Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Krishti u ringjall, aleluja! – Pashkë 2018

Krishti u ringjall, aleluja!


Ky urim i Pashkëve 2018 është i njëjti urim që Krishti, pikërisht ditën e Ringjalljes së vet prej të
vdekurve, ua drejton nxënësve të vet të mbledhur në Çenakullin e Jerusalemit: “Paqja me ju!”.
Është një urim paqeje dhe shprese drejtuar njerëzve të frikësuar e të tronditur nga ngjarjet e
trishtuara të mundimeve të tij dhe që jo vetëm kishin shkaktuar tmerr, por edhe kishin minuar siguritë
që kishin ndërtuar gjatë viteve në të cilat kishin shoqëruar Jezusin në misionin e tij dhe, tani, ndiheshin
jetimë e pa arsye për ta vazhduar atë që kishte filluar Mësuesi i tyre.
I Ringjalluri i ka shumë për zemër nxënësit e vet: kujdeset për ta dhe u del përpara.
“Ne shpresonim…” i përgjigjen dy nxënësit që po ecnin drejt Emausit Jezusit që u afrohet
atyre gjatë udhëtimit që është duke i çuar larg vendit ku kishte ndodhur vdekja e turpshme e Mësuesit
të tyre. Dhe Jezusi u shpjegon atyre kuptimin e Shkrimeve të Shenjta që kishin lidhje me të dhe u jep
zemër, por jo pa i qortuar më parë: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan
profetët!”.
Ndërsa Jezusi fliste, ndiejnë t’i ndizet zemra në kraharor; tashmë është mbrëmje dhe prej
zemrës së tyre buron lutja plot besim: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur”. Ja: ka
rilindur shpresa, jo më e bazuar në pritshmëri vetëm njerëzore, por në një fjalë hyjnore që ngushëllon
dhe hap para perspektivave të reja.
Në tryezë me Jezusin dhe në gjestin e thyerjes së bukës sytë e tyre hapen dhe në Udhëtarin
misterioz njohin shokun e rrugës së të gjithë njerëzve të të gjitha kohëve dhe, të fortë prej pranisë së
tij (edhe pse Ai zhduket prej syve të tyre), ndërmarrin rrugën në drejtimin e kundërt: Jerusalemi
tashmë nuk është vend i vdekjes, por pikënisja e jetës së re të përuruar prej të Ringjallurit, nxënës dhe
misionarë të të cilit janë tani me të vërtetë.
Shumë të dashur vëllezër e motra, përvoja e nxënësve të Emausit është ajo që e bëjmë të gjithë
ne gjithmonë, sepse gjithmonë gjendemi përballë efekteve të zgjedhjeve të mëkatit, vdekjes ose të
gabimeve, që bëjmë ne vetë apo të tjerët. Frika dhe zhgënjimi mund të na bllokojnë, ta shterin
shpresën, të na bëjnë të ikim. Por Zoti i Ringjallur është me ne dhe bëhet shoku ynë i udhëtimit.
Prandaj, ndërsa ju uroj paqen e të Ringjallurit, ju ftoj të viheni të gjithë në dëgjim të Shkrimeve
të Shenjta; ju ftoj në lutjen e përvuajtur, që të përsërisni me gjithë zemër atë “Rri me ne!” për të cilën
kemi shumë nevojë. Në veçanti ju ftoj juve, familje, që në këtë kohë, jeni duke vuajtur veshtirsi
të medha për shkak të përmbytjes, ju ftoj që të luteni: “Të njohim, o Zot Jezus, në bukën e
thyer e solidaritetit që na ëshë duke arritur”.
Vëllezër dhe motra, ju ftoj edhe që mblidheni në tryezën e së dielës për të thyer e konsumuar
së bashku bukën e jetës së pasosur që është vetë Jezusi. Të nxitur kështu do të fillojmë së bashku një
ecje të re, me energji të reja, me një shpresë të re, atë që vetëm Jezusi i Ringjallur mund të na e
dhurojë.
Ky është ilaçi për çdo formë shkurajimi që mund të na pushtojë kur mbetemi të zhgënjyer prej
pritshmërive të parealizuara të çdo lloji: politik, shoqëror, ekonomik, moral.
Në lidhje me këtë, të mos harrojmë se jemi duke kremtuar këto Pashkë brenda Vitit Jubilar
për 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shpirti i të cilit dhe
dashuria e të cilit për Krishtin dhe për Atdheun e vet janë ende gjallë dhe të pranishëm në shpirtin e
çdo shqiptari. Kujtimi i tij nuk mund të kufizohet thjesht në një kremtim të shterpë të së kaluarës, por
duhet të bëhet një rast më shumë për ta dashur Tokën tonë dhe Atdheun tonë, Shqipërinë tonë “të
varfër e të bukur”, tokë Martirësh të Fesë dhe të shumë dëshmitarëve të Atdheut që na nxisin e na
shtyjnë të jetojmë angazhimin konkret për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.
Vëllezër dhe motra, me Krishtin dhe në Krishtin mund dhe duhet të jemi gurë të gjallë; dmth.
qytetarë aktivë, të ndershëm dhe punëtorë të guximshëm për rindërtimin shpirtëror, moral, kulturor
dhe ekonomik të Atdheut tonë të dashur.
Krishti i Ringjallur është forca dhe shpresa jonë.
Gëzuar Pashkën të gjithë katolikëve, ortodokseve! Urime të gjithëve!


Imzot Angelo Massafra O.F.M.
Arqipeshkëv

Exit mobile version