E KALUARA E ARQIDIOQEZËS SHKODËR-PULT
Organizimi kishtar në Prevalitanë
Gjurmët e krishterimit në provincën fqinje të Dalmacisë, datojnë që nga shekulli I. Për atë kohë mund të flitet vetëm për disa bashkësi kishtare ose komuna, të cilat në shekullin II, bashkohen në dioqezë me qendër në qytetin Salon. Dioqezat fillojnë të gjallërohen, të zhvillohen më fuqishëm dhe të organizohen si organizata kishtare territoriale, duke u mbështetur në organizimin e asokohshëm politiko-administrativ, pas ediktit të Milanos nga viti 313. Edhe pse për fillimet e krishterimit në provincën romake të Praevalitanës nuk ka dokumente të shkruara e të ruajtura, me siguri se edhe aty është zhvilluar proces i njëjtë si në provincat fqinje të Dalmacisë dhe Epirit të Ri. Sipas të gjitha gjasave, krishterimi nga shekulli I e deri në shekullin III në Praevalitanë ka qenë një fenomen sporadik.
Nga shekulli III e këtej, organizimin Kishës së krishterë në Praevalitanë, mund ta përcjellim në bazë të dokumentacionit arkeologjik dhe të shkruar kryesisht në dy qytete, në Shkodër dhe Diokle si dhe në rrethinën e tyre të drejtpërdrejtë.
Në bazë të dokumentacionit arkeologjik, gjurmët më të hershme të krishterimit në provincën e Praevalitanës gjenden në fshatin Lohe në rrethinën e qytetit të Koplikut në Shqipërinë veriore, ku është zbuluar një varrezë e krishterë nga shekulli III si edhe në një stelë gurë varreze nga gjysma e dytë e shekullit IV, në Kolovrat në afërsinë e qytetit Prijepole, në të cilin vërehet simbioza mes paganizmit dhe krishterimit në një familje.
Në lokalitetet e tjera arkeologjike, në të cilat janë zbuluar mbeturinat e kulturave të ndryshme të qyteteve kryesore të provincës, Shkodrës dhe Dioklesë, ende nuk janë zbuluar mbeturinat e objekteve kishtare, të cilat kishin për të na ofruar shënime dhe fakte të rëndësishme e të vlefshme lidhur me organizimin kishtar në këtë provincë deri në shekullin IV. Mirëpo, që nga shekulli IV e këtej, në bazë të hulumtimeve të bëra në Diokle, gjejmë aty dy bazilika nga koha e krishterimit të hershëm. Në qytetet bregdetare Lezhë, Ulqin dhe Tivar, si edhe në vendet më të vogla, siç janë Lohe, Shirq, Oblikë (në perëndim të Shkodrës), janë zbuluar mbeturinat e bazilikave të ndryshme nga periudha e shekullit IV e deri në shekullin VI, si dhe themelet e Kuvendit Benediktin.
Në bazë të dokumentacionit të shkruar të historisë së Kishës, është e njohur se nga shekulli IV, Kisha ka zhvilluar edhe organizimin territorial, duke u mbështetur në organizimin politiko-administrativ të asaj kohe. Metropolia politike zakonisht ishte në të njëjtën kohë edhe metropolia kishtare e qyteteve ipeshkvnore në provinca. Sipas këtij parimi, Salona (qytet në afërsi te Splitit) për Dalmacinë dhe Shkodra për Praevalitanën, u bënë edhe qendra kishtare të kryedioqezave metropolitane. Kjo më së miri kuptohet nga veprat në fjalë, Illyrici Sacri e Daniele Farlatit dhe Jacobo Coleto në të cilat rreshtohen emrat e gjithë ipeshkvive të tjerë të provincave iliro-shqiptare, ku përafërsisht numëroheshin nëntëmbëdhjetë dioqezeza: në Epirin e Vjetër, me metropolinë në Nikopolis, në Epirin e Ri, me metropolin në Durrës, në Praevalitanë me metropolinë Shkodër dhe në Dardani, me metropolinë në Shkup (Scupi).
Në “Illyrici Sacri”, vëllimi VII i Farlatit, ipeshkvi i parë i Ulqinit, pa emrin e tij të vërtetë, përmendet në vitin 877. Prej dioqezave të tjera shqiptare në shekullin VI, në Praevalitanë, përmendet Lezha (Lissus-Alessio) në vitin 592, Tivari (Antivari) në vitin 599, , kurse Drishti (Drivasto), vend në veri të Shkodrës, është i njohur para vitit 458.
Shkodra Kryedioqezë – viti 387
Ndërkohë që Metropolia e Solinit ishte nën patriarkatin e drejtpërdrejtët Romës, Metropolia e Shkodrës ishte nën vikariatin apostolik të Selanikut e shek. IV, i cili kishte kompetencë mbi krejt prefekturën e Ilirikut Lindor, të cilin asokohe e përfaqësonte ipeshkvi Ruf. Për Shkodrën, si kryeqytetin e provincës së Prevalitanit, D. Farlati dhe J. Coleti në “Illyrici Sacri”, vëllimi VII, përmendin Bassusin në vitin 387 si ipeshkëv të parë të mitropolisë. Ai përmendet gjithashtu edhe në një letër të papës Sirici (384-399) rreth vitit 381. Pastaj vazhdojnë kryeipeshkvijtë: Seneci në vitin 431, Andrea 519, Stephanus 590, Joannes 598, kurse si kryeipeshkëv i fundit, përmendet Constantius në vitin 601. Në koncilin e Kalcedonit të vitit 451, në mes të tjerëve, për herë të parë në dioqezën e Dioklesë, takojmë ipeshkvin Evandrin (Evandrus) në vitin 450. Mirëpo historiografia nuk i ka ruajtur elementet e nevojshme nga historia e dioqezës dhe emrat e ipeshkvijve, deri në shekullin IX, përveç emrit të Paulusit në vitin 590 dhe të Nemezionit në vitin 602. Po kështu historia për pesë shekuj me radhë, nuk flet mbi fatin e vetë metropolisë së Shkodrës deri në vitin 1141, kur në selinë e saj nuk gjejmë më metropolitin, por një ipeshkëv të thjeshtë me emrin Georgius.
Papati duke parë së disa dioqeza të Ilirikut Lindor kishin përqafuar Kishën Bizantine, më 8 janar të vitit 1089, Klementi III, nxori në Romë bullën “Quia divina pietas” (Për shkak të dhembshurisë Hyjnorë) drejtuar ipeshkvit të Tivarit, Pjetrit, “Petro Diocliensis sedis Archiepiscopo”, (Arqipeshkëvit Pjetrit të Selisë së Dioklesë), me të cilën themeloi provincën e veçantë kishtare për Dioklenë, respektivisht gjallon metropolinë e dikurshme, duke i dhënë një formë të re, e shndërroi në metropolinë Diokleato-Tivarase dhe i dha pushtet të emëronte përgjithmonë ipeshkvijtë e provincës së Dioklesë. Kështu, nga ajo e vjetra dhe e reja, u krijua vetëm një Kishë metropolitane me dhjetë dioqeza. Duke mos llogaritur dioqezën Diokleato-Tivarase, bulla ia nënshtroi metropolitit të Tivarit nëntë dioqeze të tjera: Kotorrin (Scatarensem), Ulqinin (Dulchinensem), Shasin (Saucinensem), Shkodrën (Scodrensem), Drishtin (Drivastinensem), Pultin (Polatinensem), Serbinë (Serbiensem),Bosnjën (Bosniensem), Trebinën (Tribensem), kishat me gjithçka që u takonte dhe kuvendet, si të dalmateve, ashtu edhe të grekëve dhe sllavëve.
Shkodra dioqezë – gjatë pushtimit Osman
Në dioqezën e Shkodrës (Scodra, Scodrien, Scutarum, Shkodra, Iskanderie) e cila ekziston nga koha më e vjetër, viti 387, në pjesën e dytë të shekullit XV, gjejmë shënimin se kishte 26 familje të islamizuara. Kisha e parë, të cilën, pas pushtimit të kalasë së Shkodrës (1478-1479) turqit e shndërruan në xhami e ndodhur jashtë mureve të kalasë, është kisha “Zoja e Këshillit të Mirë” (Madonna del Buon Consiglio) të cilën në vitin 1478, turqit e quajtën Xhamia e Sulltan Mehmetit II. Pak më vonë, edhe një Kishë tjetër, e cila gjithashtu ndodhej jashtë mureve të kalasë, turqit e bënë xhami dhe e quajtën “Kasem Ali Sulltania”. Në vitin 1479, edhe Kisha katedrale e Shën Shtjefnit Martir, e cila gjendej brenda kalasë, pësoi të njëjtin fat si dy kishat e mëparshme.
Kështu, pas rënies përfundimtare të Shkodrës dhe pas përpjekjeve të dominikanit P. Bartolit nga Epiri, për qetësimin e situatës, popullata u shpërnda nga frika, duke u shpërngulur në drejtime të mundshme. Vetëm në Venedik ikën 3.300 katolikë.
Pas konsolidimit të pushtetit turk dhe urdhrit të Sulltan Selimit II nga viti 1569, me të cilin urdhërohet, që në krejt Perandorinë, përveç në Kostantinopol, Brussi dhe Andrianopolis, të konfiskohen të gjitha pronat e kishave, gjendja në ipeshkvinë e Shkodrës, në arqipeshkvinë e Tivarit dhe të tjerave, u keqësua edhe më shumë, pasi turqit i uzurpuan gati të gjitha pronat dhe të mirat e kishës. Nga ana e tjetër, nëpër famulli, u rrit numri i kishave të shndërruara në xhami si dhe numri i katolikëve që kaluan në islam. Kështu, dita-ditës, bëhet edhe më i dukshëm zgjerimi dhe shtrirja gjithnjë më e madhe e islamizimit.
Sipas raportit të kardinal Santorit, nga 15 korriku i vitit 1590, botuar në “La civilta Cattolica”, në bazë të urdhrit të pushtetit turk, ipeshkvijtë e Shkodrës nuk guxonin të udhëhiqnin me ipeshkvin nga qendra e deriatëhershme, por këtë duhej ta bënin nga ndonjë famulli përreth. Kështu, sipas raportit në fjalë, ipeshkvia e Shkodrës është udhëhequr nga kuvendi i vjetër shqiptar i benediktinëve të Shën Sergjit dhe Bachit Martirë (S. S. Martyrum Sergii et Bachi), për të cilin Thallocsy thotë se daton që nga shekulli VI. Përndryshe, për lashtësinë e këtij kuvendi u fol edhe me rastin e shugurimit të kishës katolike të Kotorit më 19 qershor të vitit 1166, ku në mes të tjerash thuhet: “Majo episccopus (Chalharensis) cum episcopis Lazzaro Albanensi et cum Martino Drivastensi et cum Johanne episcopo Dulcinensi, adiunctis abbatibus…et Petro abbate (archimandrita) sanctorum Sergii et Bachi…ecclesiam sancti Trifonis consecrat…” (Ipeshkevit të madhit të Kotorit (Chaharensis) me Ipeshkëvin Lazzaro i Arbenisë dhe me Martinin e Drishtit dhe me ipeshkëvin Gjonin e Ulqninit, me pjesëmarrjen e Abatëve… dhe Pjeter abat (Arkimandrite) i të shenjtrëve Sergji dhe Baku… marrin pjesë në shugurimin të Kishës shenjte të Trifonit). Mirëpo turqit u turrën menjëherë edhe në këtë kuvend, i cili gjendej 15 milje nga Shkodra në rrjedhën e poshtme të Bunës, në bregun e saj të majtë, në fshatin Shirq, të cilën, sipas mbishkrimit të kishës, në vitin 1290 e ringriti katolikja, mbretëresha Helena, e quajtur, mbretëreshë e Serbisë, Dioklesë, Shqipërisë, Dalmacisë…, gruaja e Stefan Uroshit I (1237-1272). Sipas dëshmisë së ipeshkvit të Shkodrës, Francisco Borcit, nga viti 1790, kjo Kishë ishte më e bukura në tërë Shqipërinë. Gjithashtu sipas relatorit të Selisë së Shenjtë, arqipeshkvit të Tivarit, Marin Biccit, nga viti 1610, kjo Kishë madhështore mund të pranonte 3.000 njerëz. Me pushtimin nga turqit, Kisha u shkatërrua përbrenda dhe u plaçkit e tëra.
Kah fundi i shekullit XVI, këtë faltore (tempull), e cila për shumë kohë në këtë vend ishte një “panairio S. Sergii de Zenta”, turqit e shkretuan deri në themel. Ekzistojnë disa shenja që tregojnë se në vitin 1602 kjo Kishë u restaurua. Këtë na e kujton shkrimi i ipeshkvit të Shkodrës, Dominicus Babichius, i cili për shkak të ndalesës turke që aktivitetet e veta të mos i kryente në Shkodër, ai mbajti dy sinode ipeshkvore në këtë vend, në vitet 1679 dhe 1682.
Sipas relatorit të Selisë së Shenjtë, arqipeshkvit të Durrësit, Shtjefën Gasprit, nga relacioni i 8 shtatorit të vitit 1671, të cilin e ka analizuar hollësisht frati, Benedikt Dema, gjendja në ipeshkvinë e Shkodrës keqësohej çdo ditë e më shumë. Ajo çfarë shkruante arqipeshkvi Gaspri, nuk ishte diçka e jashtëzakonshme, pasi për këtë, si edhe për gjendjen e numrit të katolikëve në ipeshkvi, kanë raportuar edhe relatorët e tjerë, siç ishin, Marin Bizzi në vitin 1610, Giorgio Bianchi (Gjergj Bardhi) në vitin 1621, Benedetto Ursini në vitin 1628, p. Bonaventura di Palazzo në vitin 1634 dhe shumë e shumë të tjerë.
Në bazë të raportit të p. Domen Andriascos nga viti 1623 dhe relacionit të Shtjefën Gasprit nga viti 1671, dioqeza e Shkodrës ishte e ndarë në dy pjesë: në pjesën e epërme malore dhe në atë të poshtmen rrafshinore. Në dioqezë jo të gjitha famullitë ishin të plotësuara me famullitarë, veçanërisht në pjesën e epërme të saj. Për shkak të frikës nga likuidimi dhe rreziqet e tjera, priftërinjtë ishin të përqendruar në qendra më të mëdha prej nga të cilat udhëhiqnin me famullitë e paplotësuara. Qendrat e priftërinjve në pjesën e epërme të dioqezës (viset malore), sipas relatorit, arqipeshkëvit, S. Gaspërit, ishin këto: Rrjolli, ku në atë kohë udhëhiqte misionari i Selisë së Shenjtë, p. Clemente nga Brindizi, françeskan reformator, i cili kujdesej si bari për afërsisht 10 fshatra të mëdha, të cilat ishin të grumbulluara nëpër famulli dhe që numëronte gjithsej 315 shtëpi me 2479 frymë; Hoti, ku udhëhiqnin misionarët p. Leoni da Cittadella dhe p. Angello Milanese, e cila numëronte 416 shtëpi me 2580 frymë; Gruda: ku udhëhiqnin p. Bartolomeo da Urbino dhe p. Domenico dalle Grotta, dhe e cila kishte 306 shtëpi me 2.500 frymë.
Misionarët e përmendur, si edhe shumë të tjerë, erdhën në mesin e besimtarëve shqiptarë për shkak të mungesës së priftërinjve dhe rregulltarëve vendas, si dhe të nevojës tejet të madhe të ruajtjes së fesë katolike, e cila, nën terrorin turk, dobësohej çdo ditë e më shumë, pasi katolikët kalonin me shumicë në islam. Kështu, duke parë këtë gjendje, Kongregacioni për përhapjen e fesë (De Propaganda Fide – themeluar në vitin 1622), me kërkesën e ipeshkvit të Sapës, Giorgio Bianchi (Gjergj Bardhit), që nga viti 1634 filloi të dërgojë në Shqipëri misionarët françeskanët reformatorë nga Italia, të cilët vinin në Shqipërinë e pushtuar nëpërmjet të Venedikut.
Famullitë në rrethin e Shkodrës, të cilat shtriheshin përgjatë bregut të Bunës kah deti, qoftë nga ana lindore, qoftë nga ana perëndimore e saj, në pjesën më të madhe ishin të “mbuluara” me famullitarë – meshtarë vendas të quajtur dioqezanë. Kështu, sipas relatorit, Sh. Gasprit, kjo pjesë e dioqezës kishte 15 priftërinj vendas, 1050 shtëpi me 11.734 frymë. Krejt dioqeza, në vitin 1671 ka pasur 2097 shtëpi me 19.293 frymë.
Fati dhe fatkeqësia e kësaj Kishe, njëherazi ka qenë fati dhe fatkeqësia e këtij populli dhe atij në veri te Shqipërisë. Kjo gjë ndodhi me pushtimin e Kalasë Rozafat dhe shndërrimin e Kishës Katedrale të qytetit në shek. XV në xhami, për nevojat shpirtërore të ushtarëve osmanë e më vonë për shqiptarët e islamizuar. Shtëpia e Ipeshkvit në vitin 1451 ishte në qytet pranë kishës katedrale kushtuar Shën Shtjefnit Martirit të Parë. Rrënojat e kësaj kishe e transformuar në Xhaminë e Musllupit sipas Gjush Sheldisë, shiheshin të mbuluara në dhe deri në vitin 1950.
Me interes për kuvendin dhe historinë e kishës katolike është edhe paraqitja e Kardinal Sartorit në Këshillin e kolegëve të tij, më 15 korrik 1590, ku ndër të tjera nënvizonte .. “se në Shkodër ekziston katedralja, kushtuar Shën Shtjefnit, Martirit të Parë, të cilën turqit e kanë shndërruar në xhami dhe asnjë katoliku nuk i lejohet të qëndrojë në qytet“.
Gjatë dy shekujve të parë pushtimit osman, ipeshkvijtë dhe famullitarët nuk mundën të banonin brenda qytetit, por qenë të detyruar që të banonin në fshatrat Shirq dhe Barbullush. Në vitin 1656, Imzot Pjetër Bogdani jetoi në Shpellën e Rrjollit dhe në atë Jubanit. Shtëpia famullitare e Shkodrës, në kohën e famullitarit Pal Kamsi më 1737, gjendej në lagjen Tophanë (vend ku janë prodhuan gjylet për të sulmuar kalanë nga osmanët) dhe përbri kishte Kishën e Shën Nikollës buzë Urës Kërçirej, e shndërruar në xhami. Në vitin 1917 në këtë xhami u gjet një ujëbekore e cila ruhet në Muzeun e historik të Shkodrës .
Sipas regjistrit të pagëzimeve, në kohën e Pal Kamsit, në qytetin e Shkodrës kishte 181 familje, një pjesë të ardhura edhe prej fshatrave përreth qytetit.
Në vitin 1745, kur famullitar ishte Dom Lazër Kançi, në Tophanë, ku ishte qendra e famullisë së qytetit. Kisha ishte kushtuar Shën Domenikut (Shën Dedës) dhe kishte 150 shtëpi me 680 besimtarë, duke përfshirë këtu edhe fshatin e Rrëmajt që ishte jo larg qytetit dhe kishte 16 shtëpi me 96 katolikë. Në qytet kishte edhe 7 shtëpi të laramanëve (njerëz me jetë fetare të dyfishtë, në publik paraqiteshin myslimanë ndërsa në shtëpi ruanin ritet e fesë katolike ) me 33 besimtarë. Mësues i shkollës në Tophanë ishte Jak Kolë Kamsi. Në shtëpinë e famullisë së Tophanës u mbajtën disa Sinode Dioqezane , përkatësisht më 11 nëntor 1757; me 26 janar 1785; me 8 shkurt 1787 etj.
I pari ipeshkëv që u vendos në Shkodër më 1742 qe Imzot Pal Pema Kamsi (1742-1771). Gjatë 29 vjet qëndrimi si Ipeshkëv me seli në qytet ai administroi për pak vite edhe kishën e Tivarit.
Në varësi të situatave politike-shoqërore, për të qenë më pranë besimtarëve katolikë të shtypur dhe nën presionin e konvertimit në muhamedanë, famullitë janë riorganizuar disa herë gjatë shekujve XVIII-XX.
Në vitin 1745 famullitë dioqezane ishin të përfshira në zonat famullitare të Nënshkodrës, Mbishkodrës, dhe të Misioneve të Etërve Françeskanë.
Në vitin 1777, dioqeza kishte 18 famulli. Ndërsa në vitin 1849 sipas relacionit të Imzot Ivan Topiq, drejtuar Propaganda Fides në Romë, numri i famullive ishte 25. Me riorganizimin e ri të dioqezës gjatë viteve 1877-1893 numri i famullive ishte shtuar në 30 famulli.
Disa famulli të Dioqezës së Shkodrës në varësi të ndryshimeve territoriale të përcaktuara nga vendimet e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit (1878), por edhe më vonë, janë shkëputur nga juridiksioni kishtar i kësaj famullie. Të tilla ishin famullitë që i takonin zonës së Ulqinit, si dhe famullitë e Malësisë së Tuzit.
Gjatë pushtimit turk katolikët ishin të privuar edhe nga mungesa e objekteve të kultit. Pushtuesit nuk lejonin ndërtimin e kishave. Në vitin 1849 në tërë Dioqezën e Shkodrës kishte 14 kisha, 6 Ospice fetare (strehimore për të varfër) të Etereve reformatore o.f.m., nga këto 6 kisha i përkitnin Misionit të Kastratit, ndërkohë që 11 famulli të tjera nuk kishin objekte fetare. Mijëra katolikë e celebronin meshën në qiell të hapur.
Ndërtimi i Katedrales së Shkodrës
Pas përforcimit të protektoratit të Austro-Hungarisë, besimtarët shkodranë kërkuan që të ndërtohej Kisha Katedrale dhe Rezidenca e Arqipeshkvit në Serreq, aty ku janë edhe sot.
Pas kërkesës së besimtarëve shkodranë, fermani (leja) për ndërtimin e kishës u dha nga Sulltani më 1851.
Në mungesë të mjeteve financiare punimet filluan pas 7 vjetësh, më 7 prill 1858. Pasi u vendos kryqi aty ku sot është altari i madh, dhe u ngulën piketat, Valiu i Shkodrës, Avdi Pasha, lexoi fermanin (dekretin) e Sulltan Mexhidit që lejonte ndërtimin e Katedrales, dhe dorëzoi si dhuratë nga ai 700 (shtatëqind) lira ari turke. Kisha u ndërtua “..në arën e Marin Gjonej, i cili e dhuroi tokën”.
Imzot Ivan Topiq (1853-1859), françeskan nga Spliti, bekoi gurin e parë të themelit në skaj të kishës, aty ku edhe sot shikohet i murosur një gur trekëndësh, me një sy me fjalët e gdhendura në italisht: “Dio vede tutto” (Hyji shikon çdo gjë). Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Dom Engjëll Radoja, famullitar i qytetit, me meshtarë të tjerë ndihmës: Dom Engjëll Tanushi, Dom Mëhill Maraqi, Dom Zef Paci (Shestani), Dom Simon Berisha; Hafiz Daut Efendi Boriçi, trupi konsullor i akredituar në Shkodër, Ipeshkvijtë e dioqezave sufragane, kleri rregulltar e shekullar, diakonët e Seminarit Dioqezan, parësia dhe populli. Në një material të botuar nga i ndjeri Gjush Sheldija, jepen edhe emrat e afro 170 vetëve të pranishëm në këtë ceremoni.
Momenti historik i bekimit të gurit të parë të Katedrales është përjetësuar në vitin 1968, në tablonë me të njëjtin emër e realizuar nga piktorët Simon Rrota dhe Dom Injac Dema.
Për ndërtimin e kishës Papa Piu IX dhuroi 1000 (njëmijë) skude floriri dhe Perandori i Austrisë Franc Jozefin, 150 (njëqind e pesëdhjetë ) napola ari. Nuk ngelën prapa as gratë shkodrane që siç thuhet në popull: “ hoqën sendet e arit nga fyti dhe i lëshuan në themele”.
Kisha Katedrale e Shkodrës, u quajt nga populli Kisha e Madhe, pasi në kohën e ndërtimit, ishte njëra prej kishave më të mëdha në Ballkan. Populli e kërkonte të madhe si “Duomi i Milanit”.
Përmasat e kishës janë: gjatësi 74,50 m.; gjerësi 23,50 m; lartësi 23,50 m. Kisha ishte llogaritë të zinte 4000 besimtarë ulur dhe 2000 në këmbë, ndërsa po të mbulohen të gjitha skajet edhe 7.000 vetë.
Për mbikëqyrjen e punimeve u ngrit një komision i veçantë. Inxhinieri zbatues qe një austriak. Nga Austria u sollën edhe kapriatat metalike të tavanit. Thuhet se gjatë ndërtimit, qe shembur dy herë kupola e Kishës. Për ndërtimin e tavanit prej dërrase punoi arkitekti Arsen Idromeno. Përveç altarit të madh, u ndërtuan edhe 5 altarë të tjerë, si ai i Konakut të Shenjtë, i Shën Marisë Magdalenë, i Shën Lorencit, i Shën Ndout, i Zemrës së Krishtit, i Shën Kollit. Altarët e ndërtuan me ndihmën e bamirësve shkodranë.
Ndërtimi i kishës zgjati 7 vjet. Ajo përfundoi së ndërtuari, dhe u shugurua në vitin 1865, nga kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Luigj Çurçia, (1859-1866), françeskan nga Raguza, duke iu kushtuar “Zojës së Këshillit të Mirë”, ndërsa Kryeipshkvia iu kushtua Shën Shtjefnit- Martirit të Parë.
Shkodra – Kryedioqezë Metropolitane
Ajo që ka mbetur e shënuar si ngjarje me rëndësi për Kishën shqiptare gjatë shekullit XIX, është aksioni i Selisë së Shenjtë, e cila për shkak të kërkesave që diktonte situata në terren dhe për të vlerësuar njëherë besnikërinë për shumë shekuj të Kishës shkodrane ndaj Kishës së Romës si edhe për të rritur edhe përgjegjësinë e saj për të ardhshmen, me letërvendimin e papës, Piut IX të datës 15 mars të vitit 1867, e nderon dioqezën e Shkodrës, duke e ngritur në rangun e arqipeshkvisë dhe të metropolisë. Kështu, gjatë kohës së metropolitit, Karl Pooteni(1867-1886) nga Treverini, Kelni – Gjermani, selia rezidenciale u kalua nga Tivari në Shkodër, duke e marrë titullin: Aqripeshkvi Metropolitan i Tivarit dhe i Shkodrës dhe primat (i Serbisë).
Gjatë kohës që Pooteni udhëhiqte me këtë arqipeshkvi, jezuitët e vazhdojnë punën e tyre me intensitet edhe më të madh në aspektin fetar dhe atë kulturor. Ata themelojnë në vitin 1870 tipografinë e parë me emrin Shtypshkronja “ Zoja e Papërlyeme” si edhe kanë ndërtuar kapelën publike të Shën Jozefit dhe kanë filluar me katekizmin për fëmijë. Në vitin 1877 jezuitët themeluan edhe institutin e Shën Françesk Ksaverit, për djelmoshat e Shkodrës, për financimin e të cilit kujdesej qeveria e Austrisë. Që në vitin 1878, brenda këtij Instituti filloi punën edhe shkolla fillore e plotë.
Arqipeshkëvi Pooten bënte orvatje të mëdha në Shkodër, për të rimëkëmbur nga aspekti kishtar dhe fetar, Metropolinë e dikurshme të Shkodrës, duke mbajtur në vitin 1871edhe koncilin mbarëkombëtar shqiptar në Shkodër, të cilin njëkohësisht edhe e kryesoi si delegat i papës.
Në kohën e Imzot Pashko Guerrinit (1886-1910), dhe kur famullitar i Shkodrës ishte Dom Pashko Junkut, në vitin 1890, qenë vënë tri kambana në kambanoren e sapondërtuar, nën udhëheqjen e inxhinierit Kolë Idromeno. Dekorimet brenda kishës u bënë fillimisht nga piktorë austriakë, e më pas nga të tjerë piktorë të huaj dhe vendas. Ndër vite nga këta piktorë mund të veçojmë Ndoc Martinin, Fratel Arturo Sala, motrën servite M. Gjyljana nga Trieste, françeskani Lochuan, Pjetër Deda, Injac Dema, Tish Stajka, Simon Rrota etj. Kolë Idromeno dhe Gaspër Saraçi në kubenë mbi altar pikturuan të “Shëjtënueshmen Trini” me apoteozën e Eukaristisë . Pas vitit 1905, “në kupë të altarit të Madh u pikëzue të “Ikunit e Zojës së Këshillit të mirë.” Kisha dhe kambanorja u dëmtuan në rrjedhë të viteve. Gjatë tërmetit të vitit 1905, Kisha u dëmtua shumë, sidomos ana e majtë e saj. Punimet për riparimin e tyre u bënë nga Kolë Idromeno.
Gjatë Luftës Ballkanike, (1912 -1913), kur ipeshkëv ishte Jak Sarreqi ( 1910-1921), Kisha pësoi dëmtime të shumta nga bombardimet e malazezeve kundër qytetit. U prishën pjesërisht altari i Trinisë së Shenjtë dhe i ai i Shën Marisë Magdalenë. Më datë 19.03.1913, tri gjyle të ngulitura në pjesën jug-lindore të murit të Kishës shkaktuan djegën e kambanores, shembjen e kambanave dhe prishjen e sahateve të dhuruar nga pjesëtarë të familjes Kakarriqi.
Gjatë Luftës Ballkanike kisha shërbeu si vend strehimi për një numër të madh familjesh qytetare që mendonin se malazezët nuk do ta bombardonin këtë objekt të shenjtë . Në Kishë gjatë luftës nuk u krye asnjë ceremoni fetare, por këto u bënë në kapelën e qelës famullitare.
Kisha katedrale në kohen e Imzot Lazër Mjedës, 1922 – 1935, ka qenë një vend i rëndësishëm jo vetëm sa i takon formimit baritor dhe shërbesave fetare, por edhe i aktiviteteve të shumta më karakter fetaro – kulturor. Aktiviteti fetar e kulturore ka vazhduar të jetë në qendër të vëmendjes edhe në kohen e Imzot Gasper Thaqit gjatë viteve 1936-1946.
Kisha e Shkodrës dhe diktatura komuniste
Gjatë sistemit komunist, edhe përkundrejt presioneve që bëheshin nga politika, Dioqeza e Shkodrës në krye më bariun Imzot Ernest Çoba, 1958 – 1980, vazhdonte të kryente detyrat baritore, por kuptohet me vështirësi.
Më 8 dhjetor 1954, me rastin e 100-vjetorit të “Zojës së Paperlyeme”, në Katedrale organizohej Mesha Pontifikale. Meshë Pontifikale u kremtua edhe më 30 janar 1955, me rastin e vdekjes së Imzot Pjetër Demës dhe më 11 nëntor 1956, me rastin e vdekjes së Imzot Bernardin Shllakut.
Në pranverë të vitit 1956, kishte filluar përgatitja për kremtimin të 100-vjetorit të gur-themelit të Katedrales, nën për kujdesin e Imzot Ernest M. Çoba. Më këtë rast nisi pikturimi i mbarë Kishës, me dekorime shumëngjyrëshe, punuar nga Injac Dema, Pjetër Deda dhe Tish Staka. Testamenti i Ri u pikëzua nga Injac Dema, klerik i arkidioqezës së Durrësit, ndërsa Testamenti i Vjetër u pikëzua prej Aleks Baqlit, Pjerin Sheldisë, Ferdinand Pacit, Cin Lezhjes, Tish Stakës dhe pjesë më të madhe nga Gjovalin Saraçi. Gungën ku paraqitet largimi i “Zojës së Këshillit të Mirë”, me qemer e pikëzoi Atë Leon Kabashi me ndihmës Injac Demën. Përballë altarit të madh janë pikëzuar katër Profetët e Mëdhenj: Isaia, nga Pjerin Sheldija, ndërsa tre të tjerët nga Dom Ndrekë Krroqi. Në fund të kishës janë pikëzuar pjesët kryesore të katekizmit nga Zef Vata. Me këtë rast, më 29 qershor 1958, u organizua edhe bekimi i gurit të themelit të altarit të ri të Katedrales dhe Mesha u kremtua nga Imzot Ernest M. Çoba. Në kolonat kryesore të kishës ishin ekspozuar arqipeshkvinjtë, si dhe famullitarë që i shërbyen popullit katolik shkodran, gjatë viteve 1858-1968.
Në Kishën katedrale kanë qenë varrosur eshtrat e Imzot Karlo Pooten, Pashko Guerrinit, Imzot Lazër Mjedës, Imzot Gaspër Thaqit, të cilat, në vitin 1967 janë hequr dhe dërguar diku në varrezat e Rrëmajt dhe më vonë figurojnë të zhdukura.
Fushata anti-fetare, gjatë diktaturës komuniste e vitit 1967, solli mbylljen e të gjitha Kishave në Shqipëri. Disa u shkatërruan, të tjera u shndërruan në salla shfaqjesh apo magazina, ndërsa Katedralja e Shkodrës u shndërrua në Pallat sporti. Në vitin 1973 aty u zhvillua Kongresi i VII i Grave komuniste të Shqipërisë .
Ringjallja e Kryedioqezës
Rënia e murit të Berlinit dhe shembja e komunizmit solli frymën e lirisë edhe në Shqipëri.
Pas meshës së parë të kremtuar në varrezat e Rrëmajt, më 4 nëntor të viti 1990, nga Dom Simon Jubani, më 7 mars 1991 u rihap Katedralja nga Atë Aleks Baqli OFM. Mesha e parë u kryesua nga Dom Zef Simoni me meshtarë të tjerë në praninë e mijëra besimtarëve. Ishte e pranishme edhe Nënë Tereza e Kalkutës. Po në këtë vit, kur Kisha Katedralja akoma e kishte formën e Pallatit të Sportit, në muajin mars, u kremtua Mesha nga Kardinali, Claudio Celi, përfaqësues i Selisë së Shenjtë. Më 24 prill 1991, nga Imzot Nikollë Troshani u shugurua meshtari i parë pas diktaturës, Dom Gjergj Simoni.
Në mbarim të vitit 1991, financuar nga Selia e Shenjtë filluan punimet për rikthimin e Kishës Katedrale në gjendjen e mëparshme. Punimet që ishin përqendruar në shkatërrimin e strukturës së pallatit sportiv dhe restaurimin e objektit nga brenda dhe jashtë përfunduan në mesin e muajt prill të vitit 1993, në prag të ardhjes së Papa Gjon Palit II në Shqipëri. Po në prag të ardhjes së Papës, më 21 shkurt 1993, u bë shugurimi i altarit kryesor në Kishën Katedrale nga Kardinali Jozef Tonko.
Në vitin 1993, pasi përfundoi restaurimi i saj, u vunë përsëri në vendin e tyre shtatorja që paraqet Shën Mhillin i cili shporon djallin, vepër e çmuar në dru e Kolë Idromenos dhe njëra prej dy kupave të mermerta të ujit të bekuar, dhuratë e familjes Pema. Më 25 prill 1993, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, në vizitën e tij historike, vizita e parë e një Pape në Shqipëri, me praninë e Nuncit Apostolik në Shqipëri, Ivan Dias, ipeshkvijve të ndryshëm ardhur enkas për këtë festë, në praninë edhe të së Lumes Nënë Tereza e Kalkutës, kremtoi Meshën e Shenjtë dhe shuguroi katër ipeshkvijtë e parë të Kishës Katolike në Shqipërinë e ringjallur: Imzot Frano Illia, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Lezhës, i Sapës dhe i Abacisë së Oroshit, Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës, Imzot Robert Ashta, Ipeshkëv i Pultit dhe Imzot Zef Simoni, Ipeshkëv Ndihmës i Shkodrës.
Pas riorganizimit të hierarkisë kishtare, jeta baritore edhe në Kishën Katedrale filloi të gjallërohej. Në vitet e para të demokracisë, famullitar ishte Zef Simoni (1991-1993), i cili e njihte mirë realitetin e qytetit të Shkodrës. Më pas detyrën e famullitarit e mbajti gjatë viti 1993-1995, prifti i moshuar Dom Loro Nodaj.
Nga fillimi e deri në vitin 1995, Kisha katedrale e Shkodrës figuron të ketë qenë kushtuar “Zojës së Këshillit të Mirë”. Në vitin 1996 shihet se ka ndodhur ndryshimi i mbrojtësit të famullisë. Kisha e famullisë – Katedralja, është kushtuar Shën Shtjefnit Martir të Parë, i cili më parë është kremtuar si mbrojtësi i Kryedioqezës së Shkodrës.
Imzot Frano Illia u zgjodh si arqipeshkëv në moshë të shtyrë, prandaj jeta e tij në krye të kësaj Selie qe e shkurtër. Ai ndërroi jetë më 22 tetor të vitit 1997. Më 28 mars 1998, Selia e Shenjtë emëroi në krye të kësaj detyre Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Sapës. Me këtë emërim, jeta baritore mori formën e vet të caktuar, duke ecur me hapa të përshpejtuar në të gjitha fushat e jetës baritore. Shtytje në këtë drejtim i dha famullitari Dom Lucjan Avgustini, (1995-2006) i cili kishte të mirëorganizuar jetën baritore, duke caktuar motrat kishtare dhe laiket e formuara për mbajtjen e katekizmit si dhe udhëheqjen e grupeve rinore. Në fillim të vitit 1997, shënohet edhe hyrja e famullitarit dom Lucjan Avgustinit në shtëpinë famullitare të tanishme, duke sjellë lehtësim administrimi të famullisë në tërësi si dhe organizmin e jetës sociale, kulturore e shoqërore. Në vitin 1999, ai organizoi edhe ndërtimin e kambanores së re, dhuratë nga mërgimtari Kolë Cacaj.
Për shkak të lëvizjes se popullatës nga vendet malore në pjesën fushore, më 25 janar 2005 dioqeza e Pultit iu bashkua arqidioqezës së Shkodrës dhe mori emrin e përbashkët që e ka tani: Arqidioqeza Shkodër-Pult.
Dioqeza e Pultit u ngrit në shek. IX dhe fillimisht ishte sufragane e arqidioqezës së Dioklesë. Ndërsa në vitin 1089, sufragane Diokles dhe Tivarit. Prej vitit 1340 deri në vitin 1520 ekzistuan dy dioqeza të Pultit apo të Pulatit, të quajtura Pulati i Madh dhe Pulati i Vogël. Në vitin 1993 Shën Gjon Pali II rindërtoi episkopatin shqiptar pas diktaturës komuniste duke ringritur edhe dioqezën e Pultit.
Në Kishën katedrale janë bërë edhe organizime të nivelit kombëtar. Kështu me 10 nëntor 2002, u hap procesi Kanonik i shpalljes martirë të 40 shërbëtoreve të Hyjit. Po në katedralen e Shkodrës, u bë mbyllja e këtij procesi më 8 dhjetor 2010, dhe shumë aktivitete të tjera.
Në prill të vitit 2008 u kremtua jubileu i dytë të ndërtimit të kishës, 150-vjetori i bekimit të gurit të parë. Me kërkesën e Arqipeshkvisë së Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, ky vit jubilar qe shpallur nga Selia e Shenjtë si “Kohë Jubilare”, e shtrirë në rrethin kohor nga 20 tetor 2007 – 20 prill 2008.
Në kuadër të këtij viti festiv, u organizuan një sërë veprimtarish, mes të cilave veçojmë:
“Konferenca shkencore kushtuar 150-vjetorit të gur-themelit të Katedrale” (23 prill 2008), Shugurimi i Kishës Katedrale, më 12 janar 2008, nga Arqipeshkvi, Imzot Angelo Massafra dhe Kardinali Franc Rode.
Në Kishën Katedrale, bazuar në të drejtën Kanonike, në kriptën e kësaj katedraleje janë varrosur, Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta, Kardinal Mikel Koliqi , Imzot Zef Simoni, si dhe janë rivarrosur eshtrat e Imzot Ernesto Çobës (marrë nga varrezat civile të Tiranës) dhe të Imzot Benjanin Albertit (1832- 1838) marrë nga Kisha e Shën Marisë Magdalenë në Kazenë, (Tarabosh).
Me ardhjen e famullitarit administrator, Dom Artur Jaku (2014), Kisha Katedrale dhe ambienti shikohen me një vizion të ri. Është krijuar projekti i përgjithshëm për rregullimin e ambientit përreth Katedrales. Punimet në sheshin përpara Katedrales janë zhvilluar sipas projektit në fjalë. Gjithashtu është punuar në restaurimin e Kishës kapelë në varrezat legjendare të Rrëmajt si dhe në disiplinimin e mirëmbajtjes dhe ruajtjes.
Ngjarje e jashtëzakonshme ishte dt. 5 nëntori 2016, Lumnimi i Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 Shokëve, Martirë, zhvilluar në Katedralen e Shkodrës.
Të gjitha këto ia rrisin vlerën kësaj kryedioqeze këtij Tempulli të Zotit, përballë sfidave që ajo ka në kohët e sotme.
Dom Nikë Ukgjini