Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2023 – 22 dhjetor

Himni i Marisë që dëgjuam në Ungjillin e sotëm dhe që plotëson pjesën e Ungjillit të djeshëm u vendos nga Luka ungjilltar nën shembullin e Himnit të Anës, që e dëgjuam si përgjigje të leximit të parë. Këtu Ana, e cila kishte qenë sterile, falënderon Hyjin për dhuratën e një djali, që tani ia kthen Zotit; në Magnificat-in e saj Maria lartëson madhështinë e Zotit, që di të ndërhyjë edhe në historinë më të vështirë të njerëzimit në favor të më fundmëve dhe, në këtë kuptim, “ia kthen” parësinë absolute Zotit.

Pra, kemi disa elemente për reflektim sot në rrugëtimin tonë drejt Krishtlindjes së bashku me Familjen e Shenjtë.

Para së gjithash, parësia e Hyjit. Ditë më përpara kemi folur për rëndësinë e vendosjes së Hyjit në qendër të marrëdhënieve tona; sot shtojmë se kjo parësi duhet pasuruar edhe me falenderim. Ky është koncepti i “kthimit”. T’ia kthesh Hyjit të gjitha të mirat e tij është në të njëjtën kohë falënderim dhe shpallje e parësisë së tij. Por kjo është e vërtetë edhe në marrëdhëniet tona. Papa Françesku fliste për tri fjalë që duhet të jenë gjithmonë të pranishme: “me leje – faleminderit – më fal”. Dhe kjo vlen si në marrëdhënien tonë me Hyjin, ashtu edhe në marrëdhëniet tona ndërpersonale. Asnjëherë nuk duhet ta marrim si të mirëqenë atë që tjetri bën për ne, por duhet të dimë edhe të falënderojmë: në këtë mënyrë tjetri vlerësohet për atë që është dhe di të bëjë.

Një pikë tjetër qëndron në përmbysjen e realiteteve të prishura nga e keqja. Hyji e shikon të përvuajturin dhe të varfrin dhe është i aftë të bëjë drejtësi. Këtë term e kuptojmë më shumë si hakmarrje, por për Zotin është thjesht rikthim i gjërave në vendin e tyre. Kështu, edhe në marrëdhëniet tona familjare apo ndërpersonale në përgjithësi duhet të kemi gjithmonë sy për të parë atë që nuk është e drejtë… por jo për t’i goditur dhe për t’i vrarë, por për t’i prekur dhe për t’i shëruar. Në këtë mënyrë do të sillemi si Hyj.

Ta falënderojmë Zotin që vjen për ta bërë këtë botë më të drejtë dhe të angazhohemi që të jemi mjete në duart e tij, me qëllim që të realizohet drejtësia e vërtetë në të mirën dhe kjo të sjellë më shumë paqe e qetësi në familjet tona dhe në shoqërinë ku jetojmë. Kështu, në njohjen e përvujtë se Ai ka parësinë mbi botën dhe historinë, do të fitojmë përvuajtërinë e nevojshme, që Ai të vazhdojë të bëjë gjëra të mëdha në ne, siç bëri në Virgjërën Mari.

Bashkë me Anën dhe Marinë të themi:

Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit,

m’u trash krahu në saje të Hyjit tim.

Gëzoj për shpëtimin e tij…

I shenjtë është Emri i tij. Amen.

Exit mobile version