Scroll Top

E DIELA E FJALËS SË ZOTIT – 21 JANAR 2024

Shprehja biblike me të cilën duam ta kremtojmë këtë vit të Dielën e Fjalës së Hyjit është marrë nga Ungjilli sipas Gjonit: “Mbajeni fjalën time” (Gjn 8,31). Njëri nga faktet më emocionuese në historinë e popullit të Izraelit është sigurisht ai i verifikimit se si mjeti i privilegjuar me të cilin Hyji u drejtohet njerëzve dhe individëve mbetet ai i “fjalës”. Të thuash se Hyji përdor “Fjalën” është gjithashtu e barazvlefshme me pohimin se Hyji flet, domethënë Hyji del nga heshtja dhe në dashurinë e tij i drejtohet njerëzimit. Fakti që Hyji flet nënkupton se Ai synon të komunikojë diçka intime dhe absolutisht të nevojshme për njeriun, pa të cilën ky i fundit kurrë nuk mund të arrijë njohjen e plotë të vetvetes dhe të misterit të Hyjit. Bashkëbisedimi i përhershëm mes Hyjit dhe njerëzve, që karakterizon historinë biblike, ka tiparet e miqësisë. Është një bashkëbisedim personal, i cili e prek njeriun nga afër dhe e përfshin atë në një marrëdhënie dashurie, duke arritur gjithsecilin në historinë e tij me qëllim që t’i rrijë pranë.

Fakti themelor që e trondit historinë duke i dhënë asaj një orientim tjetër është ky: në Jezu Krishtin Hyji i flet njerëzimit në mënyrë të plotë dhe përfundimtare. Ai është Fjala e bërë mish, Fjala që është shqiptuar gjithmonë dhe që tani gjithashtu bëhet e dukshme. Ajo që u bëhet e njohur njerëzve është Fjala, Logos-i, jeta e amshuar… të gjithë terma që i referohen idesë qendrore dhe themeluese: personit të Jezu Krishtit. Këto fjalë që Jezusi na drejton të gjithë neve, besimtarëve në Të, në Ungjillin e Gjonit bëhen shumë domethënëse: “Mbajeni fjalën time” (Gjn 8,31). Është ftesa për të mos u shpërndarë, por “për ta mbajtur fjalën” në një bashkim të thellë dhe radikal si ai i degëve me hardhinë (krh. Gjn 15,1-7). Në Ungjillin e katërt, folja “mbaj” ka një vlerë paradigmatike. Mbajtja e Fjalës së Hyjit është shumë më tepër sesa një takim i shpejtë apo edhe i rastësishëm. Dei Verbum-i këtë gjë e shpjegon në mënyrë të admirueshmev: “Në dashurinë e vet të madhe u flet njerëzve si miqve të vet dhe rri me ta” (Dei Verbum, 2). Hyji jo vetëm u flet njerëzve, por rri me ta për një kohë të gjatë, sikur të ishin “miq” të vërtetë të njohur prej kohësh; Hyji “rri” me ne, ai rri për të ndarë gëzimet dhe hidhërimet dhe për t’i dhënë jetës një ndjenjë plotësie që nuk mund të gjendet diku tjetër. Në Fjalën e tij, Hyji na ndriçon me “dritën e jetës” (Gjn 8,12), siç thotë mirë Agustini ipeshkëv: “Nëse do ta mbani fjalën time vërtet do të jeni nxënësit e mi; do ta sodisni të vërtetën ashtu siç është, jo nëpërmjet fjalëve kumbuese, por nëpërmjet dritës së tij shkëlqyese, kur Hyji do të na ngopë, ashtu siç thotë psalmi: Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e e fytyrës sate (Ps 4,7)”.

Papa Françesku, në Letrën Apostolike në përfundim të Jubileut të Mëshirës, uronte që “çdo bashkësi, në një të diel të vitit liturgjik, të ripërtërinte angazhimin e vet ndaj përhapjes, njohjes dhe studimit të Shkrimit të shenjtë: një të diel kushtuar tërësisht Fjalës së Hyjit, për të kuptuar pasurinë e pashtershme që vjen nga ai dialog i vazhdueshëm i Hyjit me popullin e tij” (Misericordia et misera, 7). Me Letrën Apostolike Aperuit illis, Papa Françesku themeloi të Dielën e Fjalës së Hyjit, duke caktuar kremtimin e saj të Dielën e Tretë të Kohës së Zakonshme. Nuk është dytësore që e Diela e Fjalës së Hyjit është caktuar në një periudhë ku Kisha kremton Ditën e Dialogut mes Hebrenjve e Katolikëve dhe Javën e Njësisë së të Krishterëve, duke i dhënë asaj një vlerë të madhe ekumenike dhe bashkimi. Në fakt, Shkrimi i shenjtë ka qenë gjithmonë një urë dialogu dhe kontakti i rëndësishëm edhe me konfesionet e tjera të krishtera dhe me besimet e tjera fetare. Për më tepër, Ungjijtë e kësaj të diele, në të tre ciklet liturgjike, paraqesin fillimin e mbarështimit dhe të predikimit të Jezusit, Fjala e bërë mish.

Është një nismë thellësisht baritore me të cilën Papa Françesku dëshiron t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se sa e rëndësishme është, në jetën e përditshme të Kishës dhe të bashkësive tona, t’i referohemi Fjalës së Hyjit, një Fjalë që nuk kufizohet në një libër, por që mbetet gjithmonë e gjallë dhe bëhet konkrete dhe e prekshme. Çdo realitet lokal mund të gjejë mënyra më të përshtatshme dhe më të efektshme për ta jetuar sa më mirë këtë të Diel, duke bërë që “të rritet në popullin e Hyjit fetaria dhe familjariteti me Shkrimin e shenjtë” (Aperuit illis, 15). (…)

E Diela e Fjalës së Hyjit bën të mundur edhe një herë që të krishterët ta përforcojnë ftesën këmbëngulëse të Jezusit për ta dëgjuar dhe për ta ruajtur Fjalën e tij, me qëllim që t’i japin botës një dëshmi shprese, që i mundëson asaj të shkojë përtej vështirësive të momentit të tanishëm. Në ecjen që Papa Françesku kërkon që krejt Kisha të bëjë drejt Jubileut të vitit 2025, i cili ka si moto Shtegtarët e Shpresës, e Diela e Fjalës së Hyjit bëhet një etapë vendimtare. Shpresa që buron nga kjo Fjalë, në fakt, nxit çdo bashkësi që jo vetëm ta kumtojë fenë e saj të përhershme, por mbi të gjitha ta komunikojë atë me bindjen se u jep shpresë atyre që e dëgjojnë dhe e mirëpresin atë me zemër të përvujtë.

† Rino Fisichella

Pro-Prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin

Seksioni për Çështjet Themelore të Ungjillëzimit në Botë