Më 16 nëntor 2024, në orën 10:00, në Katedralen e Shkodrës, Eminenca e Tij, Kardinali Marcello Semeraro, Prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve dhe Delegat i Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku, shpalli të Lum të Kishës Katolike, Shërbëtorët e Hyjit Atë Luigj Palić (Paliq), meshtar i Urdhrit të Fretërve Minorë, dhe Dom Gjon Gazulli, meshtar dioqezan me origjinë nga Dioqeza e Sapës.
Në këtë botim zyrtar do të rikujtojmë hapat që çuan deri tek kjo ngjarje, përmes teksteve zyrtare të shqiptuara gjatë ritit të Lumnimit, duke shtuar gjithashtu tekste biografike dhe liturgjike që mund të përdoren zyrtarisht për kujtimet e tyre.
Së fundmi, disa fotografi zyrtare të ngjarjes.
HAPAT E PROCESIT TË LUMNIMIT NË FJALËT E POSTULATORIT TË PËRGJITHSHËM, ATË GIOVAN GIUSEPPE CALIFANO O.F.M.
Udhëzuesi i Hetimit dioqezan për njohjen e martirizimit të Shërbëtorit të nderuar të Hyjit Luigj Palić-it (Paliqit), meshtar i Urdhrit të Fretërve Minorë, dhe i Shërbëtorit të nderuar të Hyjit Gjon Gazullit, prift dioqezan, nisi vetëm disa dekada pas vrasjes së tyre, me lirinë e rifituar të Kishës Katolike në Shqipëri.
Në vitin 2002 Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë u bë Aktore e këtyre dy Çështjeve dhe ia besoi Postulacionit të Përgjithshëm të Urdhrit të Fretërve Minorë, së bashku me atë të Martirëve Vinçenc Prennushi O.F.M., Arqipeshkëv i Durrësit dhe Primat i Shqipërisë, me 37 Shokë, të cilët u shpallën të Lumë më 5 nëntor 2016.
Në dhjetor të vitit 2010, Përmbledhja e Akteve të dy Çështjeve të ndryshme u dërgua në Romë. Pasi u përgatitën Positiones super martyrio, ato u studiuan dhe u vlerësuan pozitivisht nga Konsulentët Historikë, Konsulentët Teologjikë dhe Kardinalët e Ipeshkvijtë e Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve.
Papa Françesku, më 20 qershor 2024, pranoi se dy Shërbëtorët e Hyjit u vranë prej urrejtjes për fenë katolike dhe vendosi që lumnimi i tyre të bëhej në Shkodër sot, e shtunë, më 16 nëntor 2024.
BIOGRAFITË ZYRTARE TË SHKURTRA LEXUAR NGA IMZOT ANGELO MASSAFRA O.F.M. GJATË RITIT
Shërbëtori i nderuar i Hyjit Luigj Palić-i, në shqip Paliq, lindi në Janjevë, në Arqidioqezën e atëhershme të Shkupit, rajon i Kosovës, më 20 shkurt 1877. U pagëzua po atë ditë që lindi dhe i vunë emrin Mati. Që fëmijë shkonte te Fretërit Minorë, kujdestarë të Shenjtërores së Shna Ndout të Padovës në qytetin e afërt të Gjakovës, dhe u ndie i tërhequr për të përqafuar mënyrën e tyre të jetesës, siç kishte bërë tashmë vëllai i tij i madh.
Shërbëtori i Hyjit përfundoi formimin e tij rregulltar në Itali, mysafir i Fretërve Minorë të Provincës së Bolonjës. Në vitin 1897 bëri kushtet e para dhe më 21 shtator 1901 u shugurua meshtar në Parma. Me kthimin në Shqipëri veprimtarinë baritore e kreu në famullinë e Pejës. Në vitin 1907 u bë rektor i Shtëpisë së Shna Ndout të Padovës në Gjakovë dhe ndoqi punimet e ndërtimit të kishës në fshatin Gllogjan.
Historia e martirizimit të tij zhvillohet në kohën e Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913), kohë në të cilën ushtrohej një presion i madh mbi popullatën katolike dhe islame për t’u bërë ortodoksë. Atë Palić-i u bëri thirrje si katolikëve, ashtu edhe myslimanëve që të qëndronin besnikë ndaj fesë së tyre. Për këtë arsye ai u akuzua padrejtësisht se kishte nxitur popullatën që të mos ua dorëzonte armët ushtarëve dhe u arrestua. Gjatë kohës së paraburgimit u keqtrajtua dhe iu kërkua shprehimisht që të hiqte dorë nga feja katolike, por ai refuzoi me vendosmëri. Më 7 mars 1913, ndërsa bashkë me të burgosurit e tjerë dërgohej në Pejë për t’u gjykuar, e ndanë nga të burgosurit e tjerë, ia hoqën rrobën rregulltare dhe e pushkatuan. Fjalët e tij të fundit – O Jezus, për dashurinë që kam ndaj teje! – konfirmuan gatishmërinë e tij të plotë për të vdekur për Krishtin dhe Kishën. Menjëherë pas vdekjes së tij, Atë Luigj Palić-i u rrethua nga fama autentike e martirizimit dhe rreth varrit të tij u mblodh spontanisht devocioni popullor.
Shërbëtori i nderuar i Hyjit Gjon Gazulli lindi në Dajç të Zadrimës, në dioqezën e Sapës, Shqipëri, më 26 mars 1893 dhe u pagëzua katër ditë më vonë, më 30 mars 1893. Thirrja e tij për meshtari u sprovua vazhdimisht nga sëmundja. Në fakt, pasi ishte pranuar si student në Kolegjin Urbaniano të Romës, në qershor të vitit 1913 iu desh të kthehej në Shqipëri për shkak të një episodi tuberkulozi pulmonar. Pasi u shërua, kërkoi dhe u pranua në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit në Vjenë, në vitin 1916. Por edhe këtë herë sëmundja e detyroi të kthehej në vendlindje. Pasi përfundoi studimet teologjike, më 4 gusht 1919 u shugurua meshtar në dioqezën e Sapës. Mbarështimin si famullitar e kreu në Gjadër, Qelëz dhe, nga viti 1925, në Koman.
Në kohët e vështira që po kalonte Shqipëria me vendosmëri mori anën e të përndjekurve, madje edhe jo të krishterëve. Në veçanti, Shërbëtori i Hyjit për veprimin e tij baritor u frymëzua nga Doktrina Shoqërore e Kishës dhe kundërshtoi planin shtetëror për të eliminuar edukimin katolik nga shkollat. Për rrjedhojë, veprimet e tij nuk u pritën mirë nga partia në pushtet, e cila ishte armiqësore ndaj klerit katolik. Kur shpërtheu kryengritja kundër Zogut në Dukagjin, në nëntor të vitit 1926, Shërbëtori i Hyjit u akuzua padrejtësisht se ishte ndër përkrahësit e saj dhe me këtë pretekst u arrestua më 28 dhjetor 1926, u burgos fillimisht në Pukë e më pas përfundimisht në Shkodër. Me vendimin e datës 10 shkurt 1927 u dënua me vdekje. Në orët e para të datës 5 mars 1927, ditën e ekzekutimit të tij me varje, kërkoi të rrëfehej dhe të merrte Kungimin e fundit. Më pas shkoi te trekëmbëshi duke lutur psalmin Miserere dhe Rruzaren e Shenjtë. Para se të vdiste, deklaroi pafajësinë e tij, fali përndjekësit e tij dhe konfirmoi lidhjen e tij të fortë me Krishtin duke thënë: «Rroftë Jezu Krishti Mbret; Rroftë Ati i Shenjtë; Rroftë feja katolike; rroftë Shqipëria!”. Vdekja e tij u perceptua menjëherë nga besimtarët si një martirizim autentik dhe fama e tij mbeti gjallë me kalimin e viteve. Varri i Shërbëtorit të Hyjit në varrezat e Rrmajve të Shkodrës, edhe në vitet kur Kisha në Shqipëri jetonte në heshtje, vizitohej gjithmonë nga besimtarët, të cilët gjenin ngushëllim dhe përjetonin ndërmjetësimin e frytshëm të Dom Gjon Gazullit.
LETRA APOSTOLIKE E PAPA FRANÇESKUT
Ne, duke pranuar dëshirat e Vëllait të Nderuar,
Angelo Massafra, O.F.M., Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit, dhe të shumë Vëllezërve të tjerë në Episkopat dhe të shumë besimtarëve të krishterë, me këshillimin e Dikasterit të Çështjeve të Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik japim lejen që Shërbëtorët e Nderuar të Zotit
LUIGJ PALIĆ (emri i lindjes: Mateu), meshtar i Urdhrit të Fretërve Minorë,
dhe GJON GAZULLI, meshtar dioqezan,
martirë, Barinj besnikë të grigjave të tyre dhe dëshmitarë heroikë të Zotit Jezus deri në derdhjen e gjakut, në të ardhmen të quhen të Lumtur: le të kremtohen çdo vit, në vendet dhe mënyrat e përcaktuara nga e drejta, i pari më 20 shkurt dhe i dyti më 5 mars. Në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Amen.
Dhënë në Romë, në Lateran, më 15 tetor, në përkujtimin e Shën Terezës së Jezusit, virgjëreshë dhe doktoreshë e Kishës, në vitin e Zotit dy mijë e njëzet e katër, të dymbëdhjetin të Pontifikatit Tonë.
Francesku
PREDIKIMI I KARDINALIT MARCELLO SEMERARO GJATË RITIT
Qoftë lëvduar Krishti!
Panorama që shpallja e Lumturive ungjillore (krh. Mt 5, 1-12) na hap përpara syve është e shkëlqyeshme dhe e gjerë, disi e ngjashme me atë që shtegtari në Tokën e Shenjtë admiron kur sheh nga ajo “dritare” e mrekullueshme Detin e Galilesë që është “Mali i Lumturive”. Është kjo fjalë të Lumët, që përsëritet si notat e një simfonie dhe çdo herë hap skenarë bukurie të brendshme: ngushëllim në lot, paqe dhe drejtësi, jo dhunë, forcë faljeje… Dhe, çdo herë, fjala të Lumët është sikur të na paraqiste një aspekt të fytyrës së Jezusit, Shpëtimtarit tonë; sa herë që e ridëgjojmë nga buzët e tij, është sikur Jezusi t’i shfaqej secilit prej nesh për atë që është dhe, çdo herë, të na thoshte: “pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë dhe i përvujtë” (Mt 11, 29). Lumturitë janë vizatimi, qëndisja e fytyrës së Jezusit.
Por befas, ky skenar, kaq plot premtime që na hapin ndaj shpresës, është si i errësuar, sikur vjen një re e zezë për të na fshehur diellin dhe më pas dëgjojmë: “Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon. … Të Lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë!” (Mt 5, 10-11). Ndodh, pra, që këto fjalë, duke mbërritur në fund të shpalljes së Lumturive, të na kthejnë në historitë e dhimbjes që kanë vuajtur shumë të krishterë, që nga fillimi e deri më sot, ndoshta edhe në shumë histori tona personale.
Na kthejnë edhe në historinë e vuajtjeve dhe të vdekjes së dy martirëve, të cilët sot Kisha i ka shpallur të Lumë, duke ua shtuar tridhjetë e tetë martirëve të lumnuar tetë vjet më parë po këtu në Shkodër, më 5 nëntor 2016. I pari, Luigj Paliqi, është meshtar i Urdhrit të Fretërve Minorë, i lindur në Janjevë, në Kosovë, një tokë që Shën Gjon Pali II dikur e kujtonte si “të pasur me histori të lavdishme…” (Audienca e datës 15 nëntor 1989); tjetri, Gjon Gazulli, është prift dioqezan i kësaj kishe të shenjtë.
Për të dy, u realizuan fjalët e Jezusit: “kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë!”.
Në tekstin e Ungjillit është kjo fjalë e tmerrshme, e cila rëndon gjithçka dhe të bën të dridhesh: në rrenë! Është saktësimi që bën Mateu ungjilltar në lidhje me atë që thuhet edhe në versionin sipas Lukës: aty të krishterët përndiqen pikërisht sepse janë të krishterë, këtu saktësohet se akuzohen edhe për sjelljen e tyre. Kjo, megjithatë, në rrenë, me gënjeshtra. Shën Jeronimi, një Doktor i shenjtë i Kishës me origjinë nga kjo anë e Mesdheut, komentonte se pikërisht kjo është arsyeja e Lumturisë ungjillore: sepse ka shumë që përndiqen dhe dënohen me vdekje, por nuk janë të Lumë; nga ana tjetër, janë të Lumtë, ata që janë të shpifur, të shtypur dhe të vrarë për shkak të Jezusit. Ai, Shën Jeronimi, përfundon: ku futet Krishti, atëherë të jesh i mallkuar do të thotë të bëhesh i lumë (krh. Comment. in Matthaeum I., 24: PL 26, 35).
Papa Françesku, i cili pikërisht në kontekstin e thirrjes universale për shenjtëri ka bërë një koment mbi Lumturitë e Ungjillit, dhe, me pak fjalë, por të efektshme, e ka aktualizuar këtë prani të rrenës në përndjekjen e një të krishteri. Ai shkroi se ndonjëherë është edhe “tallje që tenton ta shpërfytyrojë fenë tonë dhe të na bëjnë të dukemi si njerëz qesharakë”. Ai synon të na thotë se fjala e lumturisë ungjillore është aktuale edhe atje ku nuk ka përndjekje të dukshme, por ka indiferencë apo tallje. Prandaj Papa arriti në përfundimin se “ta pranosh çdo ditë udhën e Ungjillit edhe pse kjo gjë na shkakton probleme, është shenjtëri” (Gaudete et exsultate, nr. 94).
Dy të Lumët tanë bënin mirë dhe u shpifën e u dënuan në rrenë. Kështu ndodhi me Atë Paliqin, historia e të cilit daton që nga Lufta e Parë Ballkanike, kur famullia e Pejës, ku ai shërbente, pushtuesit e Malit të Zi, aleat i Serbisë, ushtronin politikë represive ndaj popullatës etnike shqiptare, duke ushtruar dhunë dhe vrasje. Ai, duke ecur drejt vendit të martirizimit, tha: “O Jezus, për hir të dashurisë sate”. Vrasja e të Lumit Gazulli ishte gjithashtu e motivuar në mënyrë të rreme dhe prej fillimit të varjes së tij iu bë një gjyq farsë: u dënua me akuza të rreme dhe më pas u var në periferi të këtij qyteti. Ai, si Jezusi, “martiri” dhe “dëshmitari besnik” (Zb 1, 5), vdiq duke falur vrasësit e tij.
Sa e rëndësishme është bërë tema e rrenës, e falsitetit dhe e mashtrimit, veçanërisht në epokën tonë! Natyrisht, këto sjellje të trishtueshme njerëzore janë bërë gjithmonë, mund të thotë dikush; por, sot, në këtë që quhet epoka e pas-të vërtetës, çështja është komplikuar edhe më shumë. Mjafton të mendojmë se sa shumë dizinformim dhe se sa rrena, që shkatërrojnë jetën e të tjerëve dhe të një populli, kalojnë nëpër web, deri në atë pikë sa ta bëjnë jashtëzakonisht problematike dallimin mes të vërtetës dhe rrenës. Sot, a na intereson ende “e vërteta”? Nuk është një çështje për t’u diskutuar në një homeli, gjatë një kremtimi eukaristik, për më tepër aq të bukur dhe ngushëllues sa është ky kremtim. Por, të paktën një mendim duhet të na mbetet në zemrat dhe në mendjet tona për shkëlqimin dhe shenjtërinë e të vërtetës. Shën Tomë Akuini shpesh thoshte se “e vërteta, kushdo që e thotë atë, vjen prej Shpirtit Shenjt”. Për këtë arsye Shën Pali apostull mund të shkruante: “Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit?” (Rom 8, 35). Rrena ndan: na largon jo vetëm nga Krishti, por edhe nga vëllezërit, nga të tjerët, sepse rrena është përçarëse, krijon armiqësi, luftra, vdekje. Kurse e vërteta bashkon: ajo jo vetëm që na bashkon mes nesh, por na bashkon edhe me Jezusin, që është e Vërteta dhe Jeta (krh. Gjn 14, 6).
Nga Lumnimi i dy Martirëve tanë mund të marrim me vete këtë fjalë udhërrëfyese dhe ngushëlluese. Domethënë, ashtu si edhe Shën Pali, edhe ne kemi bindjen se asgjë “nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. Në fakt, dashuria e tij është një dashuri që arrin t’i shndërrojë humbjet në fitore, në mënyrë që në të gjitha këto, “ne jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur” (krh. Rom 5, 37-39). Amen.
Qoftë lëvduar Krishti!
FALËNDERIMET PËRFUNDIMTARE TË IMZOT ANGELO MASSAFRA O.F.M. NË FUND TË RITIT
Shumë i nderuar Hirësi Cardinal Marcello Semeraro,
Shume te nderuar Kardinalet, këtu të pranishme:
Shume i nderuar Nunci Apostolik
te nderuar Vëllezër në Episkopat
Hiresi Mons. Asti, Metropolit i Kishes Ortodokse i Beratit
I nderuar P. Ivan, Përfaqësues i Ministrit Gjeneral të Urdhrit të
Fretërve Minorë
Te nderuar Meshtarë
Te nderuar Rregulltarë dhe Rregulltare,
Te nderuara Autoritete Civile dhe Autoritete Fetare,
Te dashur Besimtarë që keni ardhur nga të katër anët për të kremtuar
ngjarjen e shumëdëshiruar të lumnimit të atë luigj paliqit dhe të
dom Gjon Gazullit, qe jeni brenda dhe jashte katedrales dhe juve
qe na keni ndjekur me tv dhe mediat,
Me dëshirë të madhe, në fund të këtij bashkëkremtimi solemn, dua të ndaj me ju ndjenjat që kam në zemër në këtë moment.
Para së gjithash, më vjen të ndaj përmallimin e thellë që provoj duke parë se sot, nga Shqipëria e vogël, në mbarë Kishën dhe para mbarë botës, Krishti është dëshmuar edhe një herë me forcën e martirizimit. Martirët e rinj të Lumë u bashkohen 38 të Lumëve të vitit 2016 dhe asaj liste gjithnjë të hapur të burrave dhe të grave që edhe sot me jetën e tyre i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin lavdi Hyjit, duke ushqyer fenë dhe guximin e popullit të krishterë. Në këtë moment më bie ndër mend për të gjitha ato vende ku Krishti kundërshtohet te nxënësit e tij dhe nuk mund të mos ndiej bashkë me Kishën përgjegjësinë dhe bukurinë e dëshmisë, së bashku me vuajtjen e këtyre vëllezërve dhe motrave.
Ndjej një ndjenjë vogëlsie përballë këtyre gjigantëve të fesë, e megjithatë njerëz që jetuan përditshmërinë e jetës së krishterë, rregulltare dhe meshtarake. Ndodh shpesh që ne i mendojmë Shenjtërit dhe të Lumët si figura të paarritshme, por nga biografitë e tyre dimë se madhështia e tyre qëndron pikërisht në të jetuarit e plotë të thirrjes së tyre në jetën e tyre të përditshme. Prandaj ndjej se Zoti ende na thërret të gjithëve për një gatishmëri të madhe, për ta shpallur dhe për ta kumtuar si të Ngjallur dhe të Gjallë; i fton dhe i udhëheq me dashuri të gjithë burrat dhe gratë që të pajtohen me Atin dhe, kështu, të bëjnë një jetë të re, të lirë nga çdo kompromis me të keqen. Kuptoj edhe se kjo gatishmëri që Zoti na kërkon sot nuk mund të ofrohet veçse me koston e sakrificave të vogla apo të mëdha dhe, në këtë kuptim, është një thirrje për martirizim edhe për ne, jo më të përndjekur nga ideologjitë që shprehimisht janë kundër fesë, por nga forma ideologjike më delikate dhe të rrezikshme që gjithashtu na nënshtrojnë dhe duan të na largojnë nga Zoti.
Dëshiroj ta bekoj dhe ta falënderoj Zotin për të gjitha këto dhe së bashku me ju të kërkoj forcën e Shpirtit Shenjt për këtë Kishë të vogël në tokën e Shqipërisë. Jemi teprica, domethënë ajo që ka mbetur, dhe jemi bërë edhe më pak për shkak të fluksit të madh migrator që zbulon se sa shumë ka ende për të shëruar në çdo fushë: sociale, ekonomike, kulturore. Por jemi një popull me zemër të madhe dhe besoj se të nxitur nga shembulli i përkushtimit qytetar të Martirëve tanë, por jo pa ndihmën e Zotit, do të mund t’i korrigjojmë situatat e pafavorshme në të cilat tani jemi protagonistë.
Në mënyrë të veçantë, uroj për ne katolikët që Sinodi që sapo ka përfunduar dhe Jubileu jo i largët të jenë një erë shprese për një stinë të re kishtare që i sheh të krishterët sinqerisht dhe seriozisht të përkushtuar për të qenë “kripë” dhe “dritë”, sipas fjalëve të Jezusit, me qëllim që kjo epokë dhe kjo botë të marrë limfën e Ungjillit.
Nuk kam fjalë të mjaftueshme për të shprehur mirënjohjen time personale dhe të krejt Episkopatit Shqiptar ndaj Atit të Shenjtë për këtë dhuratë të pamasë të Lumnimit.
Hirësi, këtë falënderim e kemi shprehur disa herë në letrat e fundit; Ju kërkojmë që, si Përfaqësues i Atit të Shenjtë për këtë Lumnim, të jeni edhe një herë zëdhënës i ndjenjave tona më të thella të vlerësimit dhe të mirënjohjes për gjithë dashurinë që Papa Françesku po shfaq, në kaq shumë forma, ndaj Kishës sonë dhe ndaj popullit shqiptar.
Ndihem i detyruar që t’i falënderoj të gjithë ata që kontribuan për të arritur deri në këtë ditë: ata që nuk janë më mes nesh, por që na shoqërojnë nga Parrizi (mendimet e mia shkojnë në veçanti për të paharruarin Atë Leonardo Di Pinto O.F.M., i pari që punoi për të mbledhur informacionin e nevojshëm për fillimin e Çështjes së Lumnimit), dhe ata që janë të pranishëm dhe që, në çfarëdo cilësie, kanë punuar ose po punojnë për lavdinë e Zotit dhe për nderimin që u takon Martirëve tanë. Do të doja të përmendja në mënyrë të veçantë Postulacionin e Përgjithshëm të Fretërve Minorë në personin e Atë Gianni Califano-s, i cili shoqëroi dhe ndoqi çdo hap të nevojshëm që nga fillimi e deri më sot dhe të gjithë anëtarët e Gjykatës për Çështjen e Martirëve. Faleminderit, faleminderit shumë të gjithëve.
Faleminderit edhe Juve Hirësi që keni dashur të jeni këtu me ne në këtë ditë feste për të ndarë gëzimin tonë dhe, edhe një herë, për të mbjellë shpresën në zemrat tona: kemi me të vërtetë shumë nevojë! Ecja nuk ka përfunduar, ajo sapo ka filluar; dhe kemi një nevojë kaq të madhe që ta ndiejmë dashurinë amënore të Kishës universale që na shoqëron dhe që na inkurajon në rrugëtimin tonë për t’iu bashkëngjitur çdo ditë Krishtit Mësues dhe Zot.
Falënderoj të gjithë ju, zotërinj Kardinalë, kardinalin tonë Dom Ernest Simonin (Troshanit), ju Ipeshkvij që keni ardhur nga kisha të ndryshme, të gjithë ju Meshtarë, Rregulltarë e Rregulltare.
Falenderoj përfaqësuesin e Kishës motër, Hiresin Mons. Asti, delegati e Kishës ortodokse, me të cilën ndajmë fenë e vetme në Trininë e Shenjtë dhe përfaqësuesit e besimeve të tjera fetare, me të cilët ecim së bashku me vetëdijen se nderojmë të vetmin Hyj.
Falënderoj të gjithë ju, besimtarë që keni ardhur nga Kosova, në veçanti besimtarët e Janjevës, vendlindja e të Lumit Luigj Paliqit; besimtarë që keni ardhur nga Kroacia, Mali i Zi (!nga Maqedonia e Veriut?), nga të gjitha Dioqezat e Shqipërisë, në veçanti ju besimtarë të Dajçit Zadrime, bashkëqytetarë të të Lumnit Gjon Gazulli dhe familjarë të tij.
Dëshiroj të falënderoj nga zemra Kryetarin e Bashkisë dhe bashkëpunëtorët e tij për ndihmën e ofruar në mbarështimin dhe suksesin e kësaj ngjarjeje historike.
Falënderoj edhe Policinë që u kujdes për rendin dhe sigurinë publike.
Falenderoj, gjithashtu, ata që bashkëpunuan në përgatitjen e këtij kremtimi solemn të Lumnimit, në veçanti të gjithë anëtarët e Komisionit Përgatitor, Bandat Muzikore të Aradeos (Itali) dhe të Shkodrës, që sonte do të na ofrojnë një koncert dhe do të bëjnë një binjakëzim, orkestrën dhe korin e Konferencës Ipeshkvnore të drejtuar me mjeshtëri nga Harlen Nikolli, vullnetarët dhe personelin mjekësoro-shëndetësor.
Një aspekt jo i papërfillshëm, pa të cilin nuk do të mund ta jetonim këtë ditë dhe që meriton të përmendet në mënyrë të veçantë, është ai i mbështetjes financiare dhe për të cilin sinqerisht falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre.
Falënderoj edhe operatorëve mediatikë: vëmendja juaj ndaj kësaj ngjarjeje kontribuon që Martirët tanë dhe Shqipëria jonë të kenë edhe një herë jehonë globale; në veçanti falënderoj TVSH-në për transmetimin e drejtpërdrejtë televiziv.
Në fund, ndihem i detyruar të falënderoj publikisht dy artistët: z. Edmond Papathimiu dhe z. Andi Hila. që krijuan pikturat nga të cilat janë marrë imazhet per aracon e Lumnimit dhe per figuret e shenjta me lutjen që do të na mundësojë t’i lutemi edhe një herë Zotit për hirin e Kanonizimit të Martirëve tanë.
Dhe pas falenderimeve të nevojshme, më lejoni të shpreh edhe dy dëshira të sinqerta.
Para së gjithash, uroj që në çdo kënd të botës, ku po fryjnë erërat e luftës, ndonjëherë duke përdorur përkatësinë e ndryshme fetare për të justifikuar krimet e vërteta kundër njerëzimit, të reshtë dhuna dhe përndjekja ndaj atyre që nuk ndajnë të njëjtin vizion fetar të jetës.
Pastaj, duke parë periudhën historike që po kalojmë, e cila i sheh trojet tona të Shqipërisë dhe të Kosovës të përkushtuara për t’u përballur me vështirësi të mëdha ekonomike, sociale dhe morale, uroj që gjaku i derdhur nga Martirët tanë të bëhet për ne vërtet një “farë” jete të re. Shembulli i tyre na dhashtë guxim dhe forcë që të gjithë të angazhohemi, secili sipas aftësive dhe përgjegjësive të veta kishtare, shoqërore ose politike, për të ndihmuar më të dobëtit në shoqëri, për të eliminuar varfërinë, për t’u ofruar punë dhe dinjitet të gjithë njerëzve dhe për të kontribuar kështu për të mirën e të gjithëve.
Ju të gjithëve ia besoj ndërmjetësimit të Nënës së Këshillit të Mirë, Pajtores së Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, të të Lumit Luigj Paliq dhe të të Lumit Gjon Gazulli, së bashku me ndërmjetësimin e 38 Martirëve të Lumë të shekullit XX në Shqipëri dhe të së Shenjtes Nënë Tereza të Kalkutës. Marrshin për ne nga Mirësia hyjnore të mirën për mbarë Kishën universale dhe shpëtimin e mbarë botës, atë shpëtim që Krishti tashmë e ka realizuar me Mundimin, Vdekjen dhe Ngjalljen e tij të lavdishme.
Atij i qoftë nderi dhe lavdia në shekuj të shekujve.
I Lumi Luigj Paliqi, lut per ne!
I lumi Gjon Gazulli, lut per ne. Amen
† Angelo Massafra OFM
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit
HIMNI ZYRTAR I LUMNIMIT
TEKSTE LITURGJIKE ZYRTARE PËR KUJTIMET
GALERIA FOTOGRAFIKE E LUMNIMIT