NJE FAMULLI PER SHQIPERINE
Përgjatë historisë së Kishës famullia ka përcaktuar gjithmonë mënyrën e realizimit të praktikës baritore të ungjillëzimit. Kjo strukturë, vënë në diskutim më shumë se një herë, ka qenë dhe është ende sot forma thelbësore për të qenë pika e referimit për të gjithë të pagëzuarit që, në virtyt të sakramentit të marrë, janë të thirrur të formojnë një bashkësi, edhe në epokën tonë pas-industriale dhe të globalizuar.
“Sot… veprimtaritë ekonomike nuk kanë kufij tokësorë, ndërsa autoriteti i qeverive vazhdon të jetë kryesisht lokal. Për këtë arsye, kanonet e drejtësisë duhet të respektohen qysh prej fillimit, në zhvillim e sipër të procesit ekonomik, dhe jo më pas dhe brinjazi. Gjithashtu, është e nevojshme që në treg të krijohen hapësira për veprimtari ekonomike të realizuara nga subjekte që lirisht zgjedhin ta modelojnë të vepruarin e tyre sipas disa parimeve, të ndryshme prej atyre të përfitimit, por pa hequr dorë nga prodhimi i vlerave ekonomike. Shprehjet e shumta të ekonomisë, që zënë fill nga nisma rregulltare dhe laikale, tregojnë se një gjë e tillë është konkretisht e mundshme.
Në epokën e globalizimit ekonomia vuan modele konkurruese që i përksain kulturave të ndryshme mes tyre. Sjelljet ekonomiko-sipërmarrëse që pasojnë gjejnë kryesisht një pikë takimi në respektim e drejtësisë komulative. Jeta ekonomike ka patjetër nevojë për kontakt, për rregullimin e marrëdhënieve të shkëmbimit mes vlerave të njëvlershme. Por gjithashtu ka nevojë për ligje të drejta dhe forma rishpërndarjeje të drejtuara nga politika, si edhe për vepra që kanë shpirtin e dhurimit”[1].
Një famulli për Shqipërinë
Edhe në kontekstin shqiptar famullia merr një rol përcaktues për sa i përket ungjillëzimit.
Pak histori…
Në përfundim të Luftës së Parë Ballkanike, më 28 nëntor 1912, disa eksponentë politikë të vendit, mes tyre Luigj Gurakuqi dhe Ismail Qemali, shpallën pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Otomane, ndërsa vendi jetonte në një përshtjellim civil dhe politik. Qeveri të ndryshme kanë pasuar njëra-tjetrën në përpjekjen për të zhvilluar një shtet laik, të pavarur dhe demokratik. Këto tentativa u mbështetën nga elita intelektuale, nga ana e borgjezisë së vogël dhe të mesme kombëtare urbane, nga ana e fisnikërisë dhe e përfaqësuesve të shtresave të ngritura të familjeve shqiptare nacionaliste dhe nga bashkësi të lidhura me diasporën shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ndihmën dhe ndërhyrjen e Shoqërive të Kombeve në vitet 1920.
Procesi i reformës demokratike dhe laike u ndërpre nga goditja e shtetit politiko-ushtarak drejtuar nga Ahmet Zogu që e shndërroi kombin në një mbretëri, duke u vetëshpallur mbret me emrin Zogu I.
Në periudhën 1924-1943 u zhvilluan marrëdhënie dypalëshe ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë.
Regjimi monarkik u përmbys në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga ushtria italiane. Musolini, në fakt, ndiente nevojën për të kundërbalancuar veprimet e aleatit gjerman që në mars të vitit 1939 kishte pushtuar Pragën. Gjithashtu kishte bashkëpunime të supozuara mes Mbretit Zog dhe qeverive anglo-franceze, kombet e urryera, që kishin shkaktuar “fitoren e gjymtuar” të Italisë në Luftën e Madhe. Në këtë kohë disa zona të bregdetit jugosllav gjendeshin nën kontrollin e Romës, madje edhe Greqia përgatitej që të përfshihej në qëllimet espansionitike fashiste. Me një pushtim vetëtimë, më 7 prill 1939, ushtria italiane shpartalloi rezistencën e dobët shqiptare gati pa dëmtuar askënd dhe asgjë. Mbreti Zog u strehua në Greqi. Më 16 prill, Shqipëria u përfshi në territorin metropolitan italian dhe Viktor Emanueli III u shpall Perandor i Etiopisë dhe i Shqipërisë.
Në nëntor të vitit 1940, pas sulmit shkatërrues të Greqisë (shih Fushata italiane e Greqisë), një e treta e territorit shqiptar përfundoi në duart e grekëve. Disa batalione të divizioneve “Venecia” dhe “Xhulia” u likuiduan nga grekët, pasi u përdorën si mburojë për të mbrojtur tërheqjen italiane. Atëherë, kolonel Pervizi (përfaqësues i komandës shqiptare) vendosi të largonte brigadën “Tomorri” për të mos rrezikuar një masakër të dytë, duke braktisur papritmas fushën e betejës. Badoglio foli “për tradhti të shqiptarëve” dhe vendosi tërheqjen e ushtrisë së tij. Situata u stabilizua me ndihmën e gjermanëve, të cilët, pas nënshkrimit të armëpushimit me anglo-amerikanët nga qeveria Badoglio (8 shtator 1943), pushtuan Shqipërinë.
Kështu, u formua një lëvizje e përbërë nga grupe nacionaliste dhe rezistence partizane (të formuar kryesisht nga anëtarë të partisë nacional-komuniste të udhëhequr nga Enver Hoxha). Qe edhe kontributi i ish-ushtarakëve italianë që formuan formacionin partizan “Brigada Gramshi” (Shqipëri). Rezistenca anti-naziste arriti të merrte kontrollin e vendit në vitin 1944. Nacionalistët dhe patriotët anti-fashistë shqiptarë u organizuan në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Shqipëria është vendi i vetëm evropian ku të gjithë hebrenjtë, që jetonin aty, shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë konfliktit, në fakt, numri i hebrenjve u rrit; shumë hebrenj emigruan këty për t’u shpëtuar ligjeve raciste. Nëse përpara Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri jetonin rreth 200 hebrenj, në fund të Luftës hebrenjtë e mbijetuar ishin rreth 2.000. Vetëm një familje hebreje u vra, jo pse ishte hebreje, por sepse kishte bashkëpunuar me partizanët. Popullata shqiptare dhe vetë autoritetet shqiptare nuk pranuan t’i dorëzonin Hebrenjtë gjatë viteve të pushtimit fashist dhe atij nazist. Përkundrazi, i fshehën, i maskuan, u gjetën dokumente të rreme për t’u shpëtuar jetën.
Që prej vitit 1946 deri në vitin 1990 Shqipëria qe një shtet nacional-komunist tejet i izoluar, stalinist dhe anti-revizionist, që i kushtoi pak energji bashkëpunimit politik me shtetet e tjera komuniste të Paktit të Varshavës, të mbizotëruar nga Bashkimi Sovjetik, meqë kjo e fundit, me marrjen e pushtetit nga Nikita Krushovi i ishte kundërvënë shumë kultit të personalitetit të Stalinit, pas botimit të raportit “Mbi kultin e personalitetit dhe rrjedhojat e tij”. Regjimi i Enver Hoxhës përfundoi me vdekjen e tij në vitin 1985.
Pak kohë më vonë, pas rënies së Murit të Berlinit, populli ngriti krye, i drejtuar nga studentët dhe nga profesorët e Universitetit të Tiranës, nga intelektualë të moderuar dhe nga teknikë të fabrikave. Kryengritja e tyre çoi në lindjen e demokracisë dhe në kthimin e rendit shumë-partiak.
Por, vendi vuante nga shumë probleme të lidhura me zhvillimin shumë të pakët shoqëroro-ekonomik. Qenë dhjetëra mijëra shqiptarë, gjatë këtyre viteve, që vendosën të niseshin fluturim për Itali dhe nëpërmjet detit u derdhën në brigjet e Puljes, në veçanti në bregdetin mes Brindizit dhe Ostunit.
Reforma e parë legjislative ishte Kushtetuta e re dhe rishikimi i sistemit politik në një ekonomi tranzicioni; në veçanti e drejta për pronë private zëvendësoi mbarështimin shtetëror të të mirave. Më pas u ndërmor rruga e gjatë drejt përshtatjes së programeve evropiane të Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes sipas protokollit të Traktatit të Mastritit.
Gjithashtu, më 4 prill 2009 Shqipëria u bë anëtare e NATO-s.
Pasi doli nga një situatë diktatoriale dhe sidomos ateiste ku asnjë religjion nuk ka pasur mundësi ta shprehte kultin e vet, populli shqiptar është gjendur përballë zgjedhjesh të përshpejtuara që në 15 vitet e fundit e kanë çuar vendin e shqipeve të bëjë zgjedhje që jo gjithmonë kanë qenë me hapin e kohës, por që shpesh kanë treguar një papërgatitje të thellë.
Një gjë e tillë nuk mund të konsiderohet si një mungesë, por si një ftesë e mirëfilltë për të ecur, edhe pse ndonjëherë me hapa të vegjël, për ta vënë krejt Shqipërinë në një situatë më të harmonishme me panoramën politiko-shoqërore në nivel botëror.
Ungjillëzimi e vuan këtë kontekst, por për fakt të keq nuk i është dhënë shumë peshë këtij botëkuptimi ekleziologjik, meqë gjithçka është përqendruar në një veprim baritor pragmatik dhe bamirës. Shpesh ky veprim është ngatërruar me një lloj prozelitizmi dhe me një praktikë baritore vënë në jetë nëpërmjet formave të sakramentalizimit dhe jo nëpërmjet itineraresh besimi që kanë si qëllim formimin e bashkësisë së krishterë. Shpesh, në fakt, Kisha katolike është ngatërruar me njëfarë “ilaçi të sigurt” (me detyrimin gati moral) për të zgjidhur problemet e pasosura që Shqipëria ka qenë e detyruar dhe është e detyruar të përballojë edhe sot. Famullia, si rrjedhojë, është kthyer në njëfarë agjencie bamirësie apo në një fabrikë sakramentesh ku mund të gjesh diçka që ka lidhje me Ungjillin.
Prej këtu lind nevoja për të menduar një famulli për Shqipërinë me elemente specifike, që t’i kenë bazat në kulturën e vendeve evropiane tradicionalisht katolike, por që ka karakteristikat e asaj kulture lindore që nuk mund të lihet në harresë. Një famulli që të integrojë në të njëjtën kohë si një praktikë baritore që ka për qëllim dhënien e sakramenteve, ashtu edhe një praktikë që të mos harrojë një integrim të saj në një territor kaq të shumëllojshëm siç është ai i Shqipërisë.
Çfarë është famullia?
Për t’iu përgjigjur pyetjes mbi kuptimin e termit famulli është e nevojshme që t’i tejkalojmë menjëherë problemet që kanë lidhje me nomenklaturën, meqë nuk përkon me kuptimin etimologjik të greqishtes paroikia. “Ka prej atyre që mendojnë se rrjedh nga greqishtja para-oikeo = afër shtëpisë, për këtë arsye do të tregonte atë që nuk është qytetar, të huajin që banon mes banorëve vendas. Në këtë kuptim kjo fjalë është përdorur në Bibël: Abrahami është paroikos në Egjipt; bijtë e Jakobit formojnë në Egjipt një paroikia. Në kohën e Jezusit hebrenjtë janë ende të vetëdijshëm se formojnë një paroikia, domethënë një bashkësi të huajsh në ecje. Në Besëlidhjen e Re vazhdon të ruhet ky kuptim i termit paroikos, paroikia: “Sepse, nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë të ardhshmin” (Heb 13,14). Bashkësitë e para të krishtera, duke e ditur se qielli është atdheu përfundimtar, e mbajnë veten për paroikioi, shtegtarë: “Fort të dashur, ju lutem që, si të huaj dhe si shtegtarë…” (1 Pjt 2,11)”[2].
Nga ky vështrim i këtij kuptimi për famullinë duhet të kuptohet një realitet i ndarë dhe i ndryshëm nga realitetet e tjera shoqërore meqë nuk identifikohet me botën dhe është i ndryshëm prej saj. Në të njëjtën mënyrë kur flitet për famulli, duke i dhënë këtij termi grek kuptimin e shtëpi mes shtëpive ose, kuptimin teologjik, një shprehje periferike e Kishës lokale, koncepti nuk ndryshon aspak. Në fakt, flitet për famulli si për një realitet të ndarë nga realitetet e tjera, si në nivel strukturor, ashtu edhe njerëzor.
Mund të pohojmë se famullia është një bashkësi e formuar nga meshtarë, laikë, rregulltarë/e, të thirrur për të kumtuar Ungjillin, në virtyt të pagëzimit të marrë dhe të Urdhrit të Shenjtë.[3] Ajo është një bashkësi besimtarësh në ecje me Ungjillin, me gjunjët e përkulur në adhurim, me këmbët plot kallo nga udhëtimet që duhen bërë dhe që çdo ditë shënon dështime dhe rezultate të vogla, por aspak e ndarë nga ngjarjet njerëzore, pjesë përbërëse e të cilave është, duke i bërë të vetat dhe duke i jetuar ato thellësisht.
Detyra e saj kryesore është plazmimi në bashkësi i të pagëzuarve për të formuar një popull të vetëm besimtarësh. Nuk mund të pranohet ideja e një famullie thjeshtë si institucion, por ajo është një bashkësi/vëllazëri për kumtimin dhe vënien në jetë të Ungjillit. Famullia nuk është një grup. Famullia nuk është një lëvizje. Famullia nuk është pjesë e ndonjë gjëje. “Famullia… është dashur nga Kisha si institucion bazë në kuptimin që në një kohë dhe në një vend të caktuar, Kisha (një bashkësi e krishterë) ta tregojë fytyrën e vet mikpritëse ndaj të gjithë njerëzve dhe t’u japë atyre mjetet thelbësore për shpëtim”.[4]
Famullia nuk është… por është…
Meqë jemi duke kërkuar të tregojmë se sa i nevojshëm është tejkalimi programatik i situatës së tanishme të famullisë, duket të pohojmë qartazi se ajo nuk është vetëm vendi i edukimit në fe i fëmijëve dhe i të rinjve;[5] nuk është as një vend agregimi shoqëror apo politik; nuk është as vendi që i përgjigjet sfidave të globalizimit të shoqërisë pas-moderne në të cilën jetojmë.
Nuk është aq detyrë e famullisë-bashkësi të përgatisë operatorë baritorë, sesa të formojë të krishterë të rritur nëpërmjet një itinerari bashkësior, që, duke përdorur gjuhën e botës, të jenë në gjendje t’u japin përgjigje pyetjeve njerëzore.
Problemi, në fakt, nuk qëndron në organizimin strukturor të famullisë me karakteristika të ndryshme prej asaj që ka tani, siç mund të mendojnë disa, por në propozimin e një famullie që të projektohet në logjikën e ungjillëzimit të ri.
Pra, kjo është pyetja të cilës jemi të thirrur t’i japim përgjigje: a është e gatshme famullia për të ungjillëzuar?[6] A mund të futet në logjikën e një Kishe në mision apo ka dhënë dorëheqjen e saj?
Famullia: një problem?
Famullia nuk është më burimi i vetëm ku shuhet etja për të bërë një ecje besimi, edhe për shumë besimtarë të pagëzuar. Asaj jo vetëm i është dashur t’i përshtatet përmasës së re ekleziologjike konciliare,[7] por edhe lindjes së lëvizjeve kishtare, që janë krijuar nga nevoja për ta jetuar jetën e besimit[8] në mënyrë alternative me famullinë dhe me të gjitha shoqatat laike që ekzistojnë në territor.
Vetë famullia, duke mos u gjendur më në një kontekst kulturor të krishterë, ku gjithmonë ka qenë, por në atë të pakicës, i është dashur domosdoshmërisht të kërkojë udhë të reja dialogu, duke filluar nga ndërprerja e atij kultualizmi që kishte karakterizuar një pjesë të madhe të itinerarit të saj historik.
Nuk mund të konsiderohen të rëndësisë së dorës së dytë as rënia e ideologjike, as pakësimi i numrit të meshtarëve.
Rënia e ideologjive ka bërë që masat të mos besojnë më tek institucionet. Famullia, duke qenë pinjollja natyrore kishtare e “Kishës-nënë”, ka qenë si rrjedhojë një viktimë e shkëlqyer, aq sa shumë të krishterë të mirë kanë përfunduar të përfshihen në lëvizje të tipit antropologjik.
Pakësimi i numrit të meshtarëve ka krijuar vështirësi tek shumë besimtarë të tipit tradicional dhe jo, meqë në më të shumtën e rasteve nuk ishte hedhur poshtë ende ideja e një famullie si shtëpi e të gjithëve dhe jo vetëm e presbiterëve. Shumë të pagëzuar ishin mësuar që të drejtoheshin prej meshtarëve të tyre, më shumë se të bëheshin protagonistë të dëshmisë së krishterë.
Personalisht mendoj se të dyja janë dy shenja të mëdha të kohës: e para sepse ka vënë në pikëpyetje institucionin e famullisë; i dyti sepse ka shkaktuar ndjenjën e Kishës-bashkësi laikësh dhe presbiterësh, të thirrur për të kumtuar së bashku Ungjillin.
Veprimi ungjillëzues i këtij dhjetëvjeçari të parë të mijëvjeçarit të tretë, gjithashtu, ka çuar në rishikimin e praktikës së konsoliduar të hyrjes së krishterë (të kufizuar për fëmijë dhe adoleshentë), për të vënë në dukje binomin bashkësi-ungjillëzim.
“Vepra e ungjillëzimit është e gjallëruar prej një shprese të vërtetë të krishterë kur u hapet horizonteve universalë, që u ofrojnë të gjithëve falas atë që, ata vetë, e kanë marrë si dhuratë. Misioni ad gentes bëhet kështu shprehje e një Kishe të plazmuar nga Ungjilli i shpresës, që vazhdimisht ripërtërihet dhe rinohet”.[9]
Gjithashtu nuk mund të nënvlerësohet fenomeni i shkrishterizimit që po përhapet si metastazat. “Familja e shëndoshë italiane” është duke i lënë vendin situatave si bashkëjetesa dhe rritja e numrit të divorceve. Ajo nuk duket se është më pika e konsolidimit të propozimit ungjillor, as shkolla e parë e edukimit fetar. “Ka ndodhur njëfarë kolapsi i menjëhershëm shpirtëror i tensionit shpirtëror të njeriut… Por po kufizohem të përmend shkurtimisht tre elemente, sepse më duken veçanërisht domethënës. I pari përbëhet nga mbizotërimi i impersonales mbi personalen. Dëshiroj të flas për reduktimin e vazhdueshëm të personit në bazë të funksionit të tij, të burokratizimit në rritje e të egër të jetës në grup. I dyti përbëhet nga reduktimi i dashurisë në eros dhe pra reduktimi i të drejtës, të kuptuar si aftësi morale, për dëshirë: atë që unë dëshiroj kam të drejtë ta kem. I treti përbëhet nga nevoja për të eliminuar të paparashikueshmen, novum, risinë, duke iu nënshtruar të parashikueshmes dhe llogaritjes.[10]
Lind kështu nevoja për ta riparë praktikën e ungjillëzimit të famullisë dhe sidomos për të dalluar se çfarë duhet bërë për t’i dhënë fuqi kësaj strukture kaq të rëndësishme për bashkësinë tonë të krishterë.
Çfarë famullie nevojitet për Shqipërinë?
Prej këtu lind nevoja e përcaktimit të karakteristikave specifike të famullisë shqiptare.
Ajo duhet të ketë tri karakteristika themelore. Të jetë:
1. ungjillëzuese;
2. misionare;
3. ekumenike dhe ndërfetare.
Në fakt, nëse nisemi nga ideja se është e mundur ta formojmë bashkësinë e krishterë ashtu siç ka qenë në fillim të historisë së krishterë, edhe më shumë duhet të jemi të sigurt se Shqipëria është në gjendje ta rivlerësojë rolin dhe detyrën e famullisë deri në atë pikë sa të mund të bëhet një bashkësi e vërtetë e krishterë.
a. Modelet e bashkësive të para të krishtera
Libri i Veprave të Apostujve dëshiron të ofrojë një dëshmi të jetës së Kishës së parë. Për këtë arsye le të marrim si model krahasues, për të treguar se si famullia mund të bëhet një bashkësi, tri përmbledhjet që gjithmonë kanë shënuar zgjedhjet përgjatë historisë së Kishës:
1. Vap 2,42-47
2. Vap 4,32-35
3. Vap 5,12-16
Përmbledhjet e Veprave të Apostujve, në fakt, janë përshkrime të shkurtra që, pa treguar një episod të veçantë, paraqesin karakteristikat konstante dhe tipike të situatës së bashkësisë. Në realitet, këto përmbledhje janë udhëzues autentikë për ngjarje për të cilat bashkësia është thirrur të japë përgjigje. Kjo vlen edhe për pikëpyetjet e bëra nga çdo bashkësi famullitare.
Tre përmbledhjet, që janë themeli i vërtetë biblik për të treguar se çfarë është një bashkësi e krishterë, bëhet pika e referimit për të përcaktuar rolin e bashkësisë famullitare në realitetin bashkëkohor dhe mund të përmblidhen në këto tematika: dëgjimi i Fjalës, katekeza, kremtimi liturgjik dhe bashkëndarja vëllazërore, bashkëndarja e të mirave siç ishte në atë kohë dhe ashtu si sot duhet të vihet në praktikë, veprimtaria baritore në lidhje me të sëmurët dhe veprimi ungjillëzues i apostujve siç ishte dhe si mund të realizohet edhe sot.
Kështu dalin në pah disa elemente të përbashkët si: prirja për t’u mbledhur për të qenë Kishë, frekuentimi i rregullt dhe unanimiteti në lutje, angazhimi në vepra të ungjillëzimit dhe i mësimit, dëshmia (deri në derdhjen e gjakut) nga ana e apostujve, vazhdimësia në kumtimin e kerygma-s (të Krishtit të vdekur dhe të ngjallur).
Luka i paraqet këto episode, duke i futur në kontekstin e bashkësisë së re që po lind pas Ngjitjes të Jezusit në qiell. Gjenden të gjithë së bashku të mbledhur, të rregullt dhe njëzëri në lutje.[11] Bëhet fjalë për një bashkësi që nuk mblidhet bashkë për të parën herë, pasi qysh përpara Pashkëve të Dymbëdhjetët, nxënësit dhe disa gra kishte bërë një përvojë bashkësiore. Një bashkësi që jeton vazhdimësinë me të kaluarën dhe me risinë e Pashkës. “Kisha që paraqitet në Veprat e Apostujve mund të përshkruhet si thirrja e njerëzve rreth Jezu Krishtit të ngjallur… Elementi i përbashkët dhe cilësues i kësaj bashkësie është liria: të liruar nga frika dhe nga vdekja janë të thirrur nga Shpirti Shenjt për të formuar asamblenë e krishterë”.[12] Gjithashtu ungjilltari përsërit se kjo bashkësi është e thirrur ta vërë konkretisht në jetë mesazhin e Jezu Krishtit nëpërmjet përvojës së dashurisë ndaj të varfërve. “Është thjeshtë koherente që Luka, ta konsiderojë bashkësinë e të mirave të bashkësisë së parë si shenjë e faktit se bashkësia e besimtarëve ishte një zemër e vetme dhe një shpirt i vetëm. Për Lukën ky qëndrim përballë pasurisë, varfërisë dhe bashkësisë së të mirave të Kishës në dobi të të varfërve, nuk është një ideal, por gjendja e Kishës së kohës së tij”.[13]
Me termin “koinonia”, që Luka përdor vetëm në këtë rast (nuk e përdor në Ungjill në ndryshim nga Gjoni që e përdor tri herë në letrën e tij të parë dhe nga Pali që e përdor 14 herë në letrat e veta), dëshirohet të shprehet në tërësi ndjenja e bashkësisë për të cilën krejt bashkësia është thirrur. Një bashkësi e të gjithëve me apostujt, por edhe një bashkësi të mirash realizuar nëpërmjet Eukaristisë dhe përkujdesjes ndaj të varfërve.[14] Gjithashtu mund të dallojmë me qartësi tre elemente të mëdha që e karakterizojnë bashkësinë si: lutëse, pasi prej këtyre përmbledhjeve paraqiten karakteristikat e një lutjeje lavdërimi dhe kërkese; vëllazërore, aq sa përdoret termi vëllezër,[15] meqë ndihen bashkëpjesëmarrës të të njëjtit itinerar besimi: besimi në Krishtin Mesi e Zot[16] dhe qartësia ngushëlluese se kanë shpirtin e Jezusit,[17] që është shpirti i bijësisë ndaj Atit dhe shpirti i vëllazërisë ndaj Birit; e krishterë, meqë është mbledhur në kujtim të Krishtit në prani të nënës së Jezusit.
Në këtë pikë mund të përcaktojmë atë që Luka përshkruan si një bashkësi e cila përpiqej të jetonte, sipas mësimeve të Mësuesit, si bashkësinë e brendshme (ishin një zemër e vetme dhe një shpirt i vetëm) ashtu edhe bashkësinë e jashtme (bashkësia e të mirave). Luka nuk dëshiron të na tregojë projektin e një bashkësie homogjene ku të gjithë janë të ftuar të mendojnë apo të veprojnë në të njëjtën mënyrë, por një bashkësi e orientuar për të mirëpritur edhe ata që i afrohen fesë. Mes karakteristikave është ajo e heterogjenitetit, meqë bashkësia e Kishës që po lindte kishte si objektiv universalitetin e fesë dhe mbledhjen e të gjithë njerëzve në emër të Krishtit.
b. Nga bashkësitë e para të krishtera… në ditët tona
Përvoja e këtyre bashkësive të krishtera bëhet një model edhe për famullitë. Vetvetiu lind pyetja: famullitë, siç janë të strukturuara sot, a mund të bëhen bashkësi, nën shembullin e atyre të Veprave të Apostujve?
Është e rëndësishme të tregojmë që, siç ndodhte në Kishën e parë, përtej lidhjeve të gjakut dhe të farefisit, mund të jemi vëlla e motër thjeshtë sepse jemi bij dhe bija të të njëjtit Atë. Në fakt, famullia-bashkësi është një bashkësi lutëse kur i shpie të gjithë në Eukaristi, duke mos bërë dallime mes personave dhe mblidhen së bashku në lutje, sidomos duke kremtuar “liturgjinë e Orëve”; është një bashkësi vëllezërish kur angazhohet për të jetuar vëllazërisht në dashuri nëpërmjet përvojës javore, mujore apo të përditshme të ballafaqimit kateketiko-biblik dhe një rishikimi të vazhdueshëm të jetës.
Nëse dështon kjo dëshmi vëllazërore, asnjë lloj mesazhi nuk mund të arrijë tek bashkëbiseduesit dhe asnjë strategji baritore nuk mund të jetë e efektshme.
Kundër ideologjisë individualistike të konkurrencës në të cilën jetojmë, veprimi baritor ka një kuptim vetëm në bashkëpunimin vëllazëror.[18] E thotë edhe Shën Pali,[19] duke specifikuar se gjymtyrët e trupit që janë më të dobëta, janë më të nevojshmet dhe gjymtyrët e ndryshme duhet të kujdesen për njëra-tjetrën. Famullia bëhet bashkësi kryesisht duke jetuar dhe duke u organizuar në funksion të ndihmës dhënë të gjithëve dhe, në mënyrë të veçantë, më të varfërve. Bëhet fjalë për një famulli-bashkësi në kontrast të fortë me ekonominë neo-liberale të ditëve tona, që shtrydh më të dobëtit në dobi të më të fortëve.
Vetë Pali e përsërit këtë koncept edhe në Letrën e Dytë drejtuar Korintianëve, kur kërkon që bashkësia e Akajës të kontribuojë për krijimin e një ure me bashkësinë “e varfër” të Jerusalemit. Apostulli nuk përdor fjalën lëmoshë, por atë të diakonisë (2 Kor 8,4). Pra, jemi në logjikën e një bashkësie shërbestare.
Përvoja famullitare për t’u bërë bashkësiore, duhet t’i nënshtrohet një verifikimi të vazhdueshëm, me qëllim që kumtimi i Ungjillit të mos shtrembërohet apo të kufizohet në sferën vetëm individuale, por të rrënjëzohet në perspektivën baritore të ungjillëzimit të ri.
Shprehja biblike që përvijon kalimin nga një famulli e stereotipizuar sipas formave të ungjillëzimit të tipit tradicionalistik apo vetëm përsëritës, me nismat që duhet të bëjë, mund ta gjejmë përsëri në Letrën e Dytë të Palit drejtuar Korintianëve (2 Kor 8,9). Në pohimin nga i pasur që ishte, referuar Jezusit, Pali thekson se zgjedhja e krishterë nuk varet vetëm nga qëndrime emotive të një religjioziteti natyror. Jezusi, duke u zhveshur vullnetarisht nga lavdia e Vet hyjnore, ka dëshiruar ta bëjë cilësor njerëzimin tonë, duke filluar nga kjo heqje dorë. Motivimi që e shtyn apostullin ta shkruajë këtë letër është ai i ndreqjes së abuzimeve dhe i çrregullimeve, të ndeshura në bashkësinë e Akajës. Kundërshtarët e Palit e konsiderojnë veten super njerëz apo madje njerëz qiellorë, të aftë t’i shndërrojnë të gjithë të tjerët në super njerëz si vetë ata. Sipas gjasave e kishin konceptuar Krishtin si prototip suprem të njeriut qiellor, duke përçmuar si rrjedhojë njerëzinë e Tij. Nuk i jepnin asnjë rëndësi vuajtjeve të Tij apo flijimit të Tij. Pali ua kundërvë Zotin Jezus vetëmjaftueshmërisë së tyre dhe tregon përvojën e zhveshjes nga hyjnia si lokomotivë për një veprim misionar që duhet të ndiqet: një veprim në të njëjtën kohë ungjillëzues dhe misionar me rreze të gjerë veprimi.
Është i nevojshëm një kthim nëpërmjet një ecjeje reale dhe konkrete feje bashkësiore, që të gufojë në një ballafaqim të vazhdueshëm si brenda vetë jetës famullitare, ashtu edhe me territorin dhe që të mundësojë ecjen në drejtimin e një Kishe me dyer të hapura, më të lirë dhe më të varfër, që të projektohet në një ungjillëzim kapilar si drejt të rinjve dhe të rriturve që marrin pjesë zakonisht në nismat që propozojmë ne, ashtu edhe drejt të ashtuquajturve të largët.
Në fakt, thirrja e parë specifike që famullia është e thirrur të realizojë është pikërisht ajo e bashkësisë,[20] në virtyt të vetë Jezusit që në të, nëpërmjet dhuratës së Shpirtit Shenjt, bëhet i pranishëm.[21] Nuk mund të nënvlerësojmë faktin se “realizimi i bashkësisë, që është dhuratë e Hyjit, i angazhon besimtarët në një jetë dashurie të ndërsjellë, domethënë në një ekzistencë që lind dhe zhvillohet sipas urdhërimit të ri dhe që çon në bashkësinë e plotë mes gjymtyrëve, aq sa të formojnë një zemër të vetme dhe një shpirt të vetëm rreth mësuesit”.[22]
“Famullia është e thirrur të ofrojë hapësira për t’i mirëpritur të gjithë: praktikues dhe jo praktikues, familje të rregullta dhe bashkëjetesa të parregullta, të krishterë dhe jo të krishterë, besimtarë dhe jo besimtarë… Duhet të zhvillojmë një baritore bashkë-thirrore, që të dijë të krijojë raste takimi, dialogu, formimi për të gjithë. Famullia qoftë shtëpi marrëdhëniesh domethënëse njerëzore për fëmijë, të rinj, familje, të moshuar”.[23] Nuk duhet të na shkandullojë ideja që nga kjo shtëpi të dalë projekti i shumëdëshiruar i një ungjillëzimi të ri.[24]
Famullia e të gjithëve jeton në marrëdhënie të ngushtë edhe me jo besimtarët, ateistët, të largëtit, dhe përpiqet ditë për ditë të projektojë për të gjithë kumtimin e asaj kerygma kaq të dashur për Kishën e parë.[25]
c. Karakteristikat e famullisë-bashkësi
Por cili është misioni i famullisë-bashkësi në shoqërinë tonë për të kërkuar të pagëzuarit dhe jo të pagëzuarit?
Cilat janë rreziqet që ndesh famullia vetëreferuese apo famullia qendër shërbimesh?
Sot nuk funksionon më as famullia që rregullon situatat apo që i jep sakramentet me lehtësi, duke mos krijuar kurrë nisma shoqërizimi dhe duke u fshehur pas mungesës së strukturave, dhe as famullia që funksionon nga shtatori në qershor (në orare të përcaktuara), thjeshtë për katekezë.
Është e nevojshme që Kisha të jetë afër njerëzve dhe që çdo person të mirëpritet dhe të udhëhiqet për rizbulimin e Ungjillit. Të mendohet për të divorcuarit, numri i të cilëve rritet dita-ditës, për çiftet e të rimartuarve; për indiferentët, sidomos për njerëzit pak të prirur për ta mirëpritur dhe për t’u ballafaquar me Ungjillin; për të rinjtë pre e lehtë e “miqve” televizivë.
Janë të nevojshme nisma kateketike sidomos ndaj këtyre personave të cilët, edhe pse të krishterë, jetojnë larg bashkësisë famullitare, si nëse ajo është vetëreferuese apo qendër shërbimesh. Janë të nevojshme propozime pro-thirrore, nëpërmjet dëshmive të atij që ditë për ditë jeton afër atij që vuan dhe atij që jeton vështirësi ekonomike.
Mund të mendohet për momente lutjeje me të gjithë të krishterët në Hyjin, për të hapur dialogun dhe ballafaqimin me myslimanët apo për njëfarë katedre të jo besimtarëve, për t’u ballafaquar dhe për t’i lënë hapësirë atij që nuk hyn prej vitesh në Kishë.
Është e nevojshme të kesh guximin të provokosh duke rrezikuar një “Kishë gjithnjë të re”, duke u angazhuar për integrimin ndër-kulturor, duke luftuar që të gjithë të kenë të hanë, duke luftuar shfrytëzimin e të vegjëlve, duke luftuar fanatizmin dhe devocionizmin fetar, duke paditur haptazi atë që pengon shpalljen e besimit vetjak.
Kisha “gjithnjë e re”, e udhëhequr nga pastërtia e thjeshtësia, duhet të lërë të dalë në pah dashuria dhe çdo ditë të realizojë gjithnjë një botë marrëdhëniesh, ku të gjithë të takohen dhe të kenë të drejtën për të menduar, për të besuar dhe për të folur.
d. Karakteristikat tipike për Shqipërinë
Karakteristika e parë e nevojshme është ajo e ungjillëzimit. Një ungjillëzim që bazohet thelbësisht në formimin biblik dhe në atë të dokumenteve konciliarë. Pa këto dy shtylla ungjillëzimi do të ishte njëfarë ideologjie munduese e Jezusit, që do të kishte përfunduar në kryq për shkak të hakmarrjes së farisenjve dhe i akuzuar për kryengritje kundër romakëve.
Ungjillëzimi duhet të bëhet nëpërmjet një ballafaqimi me problemet dhe situatat reale, deri në atë pikë sa të shoshitet mënyra dhe vendi i kumtimit të Ungjillit. Duke marrë pjesë në një evolucion që mjaft shpesh është rrjedhojë e një pasurimi që vjen nga vendet e industrializuara të emigrimit evropian, popullata shqiptare paraqitet e ndarë në tre blloqe të mëdha:
– të pasuruarit që largohen nga feja (edhe pse në Perëndim ajo ka qenë një pikë referimi për ta);
– qytetarët e rinj që kanë zbritur nga malësia dhe janë ngulur në qytete me perspektivën e një përmirësimi ekonomik dhe që e shohin famullinë si një pikë referimi, por që jo gjithmonë kjo famulli ka për qëllim të kumtojë Krishtin dhe Ungjillin;
– familjet e malësisë (do të bënim mirë të flisnim për fise), që shpesh në varfërinë e tyre e ndiejnë nevojën e një feje tek e cila të kapen.
Prej këtu rrjedh urgjenca e një ungjillëzimi kapilar dhe të larmishëm për famullitë me karakteristika të ndryshme për qytetet dhe për malësinë.
Karakteristika e dytë është ajo misionare.
Në fakt, nuk është e mendueshme një famulli që nuk ka dëshirë për t’u futur në ato mjedise ku sipas gjasave mungon. Misioni nuk është prozelitizëm, por është forma thelbësore për t’i bërë të njohura përmbajtjet e fesë. Mjedis i privilegjuara duhet të jetë shkolla dhe krijimi i organizatave katolike në fushën shoqërore dhe të punës, të cilat duhet të jenë në gjendje të gjejnë mënyra dhe situata në të cilat ta propozojnë Ungjillin.
E gjithë kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë në dorë të një bërthame të vogël njerëzish, por në dorë të bashkësisë së thirrur për t’u projektuar në një botëkuptim global dhe jo të kufizuar të kumtimit.
Karakteristika e tretë është ajo ekumenike dhe ndërfetare.
Thuhet se Shqipëria është një laborator i vërtetë i bashkëjetesës fetare. Dialogu që ekziston mes katolikëve dhe ortodoksëve dhe ai me Islamin duhet të intensifikohen.
Kështu na fton ta jetojmë ekumenizmin vetë Koncili II i Vatikanit: “Besimtarët katolikë në veprimin ekumenik do të tregohen pa hezitim plot me zell për vëllezërit e tyre të ndarë, duke u lutur për ta, duke folur me ta për gjërat e Kishës, duke bërë hapat e parë drejt tyre. Dhe para së gjithash duhet të jetë ata vetë, që, me sinqeritet dhe zell, ta shqyrtojnë atë që duhet të ripërtërihet dhe të realizohet në vetë familjen katolike, me qëllim që jeta e saj të jetë një dëshmi më besnike dhe më e qartë e doktrinës dhe e institucioneve të trashëguara nga Krishti nëpërmjet apostujve.
Në fakt, edhe pse Kisha katolike është pasuruar me krejt pasurinë e zbuluar nga Hyji dhe me krejt mjetet e hirit, gjymtyrët e saj nuk e përdorin këtë pasuri për të jetuar me zellin e duhur. Rezulton se fytyra e Kishës shkëlqen më pak përpara vëllezërve të ndarë prej nesh dhe përpara mbarë botës, dhe rritja e mbretërisë së Hyji është vonuar. Për këtë arsye të gjithë katolikët duhet të priren drejt përsosmërisë së krishterë dhe të përpiqen, secili sipas gjendjes së vet, që Kisha, duke mbartur në trupin e saj përvujtërinë dhe vuajtjet e Jezusit, të pastrohet dhe të ripërtërihet ditë për ditë, derisa Krishti të na shfaqet përpara plot lavdi, pa njolla dhe rrudha.
Në Kishë të gjithë, sipas detyrës së besuar secilit, si në format e ndryshme të jetës shpirtërore dhe të disiplinës, ashtu edhe në ndryshueshmërinë e riteve liturgjike, madje, edhe në përpunimin teologjik të të vërtetave të zbuluara, duke ruajtur njësinë në gjërat e nevojshme, duhet të ruajnë lirinë e duhur; në çdo gjë pastaj të praktikojnë dashurinë. Duke vepruar kështu do të tregojnë çdo ditë e më mirë katolicitetin e vërtetë dhe njëherazi edhe apostolicitetin e Kishës.
Nga ana tjetër është e nevojshme që katolikët me gëzim të njohin dhe të çmojnë vlerat me të vërtetë të krishtera, që vijnë nga trashëgimia e përbashkët, trashëgimi kjo që gjendet tek vëllezërit e ndarë prej nesh. Njohja e pasurive të Krishtit dhe veprat e virtytshme në jetën e të tjerëve, të cilat e dëshmojnë Krishtin duke nisur që tani deri në derdhjen e gjakut, është diçka e mirë dhe e shëndetshme: sepse Hyji është gjithmonë i mrekullueshëm dhe duhet të admirohet në veprat e Veta.
As nuk duhet të harrohet se ajo që prej hirit të Shpirtit Shenjt përmbushet në vëllezërit e ndarë, mund të kontribuojë gjithashtu për ndërtimin tonë. Gjithçka që është me të vërtetë e krishterë, nuk është kurrë kundër të mirave të fesë të lidhura me të, madje gjithmonë bën të mundur që vetë misteri i Krishtit dhe i Kishës të arrihet sa më përsosmërisht.
Megjithatë ndarjet e të krishterëve e pengojnë Kishën të realizojë plotësinë e katolicitetin tipik të saj në ato bij që me siguri i janë bashkuar me pagëzim, por janë ndarë nga bashkësia e plotë me të. Gjithashtu e ka më të vështirë të shprehë në çdo aspekt plotësinë e katolicizmit në realitetin e jetës.
Ky Koncil i shenjtë konstaton me gëzim se pjesëmarrja e besimtarëve në veprimin ekumenik rritet çdo ditë, dhe porosia e ipeshkvijve në çdo kënd të tokës, me qëllim që të nxitet me zell dhe prej tyre të drejtohet me kujdes.
Përkujdesja për të vendosur bashkimin i përket krejt Kishën, si besimtarëve ashtu edhe barinjve, dhe prek secilin sipas mundësive të veta, sa në jetën e krishterë të çdo dite aq edhe në studimet teologjike e historike. Një përkujdesje e tillë tregon në njëfarë mënyre lidhjen vëllazërore që ekziston mes të gjithë të krishterëve dhe çon në njësinë e plotë e të përsosur, sipas planit të mirësisë së Hyjit”.[26]
Është e nevojshme që famullia shqiptare të ketë momente të veçanta dialogu ekumenik dhe ballafaqimi teologjik duke respektuar religjionet e ndryshme dhe konfesionet fetare, që nuk kanë për qëllim prozelitizmin,[27] por ndërtimin e një shoqërie paqeje dhe drejtësie në shpirtin e Asizit të dashur nga Gjon Pali II.[28]
Format realizuese
Format realizuese të një famullie “me zemër dhe shpirt shqiptar” duhet medoemos të jenë katekeza, liturgjia dhe dashuria, të jetuara me një projektualitet unitar dhe që të kenë si qëllim formimin dhe realizimin e një bashkësie të krishterë.
a. Katekeza
Ajo duhet t’u drejtohet të rriturve dhe të rinjve dhe jo vetëm atyre që kërkojnë të marrin sakramentet e hyrjes në jetën e krishterë. Duhet të zhvillohet një herë në javë dhe ai që e drejton nuk duhet ta konceptojë katekezën si konferencë. Kisha bëhet bashkësi kur së bashku përshkohet, nëpërmjet dëgjimit dhe shoshitjes, një ecje feje dhe dashurie.
Në fakt, duhet të zhvillohet në formën e përvojës dhe të një ballafaqimi të vazhdueshëm me Shkrimin e Shenjtë e me themelet teologjike të fesë. Dokumentet konciliare, gjithashtu, duhet të meditohen dhe të riparaqiten vazhdimisht pa pasur kurrë pretendimin se janë paraqitur më parë.
b. Liturgjia
Liturgjia duhet të modelohet me shenja të ndryshme gjatë krejt vitit liturgjik. Në fakt, “liturgjia paraqitet gjithmonë si aktualizim i misterit pashkvnor të Krishtit, domethënë i mundimeve të Tij të lume, të ngjalljes nga të vdekurit dhe të ngjitjes së Tij të lavdishme, mister me të cilin duke vdekur ka shkatërruar vdekjen tonë, duke u ngjallur na ka dhënë neve jetën (SC 5)… Në zemër të çdo riti liturgjik gjendet misteri pashkvnor i Krishtit, i riparaqitur në njësinë e tij të pandashme, që teologjia kishte ndarë me metodologjinë e vet analitike dhe që liturgjia nuk arrinte ta vinte në pah. Rifitimi i kësaj bërthame qendrore dhe thelbësore të fesë dhe të jetës së krishterë i jep liturgjisë, që e paraqet në përkujtimin sakramentor, një dinamizëm të brendshëm me qëllim që pjesëmarrja jonë në një bashkësi gjithnjë e më të madhe me Hyjin, në përputhje me Krishtin, kërkon me ngulm një bashkëngjitje të qartë feje”.[29]
Është detyrë e vetë famullisë të projektohet në misterin pashkvnor të Krishtit ku Kisha paraqitet e bashkuar dhe e lidhur ngushtë rreth Eukaristisë. Përreth altarit formojmë bashkësi. Për këtë arsye bashkësia famullitare, e formuar nga fëmijë, adoleshentë, të rritur, të sëmurë, që nuk mund të marrin pjesë në Eukaristi, duhet domosdoshmërisht të lutet së bashku pa pretendimin se formojnë një grup më vete. Gjithashtu janë të thirrur të tejkalojnë, pikërisht duke u nisur nga liturgjia, atë shpirt devocionistik në të cilin disa bashkësi priren të bien.
Famullia nuk e propozon liturgjinë, por e jeton atë në perspektivën e vënies në jetë të Ungjillit.
c. Dashuria
Mbarë Kisha është gjithmonë e thirrur për të qenë në mision. Vetë misioni nuk mund të kuptohet si një akt i vetëm i secilit. Në fakt, misioni kërkon atë dashuri që është në bazë të veprimit në një perspektivë ecjeje të bërë nga krejt bashkësia që e gjen themelin e vet në Koncilin II të Vatikanit.
“Nëse në Gaudium et Spes Kisha heq dorë nga izolimi i saj dhe nga politika e mbrojtjes deri në pikën e fundit përballë botës moderne, në Lumen Gentium Kisha heq dorë nga ngurtësia e strukturave dhe nga përkufizimet ekleziologjike… Kisha dëshiron të jetë shenjë shprese, ftesë për dialog dhe mjet për t’i arritur këto qëllime në krizën e rëndë dhe komplekse të kohës sonë,… duke harmonizuar kështu vazhdimësinë, hapjen, traditën, spontanitetin dhe ripërtëritjen… Dhe në këtë mënyrë mund të veprojë si katalizatore e njeriut pas-modern në zbulim të përmasës shpirtërore të saj dhe të shoqërisë”.[30]
Shprehja “ungjilli i dashurisë” na ofron mundësinë për të kuptuar se dashuria e vërtetë qëndron në lajmin e mirë të dashurisë së Hyjit për njerëzimin dhe të gjithë vëllezërit janë të thirrur t’ua kumtojnë të ngjashmëve të vet.[31] Për këtë arsye është e nevojshme që edhe baritorja bashkësiore e jetës famullitare të mbështetet fort mbi dashurinë, jo të kuptuar si diçka për të bërë, por përkundrazi si një veprim fryt i një ungjillëzimi të kremtuar në histori.[32]
Nuk mund të harrojmë se në qendër të kumtimit të një bashkësie famullitare, si edhe të kremtimit të saj dhe të shprehjes së dashurisë duhet të jetë kryqi. Ai “shkandull dhe marri”[33] për jo besimtarët e të gjitha epokave historike, bëhet për bashkësinë e krishterë famullitare shprehje e dashurisë zemërdhembshur dhe të gjithëpushtetshme.
“Për Palin, Hyji është Hyji i të gjithëve, por sidomos është Hyji i të Kryqëzuarit dhe i të kryqëzuarve të historisë. Në fakt, Hyji ka bërë një zgjedhje, duke u solidarizuar me Jezusin, kryengritës, të kryqëzuar në Jerusalem, duke e ngjallur prej të vdekurve. Ai Mesi i kryqëzuar është simboli i një populli të kryqëzuar dhe i të gjithë atyre që kanë pësuar një vdekje të padrejtë… Megjithatë, me hirin e Hyjit, shumë burra dhe gra vazhdojnë të jetojnë për virtyt të ngjalljes, edhe në mbretërinë e vdekjes, të fshehur në shkëlqimin e perandorisë aktuale botërore dhe të sfidojnë kërcënimet e bujshme të vdekjes, duke besuar në një Hyj që u jep jetën të vdekurve”.[34]
Si rrjedhojë dashuria është në natyrën e bashkësisë së krishterë famullitare, ku shprehet thirrja dhe përkujdesja e saj ndaj njeriut.[35] Në fakt:
“Kisha shpreh natyrën e saj duke shikuar kryqin e Krishtit dhe duke e bërë të vetën këtë ethos, e thirrur për t’u bërë sipas atyre karakteristikave që cilësojnë vetë dashurinë e Hyjit”.
Elementet thelbësorë në të cilat bashkësia famullitare është e thirrur të shprehet janë transparenca e veprave të mira, gjestet falas dhe konkretësia. Të rritur, të rinj dhe fëmijë duhet të ndihen të angazhuar në mënyrë bashkësiore për të krijuar projektualitetin e një ungjillëzimi bamirës nën shembullin e asaj baritoreje organike shpesh të harruar.
“Mundësia, madje nevoja, për të pasur një këndvështrim dhe një njohje të vërtetë të kumtimit të krishterë dhe të rrjedhojave të tij për jetën e njeriut nuk të përjashton nga lodhja për të përpunuar bindje veprimi, që respektojnë kushtëzimet reale të përjetimit njerëzor dhe në të njëjtën kohë të realizojnë qëllimet e thella të vetë mesazhit të krishterë”.[36]
Dashuria-Bamirësi është fryt i një ecjeje dhe nuk mund të krahasohet me një vepër bamirësie rastësore. Gjithashtu, dashuria-bamirësi kërkon një vepër drejtësie ndaj të gjithëve, duke vënë në qendër personin në tërësinë e vet. E gjithë kjo është një kulturë e re e bamirësisë që vë në qendër të vet edukimin e breznive të reja nëpërmjet punës së krejt bashkësisë famullitare, e cila duhet të gjejë shprehje konkrete në katekezën javore, në kremtimet liturgjike të së dielës dhe në përvojën konkrete të solidaritetit, që pastaj të jetohet në historinë e përditshme. Bashkësia famullitare nëpërmjet një ecjeje të vazhdueshme formimi është e thirrur të kalojë nga një “kishë me subjekte të veçanta” në një “bashkësi të pagëzuarish bashkëpunëtorë të të gjithëve” në shërbim të njerëzimit. Ja pse dashuria preferenciale për të varfrit[37] nuk është një zgjedhje, por është bashkimi bashkësior me vetë misionin e Krishtit. Në këtë mënyrë ajo tregon praninë reale të Krishtit të jetuar më përpara në një shoshitje bashkësiore të katekezës dhe të kremtimit dhe më pas në veprimin e të gjithëve. Shërbimi ndaj të gjithëve dhe ndaj të varfërve në veçanti është pjesë përbërëse e ungjillëzimit dhe jo fryt i saj apo shprehje e asaj që është shpallur. Në këtë mënyrë bashkësia famullitare vetë-ungjillëzohet dhe nuk harron që të varfrit shpesh ndryshojnë pamje dhe askush nuk mund t’i lërë në harresë.
Zgjedhja e të varfërve gjithmonë ka shërbyer si vijëndarëse në jetën e Kishës. Të varfrit, në fakt, janë fytyra e Krishtit të kumtuar në katekezë dhe në kremtimet liturgjike. Bashkësitë famullitare janë më shumë një Kishë për të varfrit dhe me vështirësi propozojnë dhe jetojnë si “Kishë për të varfrit”. Kjo për arsye se:
«varfëria duhet të cilësojë vetë praninë dhe veprimin e Kishës. Është e vërtetë që në Ungjill nuk është shkruar shprehimisht se Kisha duhet të jetë e varfër; por nëse ajo duhet të jetë “sakrament” (shenjë e ndjeshme dhe mjet i efektshëm) i Jezu Krishtit, që duke qenë i pasur u bë i varfër… duhet të jetë e tillë dhe jo të paraqitet e pasur, e fuqishme, e fortë. Këtu del në pah tematika e Kishës së të varfërve»[38].
Për të bërë këtë kalim është e nevojshme të kalohet nga logjika e asistencializmit në atë të subjektivizmit. Të gjithë ata që e jetojnë, kundër dëshirës sonë, brishtësinë e gjendjes njerëzore, nuk mund të kufizohen për të qenë të parë apo të treguar si “objekt i veprimit baritor”. Secili prej tyre është pjesë përbërëse e bashkësisë së krishterë dhe për ta është e nevojshme që ajo vetë të parashikojë itinerare të ungjillëzimit të parë, domosdoshmërisht të ndryshëm, duke qenë se brishtësia njerëzore shprehet në forma të ndryshme. Ata që nuk kanë një banesë, të sëmurët, imigrantët, përdoruesit e drogës, vajzat-nëna, gratë që pësojnë trauma pas-abortive duhet të përfshihen në një itinerar që të fillojë nga nxitja e subjektit, për t’i çuar në takim me atë Krisht të ngjallur, që nuk është një shpresë apo një utopi, por Personi që mund t’i mundësojë secilit të fillojë të jetojë.
Të thuash që këto janë brishtësi jo vetëm të individit, por edhe të bashkësisë famullitare, do të thotë të vësh në pah:
“ripohimin e specificitetit të misionaritetit të Kishës, që e paraqet dashurinë e Krishtit të Ngjallur si shpresë për botën; rimendimin e itinerareve edukative dhe katekistike; ‘komunikimin’ e antropologjisë së krishterë dhe të themeleve të saj; vlerësimin e shërbimit të thellimit teologjik, edhe për formimin personal integral dhe për ‘dashurinë-bamirësi’ (sidomos të presbiterëve dhe të të kushtuarve); potencializimin e vendeve të studimit të çështjeve të tanishme antropologjike dhe shoqërore, si moment propedeutik si për orientim thirror e motivacional, ashtu edhe për ndërhyrje shoqërore e për një ushtrim të përgjegjshëm të qytetarisë civile; përkujdesjen e vëmendshme ndaj formave dhe përmbajtjeve të komunikimit të masës, edukimin për një përdorim të duhur dhe të kujdesshëm të këtij komunikimi; stimulin për marrëdhënie të qëndrueshme komunikimi dhe bashkëpunimi, si brenda ashtu edhe jashtë-kishtarë (me ata që më së shumti e kanë për zemër nxitjen e jetës njerëzore); rinjohjen e pjekur të kufijve të zëvendësimit (edhe pse të lavdërueshëm) të institucioneve publike në fushën e politikave shoqërore, por edhe të vlerës së patëmetë të profecisë së vullnetariatit autentik”.[39]
Një zgjedhje e tillë mund të kuptohet vetëm nëse projektohet në një itinerar përvoje kishtare bashkësiore, e bashkuar me një punë integrimi në territor.[40] Shumë shpesh pjesa më e madhe e formave dhe e gjendjeve të varfërisë i delegohen Karitasit Famullitar. Në realitet, roli i Karitasit shumë herë është ngatërruar me delegimin e kësaj detyre disa vetëve, që janë më të ndjeshëm ndaj të varfërve. Përkundrazi, Karitasi, nuk është një mbrojtje civile fetare, por organizmi i bashkërenditjes kishtare të të gjitha shoqatave, që sillen rreth realitetit bashkësior për t’i dalë përpara varfërisë.
Rizbulimi i bamirësisë duhet të synojë që të gërshetojë jetën e fesë me përkujdesjen ndaj atyre “gjymtyrëve” të saj që ndodhen në vështirësi, si edhe sidomos duke ofruar shërbimin falas si formë parësore ungjillëzuese dhe nxitjeje të personit njerëzor.
Itineraret e fesë
Propozimi më i përshtatshëm me qëllim që çdo bashkësi famullitare, e bashkuar me atë të dioqezave, të mund të tregojë një projektualitet të ri qëndron në realizimin e itinerareve të fesë. Këto janë mjete në vëna në veprim për përfshirjen e krejt bashkësisë kishtare dhe jo kishtare, si brenda saj, ashtu edhe jashtë saj.
Në fakt, itineraret e fesë kërkojnë një zgjedhje vjetore, dyvjeçare apo trevjeçare mbi një tematikë të vetme dhe renditen nga shkolla e atij viti liturgjik, që është e pandashme prej kohëve që krejt bashkësia është e ftuar të jetojë. Viti liturgjik është shenja kuptimplote e një historie bashkësiore, të përjetësuar në kohën historike të njerëzve që ecin në Kishë. Ai është “kairos”, ai takim mes historisë shpëtimtare të Hyjit e asaj njerëzore dhe mundëson të realizojë në çdo ngjarje mrekullinë biblike të shpëtimit.
Itinerari i fesë duhet medoemos të ketë një themel biblik, meqë pikërisht në “historinë e shpëtimit” bashkësia e krishterë i gjen bazat e veta; dhe, pikërisht, duke u nisur nga kjo histori, ajo përpunon perspektivat e veta baritore. Në fakt,
“përballë efekteve shpesh shkatërruese të shekullarizimit dhe – si rrjedhojë – të urgjencës së një ungjillëzimi të ripërtërirë, diktohet gjithnjë e më shumë zgjedhja parësore e nxitjes së itinerareve të ndryshme të fesë që ata të cilët e kanë humbur besimin dhe vetëdijen pagëzimore të përkatësisë së tyre ndaj Krishtit dhe ndaj Kishës (apo që nuk e kanë të motivuar sa duhet), të mund të bëjnë një ecje graduale rizbulimi dhe pjekurie”[41].
Për këtë arsye, ky itinerar duhet të lidhë së bashku si itinerarin baritor që bashkon në një “unum” katekezën, liturgjinë dhe bamirësinë, ashtu edhe një propozim ungjillëzimi nëpërmjet një baritoreje “tërësore”, që parashikon një përkujdesje ndaj atyre realiteteve që janë jashtë kanoneve të një jete kishtare. Sot flitet më së shumti për një “baritore të integruar”. Ajo është sinteza mes përvojës së atij që zakonisht i jeton nga brenda zgjedhjet kishtare dhe atij që i jeton vetëm nga jashtë[42].
Çdo itinerar duhet të parashikojë një ecje të përbashkët për fëmijë, të rinj dhe të rritur. Kërkesa që një gjë e tillë të materializohet i ofron mundësinë secilit, në fazat e tij të ndryshme të jetës, të ndihet protagonist i ungjillëzimit dhe i orientuar për një itinerar kthimi personal. Asnjë nuk është i përjashtuar nga ky itinerar dhe është e mundur që misteri i vetëm i Krishtit të vdekur dhe të ngjallur të jetohet në përvojën konkrete.
Themelore për realizimin e itinerarit të fesë është katekeza javore. Ajo, e zhvilluar në sektorë të ndryshëm (fëmijë, të rinj, të rritur) me një tematikë të vetme dhe me një objektiv të vetëm, u ofron atyre mundësinë që të ndihen bashkësi dhe të gjenden të bashkuar në ungjillëzim. Katekeza kërkon gjithmonë jo vetëm njohjen, por kryesisht thellimin e Fjalës së Hyjit. Në këtë katekezë pjesëmarrësit duhet të bëjnë një përvojë, domethënë duke u nisur nga realiteti konkret dhe nga jeta e përditshme, duhet të kërkohet që në këtë katekezë të konkretizohet vetë historia e dashurisë së Hyjit që shprehet në jetën e përditshme.
Katekeza ka si detyrë:
– të favorizojë dhe të rizgjojë kthimin;
– të programojë etapa të ndërmjetme për grup-moshat e ndryshme;
– t’i edukojë të gjithë në një logjikë dashurie dhe falas;
– të mos përjashtohet nga një kumtim profetik i Ungjillit.
Jo më pak e rëndësishme është liturgjia. Kjo nuk duhet të ngatërrohet me ritualizmin, por të përfshihet në një veprim baritor organik, me qëllim që famullia të bëhet bashkësi.[43] Në liturgji mund dhe duhet të përfshihen të gjithë: nga mikpritja deri tek shpallja e leximeve, nga paraqitja e dhuratave deri tek oferta bamirëse, nga bashkëndarja e Eukaristisë në mandatin misionar. Në çdo rrethanë duhet ta shohë veten si protagoniste krejt jeta e bashkësisë.
Jo më pak i rëndësishëm në itinerarin e fesë është projektualiteti i bamirësisë. Binomi bamirësi-ungjillëzim jo gjithmonë shkojnë bashkë. Shpesh të varfrit shihen si objekte dhe jo si subjekte të ungjillëzimit. Atyre u lihet shpesh dhe me qejf një aspekt tretësor dhe propozimet për ta janë vetëm dhe thjeshtë asistencializëm.
Bamirësia në një itinerar feje duhet të ketë si objektiv të përfshijë, nëpërmjet bashkëndarjes së gjithçkaje, të gjithë; të propozojë një zgjedhje që prej asistencializmit apo nxitjes njerëzore të kalojë në mikpritjen e vërtetë dhe të ripropozimit ungjillor.
Është themelore që gjatë vitit të bëhen vetëm një apo dy propozime (përjashto emergjencat) të cilave u bashkëngjiten projekte që shikojnë të ardhmen. Operatorët e bamirësisë nuk janë delegatët e saj, por gjallëruesit e një propozimi të tillë. Të gjithë duhet të përfshihen nëpërmjet nismave që të vazhdojnë në kohë dhe që të vihen në jetë përgjatë itinerarit të fesë. Bamirësia është forma e parë e dialogut me botën e atyre që janë larg, të atyre që jetojnë larg jetës bashkësiore dhe është, në të njëjtën kohë, një formë “para-thirrore”.
«Besoj se, nëse i kontrollojmë institucionet tona… do të kuptojmë se jemi në një Kishë që është “për” të varfrit, por që ende nuk është “e të varfërve”… Përkundrazi besoj që, jo vetëm çdo i krishterë, por çdo bashkësi dhe mbarë Kisha, duhet ta ndiejë se asaj i është drejtuar lumturia themelore “lum të varfrit”, por që janë të varfër “në shpirt”»[44].
“Programimi unitar apo i njësuar supozon që:
– të ketë një autoritet kompetent që i bashkon personat dhe organizmat përkatës;
– të caktohet një kohë gjatë vitit për të bërë programimin;
– të përcaktohen me qartësi objektivat afatshkurtër dhe afatgjatë;
– të përcaktohen mjetet që do të përdoren për arritjen e këtyre objektiva;
– të përcaktohet koha e realizimit të tyre;
– të përcaktohen mënyrat e lidhjes mes organizmave të ndryshëm baritorë;
– të parashikohet një moment përfundimtar verifikimi”[45].
Një itinerar feje për famullinë shqiptare
Gjatë muajve shtator-tetor bashkësia famullitare duhet të shqetësohet për të përcaktuar temën që duhet të trajtojë gjatë krejt vitit liturgjik, në harmoni me programin baritor të dioqezës. Kjo temë duhet t’u paraqitet të gjithëve dhe të shtjellohet gjatë katekezës javore, liturgjisë së të dielës dhe vënies në praktikë të projektit bamirës që dëshirohet të konkretizohet.
Në periudhën e Kohës së Ardhjes do të vihet në dukje tema e shpresës dhe Kisha duhet të angazhohet në formimin dhe në ballafaqimin edhe praktik me atë që jeton pranë të fundmëve. Bashkësia famullitare do të angazhohet për të treguar mënyrën e pranimit jo vetëm të Krishtit, por edhe të atij që sot lind i përjashtuar dhe i mërguar.
Në Kohën e Krishtlindjes nuk duhet të mungojë reflektimi mbi temat e paqes dhe të dialogut. Në fakt, kjo kohë liturgjike, që përkon me festat të jep mundësinë për të reflektuar mbi mesazhin që çdo vit është hedhur nga Ati i Shenjtë me rastin e çdo Viti të Ri. E gjithë kjo për të shmangur rënien në mendësinë ndonjëherë hedonistike të Krishtlindjes laike.
Muaji i janarit do të ketë në javën e lutjes për njësinë e të krishterëve një moment të fortë, për të rivlerësuar aspektin e përmendur më sipër, tipik për famullinë shqiptare.
Kohët liturgjike të Kreshmëve dhe të Pashkës janë tradicionalisht kohët në të cilat bashkësia e krishterë paraqitet më aktive se zakonisht. Por shpesh është përqendruar në një shtim të devocionit dhe të disa formave të përshpirtërisë popullore që shërbejnë si koreografi e një itinerari që do të duhej të përqendrohej në pajtim dhe në rilindje. Duhet të kalohet nga një “kishë e rrethanave” në një bashkësi që di “të planifikojë”, të pajtohet brenda saj dhe të dallohet për dashurinë e vet jashtë saj.
Bashkësia në këto kohë duhet, përveç katekezave mbi temat e bamirësisë dhe të Eukaristisë, të kujdeset për liturgjinë duke vënë në dukje shenjat e përkujdesjes ndaj të varfërve. Do të vihen në dukje shenjat e pagëzimit (uji, vaji) dhe gjatë të dielave të ndryshme të Kohës së Kreshmëve, do të propozohen kremtime ku do të rijetohet ky sakrament, sipas një zgjedhjeje ripropozimi dhe ungjillëzimi të ri për familjet. Gjatë të dielave para Pashkës (3-4-5) po këto familje, do të jetojnë edhe përvoja në vende simbol ku mund të vihen në dukje se si vetëm pajtimi mund të përcaktojë zgjedhje profetike në lidhje me atë që përdor dhunë apo nxjerr përfitime sipas logjikës së përfitimit ekonomik. E gjithë kjo me qëllim që të theksohet rëndësia e urtisë së kryqit theksuar nga Pali. Në fakt:
«urtia e kryqit është urtia e të vegjëlve; e atyre që janë bërë të vegjël, ashtu si edhe vetë Biri i Hyjit. Dhe janë bërë të vegjël për t’u bërë shërbëtorë. Për shkak të kësaj urtie, ashtu si Krishtin dhe me Krishtin, Ati na “lartëson”; na bën, domethënë, mësues… Kur pranojmë të jemi të vegjël si përpara vullnesës së Hyjit që tregohet nëpërmjet ngjarjeve të jetës…» [46].
Koha liturgjike e Rrëshajëve është ajo më e përshtatshmja për ta jetuar përvojën bashkësiore pa pasur afate të veçanta. Është koha në të cilën bashkësia do të rivlerësojë kuptimin e shërbestarisë dhe të shërbimit kishtar. Modeli të cilit duhet t’i referohemi nuk është:
“ai i meshtarisë që mbahet, dhe jo pa ndonjë arsye, si shërbesa më e lartë e Kishës, por ai i të krishterit të zakonshëm që, për virtyt të fesë dhe të meshtarisë së tij, në të gjitha gjërat që bën me besim dhe për dashuri të Hyjit dhe të të afërmit, i paraqet Hyjit falas një fli dhe jep ndihmesën e vet me qëllim që Kisha të përmbushë misionin e vet mesianik” [47].
Referimet biblike mund të merren nga Letra drejtuar Timoteut. Shkruar sipas gjasave gjatë qëndrimit në burgjet romake, i tregon Timoteut, të cilit i është lënë detyra të drejtojë bashkësinë e Efesit, metodologjinë që duhet të përdorë:
– t’i bashkëngjitet me besnikëri traditës së fesë;
– të mbrojë fenë nga heretikët;
– të gjejë bashkëpunëtorë të kualifikuar;
– të kujdeset për kultin;
– t’i nxisë besimtarët.
Me këto pesë nxitje edhe bashkësia kishtare mund të jetë në gjendje të dallojë një ndjenjë bashkëpunimi dhe propozimi. Mund të organizohen kurse formimi për ata që do të jenë katekistët e të rriturve, për animatorët liturgjikë dhe për operatorët e bamirësisë. Adoleshentët mund të marrin pjesë në kampe-shkollore formuese, dhe fëmijët mund të përfshihen në një gjallërim të krishterë të territorit. Secili, duke jetuar moshën e vet dhe shërbestarinë e vet, mund të jetë shenjë e një Kishe të bashkë-ndarjes, duke tejkaluar atë të përkohshmërisë, në të cilën shpesh e lëmë veten të biem.
Përfundimi
Famullia shqiptare nuk mund të shkëputet kurrë nga gjaku i martirëve, që e kanë ndihmuar atë ta ruajë të gjallë besimin. Medoemos duhet t’i referohet këtij besimi për të jetuar ndjenjën e një bashkësie aktive dhe gjithmonë në një kërkim të vazhdueshëm të dashurisë së Krishtit.
Famullia është bashkësi, por bëhet kryesisht jo vetëm kur nuk fshihet pas projektualitetit të kumtimit të lajmit të mirë, por kur është afër të gjithëve. Është dhe duhet të bëhet një shtëpi e të gjithëve dhe për të gjithë.
Për t’u bërë shtëpia e të gjithëve është e thirrur të kryejë gjeste dhembshurie. Me fjalë të tjera duhet të hyjë në gji të historisë së njerëzimit pa menduar të bëjë një demagogji politike.
“Në ditët tona njerëzimi, i përhumbur në admirimin e zbulimeve të veta dhe të fuqisë së vet, shpesh trazon çështje të ankthshme mbi evolucionin aktual të botës, mbi vendin dhe detyrën e njeriut në gjithësi, mbi domethënien e përpjekjeve të tij individuale dhe kolektive, dhe në fund mbi fatin e fundit të gjërave dhe të njeriut. Për këtë arsye Koncili, duke dëshmuar dhe duke propozuar besimin e krejt popullit të Hyjit të bashkuar nga Krishti, nuk do të mund të bënte një shfaqje më kuptimplote solidariteti, respekti dhe dashurie ndaj krejt familjes njerëzore, brenda të cilës ndodhet, sesa duke vendosur me këtë familje një dialog mbi problemet e ndryshme të sipërpërmendura, duke sjellë dritën që vjen prej Ungjillit dhe duke vënë në dispozicion të njerëzve energjitë e shpëtimit që Kisha, nën drejtimin e Shpirtit Shenjt, merr prej Themeluesit të saj. Bëhet fjalë për të shpëtuar njeriun, bëhet fjalë për të ndërtuar shoqërinë njerëzore” [48]
Gjithashtu nuk mund të mendohet se gjithçka është e lidhur me një projekt provizor. Ajo duhet ta bazojë programimin e vet mbi teologjinë baritore, e cila ka si detyrë që një bisedë spekulative ta kthejë në praktikë, pa tradhtuar objektivin e saj. Duhet të bindemi se çdo propozim baritor duhet medoemos të themelohet mbi baza teologjike, përndryshe do të gjendeshim përballë një bashkësie që bën gjeste që s’kanë kuptim apo që i është kushtuar një aktivizmi pa qëllim. Për një gjë duhet të jemi të qartë:
“sot nuk e ka jetën e gjatë një baritore e qendërzuar, e përgjithshme, e turmës, pasi fjala e Hyjit dhe dëshmia e shërbimit duhet të shprehen aty ku jetojnë njerëzit, në shtëpi, në lagje, në rrugë. Vetëm ky decentralizim, që e çon Kishën të hyjë në jetën e përditshëm, na përgatit për një liturgji më pak rituale dhe më shumë të jetuar, e shndërron famullinë nga agregat anonim në një bashkësi të pagëzuarish të hapur ndaj botës, që shprehin në solidaritetin aktiv pjesëmarrjen e tyre në kumtimin e Ungjillit”[49].
Në fakt, ky propozim nuk paraqet një famulli ideale për Shqipërinë. Përkundrazi bëhet fjalë për të perceptuar dhe për të jetuar në ngjarjet e historisë sonë se si bashkësia famullitare, e formuar nga të rritur, të rinj dhe fëmijë, nëpërmjet një itinerari feje të mund të jetë kumtuese e shpëtimit nëpërmjet gjesteve të solidaritetit dhe të dashurisë, bërë kryesisht ndaj të varfërve që janë të privilegjuarit e Ungjillit.
Për këtë arsye bashkësia famullitare duhet të krijojë gjithnjë e më shumë një “përshpirtëri të dashurisë”, që kalon nëpërmjet zemrës së të gjithëve për t’ia çuar kumtimin edhe atij që ka vështirësi të besojë e të shpresojë dhe të realizojë mbretërinë e Hyjit. “Mbretëria” në të cilën personat hyjnë prej mësimit të Jezusit nuk është një vend i përshtatshëm për një armik, për dikë që dëshiron të përmbysë apo të shkatërrojë parimet në të cilat bazohet bashkësia e themeluar mbi lajmin e mirë. Megjithatë armiku mund të hyjë në të dhe t’i përdorë vlerat që karakterizojnë bashkësinë e themeluar mbi vullnetin e mirë për ta minuar këtë bashkësi. Jezusi tregon një histori që e krahason mbretërinë e qiejve (Mt 13,24-30) me një mbjellës që ka mbjellë grurë, por gjatë natës armiku ka mbjellë egjër…
Sipas gjasave kjo është një shëmbëlltyrë që na bën të mundur të kuptojmë më mirë se çfarë aspiratash kishte Jezusi për sa i përket përhapjes së mbretërisë së qiejve në këtë botë. Marrim pjesë në një ndeshje të drejtpërdrejtë mes mbështetësve të mësimit të Jezusit dhe atyre që nuk duan të hyjnë në këtë mbretëri. Jezusi shpjegon se si duhet të trajtohet një konflikt i tillë: me durim dhe ngulm, në mënyrë që mësimi i Jezusit të mund të rritet”[50].
Famullia shqiptare ka përpara vetes një të ardhme të madhe dhe besoj se e gjithë kjo do të mund të realizohet.
Dom Antonio Ruccia
Drejtor i Karitasit Bari-Bitonto
Docent i Teologjisë Baritore
pranë Universitetit Papnor Urbanian të Romës
dhe pranë Fakultetit Teologjik Puljez të Barit
[1] BENEDIKTI XVI, Caritas in veritate, 37.
[2] V. GROLLA, L’agire della Chiesa. Teologia pastorale, Padova 200, fq. 89.
[3] “Natyra tipike e famullisë është e lidhur me konceptin dhe me realitetin e bashkësisë, që është një tërësi personash që lindin nga i njëjti burim, jetojnë si trup organik dhe veprojnë në sinergji dhe bashkëpërgjegjësi” (P. SCABINI, La parrocchia oggi per domani. Istanze e anticipi di un’urgenza cristiana, tek Orientamenti pastorali 9 (2004), 21).
[4] A. MONTAN, Parrocchia, associazioni e movimenti: quali relazioni per una Chiesa locale e missionaria, tek Orientamenti pastorali 9 (2004), 38-39).
[5] “Famullia është e thirrur për një shndërrim cilësor që ta bëjë atë gjithmonë e më shumë vend mikpritjeje, dialogu, shoshitjeje dhe hyrjeje në misterin e Krishtit nëpërmjet kumtimit, katekezës, dëshmisë, kremtimit të sakramenteve, shërbimit të bamirësisë, bashkëpërgjegjësisë kishtare dhe ushtrimit të shërbesave. Edhe kontekste të tjera ofrojnë shpesh mundësinë për një rivendosje të kontaktit me fenë e krishterë: kishat në qendrat historike të qyteteve, shenjtëroret, manastiret, oratorët, por edhe spitalet, shkollat, universitetet dhe qendrat e tyre të baritores, si edhe përvojat e propozuara nga lëvizjet dhe shoqatat kishtare. Këto mundësi duhet ta stimulojnë bashkësinë famullitare që ta rimendojë marrëdhënien e vet me baritoren mjedisore në terren: për të aktivizuar itinerare të diferencuara, në bashkëpunim me realitete të tjera kishtare; për t’i pranuar ata që kanë plotësuar ecjen e hyrjes së krishterë; për të ofruar hapësira futjeje aktive në bashkësi” (CONFERENZA EPISCOPALE ITALIANA, L’iniziazione cristiana. Orientamenti per il risveglio della fede e il completamento dell’iniziazione cristiana in età adulta, nr. 3,32).
[6] Në një moment kur njeriu dëshiron t’i trajtojë sërish, nën profilin hermeneutik, të gjithë përbërësit e horizontit të ekzistencës njerëzore dhe të verifikojë vlefshmërinë e tyre, Kisha, pa pretenduar t’i shmanget kësaj instance autentike, duhet të kërkojë t’i propozojë vetëkuptimin e vet. Duke përdorur terma ekzistencialë, ajo duhet të hyjë në dinamizmin e jetës; duke u diktuar edhe si fakt historik, duhet të mirëpresë rrjedhat dhe ngjarjet e historisë; duke kërkuar funksionin e tharmit në botë, duhet t’i krijojë hapësirë reale dialogut; kryesisht duke u përhapur si prani “e mençur” që mund të formohet me çdo interpretim tjetër autentik të aventurës njerëzore dhe që mund ta stisë atë, duhet të tregojë themelin e bisedës së saj. Një gjë e tillë rezulton urgjente, në veçanti, në lidhje me ungjillëzimin” (D. VALENTINI, Evangelizzazione, tek NDT, 471).
[7] Krh. AG 37.
[8] “Realiteti i lëvizjeve kishtare bashkëkohore përfaqëson një tharm të ri, por të gjallë dhe tregues të pranisë së gjallë të Shpirtit Shenjt që gjallëron dhe drejton historinë” (L. CONTI, Movimento, tek EP, IV, 190).
[9] GJON PALI II, Ecclesia in Europa, 64.
[10] C. CAFARRA, Familiaris Consortio e attuale situazione del matrimonio e della famiglia, tek Anthropotes 2 (2001), 214-215.
[11] “Bashkësia e njëzëshme e besimtarëve, e themeluar mbi doktrinën e apostujve e cila bazohet në fjalën dhe në veprën e Jezusit dhe është e mbështetur nga Shpirti Shenjt, është një bashkësi në bashkëjetesë dhe në convivium, që duke lavdëruar Hyjin i thur lavdi Hyjit dhe vetëm kështu mund të pranohet prej të gjithë popullit dhe të veprojë në kuptimin misionar. Aluzionet për shprehje stereotipe të marra nga repertori i përshkrimeve të lashta të kohëve të vjetra dhe të utopive politike ndihmojnë për të treguar se shoqëria e re e ecclesia-s, dalë “ditët e fundit” nga historia e Izraelit dhe nga premtimet e tij përmbush pritshmëritë e krejt njerëzimit” (R. PESCH, Atti degli Apostoli, Assisi 2005, 163).
[12] R. FABRIS, Atti degli Apostoli, Brescia 1998, 73).
[13] K. KLIESCH, Gli Atti degli Apostoli, Assisi 1991, 82).
[14] Krh. D. SESDOÜE’ e J. GUILLET, Comunione, tek DTB 195-198.
[15] Vap 14,2; 28,15.
[16] Vap 2,36.
[17] Vap 2,33.38.
[18] “Shtimi i pamasë i popullatës botërore dikton probleme të një rëndësie të veçantë. Para së gjithash vë në dukje padrejtësinë e dukshme në ndarjen e burimeve mes vendeve të pasura dhe të Botës së Tretë, por edhe mes kategorive të popullatës që ndodhen në të njëjtin rajon. Luksi i pamend dhe qëllimi i jetës së disave bashkë-ekziston me mjerimin më të madh… Në një gjithësi gjithnjë e më komplekse nuk bëhet më fjalë për të siguruar jetën biologjike, por të gjitha burimet e edukimit, të kulturës, të zemrës që përbëjnë të vërtetën dhe cilësinë e ekzistencës njerëzore” (J. GAILLOT – A. GOMBAULT – P. de LOCHT, Un catechismo per la libertà, Molfetta 2005, 87-88).
[19] 1Kor 12,27.
[20] Krh. LG 9.
[21] Krh. SC 7. PC 7.
[22] S. BISIGNANO, Vocazione, tek Dizionario di Spiritualità dei Laici, 384.
[23] E. ANTONELLI, La parrocchia comunità eucaristica per il mondo, pro manuscriptu, nr. 17.
[24] «“Ungjillëzimi i ri”, që e thërret me ngulm Kishën, ka të bëjë pikësëpari me shoqërimin e atij që preket nga dëshmia e dashurisë për të përshkuar itinerarin që të çon, jo në mënyrë arbitrare, por prej logjikës së brendshme të vetë dashurisë së krishterë, në dëshminë eksplicite të fesë dhe në përkatësinë totale ndaj Kishës» (ETC 10).
[25] “Vëllazëria e krishterë shumë më shumë se një ndjenjë e vakët apo një përmasë shpirtërore pa pasoja në marrëdhëniet historike, siç paraqet skena e bashkësisë së parë të krishterë tek Veprat e Apostujve, kumtimi i lajmit të mirë të Hyjit Atë themelon një praktikë të re, që tejkalon vetminë dhe përpjekjet për të zgjidhur konfliktet, për të krijuar kushte dinjiteti e zhvillimi për të gjithë sipas planit të Hyjit” (C. M. MARTINI, Ritorno al Padre di tutti, Milano 1998).
[26] UR 4-5.
[27] “Dialogu ndër-religjioz është një tjetër hapësirë e madhe në të cilën do të luhet fati i fesë së krishterë në mijëvjeçarin që po vjen; është e rëndësishme të vlerësohet, si një shenjë e pamohueshme shpëtimi, ndryshimi që qysh prej Koncilit II të Vatikanit deri tek Dialogo e Annuncio (Dialog dhe Kumtim) mundëson që të shihen religjionet jo të krishtera si udhë shpëtimi efektiv. Por sfida e të ardhmes mbetet e madhe dhe e pamohueshme: si të thuash identitetin e krishterë në zemrën e tij, domethënë të Kryqëzuarin e Hyjit. Patjetër Krishterimi duhet të tregojë aftësinë e vet: 1. të qëndrojë së bashku me religjionet e tjera në rrugët e mbrojtjes së njeriut dhe të të drejtave të tij, përtej çdo autoritarizmi dhe despotizmi që tradhton thirrjen e Zotit në liri; 2. ta ruajë njeriun nga rreziqet që kërcënojnë botën dhe të ardhmen e saj (eko-sistemi dhe varfërimi i më të varfërve); 3. ta ruajë brendësinë e njeriut që kërcënohet nga ajo që është kalimtare, nga spektakolariteti dhe nga kulti i imazhit” (A. STAGLIANO, Cristianesimo da esercitare. Una nuova educazione alla fede, Roma 2008, 34).
[28] “Shpirti i Asizit”: kjo shprehje është e Gjon Palit II. Që prej datës 27 tetor 1986 ky “shpirt” është përhapur nga pak kudo, duke ruajtur forcën e gjallë të atij momentit kur ka buruar.
[29] R. FALSINI, Le grandi acquisizioni teologico-pastorale della riforma liturgica, tek RPL 2 (2009), 80-81.
[30] V: BO, Parrocchia tra passato e futuro, Assisi 1977, 102-104.
[31] Krh. 1 Gjn 3,16; 4,19-21.
[32] “Pikërisht duke pranuar zbulimin e misterit të Hyjit tek Jezu Krishti zbulohet plotësisht, në ne, misteri i njeriut dhe na kthehet thirrja jonë shumë e lartë. Për këtë arsye në veprën e vet ungjillëzuese Kisha mund dhe duhet të marrë përsipër gjithçka që është autentikisht njerëzore dhe që prek nga afër personat dhe familjet” (ETC)
[33] 1 Kor 1,23.
[34] A. ZANOTELLI, Paolo. Sulle strade dell’impero proclamando il Dio della vita, Bologna 2008, 26-27.
[35] ETC
[36] B. SEVESO, Alle radici della pastorale, tek Enciclopedia di Pastorale, Casale Monferrato 1992, 236.
[37] Krh. Lk 4,18.
[38] L. BETTAZZI, La Chiesa dei poveri nel Concilio e oggi, Villa Verrucchio 2001, 53.
[39] A. SABATINI, Fragilità – Conclusioni del terzo ambito.
[40] Krh. A. RUCCIA, Itinerari di fede per la parrocchia, Bologna 2005, 63-70.
[41] L. BRANDOLINI, Anno liturgico, tek EP, III, 155.
[42] Krh. A. RUCCIA, Itinerari di fede per la parrocchia, Bologna 2005, 49-84.
[43] Krh. A. RUCCIA, Itinerari di fede per la parrocchia, Bologna 2005.
[44] L. BETTAZZI, La Chiesa dei poveri nel Concilio e oggi, Villa Verrucchio 2001, 32.
[45] G. NERVO, Parrocchia e carità, Bologna 1992, 59.
[46] S. MARCIANO’, Il coraggio dell’evangelizzazione. Paolo e la sapienza della croce, Milano 2009, 43.
[47] S. DIANICH – S. NOCETI, Trattato sulla Chiesa, Brescia 2002, 389.
[48] GS 3.
[49] V. GROLLA, L’agire della Chiesa, Padova 2000, 105.
[50] T. LINDBERG, Gli insegnamenti politici di Gesù, Roma 2009, 130.