Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Nëntëditeshja e Krishtlindjes – Homeli 16 dhjetor 2020

Zoti do të vijë e s’do të vonojë; do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t’u dëftohet të gjithë popujve. (krh. Ab 2,3; 1Kor 4,5)

Kjo antifonë hyrëse në liturgjinë e kësaj ditë të parë të Nëntëditëshes së Krishtlindjes ka cilësinë që të na fusë “me forcë” në klimën e përgatitjes shpirtërore në kujtim të lindjes së Jezusit. Por ka edhe një cilësi tjetër, atë që të jetë në përkim me temën që do të na shoqërojë gjatë kësaj Nëntëditësheje, e njëjta që jemi duke zhvilluar gjatë këtij viti baritor në Arqidioqezën tonë: “Çdo gjuhë të dëshmojë: Jezu Krishti është Zot!” (Fil 2, 5).

Në fakt, ardhja e Krishtit në botë ka shënuar fillimin e një procesi që do të zgjasë aq sa do të zgjasë edhe prania e njeriut në tokë: zbulimi i fytyrës së vërtetë të Hyjit, që Jezusi na ka thënë se është ajo e një Ati të mirë dhe të mëshirshëm. Kjo e vërtetë ka hedhur poshtë dy ide të vjetra dhe të gabuara mbi Hyjin; e para: Hyji është i keq dhe armik i njerëzimit, ide ajo që djalli futi në zemrën e prindërve tanë të parë, në momentin e tundimit; e dyta: Izraeli është populli i vetëm që “zotëron” Hyjin.

Kështu, Hyji zbulon dashurinë e tij ndaj nesh duke na dhuruar Birin e vet (“Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur” – Gjn 3, 16), dhe kështu zbulohet si Hyji i të gjithë popujve, të cilëve Izraeli është i ftuar t’ua dëshmojë atësinë e tij (“Që paganët ta lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij, siç thotë Shkrimi shenjtë: Prandaj do të të lavdëroj ndër paganë dhe do t’i këndoj këngë Emrit tënd!” – Rom 15, 9).

Pra, Jezusi është zbuluesi i Atit: duke ua zbuluar veten e vet nxënësve të Gjonit, siç kemi dëgjuar në Ungjill, ai e bën këtë gjë tamam siç e zbulon edhe Hyji veten e vet, siç kemi dëgjuar në leximin e parë, domethënë përmes veprave që secili bën. Në këtë mënyrë edhe Jezusi e shfaq veten si Zot dhe si i dërguari i Atit.

Çfarë mësimi nxjerrim për jetën tonë prej këtij reflektimi?

Para së gjithash, kemi nevojë që të lirohemi prej çdo ideje të gabuar mbi Hyjin, që ndoshta kemi krijuar deri në këtë moment, duke u angazhuar më së shumti në dëgjimin dhe meditimin e përditshëm të Ungjillit.

Në vend të dytë, duhet të ushqejmë gjithnjë e më shumë përkatësinë tonë ndaj Hyjit dhe ta pranojmë Jezusin si Zotin e jetës sonë, duke i larguar sa më shumë që të jetë e mundur të gjithë “zotat” e tjerë, që duan të na zotërojnë (të gjitha format e idhujtarisë: zotërimi, suksesi, etj.).

Në vend të tretë, si Kishë, nuk duhet të pretendojmë se “e zotërojmë Hyjin”, por gjithmonë duhet të shpresojmë dhe të punojmë që të gjithë ata që takojmë ta njohin dhe ta duan Hyjin, ashtu siç e njohim dhe e duam edhe ne… ose ndoshta edhe më shumë.

Pra, prej këtu lind angazhimi misionar i të krishterit, që nuk është të ketë sa më shumë ndjekës, por t’u komunikojë të tjerëve bukurinë dhe gëzimin se ai i përket Hyjit dhe se është nxënës i Jezusit.

Virgjëra Mari na shoqëroftë në këtë ecje përgatitore për Krishtlindje, me ndërmjetësinë e saj si Nënë e Jezusit, si Nënë e Kishës dhe si Nxënëse besnike.

Exit mobile version