Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Krishtlindje 2015

Mesazhi i urimeve për Krishtlindjen 2015
Mons. Angelo Massafra OFM



Për Krishtlindje, çdo vit, ne të krishterët e kemi zakon të shkëmbejmë urimet sepse ngjarja të cilën e kremtojmë ka për ne një rëndësi shumë të madhe: Biri i Hyjit dëftohet në formë njerëzore (krh. Fil 2,7), merr natyrën tonë të mbrujtur me mëkat për ta hyjnizuar dhe për të na dhënë pushtetin të bëhemi edhe ne bij të Hyjit (krh. Gjn 1,12).
Dhe ndërsa jemi të ftuar të shikojmë përvujtërinë e Mesisë, nuk mund të mos marrim parasysh se, falë tij, njerëzimi ynë, qenia jonë burra e gra, merr një dinjitet të mrekullueshëm.
Mëkati ynë, papërsosuritë që na përkasin pikërisht sepse jemi qenie njerëzore dhe prandaj të papërsosur, në vend që të na largojnë prej Hyjit, e afrojnë atë më shumë me ne: Hyji zgjedh të bëhet njëri prej nesh. Sot do ta përdorim fjalën “integrim” për të përshkruar ngjarjen e Mishërimit të Birit të Hyjit.
Shtegtar dhe i huaj (krh. Heb 11,13) –“mbretëria ime nuk është e kësaj bote”, do të thotë para Pilatit (Gjn 18,36) – ka kaluar mes nesh duke shëruar e duke u bërë mirë të gjithëve (krh. Vap 10, 38); në mënyrë koherente me zgjedhjen kaq të përvuajtur për t’u zhveshur nga hyjnia e vet (krh. Fil 2,7), i nënshtrohet të njëjtit fat vdekatar të njerëzve për ta mposhtur vdekjen dhe për t’u lejuar të gjithëve të hyjnë në jetën hyjnore. Kështu, dinjiteti i krijesave të bëra në shëmbëlltyrë e përngjasim të Hyjit, i përçudnuar prej mëkatit të rrjedhshëm, na kthehet në mënyrë të begatshme: “kur u shumëzua mëkati, shumë më i begatshëm u bë hiri” (Rom 5,20), sepse në Jezusin “u duk hiri i Hyjit” (Tit 2,11).
Nëse kjo është festa e Krishtlindjes, atëherë duhet të lirohemi prej konsumizmit që e kthen atë vetëm në tregti, por edhe prej të gjitha atyre formave që e përçudnojnë dhe e bëjnë ta humbë shijen e vet origjinale, sidomos lëshimet që gjatë kësaj periudhe mund të bëhen. Në të vërtetë, kjo është koha që duhet t’i kushtohet sa më shumë fesë së jetuar: ta shikojmë Hyjin për të mësuar, prej veprimit të tij ndaj njerëzve, si të veprojmë ne vetë.
Pastaj është koha e volitshme për t’i kushtuar më shumë vëmendje dinjitetit njerëzor: sepse nëse Hyji na ka kthyer dinjitetin tonë, edhe ne duhet ta vlerësojmë dinjitetin e të afërmit tonë. Kjo do të thotë: të punojmë për të zhdukur padrejtësitë e çfarëdo lloji; të bëjmë çdo përpjekje për ta pakësuar varfërinë, sidomos atë kulturore; të dimë të kërkojmë falje dhe të falim fyerjet e pësuara. Vetëm kështu do ta vlerësojmë dinjitetin tonë dhe atë të të tjerëve.
Së fundi, Krishtlindja e këtij viti gjendet brenda festimeve për 25-vjetorin e fesë së rilindur në Vendin tonë: le të bëjmë që të mos ndodhë ta humbasim përsëri atë për fajin apo dembelinë tonë. Por Krishtlindja bie edhe në Vitin e Shenjtë të Mëshirës, të dëshiruar shumë prej Papa Françeskut, të cilit i jemi mirënjohës sepse, nëpërmjet këtij Jubileu, jo vetëm na lejon të përdorim në mënyrë të begatshme hirin e faljes së Hyjit, por edhe na lejon të mësojmë që të jemi “të mëshirshëm sikurse Ati”.
Kështu, urimi që ju drejtoj të gjithëve është që ta jetojmë këtë festë të Lindjes së Zotit Jezus si rast të volitshëm për të rizbuluar dinjitetin tonë si krijesa të dashura prej Krijuesit dhe për t’i kthyer të njëjtin dinjitet të afërmit tonë në çfarëdo niveli: personal, familjar, shoqëror, formues, punëtor e institucional.
Po përfundoj me fjalët e Sh. Leonit të Madh, që do t’i dëgjojmë në Vigjiljen e Natës së Shenjtë: “Njihe dinjitetin tënd!”.
Urime të gjithëve ju, jo vetëm besimtarëve në Krishtin, (katolikë-ortodoksë e krishterë) por, siç thanë engjëjt që u dëftuan në Betlehem natën e Krishtlindjes, edhe të gjithë “njerëzve që Hyji i ka për zemër” (Lk 2,14), qofshin besimtarë të çdo feje qofshin jo besimtarë, sepse Krishtlindja është festa e Hyjit, por është edhe festa e dinjitetit të rigjetur të njeriut. Urime!


Për shumë vjet!                

Arqipeshkvi Juaj

Exit mobile version