Scroll Top

Mesazhi i Atit të shenjtë për Kreshmën 2021

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË për Kreshmën 2021

Ja, po ngjitemi në Jerusalem…” (Mt 20,18).

Koha e Kreshmës:
kohë për të ripërtërirë fenë, shpresën dhe dashurinë

 

Të dashur vëllezër e motra,

duke u treguar nxënësve të vet për mundimet, vdekjen dhe ngjalljen e vet, për plotësimin e vullnesës së Atit, Jezusi u zbulon atyre domethënien e thellë të misionit të vet dhe i thërret që t’i bashkëngjiten këtij misioni, për shpëtimin e botës.

Duke përshkuar rrugëtimin kreshmor, që na çon drejt kremtimeve pashkore, kujtojmë se Ai «e përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq» (Fil 2,8). Në këtë kohë kthimi ripërtërijmë fenë tonë, marrim “ujin e gjallëtë shpresës dhe marrim me zemër të hapur dashurinë e Hyjit, që na shndërron në vëllezër dhe motra në Krishtin. Natën e Pashkës ripërtërijmë premtimet e Pagëzimit tonë, për të rilindur si burra të rinj dhe gra të reja, falë veprës së Shpirtit Shenjt. Itinerari i Kreshmës, ashtu si krejt ecja e krishterë, përshkohet krejtësisht nën dritën e Ngjalljes, që gjallëron ndjenjat, qëndrimet dhe zgjedhjet e atij që dëshiron ta ndjekë Krishtin.

Agjërimi, lutja dhe lëmosha, siç paraqiten prej Jezusit në predikimin e tij (krh. Mt 6,1-18), janë kushtet dhe shprehja e kthimit tonë. Udha e varfërisë dhe e privimit (agjërimi), shikimi dhe gjestet e dashurisë për njeriun e plagosur (lëmosha) dhe dialogu birnor me Atin (lutja) na mundësojnë që të mishërojmë një fe të sinqertë, një shpresë të gjallë dhe një dashuri vepruese.

 

1. Feja na thërret që ta pranojmë të Vërtetën dhe të bëhemi dëshmitarë, përpara Hyjit dhe përpara vëllezërve e motrave

Në këtë Kreshme, pranimi dhe jetimi i të Vërtetës së shfaqur në Krishtin do të thotë para së gjithash ta lëmë veten që të arrihemi prej Fjalës së Hyjit, që na përçohet, brezni më brezni, prej Kishës. Kjo e Vërtetë nuk është pjellë e trurit, vetëm për pak mendje të zgjedhura, superiore apo të ndritura, por është një mesazh që marrim dhe që mund ta kuptojmë falë inteligjencës së zemrës, që i është hapur madhështisë së Hyjit që na do përpara se ne vetë të bëhemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë. Kjo e Vërtetë është vetë Krishti, që duke marrë deri në fund njerëzinë tonë është bërë Udhë – kërkuese, por e hapur për të gjithë – që na çon në plotësinë e Jetës.

Agjërimi i jetuar si një përvojë privimi i çon të gjithë ata që e jetojnë atë në thjeshtësinë e zemrës të zbulojnë dhuratën e Hyjit dhe të kuptojnë realitetin tonë si krijesa të bëra në shëmbëlltyrë dhe përngjasim të Tij, që në Të të gjejnë plotësinë. Duke bërë përvojën e një varfërie të pranuar, ai që agjëron bëhet i varfër me të varfrit dhe “grumbullon” pasurinë e dashurisë që ka marrë dhe që bashkëndan. I kuptuar dhe i praktikuar në këtë mënyrë, agjërimi na ndihmon që ta duam Hyjit dhe të afërmin meqë, siç mëson edhe Shën Tomë Akuini, dashuria është një lëvizje që e përqendron vëmendjen tek tjetri duke e konsideruar atë si një gjë të vetme me vetveten (krh. Enciklika Fratelli tutti [FT], 93). 

Koha e Kreshmës është një kohë për të besuar apo për ta marrë Hyjin në jetën tonë dhe për t’i lejuar Atij që “të banojë” në ne (krh. Gjn 14,23). Të agërojmë do të thotë ta lirojmë ekzistencën tonë prej gjithçkaje që na pengon, edhe prej ngopjes me informacion – të vërtetë apo të rremë – dhe prej produkteve të konsumit, për t’ia hapur dyert e zemrës sonë Atij që vjen për ne i varfër në gjithçka, por «plot hir e të vërtetë» (Gjn 1,14): Birit të Hyjit Shpëtimtar.

 

2.  Shpresa si “ujë i gjallë”, që na mundëson të vazhdojmë ecjen tonë  

Samaritania, të cilës Jezusi i kërkon ujë për të pirë pranë pusit, nuk kupton kur Ai i thotë se mund t’i japë “ujë të gjallë” (Gjn 4,10). Në fillim ajo mendon me të drejtë për ujin material, ndërsa Jezusi i referohet Shpirtit Shenjt, atë që Ai do ta japë me bollëk në Misterin pashkor dhe që ngjall në ne shpresën që nuk zhgënjen. Në momentin kur kumton mundimet dhe vdekjen e Tij Jezusi kumton shpresën kur thotë: «të tretën ditë do të ngjallet» (Mt 20,19). Jezusi na flet për të ardhmen e hapur prej mëshirës së Atit. Të shpresosh me Të dhe falë Tij do të thotë të besosh se historia nuk mbyllet me gabimet tona, me dhunën dhe padrejtësinë tonë dhe me mëkatin që kryqëzon Dashurinë. Do të thotë të marrësh prej Zemrës së tij të hapur faljen e Atit.

Në kontekstin aktual të shqetësimeve në të cilin jetojmë dhe ku gjithçka duket e brishtë dhe e paqartë, të flasësh për shpresë mund të duket si një provokim. Koha e Kreshmës është bërë për të shpresuar, për të rikthyer edhe një herë shikimin nga durimi i Hyjit, që vazhdon të kujdeset për

Krijimin e Tij, të cilin ne shpesh e kemi keqtrajtuar (krh. Enc. Laudato si’ [Ti qofsh lëvduar], 3233.43-44). Do të thotë të shpresosh në pajtim, për të cilin na fton me pasion Shën Pali: «Pajtohuni me Hyjin!» (2Kor 5,20). Duke marrë faljen, në Sakramentin që është në zemër të procesit tonë të kthimit, bëhemi edhe ne përhapës të faljes: meqë ne vetë e kemi marrë, atëherë mund ta japim atë nëpërmjet aftësisë për të jetuar një dialog dashamirës dhe duke bërë një sjellje që e ngushëllon atë që është plagosur. Falja e Hyjit, edhe nëpërmjet fjalëve dhe gjesteve tona, na mundëson që të jetojmë një Pashkë vëllazërie.

Gjatë Kohës së Kreshmës, të jemi të kujdesshëm për të thënë «fjalë nxitjeje, që ngushëllojnë, japin forcë dhe shtytje, në vend të fjalëve që poshtërojnë, trishtojnë, acarojnë dhe përbuzin» (FT, 223). Nganjëherë, për të dhënë shpresë, mjafton të jemi një person i mirë «i cili lë mënjanë shqetësimet dhe urgjencat e veta për të kushtuar vëmendje, për të dhënë një buzëqeshje, për të thënë një fjalë nxitëse, për të krijuar një hapësirë dëgjimi në mes të kaq shumë shpërfilljeje» (FT, 224). 

Në përqendrimin dhe në lutjen e heshtur, shpresa na dhurohet si frymëzim dhe dritë e brendshme, që ndriçon sfidat dhe zgjedhjet e misionit tonë: ja pse është themelore të përqendrohemi për t’u lutur (krh. Mt 6,6) dhe të takojmë, në fshehtësi, Atin e butësisë.

Të jetosh një Kohë Kreshmeje me shpresë do të thotë të jemi, në Jezu Krishtin, dëshmitarë të kohëve të reja, në të cilat Hyji i bën “të reja të gjitha gjërat!” (krh. Zb 21,5). Do të thotë ta marrim shpresën e Krishtit që jep jetën e vet në kryq dhe që Hyji ngjall të tretën ditë, të gatshëm për t’i dhënë përgjigje gjithsecilit që prej nesh kërkon arsyen e shpresës që është në ne (krh. 1Pjt 3,15). 

 

3. Dashuria e jetuar në gjurmët e Krishtit, në vëmendjen dhe në dhembshurinë ndaj secilit, është shprehja më e lartë e fesë dhe e shpresës sonë  

Dashuria gëzohet kur sheh që tjetri është duke u rritur. Ja pse ajo vuan kur tjetri jeton në angështi: i vetëm, i sëmurë, pa çati, i dëshpëruar, në nevojë… Dashuria është zelli i zemrës që na bën të dalim nga vetja jonë dhe që krijon lidhjen e bashkëndarjes dhe të bashkësisë.

«Duke u nisur nga “dashuria shoqërore” është e mundur që të shkohet drejt një qytetërimi të dashurisë, për të cilin të gjithë mund të ndihemi të thirrur. Dashuria-bamirësi, me dinamizmin e saj universal, mund të ndërtojë një botë të re, sepse nuk është një ndjenjë sterile, por mënyra më e mirë për të arritur rrugë të efektshme zhvillimi për të gjithë» (FT, 183). 

Dashuria është dhuratë që i jep kuptim jetës sonë dhe falë të cilës ne i konsiderojmë ata që vuajnë prej privimit si anëtarë të vetë familjes sonë, si miq, si vëllezër. Edhe e pakta, nëse ndahet me dashuri, nuk mbaron kurrë, por shndërrohet në rezervë jete dhe lumturie. Kështu ndodhi edhe për miellin dhe vajin e vejushës së Sareptës, e cila i dha kulaçin e vet Elisë profet (krh. 1Mbr 17,716); dhe për bukët që Jezusi bekoi, ndau dhe ua dha nxënësve të vet për t’ia shpërndarë turmës (krh. Mk 6,30-44). Kështu ndodh edhe për lëmoshën tonë, e vogël apo e madhe qoftë, dhënë me gëzim e thjeshtësi.

Të jetosh një Kohë Kreshmeje dashurie do të thotë të kujdesesh për atë që jeton në vuajtje, i braktisur apo në angështi për shkak të pandemisë Covid-19. Në kontekstin e një pasigurie të madhe për të nesërmen, duke sjellë ndër mend fjalën që Hyji i thotë Shërbëtorit të vet: «Mos u tremb, se unë të shpërbleva» (Is 43,1), të dhurojmë me dashurinë tonë një fjalë besimi dhe të bëjmë që tjetri të ndiejë se Hyji e do si një bir.

«Vetëm me një vështrim horizonti i të cilës të shndërrohet nga dashuria-bamirësi, që e shtyn atë të dallojë dinjitetin e tjetrit, të varfrit njihen dhe vlerësohen në dinjitetin e tyre të pamasë, respektohen në stilin dhe kulturën e tyre, dhe për këtë arsye integrohen me të vërtetë në shoqëri» (FT, 187). 

Të dashur vëllezër e motra, çdo etapë e jetës është një kohë për të besuar, për të shpresuar dhe për të dashur. Kjo thirrje për ta jetuar Kohën e Kreshmës si rrugëtim kthimi, lutjeje dhe bashkëndarjeje të të mirave tona, na ndihmon që ta rivizitojmë, me kujtesën tonë bashkësiore dhe personale, fenë që vjen prej Krishtit të gjallë, shpresën e gjallëruar prej frymës së Shpirtit Shenjt dhe dashurinë burimi i pashtershëm i të cilës është zemra e mëshirshme e Atit.

Maria, Nëna e Shpëtimtarit, besnike te këmbët e kryqit dhe në zemrën e Kishës, na mbështettë me praninë e saj të kujdesshme, dhe bekimi i të Ngjallurit na shoqëroftë në ecjen tonë drejt dritës pashkore.

 

Romë, Shën Gjoni në Lateran, 11 nëntor 2020, përkujtimi i Shën Martinit të Turit (Francë)

Françesku