Scroll Top

Nëntëditeshja e Krishtlindjes – Homeli 19 dhjetor 2020

Dita e katërt e Nëntëditëshes na tregon kumtimin e profetit të fundit të Izraelit, Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Mesisë, historia e të cilit krahasohet me atë të Samsonit, njërit prej Gjyqtarëve të Izraelit, misioni i të cilit ishte shpëtimi i popullin prej Filistenjve në emër të Hyjit.

Pra, dy kumtime, dy personazhe me një mision të rëndësishëm: i pari, në rend kronologjik, duhej të tregonte se Hyji udhëheq dhe shpëton popullin e vet, i dyti duhej të tregonte praninë e Zotit dhe të Shpëtimtarit; i pari e kryen misionin e vet në simbolin e forcës së tij dhe në flijimin e jetës së vet, i dyti e kryen në realitet dhe gjithmonë me flijimin e jetës së vet.

Të dy na tregojnë se zotëria e Hyjit dhe e Krishtit të tij kalon domosdoshmërisht nëpërmjet përfshirjes personale: nuk mund të jemi kumtues të besueshëm të Zotit përveçse përmes deklarimit të vetes si shërbëtorë besnikë, të aftë për ta flijuar jetën për Zotin tonë. Këtu qëndron forca e dëshmisë, (në greqisht “martir”), ajo që Martirët tanë kanë jetuar në plotësi, duke ofruar jetën e tyre, me qëllim që Krishti të vazhdojë të jetë Mbret dhe Zot i Shqipërisë.

Një element tjetër i përbashkët i të dy leximeve të sotme, që ka të bëjë me historinë e këtyre dy personazheve të mëdhenj biblikë, është prania e Shpirtit të Zotit që vepron përmes tyre. Është një element i rëndësishëm dhe që nuk duhet të lëmë pas dore, sepse është veprimi i Shpirtit Shenjt që na bën bashkëpunëtorë të veprës së Hyjit dhe realizues të Mbretërisë së tij.

Dje kemi marrë angazhimin që të reflektojmë mbi misionin që Zoti i beson secilit prej nesh. Sot do të marrim angazhimin që të reflektojmë mbi gatishmërinë tonë për ta pranuar këtë mision me besnikërinë e Martirëve.

Para së gjithash ta pyesim veten nëse me të vërtetë e kemi përzemër që Jezusi të jetë Zoti i jetës sonë; pastaj ta pyesim veten nëse me të vërtetë duam që të jemi dëshmitarë të tij në botë; nëse dëshirojmë që Jezusi të jetë Zot dhe Shpëtimtar i të gjithë personave që takojmë në jetën tonë.

Qëndresa e Martirëve është dhuratë e Shpirtit Shenjt: ta kërkojmë praninë e tij në jetën tonë pa u lodhur dhe me fe të madhe, me qëllim që edhe ne të jemi kumtues të vlefshëm dhe dëshmitarë të zotërisë së Krishtit në botë.