Scroll Top

Mesazhi i Shenjtërisë së Tij Françeskut për Ditën LVIII Botërore të Paqes. 1 janar 2025

Coat_of_arms_of_Franciscus.svg

NA I FAL FAJET TONA,

JEPNA PAQEN TËNDE

I. Në dëgjim të britmës së njerëzimit të kërcënuar

1. Në agimin e këtij viti të ri që na e dhuroi Ati qiellor, kohë Jubilare kushtuar shpresës, urimet e mia më të sinqerta për paqe ia drejtoj çdo gruaje dhe burri, veçanërisht atyre që ndihen të poshtëruar në gjendjen e tyre ekzistenciale, të dënuar nga gabimet vetjake, të shtypur nga gjykimi i të tjerëve dhe nuk arrijnë të shohin më asnjë perspektivë për jetën e tyre. Për të gjithë ju, shpresë e paqe, sepse ky është një Vit Hiri, i cili vjen nga Zemra e Shëlbuesit!

2. Në vitin 2025 Kisha Katolike kremton Jubileun, një ngjarje e shënuar që i mbush zemrat me shpresë. “Jubileu” na shpie te një traditë e lashtë judaike, kur, çdo dyzet e nëntë vjet, tingulli i bririt të dashit (në hebraisht yobel) shpallte mëshirë dhe çlirim për mbarë popullin (krh. Lev 25,10). Ky apel solemn, idealisht, duhej të jehonte për mbarë botën (krh. Lev 25,9), për të rivendosur drejtësinë e Hyjit në rrafshe të ndryshme të jetës: në përdorimin e tokës, në zotërimin e të mirave, në marrëdhëniet me të afërmin, veçanërisht përballë më të varfërve dhe atyre që ishin të shpronësuar. Tingulli i borisë i kujtonte mbarë popullit, të pasurve dhe atyre që ishin varfëruar, se asnjë njeri nuk vjen në botë për të qenë i shtypur: jemi vëllezër e motra, bij të të njëjtit Atë, të lindur për të qenë të lirë sipas vullnetit të Zotit (krh. Lev 25,17.25.43.46.55).

3. Edhe sot, Jubileu është një ngjarje që na shtyn për ta kërkuar drejtësinë çliruese të Hyjit në mbarë dheun. Në vend të bririt, në fillim të këtij Viti të Hirit, dëshirojmë të vihemi në dëgjim të «britmës së dëshpëruar për ndihmë» [] që, ashtu si zëri i gjakut të Abelit, të drejtit, ngrihet nga shumë anë të botës (krh. Zan 4,10) e që Hyji s’pushon kurrë së dëgjuari. Edhe ne ndihemi të thirrur që t’u japim zë shumë situatave të shfrytëzimit të tokës e të shtypjes së të afërmit []. Këto padrejtësi ndonjëherë marrin pamjen e asaj që Shën Gjon Pali II i përcaktoi si «struktura të mëkatit» [], pasi ato nuk janë vetëm për shkak të paudhësisë së disave, por, si të thuash, janë konsoliduar dhe mbështeten mbi një bashkëfajësi të zgjeruar.

4. Secili prej nesh duhet të ndihet në një farë mënyre përgjegjës për rrënimin të cilit i është nënshtruar shtëpia jonë e përbashkët, duke u nisur nga ato veprime që, qoftë edhe vetëm në mënyrë indirekte, ushqejnë konfliktet që po e frushkullojnë njerëzimin. Kështu, sfidat sistemore, të dallueshme, por të ndërlidhura, që e prekin planetin tonë, nxiten dhe ndërthuren []. I referohem, në veçanti, pabarazive të çdo lloji, trajtimit çnjerëzor ndaj emigrantëve, degradimit të mjedisit, konfuzionit të shkaktuar fajësisht nga keqinformimi, refuzimit të çdo lloj dialogu, financimit të madh në industrinë ushtarake. Të gjitha këto janë faktorë të një kërcënimi konkret ndaj ekzistencës së mbarë njerëzimit. Prandaj, në fillim të këtij viti duam të vihemi në dëgjim të kësaj britme të njerëzimit për t’u ndierë të thirrur, të gjithë, së bashku dhe personalisht, për t’i copëtuar zinxhirët e padrejtësisë e për ta shpallur drejtësinë e Hyjit. Nuk mjafton ndonjë akt episodik filantropie. Përkundrazi, nevojiten ndryshime kulturore dhe strukturore në mënyrë që të ndodhin ndryshime të qëndrueshme [].

II. Një ndryshim kulturor: ne jemi të gjithë borxhli

5. Ngjarja Jubilare na fton të ndërmarrim ndryshime të ndryshme për t’i bërë ballë gjendjes aktuale të padrejtësisë dhe pabarazisë, duke u kujtuar se të mirat e tokës janë të caktuara jo vetëm për disa njerëz të privilegjuar, por për të gjithë []. Është e dobishme ta kujtojmë atë që shkruante Shën Bazili i Cezaresë: «Më thuaj, cilat gjëra janë të tuat? Nga ku i ke marrë ato për t’i futur në jetën tënde? […] A nuk dole plotësisht lakuriq nga barku i nënës sate? A nuk do të kthehesh përsëri lakuriq në tokë? Prej ku të vjen ajo që ke tani? Po të thoshe se vjen nga rastësia, do të mohoje Hyjin, duke mos e njohur Krijuesin, e nuk do të ishe mirënjohës ndaj Dhuruesit» []. Kur mungon mirënjohja, njeriu nuk i njeh më dhuratat e Hyjit. Mirëpo, në mëshirën e tij të pakufi, Zoti nuk i braktis njerëzit që mëkatojnë kundër Tij: përkundrazi, ai e përforcon dhuratën e jetës me faljen e shpëtimit, të ofruar për të gjithë njerëzit nëpërmjet Jezu Krishtit. Prandaj, duke na mësuar lutjen “Ati ynë”, Jezusi na fton të kërkojmë: «Na i fal fajet tona» (Mt 6,12).

6. Kur një person e shpërfill lidhjen e tij me Atin, ai fillon të ushqejë mendimin se marrëdhëniet me të tjerët mund të dirigjohen sipas një logjike shfrytëzimi, ku më i forti pretendon se ka të drejtën të abuzojë ndaj më të dobëtit []. Ashtu si elitat në kohën e Jezusit, që përfitonin nga vuajtjet e më të varfërve, ashtu edhe sot, në fshatin global të ndërlidhur [], sistemi ndërkombëtar, nëse nuk ushqehet nga logjika e solidaritetit dhe e ndërvarësisë, përfton padrejtësi, të rënduara nga korrupsioni, të cilat i zënë në kurth vendet e varfra. Logjika e shfrytëzimit të borxhliut përshkruan shkurtimisht edhe “krizën aktuale të borxhit”, e cila po mundon vende të ndryshme, veçanërisht në Jug të botës.

7. Nuk lodhem duke përsëritur se borxhi i jashtëm është kthyer në një mjet kontrolli, përmes të cilit, disa qeveri dhe institucione financiare private në vendet më të pasura, nuk ndiejnë vrarje të ndërgjegjes për shfrytëzimin arbitrar të burimeve njerëzore e natyrore të vendeve më të varfra, vetëm për të kënaqur nevojat e tregjeve të tyre []. Kësaj i shtohet fakti që popullsi të ndryshme, tashmë të rënduara nga borxhi ndërkombëtar, janë të detyruara që ta mbajnë edhe barrën e borxhit ekologjik të vendeve më të zhvilluara []. Borxhi ekologjik dhe borxhi i jashtëm janë dy anët e së njëjtës medalje, të kësaj logjike shfrytëzimi, e cila kulmon me krizën e borxhit []. Duke marrë shtysë nga ky Vit jubilar, ftoj bashkësinë ndërkombëtare që të ndërmarrë veprime për faljen e borxhit të jashtëm, duke njohur ekzistencën e një borxhi ekologjik midis Veriut dhe Jugut të botës. Është një apel për solidaritet, por mbi të gjitha për drejtësi [].

8. Ndryshimi kulturor dhe strukturor, për të kapërcyer këtë krizë, do të ndodhë kur më në fund ta njohim veten si bij të Atit dhe, përpara Tij, të rrëfejmë se jemi të gjithë borxhli, por edhe të gjithë të nevojshëm për njëri-tjetrin, sipas një logjike të përgjegjësisë së bashkëndarë e të dalluar. Do të jemi në gjendje që ta kuptojmë, «një herë e mirë, se kemi nevojë për njëri-tjetrin e se jemi borxhli ndaj njëri-tjetrit» [].

III. Një rrugëtim shprese: tri veprime të mundshme

9. Nëse lejojmë të prekemi në zemër nga këto ndryshime të nevojshme, Viti i Hirit të Jubileut do të mund të rihapë rrugën e shpresës për secilin prej nesh. Shpresa lind nga përvoja e mëshirës së Hyjit, e cila është gjithmonë e (pakufishme) pakufizuar [].

Hyji, i cili nuk ka detyrim ndaj askujt, vazhdon t’u japë pareshtur hir dhe mëshirë të gjithë njerëzve. Izaku i Ninivës, një Atë i Kishës Lindore të shekullit VII, shkruante: «Dashuria jote është më e madhe se borxhet e mia. Valët e detit janë një asgjë në krahasim me numrin e mëkateve të mia, por nëse i peshojmë mëkatet e mia, në krahasim me dashurinë tënde, ato zhduken si një asgjë» []. Hyji nuk e llogarit të keqen e kryer nga njeriu, por është pamasë «i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe me të cilën na deshi» (Ef 2,4). Në të njëjtën kohë, dëgjon britmën e të varfërve e të dheut. Në fillim të këtij viti, mjafton të ndalemi për një çast duke menduar për hirin me të cilin çdo herë na i fal mëkatet e na i fal të gjitha borxhet, që zemra jonë të vërshohet nga shpresa dhe paqja.

10. Për këtë arsye, Jezusi, në lutjen “Ati ynë”, vendos pohimin shumë kërkues «si i falim ne fajtorët [borxhlitë] tanë» pasi i kemi kërkuar Atit faljen e fajeve [borxheve] tona (krh. Mt 6,12). Njëmend, për t’ua falur të tjerëve një borxh e për t’u dhënë atyre shpresë, nevojitet që jeta e njeriut të jetë plot me të njëjtën shpresë që vjen nga mëshira e Hyjit. Shpresa është tejet e begatë në bujari, pa llogaritje, nuk i bën hesapet në xhepin e të varfërve, nuk brengoset për përfitimin vetjak, por ka vetëm një qëllim: të ringrisë ata që janë rrëzuar, të kurojë zemrat e thyera, të çlirojë nga çdo formë skllavërie.

11. Prandaj, do të doja që, në fillim të këtij Viti të Hirit, të sugjeroja tre veprime që mund t’ia rikthejnë dinjitetin jetës së mbarë popullsive dhe t’i vënë ato në rrugën e shpresës, në mënyrë që të mund të tejkalohet kriza e borxhit dhe të gjithë të kthehen te njohja se janë borxhli të falur.

Më së pari, rimarr apelin që bëri Shën Gjon Pali II me rastin e Jubileut të vitit 2000, për të menduar për një «ulje të mirë, në mos një falje tërësore, të borxhit ndërkombëtar, që rëndon mbi fatin e shumë kombeve» []. Duke njohur borxhin ekologjik, vendet më të pasura të ndihen të thirrura që të bëjnë çmos për të falur borxhet e atyre vendeve që nuk janë në gjendje ta paguajnë detyrimin. Natyrisht, që të mos jetë një akt i izoluar bamirësie, i cili më pas rrezikon të shkaktojë sërish një rreth vicioz financimi-borxhi, është njëkohësisht e nevojshme që të zhvillohet një arkitekturë e re financiare, e cila çon në krijimin e një Karte financiare globale, e themeluar mbi solidaritetin dhe harmoninë mes popujve.

Për më tepër, kërkoj një angazhim të vendosur për të promovuar respektin ndaj dinjitetit të jetës njerëzore, që nga ngjizja deri në vdekjen natyrore, në mënyrë që çdo person të mund ta dojë jetën e vet e ta shikojë të ardhmen me shpresë, duke dëshiruar zhvillimin dhe lumturinë për veten dhe fëmijët e tij. Njëmend, nëse jemi pa shpresë në jetë, është e vështirë që te zemrat e të rinjve të ngallitë dëshira për të lindur jetë të tjera. Këtu, në veçanti, dëshiroj të ftoj edhe një herë për një gjest konkret që mund të përkrahë kulturën e jetës. E kam fjalën për heqjen e dënimit me vdekje në të gjitha kombet. Në të vërtetë, kjo dispozitë, përveçse komprometon pacenueshmërinë e jetës, asgjëson çdo shpresë njerëzore për falje dhe ripërtëritje [].

Guxoj gjithashtu të bëj një apel tjetër, duke iu referuar Shën Palit VI dhe Benediktit XVI [], për breznitë e reja, në këtë kohë të shënuar nga luftërat: të përdorim të paktën një përqindje fikse të parave që përdoren për armatim, për të krijuar një Fond botëror që zhduk përfundimisht urinë dhe lehtëson, në vendet më të varfra, veprimtaritë edukative që synojnë promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, duke kundërshtuar ndryshimet klimatike []. Duhet të përpiqemi që të eliminojmë çdo pretekst që mund t’i shtyjë të rinjtë ta parafytyrojnë të ardhmen e tyre si të pashpresë, ose si në pritje për t’u hakmarrë për gjakun e njerëzve të tyre të dashur. E ardhmja është një dhuratë për të shkuar përtej gabimeve të së kaluarës, për të ndërtuar udhë të reja paqeje.

IV. Caku i paqes

12. Ata që, nëpërmjet gjesteve të sugjeruara, marrin përsipër rrugëtimin e shpresës, do të mund ta shohin gjithnjë e më të afërt cakun e shumëpritur të paqes. Psalmisti na përforcon në këtë premtim: kur «mëshira dhe e vërteta do të takohen, drejtësia dhe paqja do të merren ngrykë» (Ps 85,11). Kur zhvishem nga arma e kredisë dhe ia dhuroj sërish rrugën e shpresës një motre apo vëllai, kontribuoj në rivendosjen e drejtësisë së Hyjit në këtë tokë dhe vihem në rrugëtim, bashkë me atë person, drejt cakut të paqes. Sikurse thoshte Shën Gjoni XXIII, paqja e vërtetë mund të lindë vetëm nga një zemër e çarmatosur nga ankthi dhe frika e luftës [].

13. Viti 2025 qoftë një vit në të cilin paqja rritet! Ajo paqe e vërtetë dhe e qëndrueshme, e cila nuk ndalet në kleçkat e kontratave apo në tryezat e kompromiseve njerëzore []. Ne kërkojmë paqen e vërtetë, e cila i dhurohet prej Hyjit zemrës së çarmatosur: një zemre që nuk ngul këmbë duke llogaritur çfarë është e “imja” e çfarë është e “jotja”; një zemre që e shkrin egoizmin nga gatishmëria për t’iu gjendur të tjerëve; një zemre që nuk ngurron ta njohë veten si borxhli ndaj Hyjit e për këtë arsye është gati të falë borxhet që shtypin të afërmin; një zemre që tejkalon shkurajimin ndaj të ardhmes me shpresën se çdo person është një burim për këtë botë.

14. Çarmatosja e zemrës është një gjest që i përfshin të gjithë, nga i pari tek i fundit, nga më i vogli te më i madhi, nga më i pasuri te më i varfëri. Ndonjëherë mjafton diçka e thjeshtë si «një buzëqeshje, një gjest miqësie, një vështrim vëllazëror, një dëgjim i sinqertë, një shërbim falas» []. Me këto gjeste të vogla-të mëdha, ne i afrohemi cakut të paqes dhe do të arrijmë atje më shpejt, sa më shumë që, gjatë rrugës së bashku me vëllezërit dhe motrat tona të rigjetur, e njohim se tashmë kemi ndryshuar në krahasim me mënyrën se si jemi nisur. Njëmend, paqja nuk vjen vetëm me përfundimin e luftës, por me fillimin e një bote të re, një bote në të cilën ne e njohim veten ndryshe, më të bashkuar e më vëllezër nga sa do ta kishim imagjinuar.

15. Jepna, o Zot, paqen tënde! Kjo është lutja që e lartësoj te Hyji ndërsa u drejtoj urimet e mia për vitin e ri Krerëve të shteteve dhe qeverive, Përgjegjësve të Organizatave ndërkombëtare, Udhëheqësve të feve të ndryshme, çdo njeriu vullnetmirë.

Na i fal borxhet tona, o Zot,

si i falim ne borxhlitë tanë,

dhe në këtë rreth faljeje, jepna paqen tënde,

atë paqe që vetëm Ti mund t’ua dhurosh

atyre që lejojnë t’u çarmatoset zemra,

atyre që me shpresë duan t’ua falin borxhet vëllezërve të tyre,

atyre që pa frikë rrëfejnë se janë borxhli ndaj Teje,

atyre që nuk mbeten të shurdhër ndaj britmave të më të varfërve.

Nga Vatikani, 8 dhjetor 2024

FRANÇESKU