Homelia 24/09/2024
50 vjetori meshtarisë të Imzot Angelo Massafra
Qofte Levduar Jezu Krishti!
Në jetën e çdo meshtari fjala “falenderim” realizohet pothuajse çdo ditë: mendoj për formularin më të përdorur të lutjes eukaristike, i dyti, ku thuhet, edhe në emër të krejt popullit “të falënderojmë që na lejove të qëndrojmë para e të të shërbejmë ty”.
Por ka momente të veçanta si ky, në të cilët e kemi për detyrë t’ia shprehim falënderimet tona Hyjit që e shikoi me dashamirësi personin tonë dhe na zgjodhi midis vëllezërve të tjerë në fe për të kryer një mbarështim specifik, atë meshtarak.
Dhe është pikërisht në momente të tilla, që, duke rikujtuar historinë time, nuk është aspak e vështirë që të dalë në pah vetëdija për pamjaftueshmërinë time; kështu që ndjenja e falënderimit nuk është më diçka formale, por vërtet e ndjerë: pavarësisht nga pamjaftueshmëria ime, Hyji ka dashur të më zgjedhë mua si bari dhe përfaqësues të tij përpara vëllezërve dhe motrave të mia.
Sa të vërteta janë fjalët e Jeremisë profet që dëgjuam në leximin e parë: “Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë”. Megjithatë, edhe me mua Hyji veproi si me profetin: shtriu dorën, më preku gojën dhe më tha: “Ja, unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde”. Shpesh kam përjetuar se si fjalët e thëna në homeli të ndryshme, në dialogun personal të drejtimit shpirtëror apo në kremtimin e sakramenteve nuk ishin të miat, por Zoti me të vërtetë kishte diçka për të thënë dhe më përdori mua të shkretin për të arritur ato zemra.
Prej këtu rrjedh gatishmëria ime për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit. Shikoni… çdo thirrje, duke përfshirë edhe atë të mbarështimit meshtarak, mund të lindë në shumë mënyra (takime, lexime të ngjarjeve, rrethana të rastësishme, dëgjim i një fjale, madje edhe një ftesë specifike), por nëse nuk e kuptojmë se vjen nga Zoti, rrezikojmë të jemi vetëm vetë-referues në çdo zgjedhje jete që bëjmë.
Po jap shembullin e thirrjes martesore të krishterë: sa bashkëshortë të krishterë e filluan udhëtimin e tyre duke u nisur nga vetëdija se ai partner ishte personi që Hyji po vendoste pranë tyre në atë moment? Ndoshta shumë pak! Personat zgjedhin njëri-tjetrin, dhe është e drejtë, por a janë edhe të bindur se ata janë zgjedhur prej Hyjit? Ta mendojmë këtë gjë!
Me Psalmin e kësaj Meshe dua të them “Po, o Zot! Unë e ripërtërij përgjigjen time ndaj teje, që më thirre për të shpallur shpëtimin tënd”.
Sot kisha mundësi të zgjidhja midis leximeve të propozuara nga riti; zgjodha si lexim të dytë atë të Letrës së dytë të Shën Palit drejtuar Korintianëve ku përsëritet motoja që zgjodha për mbarështimin tim ipeshkvnor: “Pajtohuni me Hyjin”. Thirrja, vëllezër dhe motra, nuk konsiston vetëm në momentin e thirrjes dhe të përgjigjes fillestare: thirrja përbëhet nga shumë faza.
Duke ardhur në Shqipëri fillimisht si Frat Minor dhe më pas si Ipeshkëv, kuptova një specifikë tjetër të thirrjes sime meshtarake: urgjencën për t’u bërë misionar i pajtimit në një kohë të karakterizuar nga hakmarrja dhe grindjet e brendshme, në një kontekst që po çlirohej nga një skllavëri e tmerrshme diktatoriale, bashkë me rreziqet që sillte një gjë e tillë. Si mund ta bëja Zotin të pranishëm në këtë situatë? Këtu më erdhi në ndihmë një mbarështim i veçantë që çdo meshtar duhet ta ketë për zemër: mbarështimi i pajtimit.
Për Shën Palin, ky mbarështim lidhej me kontekstin e paqësimit midis të krishterëve që vinin nga judaizmi dhe atyre që vinin nga paganët; këtu ishte e nevojshme
që të pajtohej shqiptari me veten e vet dhe kështu të sillte paqe në një kontekst të ri, por tepër të trazuar. Edhe për këtë ndërgjegjësim të ri falënderoj Hyjin që, në mbarështim, më pasuroi me një shkallë të re meshtarake me vënien e duarve nga Shën Gjon Pali II.
Më pas, maturimi i vetëdijes thirrore nuk u ndal këtu: ka gjithmonë një “sot” që nuk duhet anashkaluar, një mundësi e re çdo ditë për ta bërë thirrjen dhe zgjedhjen tonë gjithnjë e më të sigurt (shih 2 Pjt 1, 10-11); ose, siç thoshte Shën Françesku në fund të jetës së tij të lumë,“të fillojmë vëllezër, sepse deri tani kemi bërë shumë pak!”. Çdo ditë e re që na jep Zoti është mundësia jonë për të dëgjuar fjalët e Jezusit drejtuar Pjetrit dhe që Ungjilli na i propozon sërish: “A më do ti mua?”.
Sfida me të cilën Jezusi vë në provë çdo thirrje, veçanërisht atë meshtarake (dhe për këtë arsye mua), ka të bëjë me dashurinë; por dashuria nuk ka të bëjë me ndjenjën. Të duash do të thotë të dhurohesh plotësisht, do të thotë të dalësh nga Un-i për të komunikuar me një Ti. As nuk do të thotë thjesht iniciativë personale por një përgjigje dashurie ndaj Dashurisë së Trinisë së Shenjtë.
Nuk është e lehtë për ne meshtarët, as për çiftet e krishtera, as për asnjë lloj thirrjeje të jetojnë me dashuri. Pjetri përgjigjet me thjeshtësinë “Ti e di se të dua”.
Jezusi i ofron Pjetrit mundësinë për një rrëfim të trefishtë dashurie për të riparuar mohimin e trefishtë qe Pjetri beri në pallatin e Pilatit, kur Jezusi po torturohej. Herën e tretë, Pjetri përgjigjet Jezusit me besim: “Zoteri, ti di gjithçka, ti e di që unë të dua”.
E pra, sinqerisht dhe me përulësi, duke njohur papërsosmëritë e mia, edhe unë i përgjigjem pyetjes që Jezusi më bën edhe sot “Zoteri, une të dua”.
Vëllezër dhe motra, e mbyll homeline duke kujtuar vetes dhe juve atë që thotë Shën Gjon Maria Viannej, të cilën e vendosa në shpalljen:
“Nëse nuk do ta kishim Sakramentin e Urdhrit, nuk do ta kishim as Zotin tonë. Kush e ka vendosur atë në Tabernakull ? Meshtari.
Kush e ka pritur shpirtin tonë në momentin e hyrjes sonë në këtë botë ? Meshtari. Kush e ka ushqyer për ti dhënë forcë që ta bëjë shtegtimin e tij ? Perseri meshtari. Kush do ta pergatisë atë që të dalë perpara Hyjit, duke ia larë shpirtin për të parën herë në Gjakun e Jezu Krishtit? Meshtari, çdo herë meshtari.
Po të shkonit e të rrëfeheshit te një engjëll apo te Virgjera Mari, a do t’jua jepnin ata zhgjidhjen e mëkateve ? Jo.
A do t’jua jepnin ata Korpin dhe Gjakun e Krishtit? Jo.
Virgjëra Mari nuk mund ta zbresë Birin e vet hyjjnor në osten e shenjte. Edhe dyqind engjëj nuk do të mund t’jua jepnin zgidhjen e mëkateve.
Një meshtar, sado i thjeshtë që të jetë, mund t’jua japë atë. Ai mund të thotë: “Shko në paqe, të janë falur mëkatet.
Sa gjë e madhe është meshtari!
Vellezer dhe motra, ia besoj veten lutjes së kësaj Kishe që e kam dashur, që e dua dhe që i kam shërbyer; dhe të gjithëve ju ia besoj mëshirës së Hyjit, duke vazhduar deri në fund që të kryej mbarështimin e pajtimit, në gjurmët e Martirëve tanë, dhe mbarështimin e bamirësisë baritore në imitim të Shën Nënë Terezës së Kalkutës.
Nëna e Këshillit të Mirë ju paraqittë të gjithëve përpara Birit të saj të lumë.
Atij, me Atin dhe me Shpirtin Shenjt, i qoftë nderi dhe lavdia në shekuj të shekujve. Amen.