Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

26 prill – Maria, Nëna e Këshillit të Mirë – (Imzot Angelo Massafra)

Shumë të dashur vëllezër e motra, të mbledhur këtu nga shumë anë të tokës sonë të dashur të Shqipërisë për të nderuar Pajtoren tonë: Zoti që ka zgjedhur Marinë si Nënë të Urtisë së mishëruar, Jezusit vëllait dhe Zotit tonë, ju bëftë gjymtyrë të shkëlqyeshme të Trupit të tij mistik dhe Nëna jonë qiellore ju mbrojtë gjithmonë me bekimin e vet amënor.

Kremtimi liturgjik i Zojës së Këshillit të Mirë këtë vit ka një vlerë të re: tashmë jo atë të kremtimeve që vitin e kaluar na kanë parë të angazhuar për të kujtuar 550-vjetorin e zhvendosjes së ikonës së saj në Genazzano, por atë të 25 viteve të rilindjes së Kishës katolike në Shqipëri.

Hyji, në mëshirën e vet, ka dashur që të ishte një shenjt, papa i dashur Gjon Pali II, ai që vizitoi tokën tonë dhe bekoi gurin e parë që do të shënonte rindërtimin e mureve të këtij tempulli të shkatërruar prej zemërimit dhe prej urrejtjes komuniste, figurë kjo e tempullit të gjallë të Hyjit që jemi ne të pagëzuarit, të poshtëruar, të vrarë e të shpërndarë prej ateizmit ideologjik dhe praktik të diktatorit dhe të lakenjve të tij.

Ati i Shenjtë, në atë rast, rithemeloi episkopatin shqiptar, shuguroi 4 ipeshkvinj shqiptarë: Imzot Frano Illia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Zef Simoni e Imzot Roberto Ashta OFM, duke u dhënë kështu besimtarëve mundësinë të riorganizohen, jo vetëm fizikisht, si trup kishtar, por edhe, e sidomos, shpirtërisht. Dhe ne sot këtu jemi prova e gjallë e asaj se si ajo ndërhyrje e Ipeshkvit të Romës, që drejton në dashuri të gjitha Kishat, ka qenë me të vërtetë e dëshiruar prej Hyjit.

Prandaj, nuk mund të biem në sentimentalizëm dhe të bëjmë një kremtim të thjeshtë të një përvjetori; por sot në zemrat tona duhet të ketë vend ndjenja tejet e lartë e mirënjohjes ndaj Zotit dhe ajo e një angazhimi të përtërirë për të qenë Kishë: bashkësi e gjallë e besimtarëve në Krishtin, të frymëzuar prej forcës dhe prej fuqisë së Shpirtit Shenjt për t’ia dëshmuar personin e gjallë të të Ringjallurit gjithë botës.

Por, në këtë detyrë të dëshmisë nuk jemi vetëm: kemi pranë Marinë, Nënën tonë. Në të vërtetë, në leximin e dytë që shpallëm, përshkruhet qartë roli i Marisë në lidhje me Kishën; rol prej të cilit nuk ka hequr dorë kurrë, por që vazhdon ta kryejë si Nënë që kujdeset me dashuri për bijtë e vet. Madje, për të përdorur terminologjinë e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, Maria “është «me të vërtetë nëna e gjymtyrëve (të Krishtit)… sepse bashkëpunoi me dashuri në lindjen e besimtarëve të Kishës, të cilët janë gjymtyrët e atij trupi». Për këtë njihet edhe si gjymtyra më e lartë dhe e veçantë e Kishës, figurë dhe model i mrekullueshëm për të në fe dhe në dashuri; Kisha katolike, e udhëzuar prej Shpirtit Shenjt, me dashuri përshpirtërie bijësore e nderon si nënë shumë të dashur” (LG VIII, 53).

Jo vetëm kaq, por Koncili flet edhe për Marinë si “model i Kishës”: “Në të vërtetë – vazhdon Koncili – në misterin e Kishës, e cila gjithashtu me të drejtë quhet nënë dhe virgjër, Virgjëra e lume Mari zë vendin e parë, duke u paraqitur në mënyrë të shkëlqyer dhe të veçantë si virgjër dhe si nënë…Kështu, Kisha, duke e plotësuar shenjtërinë e mistershme të Virgjërës, duke imituar dashurinë e saj dhe duke kryer besnikërisht vullnesën e Atit, nëpërmjet fjalës së Hyjit të pranuar me besnikëri, bëhet edhe ajo nënë, pasi me predikimin dhe pagëzimin lind në një jetë të re dhe të pavdekshme bijtë, të zënë për virtyt të Shpirtit Shenjt dhe të lindur prej Hyjit.” (LG VIII, 63-64).

Pra, ka një sintoni të përsosur mes Marisë dhe Kishës, mes Nënës sonë dhe nesh që jemi sot këtu për ta përshëndetur e për ta nderuar me dashuri birnore. Dhe e përshëndesim edhe e nderojmë me një prej titujve më të bukur që tradita jonë ka njohur ndonjëherë: Nëna e Këshillit të Mirë. Është Jezusi, vëllezër e motra, Këshilli hyjnor për të cilin ka folur leximi i parë, Urtia e Hyjit, dëshmitar pa kohë i veprimit krijues të Atit dhe autor ai vetë i shpëtimit tonë të bërë nëpërmjet mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes së tij, ngjarje që i kemi kujtuar para pak ditësh në kremtimet e Pashkëve.

Maria na drejton gjithmonë tek Ai. Na fton të shohim nga Ai, ta imitojmë dhe ta dëgjojmë: “Bëni gjithçka t’ju thotë” u përsërit shërbëtorëve në pjesën e Ungjillit që dëgjuam; fjalë që sot dëshirojmë t’i konsiderojmë si të drejtuara neve, nxënësve të tij që jetojnë në këtë kontekst historik dhe kulturor. Ndryshojnë kohët, ndryshojnë kontekstet, por ftesa e Marisë është gjithmonë e vlefshme: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”.

Ja, sot falë këtij kremtimi përkujtimi dhe falënderimi, kemi marrë edhe koordinatat thelbësore për një hov të jetës sonë të fesë personale dhe bashkësiore; për një përtëritje të të qenurit tonë Kishë e gjallë, e frymëzuar prej veprimit të Shpirtit Shenjt, gjithmonë në ecje për t’i përngjarë plotësisht Krishtit Dhëndrit të vet dhe e ndihmuar prje veprimit amënor të Marisë që gjithmonë i shoqëron ata që synojnë me të gjitha forcat e tyre të jenë bij në Birin, pra Kishë.

Prandaj, le të ndërgjegjësohemi përsëri për të qenurit tonë Kishë e Krishtit, trup i bashkuar dhe kompakt megjithëse në diferencim dhe në respekt të roleve shërbestare të secilit; le t’i japim një hov të ri misionar bashkësive tona kishtare, siç na ka mësuar Ungjilli që shpallëm dje në festën e shën Markut, nëpërmjet dëshmisë së dashurisë vëllazërore, besimit të pakushtëzuar në Provaninë e Hyjit dhe forcës së durueshme në përndjekjet që gjithashtu nuk mungojnë në ditët tona.

Dëshmia jonë le të na gjejë të angazhuar, të kujdesshëm dhe aktivë në kujdesin për vuajtjet e më të dobtëve, por edhe në thirrjen drejtuar më të fortëve për ta orientuar pushtetin e tyre nga shërbimi ndaj së mirës së përbashkët të popullit tonë që, me të drejtë, kërkon barazi, drejtësi, paqe dhe qetësi jete.

Nëna e Këshillit të Mirë“, Nena Jonë dhe Pajtorja e Shkodrës dhe e Shqipërisë me dashurinë e vet amënore kujdeset për vëllezërit e Birit të vet ende shtegtarë dhe të vendosur në mes rreziqeve dhe ngushticave, derisa të shkojnë në atdheun e lumë” (LG VIII, 62).

Te dashur Nena Jonë Maria eshte gjithmonë me ne dhe na keshillon, na flet dhe na ngushellon. Mund te ecim me shprese dhe guxim dhe gezim. AMEN.