Scroll Top

MESAZHI I KRESHMËS 2025

cover

Arqidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult
MESAZHI I KRESHMËS 2025

Të dashur vëllezër dhe motra,

Me kremtimin e së Mërkurës së Përhime kemi filluar Kohën e Kreshmës, gjatë së cilës jemi të thirrur edhe një herë të ndërmarrim një udhëtim pendese dhe ripërtëritjeje shpirtërore për përgatitjen e gëzimit të madh të Pashkëve. Kjo kohë e shenjtë, që na dhuron Kisha, nuk është thjesht një kohë sakrifice dhe mohimi, por është një mundësi e vërtetë për të rizbuluar identitetin tonë pagëzimor dhe për t’u rilindur “nga lart”, nga dashuria e Zotit (krh. Gjn 3,3).

Meqenëse Kreshma është e drejtuar ndaj Pashkës,ndaj jetës së re të Krishtin, udhëtimi ynë është i shënuar nga shpresa. Në fakt, tek ne, “pelegrinët e shpresës”, çdo heqje dorë, çdo

përpjekje, çdo lutje dhe çdo akt dashurie janë mjete që na lejojnë të pastrojmë zemrën, të çlirohemi nga ato që na mbajnë të burgosur dhe të hapemi ndaj lirisë së vërtetë, asaj lirie që vjen nga takimi me të Ngjallurin. Ashtu si populli i Izraelit, duhet të lëmë pas gjendjen e skllavërisë dhe të mëkatit për të ndërmarrë një rrugëtim lirie. Shkretëtira e Kreshmës nuk është një vend humbjeje, por kthimi, është një kohë hiri në të cilën, përmes Fjalës së Zotit, mund të ri-zbulojmë bukurinë e jetës së re që Zoti na ofron.

Rruga e Kreshmës duhet të jetë një rrugëtim komunitar dhe jo individual. Siç thotë Papa Françesku në mesazhin e tij për Kreshmën: “Të krishterët janë të thirrur të ecin së bashku, asnjëherë si udhëtarë të vetmuar. Të ecësh së bashku do të thotë të jesh një endës i unitetit, duke filluar nga dinjiteti i përbashkët i bijve të Zotit (krh. Gal 3,26-28); do të thotë të ecësh krah për krah, pa e shkelur ose shtypur tjetrin, pa ushqyer smirë ose hipokrizi, pa e lënë askënd pas ose të ndihet i përjashtuar. Ne ecim në të njëjtin drejtim, drejt të njëjtit qëllim, duke dëgjuar njëri-tjetrin me dashuri dhe durim.” Le të lejojmë që

në këtë kohë të Kreshmës të rritet bashkimi në familjet dhe komunitetet tona; le të angazhohemi të jemi ndërtues të unitetit dhe mbjellës të vëllazërisë dhe paqes.

Dyzet ditët e Kreshmës janë një kohë e përshtatshme për t’u shndërruar nga mëshira e Zotit, për të njohur rëniet tona, por edhe për të përjetuar gëzimin e durimin e Tij të pafund, që gjithmonë na ngre dhe na jep një fillim të ri. Le t’i afrohemi më shumë sakramentit të Rrëfimit dhe hirit të ndjesës së plotë në këtë vit jubilar. Ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të takuar fytyrën e mëshirshme të Atit.

Të dashur, shpëtimi ynë është një dhuratë nga Zoti, por si çdo histori dashurie, kërkon përgjigjen tonë personale. Kreshma është koha e përshtatshme për të rinovuar këtë “po”, për të rizbuluar bukurinë e një zemre të pajtuar me Zotin dhe me vëllezërit, për të rritur në lutje dhe në dashuri konkrete ndaj atyre që janë në nevojë.

Ju ftoj, pra, ta jetoni këtë kohë si një mundësi hiri, me shikimin gjithmonë të drejtuar drejt dritës së Pashkëve e të jemi të sigurt se Zoti na udhëheq dhe na pret me krahët e hapur.

Le t’ia besojmë udhëtimin tonë të Kreshmës ndërmjetësimit amnor të Marisë, e cila na shoqëron me dashurinë e afërsinë e saj. Zoti na dhëntë hirin të arrijmë Pashkën me një zemër të ripërtërirë, gati për tu ringjallur me Krishtin, në jetë të re.

Kohë Kreshme të Shenjtë
Imzot Giovanni Peragine Arqipeshkëv