Të nderuar Vëllezër në Episkopat Të nderuar Meshtarë,
Të nderuar Regulltarë dhe Regulltare,
Të nderuar besimtarë të Arqidioqezës Shkodër-Pult!
Kremtimi i sotëm më sheh që ta udhëheq për herë të fundit si Arqipeshkvi juaj, në ushtrimin e plotë të “munus sanctificandi”-t (pushtetin për të shenjtëruar), Eukaristinë e Shenjtë, vendin më të lartë të bashkimit me Hyjin dhe mes nesh. Zgjedhja e kësaj dite solemne për ta përshëndetur Dioqezën është për shkak të përvjetorit të njëzetetetë të Shugurimit tim Ipeshkvnor, për të cilin dëshiroj ta falënderoj Zotin me gjithë zemër.
Pjesa ungjillore e 10 të gërbulurve të shëruar na mëson rëndësinë e njohjes së të mirave që Zoti na jep dhe të falënderimit që i takon Atij. Kumtimi i Pashkës që dëgjuam pas Ungjillit na kujtoi se Zoti Jezus është qendra e gjithësisë: ai është “Zoti i kohës dhe i historisë” dhe gjithçka duhet t’i referohet Atij. Pra, në Jezusin, unë e rilexoj shërbimin tim ipeshkvnor mes jush dhe e falënderoj Atë, ndërsa nuk mund të mos kujtoj me mirënjohjen dhe me dashurinë e një biri të dashur Shën Gjon Palin II, i cili i shtriu duart mbi mua 28 vjet më përpara.
Për herë të fundit ushtroj edhe “munus docendi”-n (pushtetin për të mësuar) të ipeshkvit, duke “thyer” me ju “bukën” e Fjalës së Hyjit.
Tregimi i Mateut ungjilltar për rrugëtimin e fesë që i çoi dijetarët në takim me Mbretin e porsalindur të Izraelit qëndron – siç ndodh shpesh në Ungjillin e tij – në konfirmimin e Besëlidhjes së Vjetër, duke parë në krejt zhvillimin e saj orientimin e padiskutueshëm drejt personit të Jezu Krishtit.
Kështu, lehtësisht mund të shohim marrëdhënien me profecinë e Isaisë që dëgjuam në leximin e parë, ku mund të shohim, si të mbivendosura, figurat e Mesisë dhe të Jerusalemit-Izraelit drejt të cilëve krejt njerëzimi duhet të priret nëse dëshiron ta takojë Zotin e lavdisë.
Nuk duhet të na çorientojë kjo mbivendosje e shumë figurave në planin e Hyjit, aq më tepër kur qëllimi i Isaisë profet është që t’i flasë Izraelit për ta bërë të vetëdijshëm për rolin e tij misionar në mesin e të gjithë popujve për t’i udhëhequr ata kah Hyji, ashtu si qëllimi i Mateut ungjilltar është që t’i flasë Kishës së të gjitha kohëve për ta bindur atë për të njëjtin identitet dhe mision.
Jezu Krishti, na thotë Shën Pali në leximin e dytë, e vendos veten në qendër të këtyre dy periudhave të një lëvizjeje të vetme të njerëzimit drejt Hyjit: “Njerëzit janë thirrur në Jezu Krishtin për të bashkëndarë të njëjtën trashëgimi, për të formuar të njëjtin trup dhe për të qenë pjesëmarrës të të njëjtit premtim nëpërmjet Ungjillit”.
Atëherë, ky solemnitet, ndërsa na bën ta soditim edhe një herë Misterin e Mishërimit të Birit të Hyjit, na jep një tjetër çelës leximi për ta kuptuar këtë mister: “shfaqja (kështu do të thotë fjala “epifani”) e Birit të Hyjit” nuk është vetëm e rëndësishme në vetvete, por është e rëndësishme edhe për identitetin tonë si Kishë, si popull i ri i Hyjit. Prerogativat e Izraelit të lashtë, falë Jezu Krishtit, janë bërë edhe prerogativat tona: domethënë jemi të thirrur për të qenë misionarë mes të gjithë njerëzve; jemi të thirrur që të jemi, si Kishë, mjeti nëpërmjet të cilit secili mund të arrijë te Hyji.
Me të drejtë në këtë ditë simboli i ujit të shenjtë ka një rëndësi të madhe; por duhet të pastrohet që të mos kuptohet vetëm në kuptimin e devotshëm, por më tepër në kuptimin e vet të vërtetë: një lidhje e thellë me pagëzimin që kemi marrë dhe që edhe një herë do të kujtohet nga liturgjia e dielës së ardhshme, në përfundim të Kohës së Krishtlindjes.
Pagëzimi, vëllezër e motra, na ka bërë “Krishta të tjerë”: si Krishti bij të Hyjit Atë, si Krishti gjymtyrë të trupit të Kishës së cilës Ai është kreu, si Krishti meshtarë për ta shenjtëruar botën dhe kohën në të cilën jetojmë, si Krishti jemi bërë mbretër për ta drejtuar veten tonë kah e mira dhe për të ndikuar mbi zgjedhjet shoqërore për të mirën e përbashkët, dhe si Krishti jemi profetë për t’ua kumtuar të gjithëve Ungjillin e shpëtimit. Kjo është detyra e çdo të pagëzuari!
Por, duke vazhduar të meditojmë mbi Ungjillin që dëgjuam, mund të shohim edhe elemente të tjerë që na ndihmojnë të kuptojmë se ku t’i vëmë themelet e të qenit tonë misionarë. Në fakt, nuk mjafton që
të kemi një vetëdije teologjike për pagëzimin që na ka bërë misionarë për nga natyra (e dimë se mes të thënit dhe të bërit shpesh lindin pengesa që e vënë në vështirësi të qenit tonë të krishterë); nevojitet diçka tjetër: nevojitet “urtia e veprave”. Le ta mësojmë atë nga njerëzit e urtë të Ungjillit. Ata na ofrojnë disa udhëzime të vlefshme.
Udhëzimi i parë është “kërkimi”. A mund ta quajmë veten vërtet të krishterë nëse feja jonë nuk është e gjallë? Një fe e vërtetë është një fe që nuk lodhet kurrë së kërkuari Hyjin në të gjitha situatat e jetës. Hyji është ai “yll” që kërkon të ndiqet; dhe rrugëtimi për ta ndjekur yllin është përshkuar dhe na është dhuruar neve nga Kisha: Fjala e Hyjit, Doktrina e Krishterë, Sakramentet, shenjat e kohës, fjalët e urta dhe këshillat e mira… e gjithë kjo na mundëson një ecje personale e bashkësiore kah Hyji. Mos i mungofshin kurrë Kishës sonë këto përkujdesje.
Udhëzimin e dytë e gjejmë te “shtegtimi”. Tashmë kjo fjalë, falë Jubileut që po jetojmë, po hyn gjithnjë e më shumë në fjalorin tonë. Shtegtimi i njerëzve të urtë që shkojnë te Jezusi ka sjellë pasiguri, përvujtëri për të kërkuar pa pretenduar se dinë gjithçka (këtu qëndron urtia e vërtetë!), aftësi për t’i lexuar shenjat, vendosmëri dhe qëndrueshmëri në ecje, por sidomos fe dhe padyshim shpresë. Edhe ne, të dashur vëllezër e motra, jemi gjithmonë në ecje dhe si të tillë duhet t’i kalojmë të gjitha këto sprova dhe na kërkohen këto aftësi. Të mos e humbasim shpresën!
Udhëzimi i tretë: “Të gëzuarit”. Ashtu si njerëzit e urtë u gëzuan kur panë yllin, ashtu edhe ata që bëjnë një ecje duhet ta bëjnë këtë me gëzimin e të pasurit gjithmonë para syve të tyre atë që i drejton. Nëse e humbasim qëllimin përfundimtar të jetës sonë humbasim edhe orientimin e rrezikojmë të humbasim në mijëra rrugë, të cilat nuk janë rruga kryesore. Sa vetë, për fat të keq, e humbasin rrugën duke e lënë veten që të pengohen nga gjërat e botës… pavarësisht Pagëzimit që kanë marrë! Por edhe në këtë gjë bashkësia e krishterë duhet ta pyesë veten: çfarë duhet të bëjmë për të mos lejuar që vëllezërit dhe motrat tona më të dobëta të humbasin?
Udhëzimi i katërt qëndron tek qëllimi: “adhurimi”. Ky është qëllimi përfundimtar. Por të mos e mendojmë vetëm si një pikë mbërritjeje në fund të shtegtimit tonë: kërkimi, ecja e adhurimi janë elemente të përditshme për të krishterin; çdo ditë përbëhet nga rritja e fesë, nga tejkalimi i vështirësive (sidomos i egoizmit që na mbyll) dhe nga adhurimi. Prandaj, të adhurosh do të thotë ta njohësh personalisht dhe nëpërmjet përvojës misterin e Hyjit.
Vëllezër dhe motra, po ju lë këtë mësim të fundit të Ungjillit si trashëgimi timen: jini një Kishë e vetëdijshme për thirrjen e saj për ta mishëruar Krishtin në kohën e tanishme dhe për misionin e saj për t’i çuar të gjithë njerëzit tek Ai; por pa mendjemadhësinë e superioritetit, por me përvujtërinë dhe urtinë e atyre që e dinë se janë mes bashkëkohësve të tyre si “shtegtarë” gjithmonë në kërkim, të gëzuar në shpresë, asnjëherë të ngopur me njohjen e Hyjit duke e adhuruar atë.
“Munus”-i tjetër i ipeshkvit është “munus regendi” (pushteti për të qeverisur): ia besoj me shumë besim pasardhësit tim të nderuar në katedrën e Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine-s, të cilit i shpreh gjithë vlerësimin tim dhe i bëj urimet e mia më të sinqerta për një shërbim të frytshëm mes jush. Po e mbyll duke falenderuar jo vetëm Hyjin, por edhe të gjithë ju pa u futur në detaje për të mos lënë askënd jashtë: fytyrat tuaja janë të dashura për mua dhe mbeten të pashlyeshme në kujtesën time; si ata
që më shoqëruan në shërbim, ashtu edhe ata që e panë të arsyeshme të mos e bëjnë atë.
Kërkoj falje nëse kam bërë keq ndonjë gjë dhe fal me gjithë zemër, sipas mësimit të Mësuesit dhe Zotit tim Jezu Krishtit.
Po kthehem në tokën time të origjinës dhe në Urdhrin e Fretërve Minorë, që më dërgoi mes jush si misionar. Po ju lë me fjalët e atit tim Shën Françeskut. Në fund të jetës së tij, pasi realizoi të gjitha të mirat për të cilat ishte i aftë, iu drejtua vëllezërve të tij me këto fjalë: “Të fillojmë, o vëllezër, që t’i shërbejmë Zotit Hyj, sepse deri tani kemi bërë pak ose aspak!”. Dhe përsëri u tha fretërve: “Unë e bëra detyrën time; përsa u përket juve, Krishti jua mësoftë atë!”.
Atij i qoftë nderi, fuqia dhe lavdia në shekuj të shekujve. Amen.