Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2023 – 18 dhjetor

E diela e tretë e Ardhjes na ka mundësuar ta shijojmë lajmin e gëzueshëm që Gjon Pagëzuesi ka dëshmuar për praninë mes nesh të Mesisë dhe na ka futur në mënyrë të përsosur në këtë kohë të përgatitjes për festën e Shpëtimit tonë, që do të kremtojmë për Krishtlindje.

Udhëtimi që po bëjmë së bashku me Familjen e Shenjtë paraqet sot tre personazhe kyç në pjesën ungjillore që sapo dëgjuam: Jezusin, protagonistin absolut, Marinë që mirëpret bujarisht misterin që merr jetë në të dhe Jozefin të cilit i shpallet kumtimi.

Lajmi i një shtatzënie për çdo familje, mund të jetë si një moment gëzimi ekstrem, ashtu edhe një moment trazimi… varet gjithmonë nga situata konkrete në të cilën ajo ndodh. Gjithsesi, pritja e një fëmije ndryshon dinamikën e brendshme të një bërthame familjare: aq më tepër në rastin e Marisë dhe të Jozefit. Prandaj dëshpërimi i Jozefit, të cilin mund ta kuptojmë mirë, ashtu siç e kupton Hyji që i afrohet dhe e ngushëllon në zgjedhjen për të vazhduar angazhimin e tij ndaj Marisë.

Cili është ndryshimi midis situatave në të cilat gjenden sot shumë familje dhe situatës së Familjes së Shenjtë? Pa dyshim referimi ndaj Hyjit. Nëse zgjedhja e jetës bashkëshortore është rezultat i një thirrjeje dhe jo i një mirëkuptimi të thjeshtë mes njerëzve (emocional apo seksual), atëherë Hyji bëhet qendra e bashkëjetesës së tyre dhe është edhe referimi i fundit i të gjitha zgjedhjeve të tyre. Për shkak të pranisë së Hyjit e duam njëri-tjetrin, e kuptojmë njëri-tjetrin, e falim njëri-tjetrin, zgjedhim jetën në vend të vdekjes së një fëmije të pafajshëm, (zgjedhim jetën dhe jo abortin) edhe nëse nuk ishte parashikuar.

Jozefi i referohet Hyjit dhe gjen përgjigjen e dramës së tij të brendshme.

Kështu edhe familjet tona të krishtera duhet të bëjnë një kthim të vërtetë, domethënë ta rivënë Zotin në qendër. Dhe fillohet nga momenti i fejesës, kur zgjedhja e ndërsjellë mes dy njerëzve i hapet dimensionit thirror dhe personat pyesin veten: a është ky personi që Hyji është duke më vënë afër dhe me të cilin dëshiroj të jetoj përgjithmonë? Pastaj kremtimi i sakramentit, kur angazhohemi përpara Hyjit dhe Kishës për ta dëshmuar me jetën e përbashkët dashurinë që Hyji ka për njerëzimin. Dashuri që konkretizohet me pranimin e dhuratës së fëmijëve dhe me mbështetjen e ndërsjellë në çdo situatë që jeta do t’i vendosë.

Prandaj, familja e krishterë i zbaton gjithmonë këto fjalë të Ungjillit: “Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri sikurse i urdhëroi engjëlli i Zotit” (Mt 1,24). Më duket se ky duhet të jetë rregulla e jetës për çdo besimtar, veçanërisht për familjet: mos u shkurajoni kurrë përpara vështirësive, por vendoseni gjithmonë Zotin në vendin e parë. Ai do të na mbështesë ose, siç na tha psalmi i sotëm:

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,

të varfrin që nuk ka ndihmëtar.

Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin

dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën” (Ps 71,12-13).

Me këtë siguri në zemër ta pranojmë Shpëtimtarin, si “udhëheqës të shtëpisë së Izraelit, që i ka dhënë ligjin Moisiut mbi malin Sinai dhe vjen për të na liruar me krahun tënd të fortë”.

Exit mobile version