Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Krishtlindje 2018

MESAZHI  PËR TË KREMTEN E KRISHTLINDJES 2018

Përkujtimi vjetor i Krishtlindjes vë në lëvizje gjithë botën. Nëse bëhet fjalë për aspektin fetar, që pastaj është arsyeja e vërtetë e festës, apo nëse bëhet fjalë për aspektin emotiv, falë të cilit të gjithë ndihen të shtyrë për një mirësi më të madhe, ose nëse bëhet fjalë për aspektin tregtar, që për fat të keq duket sikur ka marrë epërsi, Krishtlindja është një festë që provokon.

Por, çfarë provokon tek të krishterët?

Mos të duket një pyetje jashtë vendi kjo e imja; mbi të gjitha nëse mendojmë se si shpesh përditshmëria, shqetësimet, angazhimet e jetës e kufizojnë pamjen tonë duke e detyruar të ketë një miopi që bën të paaftë për të shikuar përtej materialitetit të ekzistencës sonë.

Të dashur, realiteti në të cilin jetojmë nuk shterrohet thjesht në materialitetin, por na shpie domosdoshmërisht tek ndonjë gjë që nuk e shohim; e pra, ekziston dhe është konkrete.

Këtë vit dua ta pyes veten së bashku me ju: ku na shpie gjithë kjo që sillet përreth festës së Krishtlindjes? A mund të jetë vetëm një fakt tregtar? A mund të zgjidhet gjithçka në një emotivitet të bërë prej dritash, ngjyrash dhe dhuratash? Dhe, për të krishterët, a mund të zgjidhet gjithçka me pjesëmarrjen në një rit, sado i bukur dhe sugjestiv?

Jo! Krishtlindja nuk është Krishtlindje nëse nuk na shpie tek një e vërtetë thelbësore që i përket jo vetëm besimtarëve në Krishtin, por gjithë njerëzimit: ai Hyj që njeriu, që nga origjina, e ka pasur zili pikërisht për hyjninë e tij dhe të cilit i është kundërvënë, duke e konsideruar si një pengesë për realizimin e vet njerëzor, bëhet njeri për të lartësuar njeriun në lartësitë e hyjnisë së tij.

Duke u bërë i ngjashëm me ne, Hyji na çudit dhe na trondit dhe na bën të kuptojmë se lumturia jonë nuk qëndron aq në kërkimin e pushtetit, pasurive dhe kënaqësive; sa më shumë në dhuratën e lirë dhe falas që Ai na bën me vetveten, me natyrën e vet hyjnore. Sepse ne jemi fryt i një akti dashurie të pastër; jemi krijesa të aktit krijues të Hyjit-dashuri.

Kështu, Fëmija i lindur në Bethleem, i thotë atij që kërkon pushtetin: “Ja, Unë, i Gjithëpushtetshmi, bëhem i vogël dhe i pafuqishëm dhe vihem në duart e tua“. Atij që kërkon kënaqësinë, i thotë: “Ja ku jam, në mua ka çdo ëmbëlsi, sepse në mua, që jam Hyj, lumturia është e përsosur“. Hyji bëhet Fëmijë i vogël për të mos na shtier frikë më, që të mos kemi më smirë për të, por vetëm ta duam, ashtu sikurse mund të duhet vetëm një i sapolindur me gjithë ëmbëlsinë e tij.

Me këtë mesazh dëshiroj t’u bëj një thirrje të fortë të gjithë burrave dhe grave me vullnet të mirë, cilësdo fe që t’i përkasin, dhe edhe atyre që thonë se janë “jo besimtarë”. Humanizimi i vërtetë nuk është i mundur kur përjashtohet Hyji nga jeta personale ose kur, megjithëse duke u deklaruar të krishterë, jetohet në mënyrë pagane, duke i bërë vetveten dhe nevojat e personit si një idhull për t’u adhuruar e të cilit i duhet bindur. Le te behemi me Humane, me zemren bujare.

Të dashur, sot për Shqiperinë nevojtet një humanizëm i ri, dhe shortet e Shqiperisë janë në duart e te gjithëve

Ndërsa kush pranon Krishtin bëhet një person, njerëzimi i të cilit mbetet i shënuar nga kalimi i pashlyeshëm i hyjnisë së tij dhe i siguron vetvetes jo lumturinë që premton kjo botë, por gëzimin e atij, që edhe pse mes një mijë vështirësish, e di që është i dashur nga Hyji dhe, për këtë, mundet e duhet te jetë solidar me të tjerët.

Ju uroj të gjithë juve besimtarë katolikë, ortodoksë, krishterë dhe njerëz vullnetmirë, kudo që jeni, të jetoni Krishtlindjen në gëzim.

Zoti ju bekoftë të gjithëve! Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.

 + Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv

Exit mobile version