jezusi ka thënë: “Nëse e doni njëri‑tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi” (Gjn 13,35).

Atëherë vazhdoni të gëzoni dhe të festoni. Ditët e pendesës dhe të agjërimit kreshmor ia lëfshin vendin gëzimit të Pashkës, sepse Krishti vdes dhe ngjallet për të na dhënë një jetë të re dhe uroj që edhe ju të doni ta pranoni dhe t’ia përçoni botës mbarë me zellin dhe bujarinë me të cilën jeni të aftë, me freskinë e moshës suaj të re. Duke kënduar dhe vallëzuar, thuajuni të gjithëve që Krishti është Ngjallur dhe që të gjithë mund të ngjallemi me Të dhe të rimarrim ecjen me shpresë.

Urime me gjithë zemër të gjithëve ju, familjeve tuaja, miqve tuaj, të gjithë personave tuaj të dashur: thuajuni të gjithëve që ipeshkvi i përshëndet dhe i fton ta jetojnë Pashkën plotësisht të pajtuar me Hyjin dhe me të afërmin. Urime sërish.