Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Sektori shëndetësor

Sektori Shëndetësor i Caritas Dioqezan Shkodër-Pult, është krijuar në dhjetor të vitit 1999 dhe drejtohet nga  Dr. Enza Ferrara e cila është përgjegjëse e këtij sektori. Sektori Shëndetësor  është Zyra Ko-ordinative e aktiviteteve shëndetësore që kryhen nga Qendrat Shëndetësore të menaxhuara nga Misionet Katolike në Dioqezën e Shkodër-Pult.

            Sektori Shëndetësor i Caritas Shkodër ka si parim kryesor t’i ofrojë popullsisë së Dioqezës së Shkodrës një sërë shërbimesh mjekësore veçanërisht në ato zona ku mungojnë këto shërbime me qëllim që të përmirësojë nivelin e jetës kryesisht për zonat më të varfëra dhe më të izoluara të dioqezës.

            Të thellojë njohjen e realitetit shëndetësor në zonat ku operon dhe të përshtasë shërbimin shëndetësor sipas nevojave dhe kërkesave të territorit si dhe ruajtja e kontakteve me donatorët e huaj, ekspertë dhe konsulentë të fushës mjekësore si brenda dhe jashtë vendit.        

            Kujdes të veçantë për të sëmurët dhe për personat me aftësi ndryshe jo vetëm nga ana mjekësore apo asistenciale, por edhe në drejtim të ngritjes shpirtërore të tyre, duke kryer  vizita të shpeshta në familje tek personat që kanë më shumë nevojë për t’iu dhënë kurajo për të përballuar sëmundjen apo fatkeqësinë e ndodhur. çantë

Aktualisht në Dioqezë funksionojnë 11 qendra shëndetësore:  Shkodër, Juban, Rragam, Kir, Prekal, Stare, Bajzë, Trush, ku operojnë Motrat Françeskane të Krishtit Fëmijë, Motrat Franceskane të Krishtit Mbret, Motrat e Shpëtimtarit Hyjnor, Motrat Vinçenciane, Motrat Puntoret e Vogla të Zemrës së Shenjtë, Motrat Skalabriniane, Motrat Françeskane Misionare të Suzës dhe dy kongregata të cilat kryejnë asistencë shtëpiake.  Shërbimet kryesore janë vizitat ambulatoriale, shërbime infermieristike, fizioterapi etj. Gjithashtu Motrat  kryejnë edhe shërbime ndaj të sëmurëve në shtëpi. Motrat japin ndihmën e tyre ndaj të sëmurëve duke iu ofruar shërbime të ndryshme shëndetësore sidomos në zonat periferike të qytetit por edhe në zonat malore, atje ku mungojnë këto shërbime apo asistenca e parë mjekësore. Çdo shërbim ofrohet falas dhe mbi të gjitha pa bërë dallime moshe, etnie apo feje.

Çdo vit për t’u bashkuar me Atin e Shenjtë, Sektori Shëndetësisë i Caritas-it dioqezan organizon Ditën Botërore të të Sëmurëve dhe  Punonjësve të Shëndetësisë  në Katedralen e Shkodrës, ku celebrohet Mesha e Shenjtë nga të gjithë  së bashku: të sëmurët  dhe punonjësit e shëndetësisë. Bashkëcelebrimi i Meshës së Shenjtë drejtohet nga Arqipeshkvi ynë Shkëlqesia e Tij Mons. Angelo Massafra. Pas Kremtimit të Meshës vullnetarët e Caritas ofrojnë një program artistik. Për organizimin e këtij evenimenti një meritë të veçantë kanë edhe bashkëpunëtorët e Caritas dioqezan si:  meshtarët të cilët kanë pranuar rrëfimet, Motrat, Kori i Katedrales, Famullia Shën Shtjefni, gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu edhe pse i vogël, i dobët, apo i sëmurë.

CALABRODENTAL – Mision Humanitar në Dioqezën Shkodër-Pult

Ky shërbim është kryer në Fshatin  e Paqes  për tre vite rresht (2012-2014) gjatë muajit gusht dhe është bërë i mundur falë stafit prej 50 mjekësh specialist dentar të CALABRODENTAL, drejtuar nga Prof. Massimo Marrelli. Kanë ardhur në Shqipëri me ftesën e Arqipeshkvit Mons. Angelo Massafra, të Motrave Kapucine: M. Ricarda Alduino dhe Ordine dei Cavalieri Templari të OSMTH: Z. Nilo Alberto Domanico. Çdo vit grupi i dentistëve nga Crotone – Calabria, ka ngritur kampin në Fshatin e Paqes me mjetet e tyre moderne të punës të sjella nga Italia, në shërbim të njerëzve të varfër dhe në pamundësi kurimi për shkaqe ekonomike. Fëmijë, të rinj por edhe të moshave të ndryshme kanë pasur fatin të kenë një shërbim special duke filluar nga pranimi, panoramika, vizita dhe pastaj edhe shërbimi i kryer në kushte bashkohore dhe me shumë përkushtim, nga ana e dentistave italianë. Shërbimet kanë konsistuar nga kurimi i dhëmbëve dhe deri tek ndërhyrjet kirurgjikale, kryesisht për rastet me urgjente ndërsa dy raste me probleme të vështira orale, janë dërguar në Krotone për tu kuruar falas nga Casa di Cura Calabrodental. Target grupi i asistuar: personat me aftësi të kufizuara, popullsia rome dhe persona në nevojë të  shoqëruar nga Motrat Vincenciane, Motrat e Krishtit Mbret, Motrat Baritore, Eterit Orioninet, Motrat e Nene Tereza, Eterit Vincencianë etj. Tre vite radhazi Fshati i Paqes ka hapur dyert dhe ka mirëpritur jo vetëm pacientë nga Dioqeza e Shkodër-Pult por edhe nga fshatrat e thella të Pukës, të shoqëruar nga Motrat e Nënë Terezës. Çdo vit janë asistuar mbi 850  pacientë të cilët kanë marrë asistencë dentare falas dhe me shumë profesionalizëm nga grupi i dentistëve të Casa di Cura Calabrodental. Për fëmijët janë shpërndarë edhe lodra nga përfaqësuesit e “Ordine di Templari di Jerusaleme” të Krotone të cilet ishin të pranishëm së bashku me Grupin e International Oral Care. I gjithë shërbimi është kryer falas dhe me shumë humanizëm e profesionalizëm dhe pacientet janë asistuar edhe me medikamente të ndryshme dhe  me produkte për mbajtjen e higjienës orale.

Dott. Massimo Marelli drejtor i Casa di Cura CALABRODENTAL në intervistën dhënë në media ka thënë:  për tre vite radhazi jemi këtu të ftuar nga Arqipeshkvi Mons. Massafra dhe ajo cfarë ne po bëjmë është një pikë në oqean por sic ka thënë edhe Nënë Tereza, po të mos ishin pikat nuk do ishte oqeani, prandaj ftoj të gjithë ata që kanë mundësi, të vijnë e të japin kontributin e tyre, një pikë nga mirësia e tyre për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Me premtimin se do të kthehet përsëri në Shkodër, ka falenderuar Z. Dedë Mirashi dhe stafin e Fshatit të Paqes për mikpritjen dhe shërbimin,  Zj. Jolanda Marena me grupin e vullnetarëve të Caritas Dioqezan për asistencën dhe koordinimin e punës me pacientët si dhe M. Ricarda Alduino   për realizimin e kësaj inciative bamirëse vullnetare në Dioqezën e Shkodër-Pult. 

Mons. Massafra i pranishëm edhe në kremtimin e Meshës së Shenjtë me grupin e vullnetarëve të CALABRODENTAL nga Krotone falenderoi doktorët italianë, që kishin lënë pushimet për të dhënë kontributin e tyre në favor të njerëzve në nevojë. Gjithashtu falenderoj edhe Ipeshkvin e Dioqezës së Krotones.Theksoi se shqiptarët janë njerëz të mirë, vlerësojnë dhe janë mirënjohës ndaj çdokujt që i ndihmon. Ju me kontributin tuaj keni dhënë shumë, por edhe keni marrë shumë urime, bekime, mirënjohje të cilat i japin shumë gëzim njeriut. Falenderoj Calabrodental, Ordine Templari di Jerusalemme Z. Alberto Domanico për mundësimin e këtij shërbimi për të dytën herë në Shkodër, në favor të personave në nevojë.

Ky mision bamirësie është vlerësuar shumë edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë Shqiptare të cilët ishin të pranishëm për të falenderuar grupin e International Oral Care.

Të tre misionet humanitare nga Calabrodental janë kryer në shpirtin një solidariteti të madh ndërkombëtar, shenjë konkrete e një miqësie të thellë mes dy popujve, Italisë dhe Shqipërisë si dhe kontribut konkret për promovimin e jetës njerëzore.

Exit mobile version