SAKRAMENTET (pjesa e parë)
Në reflektimin e djeshëm pamë se cilat janë misteret themelore të fesë sonë, domethënë Njininë dhe Trininë e Hyjit, si edhe Mishërimin, Mundimet, Vdekjen dhe Ngjalljen e Zotit tonë Jezu Krishtit, Hyj i vërtetë dhe Njeri i vërtetë. Dhe e përfunduam duke kujtuar Pagëzimin tonë.
Po ia nisim pikërisht prej këtu, prej Pagëzimit që është i pari i të gjitha Sakramenteve.
Me Pagëzimin bëhemi pjesë e Trupit të Krishtit, bëhemi bij të Hyjit, gjymtyrë të Kishës dhe pjesëmarrës në misionin e saj. Duke ia dhënë Pagëzimin atyre që e kërkon atë, Kisha i bindet urdhrit të Jezusit për t’i pagëzuar në emër të Trinisë së shenjtë ata që dëshirojnë të shpëtohen. Në fakt, pagëzimi është për shpëtimin e të gjithëve. Në leximet e sotme ky koncept ripohohet nga profecia për të cilën flet Libri i Zanafillës. Por Pagëzimi është një zgjedhje e atyre që duan ta marrin këtë shpëtim.
Mbarështuesi i zakonshëm është prifti dhe diakoni, por në rast rreziku çdo person i pagëzuar mund ta japë pagëzimin. Në Kishën e ritit latin ky sakrament të çon te sakramenti i krezmimit, i cili, për fëmijët, bëhet në një moment të dytë, pikërisht për të konfirmuar fenë pagëzimore të të pagëzuarit.
Me Krezmimin forcohet hiri i pagëzimit, besimtarët lidhen më përsosmërisht me Kishën, pasurohen me një forcë të veçantë të Shpirtit Shenjt dhe u besohet zyrtarisht detyra misionare për ta përhapur dhe për ta mbrojtur fenë e tyre si dëshmitarë të vërtetë të Krishtit. Krezmimi, ashtu si pagëzimi, vë “vulën e karakterit”, një shenjë dalluese që e aftëson atë për ta shpallur publikisht fenë e vet. Edhe pse pagëzimi është plotësisht i vlefshëm, pa krezmimin, hyrja në jetën e krishterë do të mbetej e paplotë. Prandaj është e nevojshme që krezmimi të merret, duke bërë një rrëfim të mirë përpara kremtimit të tij për të qenë në gjendje hiri. Mund të jepet vetëm nga Ipeshkvi dhe nga meshtarët të cilëve ipeshkvi ia jep këtë detyrë.
Hyrja në jetën e krishterë plotësohet prej krezmimit dhe prej Eukaristisë. Këto tre sakramente, pagezim-krezmim- eukaristia, në Kishat e riteve lindore jepen përnjëherësh, dhe në Kishat e riteve latine ndodh vetëm për të rriturit. Eukaristia është burimi dhe kulmi i krejt jetës së krishterë: në fakt, në të përmbahet krejt e mira shpirtërore e Kishës, domethënë vetë Krishti.
Nëpërmjet Eukaristisë ne hyjmë në bashkësi me jetën hyjnore dhe me të gjithë besimtarët, duke e falënderuar (Eukaristi) Atit për Krishtin në Shpirtin Shenjt. Përveç “falënderimit”, këtë sakrament e kuptojmë mirë edhe nga mënyrat e tjera me të cilat quhet: “Darkë e Zotit”, “Thyerje e Bukës”, “Përkujtim i Pashkëve”, “Liturgji e shenjtë dhe hyjnore”, “Kungim”. “Meshë e shenjtë”. Termi i fundit është thellësisht i lidhur me misionin e Kishës që buron nga ky sakrament: përmbushja e vullnesës së Zotit në jetën e përditshme. Në të dëgjohet Fjala dhe buka e vera shndërrohen në trupin dhe në gjakun e Krishtit nëpërmjet “transubstanciacionit”. Mbarështuesi i këtij sakramenti është meshtari i shuguruar, por është krejt Kisha që kremton me larminë e karizmave dhe të mbarështimeve të saj.
Shumë prej nesh të pranishëm këtu i kemi marrë këto sakramente. Kemi nevojë që t’i jetojmë me ndihmën e hirit të Hyjit dhe me pjesëmarrjen e vullnesës sonë. Ndërsa i mirëpresim si dhuratë, të angazhohemi edhe që t’i bëjmë të japin fryte. Për më të madhen lavdi të Hyjit. Amen.