Scroll Top

Sherbime ndaj personave me aftesi ndryshe

Sherbime ndaj personave me aftesi ndryshe

Për shumë kohë pothuajse ishin humbur shpresat që personat më aftësi ndryshe të gjenin një hapësirë mundësie për t’u inkurajuar drejt një përmirësimi, pasi në të vërtetë trashëgohej deri në vitet ’90 një përkujdesje e ligjëruar deri në kufijt apo në ndarjet “i aftë” apo “i pa aftë” dhe kaq mjaftonte, që  pa mëshirë të përcillëshe për në institucione, thuajse në kushtet e izolimit total.

Ishte “Projekt Shpresa” drejtuar nga Znj. Silvana Vignali, Motrat e Nënë Terezës, Madonnina Del Grappa drejtuar nga Don Carlo Zaccaro që  krijuan  mundësinë e aspirimit të një shprese të re  riaftësimi për këtë kategori duke treguar se personat me aftësi ndryshe janë pjesë e shoqërisë ku ata jetojnë dhe duhet të integrohen sepse kanë të njëjtat të drejta si njerëzit e tjerë.

Caritas Dioqezan Shkodër e ka përkrahur dhe mbështetur gjithmonë këto institucione jo vetëm për faktin se janë krejtësisht në shërbim të njerëzve në nevojë që përputhet edhe me qëllimin e Caritas-it atë bamirës, por sepse kanë promovuar eksperienca të reja në trajtimin e kësaj kategorie të shoqërisë që ka aq shumë nevojë për përkrahje dhe integrim.

Hapja e shtëpi-familjeve dhe laboratoreve të punës, pra qëndrimi në kushtet e një familje të dytë por edhe aftësimi profesional i tyre, krijoi  një alternativë të re për personin më aftësi ndryshe duke gjetur zgjidhje që këtyre njerëzve t’u ruhet dinjiteti, e drejta e jetës dhe e familjes sikurse për të gjitha qëniet e tjera njerëzore. 

Caritas Shkodër ka dhënë kontribut në ndihmë të personave me aftësi ndryshe shumë vite me pare dhe ndërhyrjet tona nuk kanë konsistuar thjesht në dhënien e një pakoje ndihme. Ndërhyrjet tona kanë pasur si qëllim formimin profesional të të rinjve, të aftë për t’i shërbyer personave me aftësi ndryshe. Në bashkëpunim me Shoqatën italiane CELIM – MILANO, në Caritas Dioqezan Shkodër janë zhvilluar në pesë vite, 5 kurse me kohëzgjatje një vjecare duke diplomuar 80 të rinj të aftë për të punuar si “Asistentë shtëpiak dhe në Institutet ku trajtohen personat me aftësi ndryshe. 

Në këto kurse këta të rinj janë trajnuar që shërbimin e çmuar të tyre ta kryejnë jo thjesht si shërbim kundrejt nje page, por me vullnetin e mirë dhe dëshirën për të ndihmuar një person të riaftësohet dhe të integrohet. Shumë prej këtyre të rinjve (gjatë kurseve dhe stazheve të punës) u kanë shërbyer personave me aftësi ndryshe në institucionet shtetërore, tek shtëpitë e tyre si dhe personave me aftësi ndryshe të strehuar tek Fshati i Paqes dhe në ish- Qendrën e Caritas Dioqezan Shkodër.  Nga informacionet që kemi të gjithë këta të rinj janë të punësuar në spitale, qendra rehabilitimi, qendra residenziale private ASDI, në projektin Shpresa etj.

Projekt Shpresa: Bashkëpunimi me projektin Shpresa është bërë edhe më prezent gjatë viteve të fundit pasi Caritas dioqezan është partner i këtij projekti. Caritas dioqezan gjithmonë ka vlerësuar dhe marrë si shembull pune, frymën e shërbimit vullnetar që ekziston në këtë projekt. Në vetë e kemi përjetuar këtë fakt çdo vit, pasi së bashku me një grup të rinjësh nga qyteti i Shkodrës kemi vizituar kampingun e projekt Shpresa në Velipojë. Kampi Stella Maris ka qenë një shembull shumë frytdhënës dhe ka dhënë efektet e veta tek të rinjtë që pastaj çdo vit nën koordinimin e Caritas dioqezan shkojnë për të gëzuar me koncerte dhe animacion fëmijët e të rinjtë e pranishëm në kamp. Duhet theksuar se ky kamp mbledh fëmijë e të rinj me aftësi ndryshe nga qyteti, nga zonat malore të dioqezës si dhe nga institutet e ndryshme si Madonnina del Grappa, M. Nënë Terezës, institutet shtetërore të personave me aftësi ndryshe etj.

Këto koncerte dhe animacione kanë si qëllim jo vetëm që të gezojnë pjesëtarët e kampit por edhe të nxisnin tek të rinjtë frymën e vullnetarizmit, të shërbimit ndaj personave në nevojë, të solidarizimit me atë pjesë që vuan për shkak të sëmundjeve, varfërisë etj, Gjithmonë Caritas dioqezan krahas formimit i ka përfshirë të rinjtë edhe në veprimtaritë e ndryshme në favor të personave në nevojë, që edhe ata si pjesë e shoqërisë civile të edukohen dhe kontribuojnë në këtë drejtim. 

Prania e vullnetarëve shqiptar, italianë dhe spanjollë në Kampingun e Velipojës të cilët çdo vit një pjesë të pushimeve ia kushtojnë shërbimit ndaj personave me aftësi ndryshe, shoqërohet edhe me frymën bashkëpunuese, mikpritjen dhe vlersimin nga stafi i projektit Shpresa. Këta vullnetar pavarësisht profesionit të tyre janë shembull shumë i mirë i mënyrës së trajtimit të fëmijëve e të rinjve me aftësi ndryshe, me qëllim që ata të ndihen të barabartë me fëmijët e të rinjtë e tjerë.

Realizimi i gjithë këtyre aktiviteteve nga Projekt Shpresa, Madonnina del Grappa, M. Nënë Tereza, Misionarët e Bamirësisë, Komuniteti Papa Giovanni XXIII etj.  tregon se edhe fëmijët apo të rinjtë me aftësi të kufizuar mund ta përballojnë jetën sikurse të gjithë moshatarët e tyre, kur ato përfshihen në ato struktura të cilat i krijojnë kushtet për të shfaqur aftësitë e veta.

Kemi akoma për të bërë, sepse kemi zgjuar njëherësh shumë shpresa tek këta persona për të cilët kemi marrë së bashku përgjegjësitë për të ndryshuar jetën e tyre.