Scroll Top

MESAZH I ARQIPESHKËVIT ME RASTIN E DITËS SË MESUESIT GRUAS DHE NËNËS

boston-public-library-7fsmqjUKrCc-unsplash

ARQIPESHKEVIA METROPOLITANE SHKODËR-PULT
Prot. N. 30/2025
Shkodër, 07.03.2025

Është me kënaqësi të madhe që në këtë ditë kaq të bukur i kushtoj këtë mesazh të gjitha grave, mësuesve, profesorëve dhe të gjitha nënave të tokës sonë.

Në këto dy ditë të veçanta, le të përulemi me respekt dhe dashuri para të gjithë mësuesve, nënave dhe grave në Shqipëri. Mësuesit janë fara e ditëve të ardhshme, udhërrëfyesit që ndriçojnë rrugën e dijes dhe fryma e kulturës sonë. Me devotshmëri të pa-mohueshme dhe guxim të pa-ndërprerë, ato hapin dyert e dijes për brezat e ardhshëm dhe ndërtojnë një shoqëri më të formuar dhe më gjithëpërfshirëse.

Festimi i një dite të tillë nuk duhet të kufizohet vetëm në një kujtim dhe të konsumohet si një ëmbëlsirë feste, por meriton të jetë si një vakt i bollshëm që ushqen dhe ngop. Të thuash “grua” dhe të thuash “nënë” do të thotë t’u referohesh koncepteve që evokojnë “krijimin” dhe “gjenerimin”, pra, koncepte që lidhen drejtpërdrejt me jetën njerëzore. Por janë edhe koncepte që na bëjnë të mendojmë për Zotin, krijuesin dhe zotin e jetës.

Çdo jetë njerëzore meriton respekt, por pikërisht për shkak të lidhjes së thellë me idenë e Zotit dhe me mbrojtjen e jetës, çdo grua, çdo nënë dhe çdo mësues meriton të vlerësohet shumë… gjithmonë, dhe jo vetëm në këtë ditë që u është kushtuar atyre.

Për fat të keq, gjithnjë e më shpesh dëgjojmë të flitet për mënyrën se si jeta e grave nuk vlerësohet sa duhet: keqtrajtime, martesa me kontratë, vajza të martuara që në fëmijëri, madje edhe vrasje. Ka ardhur koha për një kthesë të vërtetë të zemrës, për një ndryshim mentaliteti që përfshin seriozisht të gjitha shtresat e jetës sonë shoqërore, duke filluar nga familja, vendi ku gruaja duhet të vlerësohet më së shumti si bashkëshorte, si nënë, si bijë, si motër.

Nuk bëhet fjalë për të bërë “feminizëm”, por për ta rikthyer idenë e gruas tek ajo që përcakton më së miri dinjitetin e saj; nuk bëhet fjalë as për të zvogëluar rolin e mashkullit, por për ta afruar sa më shumë me idenë e Zotit në momentin e Krijimit: “Mashkull dhe Femër Ai i krijoi”. Po, në njëjës, pikërisht për të thënë se bëhet fjalë për një qenie të vetme, por me dallime që e bëjnë atë të plotësojë njëri-tjetrin, në mënyrë që të jenë përballë njëri-tjetrit me të njëjtin dinjitet.

Për të gjitha gratë, në këtë ditë, propozoj figurën e një Gruaje e Mësuese të shkëlqyer, Nënën e Jezusit. Një figurë për t’u imituar në tiparet e saj të veçanta, si nga këndvështrimi njerëzor ashtu edhe nga ai shpirtëror. Dhe të gjitha ju ia besoj Marisë, duke ju shoqëruar me bekimin tim atëror.

Adresa: Sheshi “Gjon Pali II”- Shkodër – Albania. Tel: 0035522242744 E-Mail: curiashkoder@hotmail.com – Web page: kishakatolikeshkoder.com