Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2022 – 20 dhjetor

SHTATË DHURATAT E SHPIRTIT SHENJT

Pasi përfunduam reflektimin tonë mbi Sakramentet e Kishës, sot do të thellojmë rolin e Shpirtit Shenjt në jetën e të krishterëve. Disa ditë më përpara kemi thënë diçka për sakramentet dhe sot Ungjilli na ka treguar se si veprojnë ato te Virgjëra Mari për ta bërë atë Nënë të Jezusit.Tani do të shohim veprimin e tyre në dhuratat që Ai, si Hyj, u jep të pagëzuarve.

Jeta jonë mund të krahasohet me një varkë pa motor dhe të shtyrë me vështirësi nga rremat, por nëse shtoni velat e fryra nga era, gjithçka do të bëhet shumë më e lehtë. Ne jemi rremtarët, rremat përfaqësojnë angazhimin tonë për të jetuar, velat përfaqësojnë dhuratat e Shpirtit Shenjt dhe forca e erës është Shpirti Shenjt. Ato janë tradicionalisht shtatë, sepse shtatë është një nga numrat simbolikë të Biblës që përfaqëson përsosmërinë, por mund të jenë të pafundme.

1. Këshilla. Është dhurata që na ndihmon të zbulojmë planin e dashurisë së Hyjit për ne dhe mënyrën e duhur për ta arritur atë. Kjo dhuratë vepron tek ne në dy mënyra: na bën të bëhemi këshilltarë për të tjerët, veçanërisht duke na bërë të aftë të përcjellim përvojat tona të fesë, por gjithashtu na bën të kuptojmë se kemi nevojë për këshilla në zgjedhjet e përditshme që jeta na vë përpara, me siguri përmes lutjes.

2. Forca. Është dhurata e guximit, e qëndrueshmërisë, e këmbënguljes. Edhe kjo dhuratë ka dy dimensione: dimensioni pasiv na ndihmon t’i rezistojmë sulmeve të së keqes, ndërsa dimensioni aktiv është forca sulmuese për ta mposhtur të keqen me të mirë. Disa ideale që na propozohen nga Ungjilli duken të paarritshme, prandaj nëse vërtet duam t’i jetojmë ato, duhet të jemi të përulur dhe të kërkojmë ndihmën e Shpirtit Shenjt nëpërmjet dhuratës së Forcës.

3. Kuptimi. Është dhurata që na ndihmon të mos jemi sipërfaqësorë, por të hyjmë në thelbin e gjërave. Kjo dhuratë mund të veprojë në mënyra të ndryshme: mund të na japë aftësinë për ta njohur veten dhe për ta përballuar me vetëdije atë që nuk shkon në ne, ose për t’i njohur dhe për t’i kuptuar thellësisht të tjerët, por mund të na japë edhe aftësinë për ta kuptuar Biblën dhe për t’u ushqyer me të. Është dhurata e “thellësisë” kundër “sipërfaqësisë”, e “qenies” kundër “dukjes”.

4. Përshpirtëria. Emri i kësaj dhurate, në latinisht “pietas”, ka të bëjë me dashurinë familjare midis prindërve dhe fëmijëve. Përshpirtëria është dhurata që na ndihmon të besojmë seriozisht se Zoti është Atë dhe na do, na jep forcë, paqe dhe gëzim. Dhurata e Përshpirtërisë na bën të besojmë te Hyji me besimin e atij fëmije që ndihet i sigurt në krahët e babait dhe të nënës së vet edhe kur ata e hedhin lart në ajër.

5. Urtia. Është dhurata që na jep shijen e njohjes së krijimit dhe rrjedhimisht të Krijuesit të tij, Hyjit, për ta njohur dhe për ta dashur atë. Ajo na ndihmon sidomos që të dimë ta dallojmë të mirën nga e keqja. Urtia mund të lindë tek ne vetëm si dhuratë nga Hyji, sepse e ka Hyjin si zanafillë dhe si qëllim të saj: Hyji më do mua, unë e dua Hyjin. Është një marrëdhënie që nuk lind nga forcat tona, por na është dhuruar neve!

6. Dija. Kjo dhuratë mund të shprehet edhe me termin “njohuri” që në Bibël do të thotë gjithashtu “të duash”. Ai që do kupton më mirë, kupton më shpejt, kupton më shumë. Ndërsa në gjuhën tonë “dije/shkencë” do të thotë njohuri njerëzore të një lloji teknik, përmes së cilës ne arrijmë ta zotërojmë botën, në gjuhën biblike “Dija” është aftësia për ta njohur botën, pa e zotëruar atë, por, përkundrazi, duke e njohur Zotin si Krijues të saj.

7. Droja/druajtja e Hyjit. Është dhurata që na bën të vetëdijshëm për madhështinë e Hyjit. Ai është i mirë, por është edhe i fortë dhe i fuqishëm. Ne duhet ta respektojmë dhe ta dëgjojmë Atë: nuk mund të tallemi me Hyjin. Droja e Hyjit na është dhënë edhe për të na kujtuar se ne nuk mund të bëjmë gjithmonë atë që duam, sepse nuk jemi zotërues të së mirës dhe së keqes, prandaj nuk mund ta bëjmë të drejtë atë që është e padrejtë, atë që është e paligjshme. Droja e Hyjit nuk është aspak frikë nga Hyji, por është respekt dhe vlerësim për Të, nëse mund të ketë ndonjë hije frike, duhet të jetë ajo e humbjes së Hyjit apo e ofendimit të Tij.

Sot të kërkojmë që Shpirti Shenjt të zbresë mbi ne, mbi familjet tona, mbi qytetin tonë dhe mbi vendin tonë. Amen.

Exit mobile version