Enciklica ‘Caritas in Veritate’ (Dashuria në të vërtetën) e Papa Benediktit XVI lidhet drejtpërsëdrejti me Enciklikën ‘Populorum Progressio’ (Zhvillimi i popujve) të Papa Palit VI, shkruar në vitin 1967, që e vinte theksin tamam në zhvillimin e popujve. Megjithatë ‘Caritas in Veritate’ është në vazhdimësi edhe me të gjitha enciklikat e fundit shoqërore të papëve dhe ka parasysh ndryshimet që kanë ndodhur në botë këta 40 vitet e fundit. Duke u nisur nga kjo, thekson nevojën që veprimi shoqëror, ekonomik, politik dhe kulturor t’i drejtohet një zhvillimi të përnjëmendtë të popujve, në kontekstin e ri që nga ana historike është përcaktuar prej globalizimit, për aspektin ekonomik të të cilit ka folur shumë mirë në këtë sallë Prof. Emiljan Karma në konferencën e mëparshme, të enjten e kaluar. Gjithashtu, enciklika thekson me forcë edhe një herë se koncepti i zhvillimit është i lidhur me njeriun dhe me një konceptim të saktë të njeriut. Jo çdo zhvillim është pozitiv në vetvete. Mund të zhvillohen edhe gjëra negative. Pra, cili zhvillim i popujve është pozitiv? Zhvillimi që ka si qëllim realizimin e plotë të krejt njeriut dhe të të gjithë njerëzve. Pra, nuk është pozitiv ai ndryshim që privilegjon vetëm një aspekt të njeriut (në botën e sotme, p.sh., vetëm ai teknologjik, praktiko-operativ, duke harruar përmasën shpirtërore dhe etike të njeriut), ashtu siç nuk është i përnjëmendtë ai zhvillim që mundëson kushte jetese më të mira, dhe jo vetëm nga këndvështrimi material (e ashtuquajtura mirëqenie), por vetëm për një pjesë të njerëzimit, duke lënë pjesën më të madhe të njerëzimit në kushte tejet të mjeruara. Në shumë raste, të ashtuquajturit ‘popuj të varfër’ janë në realtitet ‘shumë të pasur’ me burime (njerëzore, dhe natyrore), por nuk arrijnë t’i mbarështojnë burimet që ata vetë kanë, sepse këta burime shfrytëzohen (dhe shpesh duke i përdorur keq apo madje duke i shpërdorur) nga një pakicë e vogël e njerëzimit. Çdo njeri ka të drejtë ta jetojë plotësisht të qenit e tij njeri. Të gjithë popujt kanë të drejtë t’i zhvillojnë burimet e veta – njerëzore, natyrore, ekonomike, shoqërore, shpirtërore, morale – për të arritur ato kushte jetese, që cilësojnë pozitivisht jetën njerëzore. Zhvillimi i një populli, në njëfarë mase, përkon me respektimin efektiv të të drejtave themelore të njeriut nga ana e atij populli dhe nga ana e atij Shteti të cilit ky popull i përket.
Të flasësh për zhvillim të popujve do të thotë në të njëjtën kohë, pra, të flasësh për të drejta të njeriut, domethënë të flasësh për tërësinë e kushteve themelore, që i mundëson çdo njeriu të bëjë një jetë të denjë për njeriun. Këto të drejta janë universale, domethënë të vlefshme gjithkund, dhe i përkasin secilit njeri si njeri që është. Neni 1 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948 – dokumenti i parë dhe themelor që flet për të drejtat e njeriut, por jo i vetmi, më pas janë miratuar shumë të tjerë – thotë: “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Janë të pajisur me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të veprojnë ndaj njëri-tjetrit me një shpirt vëllazëror”. Po e përsëris: të drejtat e njeriut i përkasin njeriut si njeri dhe jo sepse është qytetar i një Shteti. Shtetet, madje, u nënshtrohen të drejtave të njeriut, në kuptimin që janë të detyruar të krijojnë kushtet ku të drejtat e njeriut mund të jenë realisht të ushtruara dhe të jetuara nga qytetarët e tyre. Ato bazohen te vetë njeriu, në vlerën dhe në dinjitetin që çdo njeri ka në vetvete; i paraprijnë, pra, çdo njohjeje juridike dhe nuk varen nga njohja juridike. Gëzoj të drejtën për jetë apo për liri jo sepse një ligj ma jep, por sepse unë linda me këtë të drejtë. Pa u zgjeruar shumë në këtë pikë (që është objekt debati), të drejtat e njeriut pra, nuk bazohen mbi një marrëveshje mes njerëzve, por mbi vetën natyrën njerëzore. Ato – si në formulimin e tyre, ashtu edhe në njohjen e tyre juridike – kanë si qëllim të mbrojnë dhe të nxisin respektimin e dinjitetit të personit njerëzor.
Në shoqërinë e sotme, shoqëri e globalizimit, ku duket se bëjmë pjesë të gjithë në një qytet të vetëm dhe të madh, me të njëjtat të drejta dhe me të njëjtat mundësi (duket, por nuk është kështu), nga njëra anë numri dhe tipi i të drejtave që kërkohen rritet gjithnjë e më shumë (sidomos në shoqëritë perëndimore apo të ashtuquajturat shoqëri të zhvilluara), nga ana tjetër në shumë pjesë të botës nuk respektohen dhe nuk garantohen as të drejtat themelore minimale, shpesh as e drejta më e vogël, që është ajo e mbijetesës (në kohën që ne jemi këtu në këtë konferencë llogaritet që në botë vdesin më shumë se 1.000 persona për shkak të urisë apo të mungesës së ilaçeve për t’u mjekuar). Gjithashtu, vitet e fundit disa luftra (apo ndërhyrje humanitare, siç janë quajtur për të mbuluar paligjshmërinë e këtyre veprimeve) janë justifikuar (ose ‘përligjur’) pikërisht në emër të të drejtave të njeriut. Arsyetimi ishte ky: meqë në një vend të caktuar dhunohen të drejtat njerëzore, është e drejtë të ndërhyhet për t’i rivendosur këto të drejta. Po kush e caktonte se cilat vende i dhunonin me të vërtetë të drejtat e njeriut? Dhe pse pikërisht ato dhe jo vende të tjera, ku ndoshta dhunimi ishte edhe më i madh? Gjithashtu, për të rivendosur të drejtat njerëzore, shpesh janë bërë veprime që dhunonin vetë të drejtat njerëzore (mjafton të kujtojmë atë që ka ndodhur në burgun e Guantanamos apo në Abu Graib, që janë vetëm raste të njohura mes shumë situatave të tjera të ngjashme apo ndoshta edhe më të këqija). Në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut janë bërë dhunime të dukshme të të drejtave të njeriut. E gjitha kjo ka ndikuar pa dyshim në dobësimin e kuptimit dhe të vlerës së të drejtave të njeriut, që shpesh janë bërë thjeshtë një armë në duart e më të fortit ushtarakisht dhe ekonomikisht. Sot, gjendemi përballë një fenomeni interesant dhe kontradiktor: nga pikëpamja e njohjes së të drejtave të njeriut pak a shumë është arritur në një marrëveshje, në shumë raste edhe në kundvështrimin juridik, ndërsa nga pikëpamja praktike, e realitetit të përditshëm, e jetës konkrete nuk mund të themi se të drejtat e njeriut i frymëzojnë dhe i ndikojnë me të vërtetë veprimet e individëve, të popujve, të vetë organizmave që do të duhej t’i garantonin nëpërmjet qeverisjes së tyre. Çdo ditë, madje çdo minutë, në botë ndodhin diskriminime, masakra, konflikte të armatosura në të cilat dallimi mes civilëve dhe ushtarakëve nuk respektohet, njerëzit torturohen, personat burgosen vetëm sepse shprehin lirisht mendimet e tyre, fëmijët shiten apo janë të detyruar të punojnë që në moshë të njomë, gratë përdhunohen, të moshuarit braktisen, të sëmurët nuk mjekohen edhe kur është e mundur, vetëm për t’ua dhënë mundësinë industrive farmaceutike të pasurohen edhe më shumë mbi shpatullat e njerëzve të varfër. Si është e mundur e gjitha kjo? Pse të drejtat e njeriut nuk respektohen? Pse këto parime, që me fjalë pranohen dhe njihen nga të gjitha Shtetet dhe që do të duhej të rregullonin marrëdhëniet mes njerëzve, gati të gjitha nuk janë realizuar në shumë zona gjeografike dhe, përveç kësaj, edhe atje ku kanë lindur – në kulturën perëndimore – shpesh realizohen vetëm pjesërisht? Nëse ato janë ‘pasuria’ e çdo personi, pse në disa vende të botës ato respektohen relativisht me lehtësi, ndërsa në disa vende të tjera pjesa më e madhe e njerëzve nuk e di as se i ka këto të drejta? Pse në disa raste, në vend që të jenë një burim më i madh frymëzues drejtësie janë shndërruar në shkakun kryesor të padrejtësive të mëdha, të pabarazive të thella dhe të vuajtjeve të pabesueshme?
Më duket se në vende të ndryshme të Enciklikës ‘Caritas in Veritate’, Benedikti XVI, edhe pse shpesh në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, u jep përgjigje pyetjeve që bëra më sipër. Do të përpiqem të vë në dukje vetëm disa pika – ndoshta një – që më duket më e rëndësishme dhe të arsyetoj mbi atë që Papa thotë, në mënyrë që të kuptojmë thellësinë e mendimit të tij dhe të gjejmë ato elemente që na mundësojnë të vëmë në dukje disa mekanizma të shoqërisë së sotme dhe të kuptojmë pse ‘presim paqen dhe na shfaqet lufta; presim drejtësinë dhe ja ku vjen një padrejtësi edhe më e madhe’.
Më duket se gjëja më e rëndësishme është të mbahet parasysh horizonti që i jep kuptim nga njëra anë të drejtave të çdo personi, nga ana tjetër veprimeve që duhen të ndërmerren me qëllim që, duke nxitur një zhvillim të përnjëmendtë, këto të drejta të gjejnë vendin e tyre të saktë në botën e njerëzve. Një fjali shumë e shkurtër dhe shumë e thjeshtë e Enciklikës na e jep këtë horizont. Është në numrin 47: “Në ndërhyrjet për zhvillim duhet të ruhet parimi i qendërsisë së personit njerëzor, i cili është subjekti që duhet të marrë përsipër në mënyrë parësore detyrën e zhvillimit”. Para se gjithash, Papa thekson qendërsinë e njeriut. Njeriu është faktori kryesor për zhvillim. Nuk do të jenë as projektet e përgatitura në zyrat e organizatave ndërkombëtare, as fondet gjithnjë e më të mëdha, që mund të garantojnë zhvillimin. Do të jetë personi njerëzor, që e jeton dinjitetin e vet dhe angazhohet me qëllim që të gjithë njerëzit që takon ta jetojnë atë. Protagonist i zhvillimit duhet të jetë njeriu dhe asgjë tjetër. Me qëllim që kjo të ndodhë, Papa pohon se zhvillimi nuk është vetëm një e drejtë, por është edhe një detyrë. Pse është një detyrë? Në ç’kuptim është një detyrë? Gjithmonë kam menduar se popujt dhe personat kanë të drejtë të zhvillohen, domethënë ‘të jetojnë më mirë’. Këtu papa më thotë se zhvillimi është një detyrë. Ka diçka që nuk shkon… A nuk është në kundërshtim detyra me të drejtën? Si mund të qëndrojnë bashkë e drejta dhe detyra? Ne kemi idenë se detyra është diçka që na peshon, që na rëndon, diçka që nuk e kam zgjedhur, diçka që kërcënon lirinë time, sepse është një diktim ndaj të cilit duhet të nënshtrohem, edhe kur nuk jam dakort dhe do të doja të bëja të kundërtën. Në realitet nuk është kështu. Ose, të paktën, nuk është gjithmonë kështu. Duhet të ndalemi për të kuptuar më mirë domethënien e ‘detyrës’, me qëllim që të mund të kuptojmë pse ekziston një ‘detyrë për zhvillim’ dhe për të kuptuar se si ‘e drejta’ dhe ‘detyra’ janë në një lidhje të ngushtë, janë dy anët e një monedhe, që nuk mund të qëndrojnë pa njëra-tjetrën, përndryshe nuk do të kemi një monedhë, apo – për ta shtjelluar më mirë imazhin – nuk do të ketë njeri, që është mbartës të drejtash dhe detyrash. Le të reflektojmë pak së bashku mbi ‘detyrën’. Kur flasim për ‘detyrë’ jemi duke folur për një forcë që na shtyn të veprojmë dhe na detyron të bëjmë një sjellje të caktuar: nëse shkoj në shkollë, e kam “për detyrë të mësoj” (duhet të mësoj); “e kam për detyrë të punoj” (duhet të punoj), “duhet të paguaj taksat”, “nuk duhet të kërcënoj askënd me vdekje”. Por kjo forcë mund të lindë nga një burim i dyfishtë dhe nga një motivim i dyfishtë dhe mund të ketë një pasojë të dyfishtë. Në rastin e parë, forca që më dikton sjelljen që duhet të bëj vjen nga jashtë: mund të jetë një person që ka autoritet mbi mua (p.sh., prindërit ndaj fëmijëve, mësuesi ndaj nxënësve) ose, në pjesën më të madhe të rasteve, është një ligj që më detyron të bëj një sjellje të caktuar. Këtu jemi përpara një detyre ligjore. Ligjet e Shtetit diktojnë disa lloje sjelljesh, sepse kanë si qëllim arritjen e të mirës së përbashkët. Motivimi që është në bazë të detyrës ligjore është rregullimi i bashkëjetesës në mes njerëzve. Moszbatimi i sjelljes së kërkuar nga ligji sjell, si rrjedhojë, një ndëshkim apo një dënim, apo humbjen e një të mire (prindërit nuk më japin leje të dal të shtunën; Shteti më detyron të paguaj një gjobë). Atëherë veproj sipas asaj që kërkohet nga ligji për të shmangur dënimin apo ndëshkimin, domethënë për të shmangur humbjen e asaj të mire të parashikuar, domethënë për të shmangur një të keqe tokësore. Kur nuk e kuptoj dhe nuk e pranoj vlerën e ligjit, përgjithësisht ndodh që, nëse arrij të bëj atë që dua duke shmangur ndëshkimin, e bëj. Por ka edhe një mënyrë tjetër për ta kuptuar ‘detyrën’, thellësisht të ndryshme prej detyrës ‘ligjore’. Forca që më dikton sjelljen e duhur lind prej brendësisë sime, prej brendësisë së personit tim. Lind në ndërgjegjen time dhe nga ndërgjegjja ime (dhe ndërgjegjja është quajtuar nga Koncili II i Vatikanit ‘zëri i Hyjit në njeriun’). Ndihem i detyruar ta bëj atë veprim, sepse është një e mirë dhe nëse nuk e bëj të mirën nuk e realizoj me të vërtetë veten time si person. Vendos të veproj në një mënyrë të caktuar (‘duhet ta ndaj bukën time me atë që ka uri’), jo sepse duhet të respektoj një ligj, por sepse me këtë sjellje unë realizoj të vërtetën e qenies sime si njeri (në këtë rast, e vërteta ime si qenie njerëzore është të jem motër ose vëlla i të gjithëve, sidomos i atyre që kanë më nevojë). Ajo që e motivon zbatimin e detyrës është kërkimi i të mirës, është angazhimi për të realizuar të mirën, sepse vetëm nëse realizon të mirën dhe shmang të keqen, njeriu e realizon me të vërtetë veten e vet. Dhe e mira që realizohet me veprimet tona është e mira e vërtetë e tjetrit. Mosrespektimi i detyrës, që vjen prej ndërgjegjes, do të thotë të rrezikosh që të mos realizoj vetveten si person, domethënë të humb veten time, jetën time të vërtetë; me fjalë të tjera, të shkoj në ferr. Ju e kuptoni se këtu gjendemi përpara kuptimit të jetës sonë. Nëse e kuptojmë këtë gjë, atëhetë e kuptojmë pse ekziston detyra e zhvillimit. Nëse duam të jemi me të vërtetë persona, duhet të angazhohemi me qëllim që krejt njeriu dhe të gjithë njerëzit të ndihmohen për të jetuar dinjitetin e tyre. Dhe kemi për detyrë t’i zhvillojmë edhe të gjitha aftësitë pozitive, që janë brenda nesh për t’i ndihmuar të tjerët që të arrijnë t’i zhvillojnë aftësitë e tyre pozitive. Në fakt, Papa vazhdon duke thënë që “interesi kryesor është përmirësimi i situatave të jetës së personave konkretë të një zone të caktuar, me qëllim që të mund të kryejnë ato detyra që aktualisht varfëria nuk u mundëson atyre t’i bëjnë”. (Thotë: “që të mund të kryejnë ato detyra që aktualisht varfëria nuk u mundëson atyre t’i bëjnë” dhe jo, ashtu si ndoshta ne mund të presim që të thotë, “që të mund të gëzojnë ato të drejta që u përkasin”).
Në këtë perspektivë kuptojmë edhe se si çdo e drejtë mbart në vetvete në të njëjtën kohë një detyrë. Le të marrim një shembull nga legjislacioni shqiptar dhe saktësisht nga ligji mbi ndërprerjen e shtatzënisë, miratuar nga Parlamenti më 07.12.1995. Ky ligj lejon ndërprerjen e shtatzënisë në disa raste, që përcaktohen nga vetë ligji. Për bisedën që po bëjmë, nuk kam për qëllim të analizoj krejt ligjin, por po e përqendroj vëmendjen tuaj vetëm në një nen, sepse lidhet me bisedën mbi të drejtat dhe detyrat që jemi duke bërë. Neni 16 thotë: “asnjë mjek nuk mund të detyrohet të kryejë ndërprerje të shtatzënisë kundër vullnetit të vet”. Gjë që do të thotë se, nëse një mjek gjykon se ndërprerja e shtatzënisë është një e keqe, ligji i njeh të drejtën e moszbatimit/kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes. Domethënë, ka të drejtën për të mos kryer ndërprerjen e shtatzënisë. Por a ju duket se fakti që mjeku nuk kryen ndërprerjen e shtatzënisë është thjeshtë një e drejtë? A nuk ju duket se para së gjithash është një detyrë? Pse mjeku ka të drejtë të thotë ‘jo’? Sepse gjykon se ai veprim është një e keqe. Por përpara të keqes, unë nuk e kam thjeshtë të drejtën për të thënë ‘jo’. E kam për detyrë ‘të them jo’, sepse gjithmonë duhet “të bëj të mirën dhe të shmang të keqen”. Për këtë arsye, edhe po të mos ekzistonte e drejta e moszbatimit/kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, gjithësesi do të duhej të thoja ‘jo’. Kështu, të mirën duhet ta bëj edhe nëse, si edhe kur, nuk më urdhërohet me ligj. Dhe të keqen duhet ta shmang, domethënë të mos e bëj, edhe pse, si edhe kur, ekziston një ligj që ma urdhëron. Detyra ‘të bëj të mirën dhe të shmang të keqen’ vjen e para dhe është në themel të çdo të drejte. Atëherë e kuptojmë se çdo e drejtë është në të njëjtën kohë edhe një detyrë. Oriana Fallaci thotë se nuk ekziston e drejta e lirisë. Ekziston detyra për të qenë i lirë, sepse liria është një gjendje thelbësore e qenies njerëzore. Por jam me të vërtetë i lirë jo kur bëj atë që më pëlqen (në këtë rast do të isha skllav i tekave të mia), por kur bëhem përgjegjës për të mirën. Ekziston e drejta për t’u mjekuar, sepse e ke për detyrë të mjekohesh. Nëse ke të drejtën për të pasur një banesë, ke detyrën për të ndërtuar një shtëpi (dhe jo për t’i harxhuar paratë duke luajtur në lloto sport apo kumar).
Mbi bazën e asaj që kam thënë deri tani dhe duke pasur parasysh se çdo e drejtë që kam është gjithmonë e lidhur me një detyrë ndaj vetvetes dhe me një detyrë ndaj të tjerëve, mund të nxjerrim tre tregues kryesorë nga marrëdhënia e drejtë/detyrë:
1) ekziston detyra për t’i respektuar të drejtat, të miat dhe të të tjerëve (nëse kam të drejtën e lirisë, çdo ditë duhet të bëhem më i lirë dhe kam detyrën të respektoj lirinë e të tjerëve);
2) ekziston detyra për t’u angazhuar me qëllim realizimin/nxitjen e të drejtave (nëse kam të drejtën e lirisë, kam detyrën që të angazhohem ta mbroj kudo ajo kërcënohet dhe për ta nxitur aty ku ajo mungon);
3) ekziston detyra për të bërë gjithmonë të mirën, edhe kur e drejta nuk njihet me ligj apo nga shumica. Thotë J. J. Maritain: “detyra apo detyrimi nuk është para së gjithash detyrë ndaj atij që e gëzon këtë të drejtë, por thjeshtë dhe vetëm e vetëm, detyrë ndaj të mirës, ndaj asaj që është e mirë, dhe sidomos detyrë për të shmangur atë që është e keqe”.
Shpesh njeriu ka vështirësi të kuptojë marrëdhënien që ekziston mes të drejtës dhe detyrës, sepse i kupton të drejtat duke u bazuar mbi një konceptim të gabuar dhe egoistik të njeriut. Në këtë konceptim, njeriu shihet si një qenie e mbyllur në vetvete, që drejtohet vetëm nga kërkimi i interesit të vet personal; një qenie e izoluar nga të tjerët (që i konsideron si kundërshtarë, gjithmonë të gatshëm për t’ia hedhur), që ka dëshirë ta zgjerojë lirinë e tij gjithnjë e më shumë me qëllim që të mund të shfrytëzojë çdo situatë për interesin e vet; që nuk është përgjegjës për të tjerët dhe për të mirën e tyre, as për veprimet e veta dhe për pasojat e tyre. Nëse ky është konceptimi i njeriut që unë kam në kokë, nuk i vë re të drejtat e të tjerëve. Në këtë mënyrë, mbrojtja e të drejtave bëhet mbrojtje e të drejtave të mia/tona (me prirjen për t’i shtuar gjithnjë e më shumë) dhe jo kërkim i të mirës së vërtetë për të gjithë. Dhe është kjo ajo që Papa thekson në nr. 43 të Enciklikës. Nuk po e lexojmë këtu, por po jua lë leximin e këtij numri si detyrë shtëpie.
Atë Lello Lanzilli S.I