MESAZHI I ATIT TË SHENJTË
PËR DITËN BOTËRORE TË PAQES 2016
FITO MBI INDIFERENCËN DHE ARRIJE PAQEN
1. Hyji nuk është indiferent! Njerëzimi është i rëndësishëm për Hyjin, Hyji nuk e braktis atë! Në fillim të Vitit të Ri, do të doja t’i shoqëroja me këtë bindjen time të thellë urimet për bekime dhe paqe të bollshme, në shenjën e shpresës, për të ardhmen e çdo burri dhe të çdo gruaje, të çdo familjeje, populli dhe kombi në botë, si edhe të Krerëve të Shteteve e të Qeverive dhe të Përgjegjësve të besimeve fetare. Në fakt, nuk e humbim shpresën që viti 2016 të na shohë të gjithëve me ngulm dhe besim të angazhuar në nivele të ndryshme për të zbatuar drejtësinë dhe për të punuar për paqen. Po, kjo e fundit është dhuratë e Hyjit dhe vepër e njerëzve. Paqja është dhuratë e Hyjit, por u është besuar të gjithë burrave dhe grave, që janë thirrur ta realizojnë atë.
Të ruash arsyet e shpresës
2. Luftrat dhe veprimet terroriste, me pasojat e tyre tragjike, sekuestrimi i personave, përndjekjet për motive etnike apo fetare, shpërdorimi i detyrës, kanë shënuar qysh prej fillimit deri në fund vitin e kaluar duke u shumëzuar dhimbshëm në shumë vende të botës, aq sa kanë marrë tiparet e asaj që mund të quhet “lufta e tretë botërore vende-vende”. Por disa ngjarje të viteve të kaluara dhe të vitit që sapo kaluam më ftojnë, në perspektivën e vitit të ri, të ripërtërij nxitjen që të mos e humb shpresën në aftësinë e njeriut, me hirin e Hyjit, që ta tejkalojë të keqen dhe që të mos bjerë në nënshtrim e në indiferencë. Ngjarjeve të cilave u referohem paraqesin aftësinë e njerëzimit për të punuar në solidaritet, përtej interesave individualistike, apatisë dhe indiferencës ndaj situatave kritike.
Mes këtyre do të doja të kujtoja përpjekjen e bërë për të favorizuar takimin e lidërve botërorë, në rrethin e COP-it 21, me qëllim që të kërkonin rrugë të reja për të trajtuar ndryshimet klimaterike dhe për të ruajtur Tokën, shtëpinë tonë të përbashkët. Dhe për këtë po kujtoj dy ngjarje të mëparshme në nivel global: Samiti i Adis Abebës për të mbledhur fonde për zhvillimin që ia vlen të mbrohet të botës; dhe zgjedhja, nga ana e Kombeve të Bashkuara, e kalendarit 2030 për Zhvillimin që ia vlen të mbrohet, me qëllim sigurimin e një ekzistence më të denjë për të gjithë, sidomos të popullatave të varfra të planetit, brenda këtij viti.
Viti 2015 ka qenë një vit i veçantë për Kishën, edhe sepse ka shënuar 50-vjetorin e botimit të dy dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit, që shprehin në mënyrë shumë të qartë ndjenjën e solidaritetit të Kishës me botën. Papa Gjoni XXIII, në fillim të Koncilit, deshi t’i hapte krejt dritaret e Kishës me qëllim që mes saj dhe botës të kishte një komunikim më të hapur. Dy dokumentet, Nostra ætate e Gaudium et spes, janë shprehje emblematike të marrëdhënies së re të dialogut, të solidaritetit dhe të shoqërimit që Kisha donte të fuste brenda njerëzimit. Në Deklaratën Nostra ætate Kisha është thirrur t’i hapet dialogut me besimet fetare jo të krishtera. Me Kushtetutën baritore Gaudium et spes, prej momentit që «gëzimet dhe shpresat, trishtimet dhe ankthet e njerëzve të sotëm, sidomos të të varfërve dhe të të gjithë atyre që vuajnë, janë edhe gëzimet dhe shpresat, trishtimet dhe ankthet e nxënësve të Krishtit», Kisha dëshironte vendosjen e një dialogu me familjen njerëzore rreth problemeve të botës, si shenjë solidariteti dhe afekti të respektshëm.
Po në këtë perspektivë, me Jubileun e Mëshirës dua ta ftoj Kishën që të lutet dhe të punojë, me qëllim që çdo i krishterë të ketë një zemër të butë dhe të përvuajtë, të aftë të kumtojë dhe të dëshmojë mëshirën, «të falë dhe të dhurojë», t’u hapet «të gjithë atyre që jetojnë në periferitë më të largëta ekzistenciale, që shpesh bota moderne krijon në mënyrë dramatike», pa rënë «në indiferencën që na poshtëron, në zakonshmërinë që na paralizon shpirtin dhe që na pengon të zbulojmë risinë, në cinizmin që shkatërron»..
Ka shumë arsye për të besuar në aftësinë e njerëzimit për të vepruar së bashku në solidaritet, në njohjen e ndërlidhjes dhe të ndërvarësisë së tyre, duke pasur për zemër pjesëtarët më të brishtë dhe ruajtjen e të mirës së përbashkët. Ky qëndrim bashkëpërgjegjësie solidare është në rrënjë të thirrjes themelore për vëllazëri dhe jetë të përbashkët. Dinjiteti dhe marrëdhëniet ndërpersonale na bëjnë qenie njerëzore, të dashur prej Hyjit në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim të tij. Si krijesa të pajisura me dinjitet të patjetërsueshëm ne ekzistojmë në marrëdhënie me vëllezërit dhe motrat tona, ndaj të cilëve kemi një përgjegjësi dhe me të cilët veprojmë në solidaritet. Jashtë kësaj marrëdhënieje, do të ishim më pak njerëzorë. Është pikërisht për këtë që indiferenca përbën një kërcënim për familjen njerëzore. Ndërsa vihemi në ecje drejt një viti të ri, do të doja t’i ftoja të gjithë që ta njohin këtë fakt, për të fituar mbi indiferencën dhe për të arritur paqen.
Disa forma indiference
3. E sigurt është që qëndrimi i indiferentit, i atij që mbyll zemrën për të mos marrë parasysh të tjerët, i atij që mbyll sytë për të mos parë atë që e rrethon apo që largohet për të mos e lënë veten të preket prej problemeve të të tjerëve, karakterizon një tipologji njerëzore mjaft të përhapur dhe të pranishme në çdo epokë të historisë. Megjithatë, në ditët tona ajo e ka tejkaluar shumë cakun individual për të marrë një përmasë globale dhe për të krijuar fenomenin e “globalizimit të indiferencës”.
Forma e parë e indiferencës në shoqërinë njerëzore është ajo ndaj Hyjit, prej të cilës buron edhe indiferenca ndaj të afërmit dhe ndaj krijimit. Kjo është njëra prej efekteve të rënda të një humanizmi të rremë dhe të materializmit praktik, të gërshetuar me një mendim relativistik dhe nikilistik. Njeriu mendon se është autori i vetes së vet, i jetës së vet dhe i shoqërisë; ai ndihet i vetëmjaftueshëm dhe synon jo vetëm ta zëvendësojë Hyjin, por edhe të bëjë krejt pa të; si rrjedhojë, mendon se nuk i detyrohet për asgjë askujt, me përjashtim të vetes së vet, dhe pretendon të ketë vetëm të drejta. Kundër këtij vetëkuptimi të gabuar të personit, Benedikti XVI kujton se as njeriu dhe as zhvillimi i tij nuk janë të aftë t’i japin vetes domethënien e tyre të fundit; dhe përpara tij Pali VI kishte pohuar se «nuk ka një humanizëm të vërtetë nëse nuk është i hapur ndaj Absolutit, në pranimin e një thirrjeje, që jep idenë e vërtetë të jetës njerëzore». Indiferenca ndaj të afërmit merr fytyra të ndryshme. Ka prej atyre që janë të mirëinformuar, dëgjojnë radion, lexojnë gazetat apo marrin pjesë në programe televizive, por e bëjnë në mënyrë të vakët, gati si një zakon: këta persona i njohin krejt pak dramat që brengosin njerëzimin, por nuk ndihen të përfshirë, nuk ndiejnë dhembshuri. Ky është qëndrimi i atij që di, por e mban shikimin, mendimin dhe veprimin të drejtuar kah vetja e vet. Për fat të keq duhet të konstatojmë se shtimi i informacionit, tipik i kohës sonë, nuk do të thotë në vetvete shtim i vëmendjes ndaj problemeve, nëse nuk shoqërohet prej një hapjeje të ndërgjegjes në kuptimin solidar. Madje, ai mund të sjellë njëfarë ngopjeje që anestetizon dhe, në njëfarë mase, relativizon rëndesën e problemeve. «Disa thjeshtë mjaftohen duke fajësuar të varfrit dhe vendet e varfra për të këqijat e tyre, me përgjithësime të padrejta, dhe duke pretenduar që ta gjejnë zgjidhjen në një “edukim” që t’i qetësojë dhe t’i shndërrojë ata në qenie të zbutura dhe të padëmshme. Kjo bëhet edhe më acaruese nëse të përjashtuarit shohin se ky kancer shoqëror po rritet, që është korrupsioni i rrënjosur thellë në shumë Vende – në qeveri, në sipërmarrje dhe në institucione – cilado qoftë ideologjia politike e qeveritarëve». Në raste të tjera, indiferenca shfaqet si mungesë vëmendjeje ndaj realitetit rrethues, sidomos atij që është më larg. Disa persona parapëlqejnë të mos kërkojnë, të mos informohen dhe e jetojnë mirëqenien e rehatinë e tyre të shurdhët ndaj britmës së dhimbjes që lëshon njerëzimi që vuan. Gati pa e kuptuar, jemi bërë të paaftë të provojmë dhembshuri për të tjerët, për dramat e tyre, nuk na intereson të kujdesemi për ta sikur ajo që u ndodh atyre është një përgjegjësi që nuk na përket neve. «Kur ne jemi mirë dhe ndihemi rehat, me siguri i harrojmë të tjerët (gjë që Hyji Atë nuk e bën), nuk interesohemi për problemet e tyre, për vuajtjet e tyre dhe për padrejtësitë që pësojnë… Atëherë zemra jonë bie në indiferencë: ndërsa unë jam relativisht mirë dhe rehat, i harroj ata që nuk janë mirë».
Duke jetuar në një shtëpi të përbashkët, nuk mund të mos e pyesim veten për shëndetin e saj, siç jam përpjekur të bëj në Letrën enciklike “Laudato sì”. Ndotja e ujërave dhe e ajrit, shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, shkatërrimi i mjedisit, shpesh janë fryt i indiferencës së njeriut ndaj të tjerëve, sepse gjithçka është e lidhur. Ashtu si edhe sjellja e njeriut me kafshët ndikon në marrëdhëniet e tij me të tjerët, për të mos folur për atë që ia lejon vetes të bëjë tjetërkund atë që nuk guxon të bëjë në shtëpitë e vet.
Në këto dhe në raste të tjera, indiferenca shkakton sidomos mbyllje e mosangazhim, dhe kështu ndihmon që të mos ketë paqe me Hyjin, me të afërmin dhe me krijimin.
Paqja e kërcënuar prej indiferencës së globalizuar
4. Indiferenca ndaj Hyjit tejkalon sferën intime dhe shpirtërore të çdo personi dhe vesh sferën publike e sociale. Siç pohonte Benedikti XVI, «ekziston një ndërlidhje intime mes lavdërimit të Hyjit dhe paqes së njerëzve në tokë». Në fakt, «pa një hapje transhendente, njeriu bie lehtësisht në relativizëm dhe pastaj e ka të vështirë të veprojë sipas drejtësisë dhe të angazhohet për paqen». Harrimi dhe mohimi i Hyjit, që e çojnë njeriun të mos njohë asnjë normë përtej vetes së vet dhe të marrë si normë vetëm veten e vet, kanë krijuar mizori dhe dhunë të pamasë.
Në nivel individual dhe bashkësior indiferenca ndaj të afërmit, bijë e asaj ndaj Hyjit, merr aspektin e inercisë dhe të çangazhimit, që ushqejnë vazhdimin e situatave të padrejtësisë dhe të një çekuilibri të rëndë shoqëror, të cilat, nga ana e tyre, mund të çojnë në konflikte apo, në çdo rast, mund të krijojnë një klimë pakënaqësie që rrezikon të degjenerojë, herët apo vonë, në dhunë dhe pasiguri.
Në këtë kuptim indiferenca, dhe çangazhimi që pason, përbëjnë një mungesë të rëndë ndaj detyrës që çdo person ka për të kontribuar, në masën e aftësive të veta dhe të rolit që ka në shoqëri, për të mirën e përbashkët, në veçanti për paqen, që është njëra prej të mirave më të çmuara të njerëzimit.
Kur pastaj vesh nivelin institucional, indiferenca ndaj tjetrit, ndaj dinjitetit të tij, ndaj të drejtave themelore dhe lirisë së tij, e bashkuar me një kulturë që është e shënuar prej përfitimit dhe hedonizmit, favorizon dhe ndonjëherë justifikon veprime dhe politika që janë kërcënim për paqen. Ky qëndrim indiference mund të arrijë edhe të justifikojë disa politika ekonomike të dënueshme, foriere me padrejtësi, ndarje dhe dhunë, në parapamje të arritjes së mirëqenies së vet apo atë të vendit të vet. Jo rrallëherë, në fakt, projektet ekonomike dhe politike të njerëzve kanë si qëllim arritjen apo mbajtjen e pushtetit dhe të pasurive, edhe nëse kjo kërkon shkeljen e të drejtave dhe të nevojave themelore të të tjerëve. Kur popullatat shohin se po ua mohojnë të drejtat themelore, si ushqimin, ujin, ndihmën mjekësore apo punën, ata janë të tunduara që t’i marrin me forcë.
Po ashtu, indiferenca ndaj mjedisit natyror, duke favorizuar shpyllëzimin, ndotjen dhe katastrofat natyrore që çrrënjosin bashkësi të tëra prej mjedisit të tyre jetësor, duke i detyruar të jetojnë në kushte të paqëndrueshme dhe të pasigurta, krijon varfëri të reja, situata të reja padrejtësie prej rrjedhojave shpesh nefate në terma sigurie dhe paqeje shoqërore. Sa luftra janë bërë dhe sa do të bëhen për shkak të mungesës së burimeve apo për t’iu përgjigjur kërkesës së pangopur për burime natyrore?
Prej indiferencës te mëshira: kthimi i zemrës
5. Kur, një vit më parë, në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes: “Jo më skllevër, por vëllezër”, rikujtoja ikonën e parë biblike të vëllazërisë njerëzore, atë të Kainit dhe të Abelit (krh. Zan 4,1-16), ishte për të tërhequr vëmendjen se si është tradhtuar kjo vëllazëri e parë. Kaini dhe Abeli janë vëllezër. Vijnë të dy prej të njëjtit kraharor, janë të njëjtë në dinjitet dhe të krijuar në shëmbëlltyrë dhe përngjasim të Hyjit; por vëllazëria e tyre si krijesa prishet. «Kaini jo vetëm nuk e duron vëllanë e vet Abelin, por e vret prej zilisë».Vëllavrasja atëherë bëhet forma e tradhtisë dhe mospranimi nga ana e Kainit e vëllazërisë me Abelin është prishja e parë në marrëdhëniet familjare të vëllazërisë, të solidaritetit dhe të respektimit të ndërsjellë.
Atëherë, Hyji ndërhyn për ta thirrur njeriun në përgjegjësi ndaj të afërmit të vet, pikërisht siç bëri kur Adami dhe Eva, prindërit e parë, prishën bashkësinë me Krijuesin.
«Atëherë Zoti e pyeti Kainin: “Ku është vëllai yt, Abeli?”. Ky i përgjigji: “Nuk di. Pse a mos jam unë rojtari i tim vëllai?”. Zoti i tha: “Po çka bëre!? Zëri i gjakut të vëllait tënd bërtet tek unë prej dheut!”» (Zan 4,9-10).
Kaini thotë se nuk e di se çfarë i ndodhi të vëllait, thotë se nuk është rojtari i tij. Nuk ndihet përgjegjës për jetën e tij, për fatin e tij. Nuk ndihet i përfshirë. Është indiferent ndaj vëllait të vet, megjithëse ata janë të lidhur prej zanafillës së përbashkët. Çfarë trishtimi! Çfarë drame vëllazërore, familjare, njerëzore! Kjo është shfaqja e parë e indiferencës mes vëllezërve. Kurse Hyji nuk është indiferent: gjaku i Abelit ka vlerë të madhe në sytë e tij dhe i kërkon Kainit të japë llogari. Pra, Hyji zbulohet, qysh prej fillimit të njerëzimit, si Ai që interesohet për fatin e njeriut. Kur më vonë bijtë e Izraelit gjenden në skllavëri në Egjipt, Hyji ndërhyn sërish. I thotë Moisiut: «E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tyre. Dhe, duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ajo tokë dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë» (Dal 3,7-8). Është e rëndësishme të vihen re foljet që përshkruajnë ndërhyrjen e Hyjit: Ai sheh, dëgjon, njeh, zbret, liron. Hyji nuk është indiferent. Është i vëmendshëm dhe vepron.
Në të njëjtën mënyrë, në Birin e tij Jezus, Hyji ka zbritur mes njerëzve, është mishëruar dhe është treguar solidar me njerëzimin, në çdo gjë, me përjashtim të mëkatit. Jezusi identifikohej me njerëzimin: «vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve» (Rom 8,29). Ai nuk mjaftohej vetëm duke mësuar turmat, por shqetësohej për ta, sidomos kur i shihte të uritura (krh. Mk 6,34-44) apo të papuna (krh. Mt 20,3). Shikimi i tij nuk u drejtohej vetëm njerëzve, por edhe peshqve të detit, zogjve të qiellit, bimëve dhe pemëve, të vegjëlve dhe të mëdhenjve; përqafonte gjithë krijimin. Ai sheh, sigurisht, por nuk kufizohet me kaq, sepse prek personat, flet me ta, vepron në dobi të tyre dhe i bën mirë atij që ka nevojë. Jo vetëm, por e lë veten të mallëngjehet dhe të qajë (krh. Gjn 11,33-44). Dhe vepron për t’i dhënë fund vuajtjes, trishtimit, mjerimit dhe vdekjes.
Jezusi na mëson të jemi të mëshirshëm si Ati (krh. Lk 6,36). Në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë (krh. Lk 10,29-37) denoncon mosdhënien e ndihmës përpara nevojës urgjente të të ngjashmëve të vet: «E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën» (krh. Lk 10,31.32). Në të njëjtën kohë, nëpërmjet këtij shembulli, Ai i fton dëgjuesit e vet, dhe në veçanti nxënësit e vet, të mësojnë të ndalen përpara vuajtjes së kësaj bote për ta lehtësuar atë, përpara plagëve të të tjerëve për t’i mjekuar ato, me mjetet që kanë, duke u nisur nga koha e tyre, me gjithë punët e shumta të mund të kenë. Në fakt, indiferenca, shpesh kërkon pretekste: në zbatimin e normave rituale, në numrin e gjërave që duhen bërë, në antagonizmat që na mbajnë larg njëri-tjetrit, në paragjykimet e çdo lloji që na pengojnë të bëhemi të afërm.
Mëshira është zemra e Hyjit. Për këtë arsye duhet të jetë edhe zemra e të gjithë atyre që e njohin veten si pjesëtarë të një familjeje të madhe të vetme të bijve të tij; një zemër që rreh fort kudo ku dinjiteti njerëzor – pasqyrë e fytyrës së Hyjit në krijesat e veta – është në lojë. Jezusi na paralajmëron: dashuria për të tjerët – të huaj, të sëmurë, të burgosur, të pastrehë, madje edhe armiq – është e vetmja masë e Hyjit për të gjykuar veprimet tona. Prej kësaj varet fati ynë i amshuar. Nuk kemi pse të habitemi që Pali apostull i fton të krishterët e Romës të gëzohen me ata që gëzohen dhe të qajnë me ata që qajnë (krh. Rom 12,15), apo që i porosit ata të Korintit të mbledhin ndihma në shenjë solidariteti me ata pjesëtarë të Kishës që vuajnë (krh. 1Kor 16,2-3). Dhe Shën Gjon shkruan: «Kush i ka të mirat e kësaj bote dhe e sheh vëllanë e vet në ngushticë dhe e mbyll zemrën e vet para tij – në ç’mënyrë dashuria e Hyjit qëndron në të?» (1Gjn 3,17; krh. Jak 2,15-16).
Ja pse «është përcaktuese për Kishën dhe besueshmërinë e kumtimit të saj që ajo ta jetojë dhe ta dëshmojë mëshirën në vetën e parë. Gjestet dhe të folurit e saj duhet të përçojnë mëshirë për të hyrë në zemrën e personave dhe t’i nxisë ata të rigjejnë rrugën për t’u rikthyer te Ati. E vërteta e parë e Kishës është dashuria e Krishtit. Për këtë dashuri, që arrin deri në faljen dhe dhurimin e vetes, Kisha bëhet shërbëtore dhe ndërmjetësuese pranë njerëzve. Prandaj, aty ku Kisha është e pranishme, aty duhet të jetë e dukshme mëshira e Atit. Në famullitë tona, në bashkësitë, në shoqatat dhe lëvizjet, me një fjalë, kudo që ka të krishterë, çdokush duhet të gjejë një oaz mëshire».
Kështu, edhe ne jemi të thirrur ta bëjmë dashurinë, dhembshurinë, mëshirën dhe solidaritetin një program të vërtetë jete, një stil sjelljeje në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin. Kjo kërkon kthimin e zemrës: domethënë që hiri i Hyjit ta shndërrojë zemrën tonë prej guri në një zemër prej mishi (krh. Ez 36,26), të aftë për t’iu hapur të tjerëve me solidaritet autentik. Kjo, në fakt, është më shumë se një «ndjenjë e vakët dhembshurie apo mallëngjimi sipërfaqësor për të këqijat e shumë personave, afër apo larg». Solidariteti «është vendosmëria e qëndrueshme dhe ngulmuese për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët: apo për të mirën e të gjithëve dhe të secilit, sepse të gjithë jemi me të vërtetë përgjegjës për të gjithë», sepse dhembshuria buron prej vëllazërisë.
E kuptuar në këtë mënyrë, solidariteti përbën qëndrimin moral dhe shoqëror që më mirë i përgjigjet vetëdijësimit për plagët e kohës sonë dhe të ndër-varësisë së pamohueshme që gjithnjë e më shumë ekziston, sidomos në një botë të globalizuar, mes jetës së individit dhe bashkësisë së tij në një vend të caktuar dhe asaj të burrave e grave në vende të tjera të botës.
Të nxitësh një kulturë solidariteti dhe mëshire për të fituar mbi indiferencën
6. Solidariteti si virtyt moral dhe qëndrim social, fryt i kthimit personal, kërkon një angazhim prej anës së shumë subjekteve, që kanë përgjegjësi të karakterit edukativ dhe formativ.
Mendimi im i parë shkon te familjet, të thirrura për një mision parësor edukativ dhe prej të cilit nuk mund të heqin dorë. Ato përbëjnë vendin e parë ku jetohen dhe përçohen vlerat e dashurisë dhe të vëllazërisë, të bashkëjetesës dhe të bashkëndarjes, të vëmendjes dhe të përkujdesjes ndaj tjetrit. Ato janë edhe vende të privilegjuara për përçimin e fesë, duke filluar prej atyre gjesteve të para të thjeshta të devocionit që nënat u mësojnë fëmijëve të tyre.
Për sa u përket edukatorëve dhe formatorëve që, në shkollë apo në qendra të ndryshme ku mblidhen fëmijët dhe të rinjtë, kanë detyrën angazhuese për të edukuar fëmijët dhe të rinjtë, janë të thirrur që të jenë të vetëdijshëm që përgjegjësia e tyre ka të bëjë me përmasat morale, shpirtërore dhe shoqërore të personit. Vlerat e lirisë, të respektit të ndërsjellë dhe të solidaritetit mund të përçohen qysh në moshë të njomë. Duke iu drejtuar përgjegjësve të institucioneve që kanë detyra edukative, Benedikti XVI pohonte: «çdo mjedis edukativ të jetë një vend i hapur ndaj transhendentes dhe të tjerëve; vend dialogu, kohezioni dhe dëgjimi, në të cilin i riu duhet të ndihet i vlerësuar në potencialitetet e veta dhe në pasuritë e brendshme, si dhe duhet të mësojë t’i vlerësojë vëllezërit. Duhet të mësojë ta shijojë gëzimin që buron prej të jetuarit ditë pas dite dashurinë dhe dhembshurinë ndaj të afërmit dhe prej marrjes pjesë në mënyrë aktive në ndërtimin e një shoqërie më njerëzore dhe më vëllazërore».
Edhe operatorët kulturorë dhe të mjeteve të komunikimit shoqëror kanë përgjegjësi në fushën e edukimit dhe të formimit, sidomos në shoqëritë bashkëkohore, ku mundësia për të përdorur mjetet e informimit dhe të komunikimit është gjithnjë e më e përhapur. Është detyrë e tyre para së gjithash të vihen në shërbim të së vërtetës dhe jo të interesave individuale. Mjetet e komunikimit, në fakt, «jo vetëm informojnë, por edhe formojnë shpirtin e spektatorëve dhe për këtë arsye mund të japin një ndihmë me vlerë në edukimin e të rinjve. Është e rëndësishme të kihet parasysh që lidhja mes edukimit dhe komunikimit është shumë e ngushtë: edukimi ndodh në fakt përmes komunikimit, që ndikon, pozitivisht apo negativisht, në formimin e personit». Operatorët kulturorë dhe të medias do të duhej edhe të vigjëlonin me qëllim që mënyra me të cilën merren dhe përhapen informacionet të jetë juridikisht dhe moralisht e ligjshme.
Paqja: fryt i një kulture solidariteti, mëshire dhe dhembshurie
7. Të vetëdijshëm për kërcënimin e një globalizimi të indiferencës, nuk mund të mos njohim që, në skenarin e sipërparaqitur, përfshihen edhe shumë nisma dhe veprime pozitive që dëshmojnë dhembshurinë, mëshirën dhe solidaritetin që njeriu është i aftë të tregojë. Do të doja të kujtoja disa shembuj të lavdërueshëm angazhimi, që tregojnë se si secili mund të fitojë mbi indiferencën kur zgjedh të mos e heqë shikimin prej të afërmit të vet dhe që janë praktika të mira në ecjen drejt një shoqërie më njerëzore.
Ka shumë organizata jo qeveritare dhe grupe bamirëse, brenda Kishës dhe jashtë saj, ku pjesëtarët e saj, në raste epidemish, tërmetesh apo konfliktesh të armatosura, u bëjnë ballë vështirësive dhe rreziqeve për të mjekuar të plagosurit e të sëmurët dhe për të varrosur të vdekurit. Përveç tyre, do të doja të përmendja personat dhe shoqatat që ndihmojnë emigrantët, që përshkojnë shkretëtira dhe kapërcejnë dete për të kërkuar kushte më të mira pune. Këto veprime janë vepra mëshire trupore dhe shpirtërore, mbi të cilat do të gjykohemi në fund të jetës sonë.
Mendimi im shkon edhe te gazetarët dhe fotografët që informojnë opinionin publik mbi situatat e vështira që pyesin ndërgjegjet tona, si edhe te ata që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, në veçanti ato të pakicave etnike dhe fetare, të popujve vendas, të grave dhe të fëmijëve, si edhe të të gjithë atyre që jetojnë në kushte cënueshmërie më të madhe. Mes tyre ka edhe shumë meshtarë dhe misionarë që, si barinj të mirë, qëndrojnë pranë besimtarëve të tyre dhe i mbështesin me gjithë rreziqet dhe vështirësitë, në veçanti gjatë konflikteve të armatosura.
Sa familje, pastaj, mes shumë vështirësive të punës dhe atyre sociale, angazhohen konkretisht për t’i edukuar fëmijët e tyre “kundër-rrjedhës”, duke bërë shumë sakrifica, me vlerat e solidaritetit, të dhembshurisë dhe të vëllazërisë! Sa familje ua hapin zemrat dhe shtëpitë e tyre atyre që kanë nevojë, si refugjatëve dhe emigrantëve! Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë personat, familjet, famullitë, bashkësitë rregulltare, manastiret dhe shenjtëroret, që i janë përgjigjur menjëherë apelit tim për të mikpritur një familje refugjatësh.
Në fund, do të doja të përmendja të rinjtë që bashkohen për të realizuar projekte solidariteti dhe të gjithë ata që i hapin duart e tyre për të ndihmuar të afërmin në nevojë në qytetin e tyre, në Vendin e tyre dhe në vende të tjera të botës. Dua të falënderoj dhe të nxis të gjithë ata që angazhohen në veprime të tilla, edhe pse nuk u bëhet reklamë: uria dhe etja e tyre për drejtësi do të plotësohet, mëshira e tyre do të bëjë që ata të gjejnë mëshirë dhe, si punëtorë të paqes, do të quhen bij të Hyjit (krh. Mt 5,6-9).
Paqja në shenjën e Jubileut të Mëshirës
8. Në shpirtin e Jubileut të Mëshirës, secili është i thirrur të njohë se si indiferenca shfaqet në jetën e tij dhe të marrë një angazhim konkret për të ndihmuar në përmirësimin e realitetit ku jeton, duke u nisur prej familjes së vet, prej komshive apo prej mjedisit të punës.
Edhe Shtetet janë të thirrur për të bërë gjeste konkrete, për akte të guximshme ndaj personave më të dobët të shoqërisë së tyre, si të burgosur, emigrantë, të papunë dhe të sëmurë.
Për sa u përket të burgosurve, në shumë raste është urgjente të merren masa konkrete për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës në burgje, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë atyre që janë në pritje të dënimit, duke pasur në mendje qëllimin riedukativ të dënimit penal dhe duke vlerësuar mundësinë për të futur në legjislacionet kombëtare dënime alternative në vend të dënimeve me burg. Në këtë kontekst, dëshiroj të përtërij apelin bërë autoriteteve shtetërore për shfuqizimin e dënimit me vdekje, aty ku është ende në fuqi, dhe për të parë mundësinë e një amnistie.
Për sa u përket emigrantëve, do të doja të bëja ftesën për rimendimin e legjislacioneve mbi emigrimin, me qëllim që të gjallërohen prej vullnetit të mikpritjes, në respektimin e detyrave dhe të përgjegjësive të ndërsjella, dhe të lehtësojnë integrimin e emigrantëve. Në këtë perspektivë, një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet kushteve të jetesës së emigrantëve, duke kujtuar që klandestiniteti rrezikon t’i çojë ata në kriminalitet.
Po ashtu, dëshiroj, në këtë Vit Jubilar, t’u bëj një apel të ngutshëm përgjegjësve të Shteteve që të bëjnë gjeste konkrete në dobi të vëllezërve dhe të motrave tona që vuajnë për mungesën e punës, të tokës dhe të banesës. Mendoj për krijimin e vendeve të dinjitetshme të punës për t’iu kundërvënë plagës sociale të papunësisë, që ka prekur një numër të madh të familjeve dhe të të rinjve dhe ka pasoja shumë të rënda në mbajtjen e krejt shoqërisë. Mungesa e punës prek shumë rëndë ndjenjën e dinjitetit dhe të shpresës, dhe mund të kompensohet pjesërisht prej ndihmave, të nevojshme, për të papunët dhe familjet e tyre. Një vëmendje e veçantë do të duhej t’u kushtohej grave – për fat të keq ende të diskriminuara në fushën e punës – dhe kategorive të tjera të punëtorëve, kushtet e të cilëve janë të paqëndrueshme apo të rrezikshme dhe pagesat e të cilëve nuk janë të përshtatshme për rëndësinë e misionit të tyre shoqëror.
Në fund, do të doja të ftoja për të bërë veprime të efektshme për përmirësimin e kushteve të jetesës të të sëmurëve, duke u garantuar të gjithëve mundësinë për mjekime dhe për ilaçe të domosdoshme për jetën, përfshirë mundësinë për mjekim në shtëpi.
Duke hedhur shikimin përtej kufijve të tyre, përgjegjësit e Shteteve janë të thirrur edhe për të ripërtërirë marrëdhëniet e tyre me popujt e tjerë, duke u mundësuar të gjithëve një pjesëmarrje efektive dhe përfshirëse në jetën e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të realizohet vëllazëria edhe brenda familjes së kombeve.
Në këtë perspektivë, dëshiroj të drejtoj një apel të trefishtë për të mos i tërhequr popujt e tjerë në konflikte apo luftra që shkatërrojnë jo vetëm pasuritë materiale, kulturore dhe sociale, por edhe – dhe për një kohë të gjatë – integritetin moral dhe shpirtëror të tyre; për fshirjen apo mbarështimin e borxhit ndërkombëtar të Shteteve më të varfra; për zbatimin e politikave të bashkëpunimit që, në vend që t’i nënshtrohen diktaturës së disa ideologjive, të respektojnë vlerat e popullatave vendore dhe që, në çdo rast, të mos dëmtojnë të drejtën themelore dhe të patjetërsueshme të fetusit për të ardhur në jetë.
Ia besoj këto reflektime, së bashku me urimet më të mira për vitin e ri, ndërmjetësimit të Marisë shumë të Shenjtë, Nënës që kujdeset për nevojat e njerëzimit, me qëllim që të marrë prej Birit të saj, Princit të Paqes, plotësimin e lutjeve tona dhe bekimin e angazhimit tonë të përditshëm për një botë vëllazërore dhe solidare.
Prej Vatikanit, më 8 dhjetor 2015 Festa e Zojës së Papërlyer
Hapja e Vitit të Jashtëzakonshëm të Mëshirës