Scroll Top

Historiku

Rënia e regjimit komunist në Shqipëri paraqiti për Kishën Katolike një sfidë pozitive në udhën e gjatë të rindërtimit material dhe shpirtëror të vendit; të shumta kanë qënë forcat e vëna në këtë drejtim megjithatë ecja e filluar vite më parë është vetëm fillimi dhe çdo ditë paraqiten probleme të reja që padyshim i shtohen numrit të çështjeve të pazgjidhura.

Edhe njëherë – në emergjencën e rëndë të shkaktuar nga rënia e firmave piramidale e cila solli varfërinë më të madhe të vendit – është dashur që gjithçka të rifillohet nga e para, por këtë herë me peshën e rëndë të një mosbesimi të madh për të ardhmen, sidomos nga të rinjtë.

Gjithmonë e para, Kisha Katolike ka pranuar sfidën e rindërtimit njerëzor dhe material të këtij vendi të copëtuar nga përçarjet e brendshme, varfëria strukturale dhe varfëria kulturore në një nga fushat politikisht më të nxehta të planetit; pikërisht nga kjo krizë politiko – njerëzore mund të nxjerrim origjinën e Caritas-it Dioqezan të Shkodrës.

Në fakt, një vit përpara se katastrofa njerëzore e Kosovës të arrinte në ekranet e para televizive botërore, në heshtje dhe në klimën e një moskuptimi të përgjithshëm, Caritas-i Dioqezan përballoi problemin e qindra refugjatëve të cilët braktisnin Atdheun e tyre për t’i shpëtuar persekutimit.

Edhe pse të varfër në pajisje, Caritas-i  ndërtoi dy qendra për të pritur këta persona të cilët akoma nuk mund të përfitonin nga solidariteti ndërkombëtar sepse tragjedia e tyre nuk njihej.

Pikërisht këta dymbëdhjetë muaj bashkëndarje me vëllezërit kosovarë bënë që me shpërthimin e katastrofave humanitare (deri në lartësitë e kronikës), së paku të kishim një ide se si të veprohej….në fakt Caritas-i Dioqezan kishte pak kohë që ishte riorganizuar, dhe ne ishim të papërgatitur e nuk kishim përvojën e duhur në këtë drejtim.

Në harkun e pak orëve, nga Kukësi filluan që të arrinin kërkesat e para për ushqim, veshmbathje, batanije… dhe të parët që iu përgjigjen thirrjes së këtyre personave të dëshpëruar, ishin vetë shqiptarët. Megjithë varfërinë e përgjithshme, filluan të arrijnë vezë, bukë, verë dhe grupe të rinjsh u vunë në dispozicion për të ndihmuar. Kjo ka qënë surpriza më e madhe që nuk pritej: shqiptari i varfër, që duke u ballafaquar me atë që jetonte një varfëri më të madhe se e tij, vë në dispozicion veten dhe hap derën e shtëpisë për të pritur refugjatët. 

Një nga gjërat e para për t’u bërë – në rrëmujën e ngjarjeve të këtyre ditëve – ishte koordinimi i këtyre forcave; për të ndihmuar kosovarët dhe nxitur shqiptarët; për të inkurajuar grupet e para të të rinjve që provonin të organizoheshin nën një emër dhe në një organizatë…, por të qëndrosh pranë të varfërit kur nuk ke asgjë për t’iu përgjigjur nevojës së tij natyrisht që nuk është e lehtë. Mungonte gjithçka dhe në qytetin e Shkodrës afrohej me shpejtësi emergjenca shëndetësore, shkaktuar nga një mbipopullim i tepruar në kushtet e një mungese absolute të infrastrukturës higjeno-shëndetësore.

Një e vërtetë e dytë dhe e kënaqshme, ka qënë bashkëpunimi absolut i të gjitha komuniteteve fetare, duke dhënë me të vërtetë një dëshmi vëllazërimi në veprime: kuvende e shkolla që hapeshin për refugjatët; meshtarë dhe motra të bashkuar të gjithë së bashku në shërbim të refugjatit qoftë ai i besimit katolik apo mysliman.

Kanë qenë shembulldhënëse asambletë dioqezane, të mbajtura periodikisht në seminar dhe drejtuar nga Arqipeshkvi, ku diskutimet nuk ishin më për metodologjitë katekistike, por si të përgatitej ushqimi për mijëra persona, si t’i përgjigjeshim nevojave fiziologjike të shumë personave apo si të gjallërohej jeta në kampe; një nga momentet më të forta kishtare të Dioqezës. E gjithë kjo po ndodhte, ndërsa problemet “normale” të Shqipërisë nuk ishin pakësuar, por përkundrazi ishin rënduar nga mbipopullsia.

Kur arriti letra e dërguar nga Ati i Shenjtë bashkë me Bekimin Apostolik mbi punën tonë si dhe me një kontribut ekonomik, gëzimi ishte aq i madh sa edhe nxitja për të vazhduar shërbimin tonë ndaj vëllezërve, qofshin këta kosovarë apo shqiptarë. Një tjetër çast i rëndësishëm ishte edhe vizita e përfaqësuesit të Papës në Dioqezën tonë.

Arritja e solidaritetit ndërkombëtar, sillte me vete rrezikun e një tërheqje të mundshme të organizatave dhe forcave lokale ekonomikisht më të dobëta.

Hapi i parë i madh dhe cilësor i Caritas-it Dioqezan: drejtuar nga Arqipeshkvi, krijohet një lloj këshilli drejtues në të cilin u ftuan përfaqësuesit e Caritas-eve të huaja që ishin të pranishëm në territorin e Dioqezës. Të gjithëve, iu propozua që të bashkoheshim në një front të përbashkët dhe të punonim të gjithë si shprehje e Kishës vendase, duke përfshirë edhe ata që ishin vënë në dispozicion më përpara. Ballafaqimet periodike me Caritas-et e tjera Dioqezane shqiptare në Këshillin Kombëtar, përbënin momente të vërteta formimi; vepra e Caritas-it shqiptar, si nga pikëpamja logjistike vepruese ashtu edhe nga pikëpamja tipike kishtare, ka qënë e çmuar.

Në mënyrë shembullore Caritas-et Kombëtare si ai i Spanjës, Belgjikës, Austrisë, Gjermanisë, shumë Caritas-e Dioqezane Italiane të koordinuara nga Caritas-i Italian, si dhe organizata akoma më të mëdha si JRS, pranuan të punonin në një front me Caritas-in Dioqezan të Shkodrës (në atë kohë Caritas-i Ndërdioqezan Shkodër-Sapa) që pothuajse mund të themi ” u detyrua të krijohet” nga emergjenca.

Forca me të cilën Caritas-i Dioqezan i Shkodrës – i fortë nga ndihma dhe profesionalizmi i Caritas-eve simotra që ndihmonin me ushqime, para, por mbi të gjitha me dërgimin e punonjësve të kualifikuar – i dha mundësinë që të bëhej një ndërmjetës i besueshëm dhe autoritar qoftë para Agjencive të Kombeve të Bashkuara, qoftë para autoriteteve publike shqiptare, edhe ata pozitivisht të habitur nga përgjigjja e Kishës Katolike.

Shumë Caritas-e ndërkombëtare (duke filluar nga ai Kroat e Çek, nga Caritas-i Polak e Francez) apo organizata kishtare (Scout dhe Veprimi Katolik) apo jo kishtare (Komunat e veçanta dhe Sindikatat), na kanë lejuar në njëfarë mënyre të zhvillojmë veprën tonë. Do të ishte e pamundur të falenderojmë të gjithë pa harruar dikë; megjithatë ka dy kategori personash që ne i kemi ndier shumë afër nesh në momentet më të vështira; motrat e klauzurës si dhe të sëmurët të cilët ofronin vuajtjet e tyre në shërbimin tonë ndaj refugjatëve…

Kthimi i refugjatëve pas përfundimit të bombardimeve ndryshoi përfundimisht situatën, duke paraqitur një sfidë të re e gjithmonë të vështirë: nëse nga njëra anë ishte gëzimi i kthimit të refugjatëve në vendin e tyre, kurse nga ana tjetër zhgënjimi i popullit shqiptar të cilit i ishin bërë premtime të mëdha, por që tani shihte të gjitha organizatat tek spostoheshin në Kosovë duke harruar fjalët e premtuara, ishte i fortë … dhe ky zemërim shpeshherë është transformuar në raste dhune dhe prishje të materialeve që mbeteshin nga kampet.

Kjo kritikë nuk i është bërë asnjëherë Caritas-it Dioqezan! Në fakt, ndërsa organizatat e tjera largoheshin, Caritas-i qëndroi. I gjithë Caritas-i, sepse i vetmi Caritas i njohur “zyrtarisht” ishte Caritas-i Dioqezan i Shkodrës; e në fakt nëse kampet mbylleshin, vepra humanitare vazhdonte tek të varfërit shqiptarë të cilët nuk kanë munguar kurrë.

Megjithatë, kthimi i refugjatëve kosovarë në Atdheun e tyre na vuri përballë një pyetjeje: si t’i përgjigjeshim bujarisë së shumtë që kishim marrë? Përgjigjja ishte e menjëhershme: falas keni marrë, falas jepni.

Fundi i luftës ka qënë në njëfarë mënyre i papritur nga të gjithë e megjithëse të gjitha organizatat anonin që të shkonin në Kosovë, asnjëra prej tyre nuk ishte e përgatitur ta bënte; e pranuam sfidën dhe me një grup vullnetarësh shqiptarë, në emër të gjithë Caritas-it Shqiptar u nisëm në misionin e parë jashtë Caritas-it Shqiptar duke vepruar njëkohësisht edhe për problemet e Dioqezës së Shkodrës.

Misioni i Gjakovës zgjati pak muaj; kohë e mjaftueshme që Caritas-et simotra të mund të rioganizonin ndërhyrjet e tyre. Pasi vumë në dispozicion gjithçka që duhej – njohjen e kulturës, të gjuhës dhe organizimin e logjistikës- u kthyem në Shqipëri me dëshirën për të bërë një hap të mëtejshëm cilësor.

Në fakt, sfida konsistonte në ndryshimin rrënjësor të tipit të ndërhyrjes duke ndërtuar një projekt të veçantë për realitetin shqiptar; kërkohej një rimendim i të gjithë Caritas-it shpesh i identifikuar me një “pako familje” ose ndihmë ekonomike. Ishte e nevojshme që të braktisej mentaliteti i emergjencës duke projektuar drejt “normales”.

Para së gjithash ka qënë i nevojshëm një ndryshim i mënyrës sonë të të vepruarit (është shumë më e thjeshtë për të dhënë pako për familje) pastaj i të gjithë Dioqezës; në fakt u vendos që të “mos pranonin të deleguar” për t’i bërë asistencë të varfërve, por u përfshinë të gjitha famullitë dhe bashkësitë fetare me qëllim që secili të merrte përsipër të varfërit e bashkësisë së vet; Caritas-i, mbështeti këto sforcime me anë të koordinimit duke vënë në dispozicion gjithçka që merrte nga bamirësia ndërkombëtare.

Një studim i thellë i realitetit dioqezan na vuri përballë realiteteve pak të njohura, të cilave ishte e nevojshme të përpiqeshim t’u jepnim një përgjigje: imigrimi i brendshëm, emigrimi i paligjshëm, tregu i grave, gjakmarrja, prostitucioni, papunësia…

Menjëherë u vë re se jo vetëm nuk ishte e mundur për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave, por mbi të gjitha nuk ishte specifika jonë, duhej të kishim kurajon për t’u bërë ndihmë institucioneve shqiptare të cilat nuk ishin akoma në gjëndje për t’u dhënë përgjigje konkrete problemeve shumë të rënda.

Megjithatë para se të bëhej kjo, e kemi quajtur të nevojshme të zgjedhim identitetin tonë të saktë i cili do të na lejonte hartimin e një programimi shoqëroro-baritor me një projektim të veçantë.

Që ky projekt të mund të fillonte kemi vepruar gradualisht: para së gjithash është vendosur të mbajmë kolegjialitet të vendimeve. Në fakt, siç ka ndodhur gjithmonë, drejtori dioqezan është përkrahur nga një këshill drejtues udhëhequr nga Arqipeshkvi.

Njëkohësisht, duke përfshirë edhe realitetet e tjera dioqezane, filloi një reflektim i thellë i cili solli aprovimin e statutit dhe themelimin kanonik të Zyrës Dioqezane për Pastoralen e Dashurisë me dekretin e emërimit zyrtar të drejtorit dhe të këshillit drejtues, me mandat tre vjeçar dhe me këto sektore:

Drejtoria dhe kontaktet me jashtë, besuar një rregulltari

Formimi, besuar një rregulltari Dehonian

Emergjenca-Kooperim & Zhvillimi, besuar një laiku;

Administrata dhe Programimi Ekonomik besuar një frati minor.

Fusha Sociale, besuar një laiku;

Fusha Shëndetësore, besuar një mjekeje rregulltare.

Menjëherë u ndie nevoja e ballafaqimit të shpeshtë mes nesh, duke lënë në kujtesë historike ndërhyrjet dhe reflektimet e pjekura në punën tonë. Një nxitje e madhe për ne ka qënë prania periodike e Arqipeshkvit në mbledhje si dhe reflektimet e tij në proçesverbale.

Për redaktimin e një programi shoqëroro-baritor veprues, ishte e nevojshme që të aktualizoheshin marrëdhëniet me realitetet e tjera kishtare dioqezane të jashtme dhe të brendshme si dhe përfshirja e laikëve vendas në organizata vullnetare autonome me frymëzim katolik: “Drejtësi dhe Paqe”, “Maltezer ndihmon në Shqipëri”, “Kolping Albania” “Scouts”…të gjitha organizata të pavarura, por që shihnin tek Caritas-i Dioqezan i Shkodrës një pikë referimi dhe një nxitje në aktivitete.

Filluan kurse formuese profesionale për personelin vendas që vepronte në Caritas si dhe për personelin dhe vullnetarët e angazhuar në organizatat e lartpërmendura.

Një hap tjetër i rëndësishëm ka qënë transformimi i kampit të refugjatëve tek Arra e Madhe në një qendër polivalente dhe zyrë vepruese e Caritas-it Dioqezan. Fakti që një pjesë e qendrës e transformuar në një kuvend fretërish minorë dhe e bërë famulli, i jepnin një domethënie të fortë Caritas-it si shprehje e Kishës vendase. Arra e Madhe është ndoshta lagjja më e varfër e qytetit të Shkodrës dhe banohet prej popullsisë së ardhur nga malet në mënyrë të paorganizuar pasi në këtë lagje ishin të pranishme të gjitha tipet e varfërisë deri tek ato më të rëndat…

Përvoja e Emergjencës së Refugjatëve, na kishte pasuruar me kontakte të shumta me Caritas-et e huaja të cilat kishin pasur mundësi për të vlerësuar angazhimin tonë dhe kishin si qëllim për të vazhduar veprën e tyre për të na përkrahur. Në këtë atmosferë bashkëpunimi lindi Network Shkodër me disa prioritete të përcaktuara mirë ku qëllimi i vetëm nuk ishte për  të kërkuar financime; por, mbi të gjitha ishte vendi ku do të diskutohej mbi ndërhyrjet në Dioqezë, pa mbivendosje, duke kërkuar burimet më të mira, duke dhënë kështu një dëshmi bashkëpunimi vëllazëror për një ndërhyrje të vendosur dhe efikase të Kishës. Pikërisht nga ky tip bashkëpunimi ka lindur specifika e Caritas-it të Shkodrës, padyshim shumë e ndryshme nga të tjerët, që veprojnë në një ambient të veçantë dhe duke mos pasur burimet e veta.

Natyrisht nuk ishte e mundur për t’iu përgjigjur thirrjeve që arrinin nga të gjitha anët; gatishmëria e mjeteve të vëna në dispozicion nga bamirësia shpesh na ka vënë përballë përgjegjësive të reja: si në drejtim të Dioqezës, pra një lloj ndihme ndaj Zyrave Baritore në rrugën e formimit (fillimi i përkthimit të dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit si dhe Enciklikat e Atit të Shenjtë) ashtu edhe në drejtim të shoqërisë në të cilën bëjmë pjesë, me anë të ndihmës (kurse formimi profesionale, ndërhyrje sanitare, asistencë sociale) ndaj institucioneve akoma të brishta shqiptare.

Ka qënë e nevojshme të përcaktojmë prioritete duke kërkuar të krijojmë vepra të veçanta të cilat të mos mund të instrumentalizohen në një kontekst shumëfetar.

Duke u nisur nga angazhimi që mund të përcaktonim “administrim normal”, ndërhyrjet e veçanta që u vendos të konkretizohen ishindy: Projekti Bottega dhe Shtëpia e Paqes.

Projekti Bottega dëshironte t’i përgjigjej dy problemeve të thella që ishin duke e shkatërruar Shqipërinë si: papunësia e rinisë dhe emigrimi i paligjshëm. Si në të parin ashtu edhe në të dytin rast, të rinjtë rrezikojnë të përfundojnë në duart e krimit të organizuar, duke shkuar drejt tregtisë së drogës, të armëve dhe prostitucionit.

Konkretisht projekti, në vend që t’i japë ndihmë ekonomike të papunëve, i fut nëpër ndërmarrje të cilat angazhohen për t’i dhënë një formim profesional të rinjve; është projekti i cili pajis me bursa pune të rinjtë, me marrëveshjen që ndërmarrja të kujdeset për formimin në mënyrë integrale. Kontrolli i është besuar kujdestarëve të cilët janë garanci për formimin. Në fund të ciklit formues, mund të studiohen projekte të personalizuara për zhvillimin e ndërmarrjes.

Të ndërgjegjshëm se nuk është karakteristikë e Caritas-it për të ndërhyrë në mënyra kaq të detajuara dhe të përcaktuara, i gjithë projekti duke përfshirë edhe rrugët formuese të kujdestarëve dhe të ndërmarrjeve i është besuar Consorzio delle Cooperative Sociale Polis të Pizës, ent i pavarur lindur nga Caritas-i Dioqezan i Pizës.

Megjithëse më ambicioz, projekti “Shtëpia e Paqes”, është ai që me afat të gjatë, do të lërë prapa shenjën më të fortë. Në fakt “Shtëpia e Paqes”, e futur në brendësi të “Fshatit të Paqes” mbi malin e Taraboshit, dëshiron të jetë vendi i takimit mes kulturave, etnive, dhe besimeve fetare të ndryshme. Pak kilometra nga kufijtë me Malin e Zi dhe Kosovën, ai dëshiron të jetë shenjë Pajtimi në Ballkan, të cilët dihet se kanë shekuj që martirizohen nga luftërat vëllavrasëse.

Edhe vendi nuk është zgjedhur rastësisht; një kazermë e vjetër ushtarake, më vonë qendër e policisë kufitare mbi liqenin e Shkodrës ku lind lumi Buna. Pikërisht, aty ka shekuj që është vendosur një komunitet rom, i cili nuk është pranuar kurrë nga shoqëria dhe që jeton në një situatë varfërie jashtë kufijve njerëzor.

Akoma, të shumta janë sfidat që na presin përpara; pra është e nevojshme për ta çuar përpara procesin e profesionalizmit të ndërhyrjeve duke vazhduar formimin e qëndrueshëm të operatorëve si dhe duke fuqizuar procesin e formimit të Caritas-eve Famullitare bazuar në parimet drejtuese:

Shqiptari të ndihmojë shqiptarin.

Shqiptari të jetë i mëshirshëm me shqiptarin.

Shqiptari i varfër të ndihmojë atë që është më i varfër se ai.

Megjithatë është objektivisht e pamundur të përjashtohemi nga ndihmat ndërkombëtare, para së gjithash të Kishave simotra; kështuqë është e nevojshme të mbahet hapur ballafaqimi me organizatat ndërkombëtare që kanë ndërhyrë në territorin e Dioqezës tonë, edhe duke përfshirë të tjera.

Për këtë arsye, pra për t’i kaluar mesazhet donatorëve, u kërkua që të shfrytëzoheshin më mirë teknologjitë moderne si interneti; në fakt në ato vite ekzistonte një sit i Caritas-it dioqezan Shkodër. Siti i parë ad exsperimentum është  realizuar nga disa famulli gjermane në vitin 2001 (WWW.HELP-FOR-ALBANIA.ORG) i cili dha rezultate të papritura; dhe kishte si qëllim lidhjen dhe rregjistrimin me adresat përkatëse të Projektit Bottega dhe të Shtëpisë së Paqes; një sit lidhur me Network Shkodër i cili do mund të përfaqësonte atë qendër shpirtërore në të cilën do të vazhdonte procesi i zhvillimit dhe i rritjes së Caritas-it Dioqezan të Shkodrës.

Për të mos u varur krejtësisht prej ndihmave nga jashtë, u formun të rinj shqiptarë me njohje teknike të veçanta dhe të nevojshme për administrimin e siteve të internetit; një fuqizim strukturor, deri në arritjen e teknologjive moderne në një masë të madhe të popullsisë shqiptare i cili do mund të hapë edhe në Shqipëri përspektiva të papritura. Përveç vështirësive, e quajtëm të rëndësishëm sforcimin në këtë drejtim.

Vullneti i perfeksionimit të teknologjive bashkëkohore nga ana e Caritas-it të Shkodrës, kishte si qëllim që t’u ofronte edhe Caritas-eve të tjera Dioqezane shqiptare, ose edhe të gjithë Kishës Katolike Shqiptare, një shërbim me këtë tip instrumentash përherë e më të nevojshme edhe në veprën pastorale të Ungjillëzimit.

Angazhimi për kalimin e informacioneve përmes teknologjive moderne kishte edhe një tjetër drejtim formues: shpesh duke folur për Shqipërinë (kur jemi jashtë kufijve të saj) e kuptojmë se është një realitet me të vërtetë i panjohur për komunitetin Europian; njohja e varfërisë së madhe të këtij vendi mendonim se do mund ta pranonte më lehtë emigrantin shqiptar.

Bashkëpunimi me shumë Caritas-e Dioqezane Italiane dhe prania në Shkodër e shumë vullnetarëve të huaj, ka sjellë si rrjedhojë një vetëdije më të madhe, sidomos në nivel kishtar, të nevojës për të ndihmuar këtë Vend Europian të harruar prej shekujsh dhe prej shekujsh “problem i pazgjidhur” në Europë.

Të ndërgjegjshëm për kufijtë tonë, gjithmonë të hapur për të gjitha bashkëpunimet e mundshme, ecim përpara në shërbimin tonë duke shpresuar se veprat e pakta të vëna në jetë dhe prania jonë si realitet shqiptar, do mund të jenë dëshmia e vërtetë e krishterë në jetën shoqërore të këtij vendi të martirizuar.