Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Leter drejtuar Atit te Shenjte Benedikti XVI nga Arqipeshkëvi Angelo Massafra OFM

Prot. nr. 06/2013
Shkodër, 16/02/2013

Atë i Shenjtë,

jemi ende të tronditur dhe thellësisht të prekur prej lajmit të papritur të dorëheqjes Suaj si Ipeshkëv i Romës e si Papë,  dhe si bij të devotshëm mblidhemi përreth jush Atë i Shenjtë për t’ju dhënë soliaritetin tonë, për t’ju shprehur dashurinë tonë të madhe dhe gjithë admirimin e nderimin tonë.

Në këtë gjest Tuajin të guximshëm, të përgjegjshëm, të përvuajtur, Ju na jepni mësime të mëdha për jetën. Ishim mësuar aq shumë me personin Tuaj, dhe, megjithëse prej disa kohësh kishim vërejtur shenjat fizike të lodhjes së shkaktuar prej moshës së shtyrë, vështronim pothuajse në mënyrë të pavetëdijshme dhe pothuajse si diçka të sigurt faktin se Ju duhej të vazhdonit të udhëhiqnit, pavarësisht nga gjithçka, varkën e Pjetrit.

Me një akt përvujtërie të guximshme dhe dijeje të ndriçuar Ju hapët zemrën tuaj duke na thënë: “Sikurse e dini kam vendosur… të heq dorë prej shërbesës që Zoti më ka besuar… në liri të plotë për të mirën e Kishës… pasi jam lutur gjatë dhe kam shqyrtuar para Hyjit ndërgjegjen time,… Faleminderit! E kam ndier gati fizikisht gjatë këtyre ditëve, jo të lehta për mua, forcën e lutjes, që dashuria e Kishës, lutja juaj, më sjell. Vazhdoni të luteni për mua, për Kishën, për Papën e ardhshëm. Zoti do të na udhëheqë”.

Atë i Shenjtë, këto fjalë tuajat na prekin thellësisht dhe nëse nga njëra anë na vjen keq t’ju shohim të tërhiqeni për t’iu kushtuar në mënyrë më të plotë lutjes, nga ana tjetër Ju do të jeni gjithmonë i pranishëm në mendjet tona, në zemrat tona, në jetët tona.

Na lejoni, Atë i Shenjtë, t’ju falënderojmë për Papatin Tuaj kaq të frytshëm me ngjarje të jashtëzakonshme, me një rëndësi transhendentale, ngjarje të shoqëruara jo vetëm prej dritave por edhe prej hijeve dhe prej vuajtjes së madhe.

Faleminderit, Atë i Shenjtë, sepse me gojtarinë Tuaj si Mendimtar dhe Teolog i një kalibri të lartë dhe i një përshpirtërie po aq të thellë, keni ditur të vështroni brenda Kishës në shtresat e saj më të thella nganjëherë të turbullta e të çorientuara. Keni pasur guximin dhe forcën që vjen nga lart për t’i dhënë çdo gjëje emrin e vet, duke u munduar që të ndreqni keqpërdorimet, çrregullimet dhe devijimet, me dëshirën e vetme e të zjarrtë që ta ktheni Kishën në atë shkëlqim dhe në atë kthjelltësi e përnjëmendësi ungjillore të Bashkësisë Apostolike e të Kishës së fillimeve.

Faleminderit, Atë i Shenjtë, sepse papati juaj ka shënuar marrëdhëniet më të mira ekumenike dhe ndër-fetare në botë mes Kishës Katolike dhe vëllezërve Ortodoksë, Kishave të ndryshme të Reformës, Hebraizmit dhe Islamit.

Faleminderit për librat Tuaj të panumërt, burim i pashtershëm i doktrinës së njëmentë të krishterë.

Faleminderit për udhëtimet Tuaja të shumta në Itali, në Europë e në botë që e kanë parë shtegtar të paqes dhe lajmëtar të Ungjillit të Krishtit.

Faleminderit për Enciklikat Tuaja të jashtëzakonshme, për Letrat Tuaja të shumta Apostolike mes të cilave e fundit, “Porta Fidei” me të cilën keni shpallur Vitin e Fesë, duke na lënë kështu një dhuratë të fundit të çmueshme të papatit tuaj (dokumente gati të gjitha të përkthyera në gjuhën shqipe!).

Faleminderit, Atë i Shenjtë, që keni përfshirë përsëri elementet themelore të shpalljes ungjillore dhe të traditës së krishterë në zemrën e botës së sotme, duke u përpjekur të tregoni koherencën e tyre me të vërtetat më të thella të ekzistencës njerëzore.

Faleminderit Shenjtëri, sepse Ju, siç shpjegon mirë John Allen në librin e vet, “Dhjetë gjëra që Benedikti XVI dëshiron të të bëjë të dish”, jeni angazhuar për ta drejtuar popullin e sotëm të Hyjit që t’i shikojë ato mësime me një vështrim të përtërirë, duke i lënë mënjanë paragjykimet e moskuptimet që janë grumbulluar përgjatë shekujve.

Faleminderit, Atë i Shenjtë, për njerëzimin tuaj të thellë të dëftuar prej përvujtërisë suaj të madhe, sjelljes suaj të kthjellët e të përzemërt. Do të na tingëllojnë gjithmonë në veshë falënderimet tuaja të përsëritura në shumë rrethana ashtu si edhe kërkesat tuaja për falje shumë herë.

Faleminderit, Atë i Shenjtë, sepse përveçse na keni dhënë një mësim të madh feje, shprese e dashurie, na keni dhënë edhe një mësim të jashtëzakonshëm jete.

Atë i Shenjtë, ju sigurojmë për lutjen e zellshme të popullit shqiptar, të Klerit dhe të të gjithë Ipeshkvinjve, siç kemi bërë dhe do të bëjmë gjithmonë; Ne Ipeshkvinjtë kemi shpallur për 28 shkurtin, ditën e fundit Tuajën si Papë, një ditë lutjeje dhe kremtimi të Meshës së Shenjtë në të gjitha Kishat e Shqipërisë: për Ju dhe për Papën e ardhshëm, që Shpirti Shenjt do të dojë të na dhurojë.

Atë i Shenjtë, Kisha Katolike që është në Shqipëri i ka qenë gjithmonë besnike Papës dhe do t’i jetë përsëri; sa herë që kam pasur hirin t’ju takoj Ju kam kërkuar ta bekoni Shqipërinë. Më lejoni, Atë i Shenjtë, që t’ju kërkoj bekimin Tuaj të fundit si Papë për mua, për vëllezërit e mi Ipeshkvinj, për katolikët shqiptarë dhe për gjithë Shqipërinë. “Shërbëtorët e Hyjit: Imzot Vincenzo Prennushi e Shokë” të vrarë prej regjimit komunist shqiptar, për të cilët janë në proces e sipër punimet e “Positio”-s për njohjen e Kishës si “Martirë”, Ju qofshin pranë në këtë periudhë delikate të Misionit dhe Jetës Suaj.

                                                             Me dashuri dhe mirënjohje

† Angelo Massafra OFM
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit
President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë


————————
Shkëlqesisë së Tij
Kardinal Tarcisio Bertone
Sekretaria e Shtetit
QYTETI I VATIKANIT