Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2023 – 20 dhjetor

Kemi mbërritur në kumtimin e fundit që plotëson serinë e atyre që kanë qenë dëshmitarë ditët e fundit dhe për të cilat kemi thënë se ato përmbajnë elementin e përbashkët të thirrjes së fëmijës së palindur me të cilin lidhet një mision i veçantë.

Së bashku me këtë element të marrë nga leximet e ditës, kemi reflektuar edhe mbi rëndësinë e rolit të familjes së krishterë në rritjen njerëzore dhe shpirtërore të fëmijëve dhe të rolit të prindërve për t’u mundësuar fëmijëve të tyre që të hyjnë në një marrëdhënie personale me Hyjin, të cilit pastaj, kur të rriten, do të duhet t’i përgjigjen duke pranuar thirrjen e tij.

Në pjesën e kumtimit bërë Marisë, del në pah edhe një element tjetër i rëndësishëm, ai i dëgjesës. “Po”-ja e Marisë ndjek gjithashtu “Po”-në e Jezusit për përmbushjen e vullnesës së Atit, i cili eshte modeli i degjeses. Shpesh ai do të përsërisë gjatë predikimit të tij se nuk erdhi për të bërë vullnesën e tij, por vullnesën e Atij që e dërgoi.

Dhe në kremtimin e festës së Familjes së Shenjtë, në njërin prej tre viteve liturgjike, lexojmë pjesën e gjetjes së Jezusit mes mësuesve në Tempullin e Jeruzalemit, ku thuhet se Jezusi u kthye me prindërit e tij në Nazaret dhe qëndroi atje duke qenë i dëgjueshëm ndaj tyre.

Dëgjesa është një virtyt shumë i rëndësishëm, që sot vlerësohet pak si brenda familjeve, ashtu edhe brenda strukturave kishtare; kjo ndodh sepse ky term nuk kuptohet mirë në dimensionin e vet teologjik. Dëgjesa e bën shpirtin të gatshëm që të kryejë vullnesën e Hyjit dhe ushqehet drejtpërdrejt nga përvuajtëria, e cila është saktësisht e kundërta e mëkatit origjinal, ku egoizmi rezulton shkatërrues i marrëdhënies me Zotin, me të tjerët, me natyrën dhe me vetveten.

Sot jemi dëshmitarë të një përmbysjeje të kësaj vlere dhe nga shumë anë dëgjojmë se njeriu duhet të ndihet i lirë të bëjë çfarë të dojë, duke keqkuptuar kështu edhe vlerën e lirisë. Kjo, në fakt, nuk mund të kuptohet si një thyerje kufijsh, por si një “zgjedhje e lirë” për të bërë atë që është e drejtë. Kur nuk bëjmë atë që është e drejtë, me pretendimin e njëfarë lirie, dëmtojmë bashkëjetesën paqësore dhe prishim ekuilibrin e marrëdhënieve tona: lajmet i shohin të gjithë!

Por nëse zgjedhim lirisht të bëjmë mirë, duhet edhe të mirëpresim virtytin e dëgjesës me përvuajtëri, sepse ky virtyt do të na ndihmojë t’i bëjmë ballë egoizmit tonë personal dhe të lindur dhe të fitojmë mbi pretendimin tonë për gjithëpushtetshmëri. Kështu mëkati origjinal i paraardhësve tanë kapërcehet dhe ne kthehemi në pafajësinë tonë fillestare.

Maria, Jozefi dhe Jezusi, me “Po”-në e tyre ndaj vullnesës së Hyjit, kanë rivendosur ekuilibrin e prishur nga mëkati origjinal dhe kanë bërë të mundur që edhe ne të hyjmë në këtë shteg të hirit shenjtërues. Prandaj, na takon neve, duke u nisur nga stili i përdorur në familjet tona të krishtera që ta përvetësojmë virtytin e dëgjesës si një zgjedhje jete, duke u mësuar fëmijëve tanë se nuk bëhet fjalë për një kufizim të lirisë personale, por për një edukim të vullnetit drejt të mirës… Kjo është rruga drejt shenjtërisë!

Të lutemi me Psalmin e sotëm:

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit

e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,

ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi.

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,

shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet” (Ps 24,3-5). Amen!