Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Fjalimi i perurimit te Statujes ne Shkoder

“O ju të gjithë që udhës kaloni, shikoni e shihni a ka dhimbje si dhimbja ime” (Vaj 1,12).

Vendosja e kësaj vepre arti më sjell në mend këto fjalë të Biblës të cilat i përshtaten vuajtjes që popullit tonë i është dashur të pësojë. Të gjithë ata që do të kalojnë para këtij vendi tani e prapa do të kenë edhe një arsye tjetër reflektimi për të kujtuar të kaluarën dhe për të marrë një paralajmërim për të ardhmen.

“Kurrë më!”: le të jetë kjo britma që ngrihet nga çdo ndërgjegje për të ndalur në kohë çdo përpjekje të njeriut për ta vënë veten në vendin e Hyjit.

Prandaj, ndërsa ju jap mirëseardhjen time të përzemërt të gjithëve ju dhe në mënyrë të veçantë… Autoritetet Civile dhe Fetare, mediat, dëshiroj të falënderoj me gjithë zemër artistin z. Agim Rada që ka dashur ta dhurojë gjeninë e vet dhe frymëzimin që e ka nxitur të realizojë këtë vepër e cila, jam i sigurt, do të ngulitet në ndërgjegjet dhe do të hyjë në kategorinë e veprave të artit të tokës sonë. Një falënderim nga zemra i drejtohet edhe zotit Gjergj Luca që me bujarinë e vet ka lejuar që kjo vepër arti të kishte një vend dinjitoz.

Ky rast fatlum i Udhëtimit Apostolik të Shenjtërisë së tij Papa Françeskut në Shqipërinë tonë na ka lejuar të angazhojmë burimet tona më të mira si qytetarë dhe si besimtarë në të vetmin Hyj dhe ka nxjerrë në dritë, përveç kompetencave specifike e aftësive logjistike, edhe cilësitë artistike të popullit tonë. Kështu që, pas këtij momenti kaq domethënës të përurimit të monumentit, do të mund të shijojmë edhe një koncert për të cilin, që tani, falënderoj Ministrinë e Kulturës Zonja Kumbaro, Drejtorin e Korit dhe artistët që do të paraqiten për të na bërë të kalojmë një orë kthjelltësie përreth një “tryeze”, asaj të artit, i vetmi që është në gjendje të bashkojë njerëzit, megjithëse në ndryshueshmëritë e tyre.

Sigurisht, nuk më takon mua ta përshkruaj veprën e zotërisë Radës nga këndvështrimi artistik. Megjithatë, dëshiroj të bashkëndaj me ju mendimet që më ka nxitur, përveç atyre që shpreha në fillim të këtij fjalimit tim..

Para së gjithash, fakti se personazhi i paraqitur është një frat françeskan: dikujt që një ditë i kërkoi shën Françeskut të përshkruante se kush ishte frati minor i vërtetë, ai iu përgjigj duke radhitur virtytet e fretërve që jetonin me të. Si të thuash se frati nuk ka një standard njohjeje: ai duhet të jetë shuma e të gjitha cilësive më të mira që shpirti njerëzor ka. Pra, ai që paraqitet para nesh sot nuk është thjesht një “frat”, por “njeriu” në thelbin e tij më të mirë. As nuk përfaqëson një kategori të vetme të klerit katolik, as një pjesë të vetme të shumë vetëve, që u përkasin të gjitha besimeve të pranishme në Shqipëri, që kanë pësuar përndjekjen deri në vdekje. Në të vërtetë, vetë shën Françesku thirret prej të gjitha besimeve “vëllai universal”. Pra, në këtë frat jemi me të vërtetë të gjithë… dhe të përfaqësuar mirë.

Në radhë të dytë, më bën përshtypje qëndrimi i tij si person i shtypur, pa lirinë e vet. Trupi i tij është i rëndë prej peshës së vet, por është i rënduar edhe më shumë prej atyre zinxhirëve që e mbajnë të kapur fort në tokë. Kujtimi i vuajtjeve të pësuara është ende i fortë në kujtesën e personave të rritur dhe në të moshuarit, por as ata, nëse nuk i kanë provuar burgun, zinxhirët dhe torturat, nuk mund të përfytyrojnë se sa vuajtje mbajnë ato pulse të prangosura! Aq më pak më të rinjtë, për të cilët shtypja që ka zgjatur deri rreth një çerek shekulli më parë është vetëm një fantazëm në kujtesën e prindërve të tyre dhe gjyshërve të tyre. Çfarë rreziku! Të harrojë të kaluarën është e kuptueshme në atë që dëshiron të ecë përpara, por – le të jemi të sigurtë! – nuk e ndihmon atë aspak që të ndërtojë të ardhmen.

Së fundi, më prek thellë në zemër ai krye dhe ai vështrim të drejtuar nga qielli! Psalmi 120 thotë: “Sytë e mi i çoj drejt maleve: prej nga do të më vijë mua ndihma?”. Lartësia, qielli është vendi drejt të cilit e çojmë natyrshëm vështrimin në çastin e nevojës, kur psherëtijmë, kur jemi në kërkim të një frymëzimi. Prandaj psalmisti vazhdon dhe përgjigjet: “Ndihma ime vjen prej Zotit, i cili krijoi qiellin e tokën”. Ta kemi vështrimin të drejtuar vetëm nga kjo botë do të thotë të mbetemi në kufijtë e ngushtë të një realiteti të destinuar që të mbarojë; të vështrojmë nga Qielli do të thotë t’i hapemi së ardhmes, asaj që na bën të ecim përpara: do të thotë t’i hapemi shpresës!

Duke përfunduar, po i përmbledh këto reflektime në një frazë të vetme që dëshiron të jetë edhe urimi i sinqertë që bëj për ne dhe për të gjithë popullin shqiptar: “Të jetojmë një jetë të virtytshme, pa e harruar historinë tonë, me vështrimin të drejtuar gjithmonë nga Qielli, dhe Hyji do të jetë me ne!”. 

Faleminderit të gjithëve dhe urime.