SHENJTËRORJA E ZOJËS SË SHKODRËS
Historiku
Viti 1467 është viti, kur, si rrjedhojë e një sulmi turk, qyteti u braktis dhe qytetarët u bartën mbi kodër, brenda kështjellës, ku jetuan, deri në vitin 1479. Është viti kur në traditën e Shkodrës kujtohet shpërngulja e Figurës së Shenjtë të Zojës së Këshillit të Mirë. Është viti kur u shfaq në Gjenacan, e shoqëruar prej dy shkodranëve, Gjergji e De Sklavis.
Pas traktatit të paqes të 25 janarit 1479, nuk qe më e mundur të kishte lajme që të provonin shpërnguljen e Figurës së Shenjtë dhe traditën e lidhur me të në Shkodër.
Prandaj për një kohë të gjatë nuk qe e mundur të kishte as lajme të sakta rreth traditës vendore shqiptare, në lidhje me shpërnguljen. Ishte e pamundur, sepse të gjithë të huajt shiheshin me dyshim. Rreth gjysmës së shekullit XVIII diçka lëvizi dhe pati disa hapa nga ana e njerëzve që mund të jepnin njoftime më të hollësishme.
Pas dy vjetësh, në 1747, gjendej në Romë, në kishën e Aracoelit, në të cilën po kremtohej Nëntëshja për kanonizimin e Shën Pjetër Ragalatit, Kola i Ndoc Kamsit, “fisnik i Qytetit të Shkodrës, e Bamirës i nëntë Kishave, që gjenden në afërsi të Qytetit të lartpërmendur”…..
Më vonë kemi edhe dëshmi të tjera, ndër të cilat ajo e Atë Giampiero da Bergamo O.F.M. Prefekt Papnor i Misioneve të Kastratit dhe i Parë i Kuvendit të Françeskanëve të këtij qyteti, dëshmi e 16 korrikut 1878, që jep një përshkrim interesant dhe të hollësishëm të rrënojave të kishës. Një hollësi për t’u vënë në dukje është zgavra që nga përmasat u përgjigjej atyre të pikturës së nderuar dhe që gjendet në Gjenacan.
Më 17 dhjetor 1878, Imzot Engjëll Radoja, Vikar i Përgjithshëm i Shkodrës, do të lëshonte një tjetër dëshmi me rëndësi në lidhje me vendosjen e kishës, e quajtur kishëz, në të cilën gjendej “Figura e Zojës së Shkodrës”.
Kuvendi i III i Arbrit (1895) propozoi si mbrojtëse e pajtore të Shqipërisë Virgjërën Nënë të Këshillit të Mirë, e njohur përgjithësisht si Zoja e Shkodrës. Ky vendim u mor njëzëri dhe iu parashtrua Atit të Shenjtë, Papës Leoni XXIII, prej të cilit u mor pëlqimi dhe 26 prilli u shpall si ditë kremte për dioqezat e Shqipërisë.
Vetëm pas shpalljes së pavarësisë prej zgjedhës turke (28 nëntor 1912) mundi të niste rindërtimi i Shenjtërores së kushtuar së nderuarës Zojë së Shkodrës. Punimet nisën pikërisht në vitin 1917, në kulmin e Luftës I Botërore.
Më 23-26 prill 1917 u kremtua me madhështi 450 vjetori i shpërnguljes prej Shkodrës i Figurës së Shenjtë.
Toka mbi të cilën gjendeshin gërmadhat e shenjtërores së lashtë, i dhurohej prej Komandës së Lartë të Korparmatës XIX austriake, Arqipeshkvisë së Shkodrës. Për ta ligjëruar këtë akt, u hartua një dokument pronësie që, më 7 korrik 1917 iu dorëzua arqipeshkvit të Shkodrës, Imz. Jak Serreqit. Pastaj më 31 korrik u bekua guri i parë.
Me vitin 1944 erdhën kohë të zymta për Kishën dhe Kombin shqiptar. Shteti komunist, marksist-leninist e prandaj ateist, u sul me furi kundër gjithçkaje që përfaqësonte katolicizmin në Shqipëri. Të njëjtin fat pati edhe Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, që do të pësonte barbarizmin “kultural”. Përveçse u shkatërrua ndërtesa, u nxorën dhe u hodhën në lumin aty pranë mbetjet e Arqipeshkvit të Shkodrës, Jak Serreqi, që kishte qenë i varrosur brenda kishës.
Me kthimin e ligjshmërisë në Shqipëri, me shembjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë aq të pritur, filloi një punë e vazhdueshme dhe e dendur për të rindërtuar gjithçka që mund të shpëtohej. Do të rilindte kështu edhe Shenjtërorja e Zojës së Shkodrës. Me projekt e përmasa të njëjta, siç kishte qenë para shembjes. Ky vend i shenjtë kulti pati mecenatin e vet te një shqiptar, Imz. Simeone Duca, i Kolonisë Arbëreshe (Borgo Erizzo), pranë Zare, koloni shqiptarësh që në shekullin XVIII.
(nga broshura “Shenjtnorja e Zojës së Shkodrës Willy Kamsi)
Më 25 prill 1993 u bekua gurthemeli nga Papa Gjon Pali II, i cili na dhuroi edhe Kopjen autentike të Figurës së Zojës, që nderohet në Shenjtërore.
Me nxitjen e Arqipeshkvit Imzot Frano Illia, filluan punimet e rindërtimit. Nga emërimit si Administrator Apostolik të Imzot Angelo Massafra, të ndihmuar nga Mons. Lucjan Avgustini, Famullitari i Katedrales, punimet u përshpejtuan deri në kushtimin e Shenjtërores, që u bë më 24 maj 1998 nga Kardinali Jozef Tomko, Prefekti i kongregatës “Propaganda Fide”.
SHENJTËRORJA “ZOJA E SHKODRËS” NË PËRBALLJE ME RREBESHET HISTORIKE (shek. XV-XX)
URATA E PAPËS GJON PALI II ZOJES SË SHKODRËS
Zoja e Shkodrës, Pajtorja e Shqipërisë, ti Nëna jonë e Ëmbël! Ty që në zemër të rrjedh gjaku i popullit tënd: ktheji sytë e tu mbi këtë komb i cili ka pasur fatin të marrë mësimin e parë të Ungjillit nga goja e Apostujve e që Ty të ka nderuar përherë me dashuri të pastër bijësore.
Edhe sot në errësirën e provës ky komb të drejtohet Ty plot shpresë e pret ndihmën tënde amnore.
Ti i prin Kishës në shtegtimin e fesë: hidhi sytë e tu mbi bijtë e bijat shqiptare të cilët janë duke udhëtuar të ngarkuar me prova e mundime.
Forco të ligështit, ngushëllo të mjeruarit, mbaje të gjallë fenë në zemrën e të gjithëve!
Nënë e Shëlbuesit,
bekoji familjet e krishtera të cilat përbëjnë thelbin e Kishës së Birit tënd hyjnor.
Nënë e shpresës, shpejtoje ditën në të cilën ky popull fisnik do të shikojë të realizuara edhe një herë të gjitha dëshirat e thella të shpirtit të tij, atëherë kur të gjithë, bij e bija, do të kenë mundësi të bashkohen në harmoni të plotë për të rindërtuar të ardhmen në drejtësi e në paqe! Amen.