HOMELIA ME RASTIN E PËRKUJTIMIT LITURGJIK
TË TË LUMËVE MARTIRË TË SHQIPËRISË
Shkodër, më 5 nëntor 2019
(Imzot Angelo Massafra O.F.M.)
Koha liturgjike që jemi duke jetuar është një dhuratë hiri prej Zotit që, ndërsa na bën të shohim natyrën kalimtare të kësaj jete, na hap ndaj horizonteve të lavdisë dhe frymëmarrjeve të amshimit. Nëse nga njëra anë festa e të gjithë Shenjtërve dhe kujtimi i të dashurve tanë të vdekur na shtyjnë të mendojmë për qiellin, nga ana tjetër ndihemi të ngushëlluar që jeta jonë në këtë tokë nuk është e kotë, por plot me vlera, në atë masë që e jetojmë atë plotësisht të orientuar kah Zoti që na ka krijuar, që në Krishtin na shpëton dhe, me Shpirtin Shenjt, na shenjtëron në shëmbëlltyrë të Tij që është “me të vërtetë i shenjtë dhe burim i çdo shenjtërie” (Lutja II eukaristike).
Kështu sot: ndërsa kujtojmë figurat e shenjtërisë së zakonshme, e megjithatë aq të veçantë në forcën e Martirizimit të tyre, të Imzot Prennushit me Shokë, nuk mund të kufizohemi që t’u atribuojmë atyre vetëm një nderim të jashtëm. Në fakt, siç thotë Shën Bernardi: “Çfarë u duhen atyre nderimet e kësaj toke kur, sipas premtimit të Birit, Ati qiellor i nderon?… Shenjtërit nuk kanë nevojë për nderimet tona dhe asgjë nuk u vlen atyre kulti ynë”.
Kujtimi i tyre na nxit që t’i shohim jo vetëm si ndërmjetësuesit tanë, por sidomos si modele jete të krishterë që duhen imituar. Shenjtëria e tyre është para së gjithash një shenjtëri e zakonshme, që shfaqet në koherencën e jetës së tyre me atë që kanë besuar e shpresuar; një shenjtëri e jetuar secili në gjendjen e vet të jetës si ipeshkvij, meshtarë, të kushtuar dhe laikë.
Le të citojmë Shën Françeskun e Salesit, i cili shkruan: “Devocioni duhet të praktikohet në mënyrë të ndryshme nga fisniku, nga zanatliu, nga shtëpiaku, nga princi, nga vejusha, nga gruaja e martuar dhe nga vajza. Kjo nuk mjafton; praktikës së devocionit duhet t’i shtohen forcat, angazhimet dhe detyrimet e çdo personi. …A do të ishte mirë nëse ipeshkvi do të jetonte në vetminë që jetojnë murgjit certozinë? Dhe nëse gratë e martuara nuk do të donin të kishin asgjë si fretërit kapuçinë? Nëse zanatliu do ta kalonte gjithë ditën në kishë si rregulltarët dhe do t’u shërbente të gjithë njerëzve si do ta bënte detyrën e tij ipeshkvi? A nuk do të ishte qesharak, i çrregulluar dhe i papranueshëm ky devocion? Ky gabim bëhet shumë shpesh. …Devocioni nuk shkatërron asgjë kur është i sinqertë, madje përsos gjithçka dhe, kur i kundërvihet angazhimeve të ndonjërit, pa dyshim që është i rremë”.
Vëllezër e motra, duke i jetuar me koherencë angazhimet tona të përditshme me lehtësi mund ta arrijmë majën e shenjtërisë.
Në vend të dytë, shenjtëria e tyre është shfaqur edhe për shkak të një elementi tjetër që nuk duhet harruar: dashuria. Me dashuri ata kanë vepruar në dobi të atdheut duke u angazhuar në vetën e parë. Për dashuri ata kanë punuar pa u lodhur për të kumtuar Ungjillin. Siç thotë Shën Pali “të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit” (1Kor 9,23), kështu kanë bërë edhe Martirët tanë, pa përjashtim dhe secili sipas gjendjes së vet të jetës. Bashkëndarje e jetës me atë që jetonte në malet më të lashta, prani ngushëlluese pranë familjeje më në nevojë, gatishmëri për të plotësuar nevojat e më të varfërve: të gjitha raste të privilegjuara për kumtimin e Ungjillit. Po çfarë mund të themi për shkollat? Edhe ato ishin raste për të luftuar padijen dhe për të njohur Zotin.
Për dashuri të Krishtit dhe të Kishës ata kanë flijuar jetën e tyre, duke falur me dashuri ata që po i vrisnin. Po, falja. Një art i vështirë për t’u praktikuar, por tepër ungjillor që na bën të ngjashëm me Hyjin i cili “mund të falë mëkatet” (Mk 2,7). Por Jezusi na mëson se edhe për ne është e mundur kur te lutja “Ati ynë” vë një kusht të domosdoshëm për të marrë faljen e Hyjit: të falim edhe ne atë që na ka bërë keq.
Dhe këto janë vetëm aspektet e përgjithshme që u përkasin të gjithë atyre. Por kur zbresim më në thellësi të jetës së secilit prej Martirëve tanë zbulojmë një jetë shembullore që nuk mund të na lërë indiferentë, por që, madje, duhet të na nxisë edhe më shumë për të imituar virtytet e tyre. Dhe nuk flasim vetëm për virtytet teologale… por edhe për ato virtyte njerëzore që mund t’i kenë të gjithë. Po listoj disa prej tyre.
Syhapur. Për ta parë realitetin dhe për të menduar se çfarë mund të bëjmë për ta përmirësuar atë. Asnjëri prej nesh nuk duhet të ndihet i përjashtuar prej dëgjesës së urdhrit të Krijuesit që ta kemi përzemër realitetin e krijuar dhe që ta ruajmë atë. Një rojtar vigjëlon, është i vëmendshëm, dallon pozitiven dhe negativen e gjërave, merr një pozicion dhe nuk tërhiqet nëse ndryshimi i tyre kërkon mund e lodhje.
Angazhim shoqëror. Vjen menjëherë pas syve të hapur. Martirët tanë nuk kanë qëndruar të mbyllur brenda kishave të tyre, por e kanë jetuar botën dhe kohën e tyre si protagonistë, duke bërë histori, duke u bërë zëri i të varfërve pranë institucioneve të ndryshme.
Angazhim për nxitjen e shpresën. T’i shohësh në çastet e fundit të jetës së tyre duke inkurajuar veten dhe shokët e tyre të burgut dhe të martirizimit është një mësim i shkëlqyeshëm shprese. Siç na mëson Papa Françesku, askujt nuk duhet t’ia lejojmë që të na e vjedhë shpresën. Shpresa është ajo që na bën t’ia rifillojmë sërish çdo ditë, nuk na lë në vend pas gabimeve tona, shikon përpara për të zbuluar kuptimin e të tanishmes dhe ofron arsye për të ecur përpara. Edhe nëse jetohet si virtyt teologal, Shën Palin na mëson që ajo “nuk zhgënjen” (Rom 5,5).
Angazhim kulturor. Mos t’ju duket diçka dytësore, pasi forma e parë për të luftuar varfërinë e një populli është angazhimi për të rritur nivelin e tij kulturor. Është forma e parë e lirisë: në fakt, për të sunduar një popull mjafton ta mbash atë në padije. E dini mjaft mirë se sa shumë janë angazhuar martirët tanë në aspektin kulturor!
Angazhim politik. Shpesh ngatërrohet me përfshirjen në një parti të caktuar politike. Por kuptimi fillestar i termit “politikë” është “dashuri për qytetin”, për “gjërat publike”: krejt e kundërta e asaj që zakonisht bëhet kur personi mendon vetëm për veten e vet dhe jo për të mirën e përbashkët.
Vëllezër e motra, këto janë vetëm disa prej virtyteve njerëzore të Martirëve. Shumë të tjera mund t’i zbulojmë ndërsa lexojmë biografitë e tyre. Një emërues i përbashkët i lidh: bërja e të mirës dhe luftimi i të keqes.
Pra, le t’i njohim martirët tanë. Le t’i lexojmë jetët e tyre dhe t’ua tregojmë ato të tjerëve. Le t’i marrim si shembuj jete.
Dhe ata, me ndërmjetësimin e tyre të përbashkët, marrshin prej Zotit hirin e shenjtërisë së zakonshme, atë që nuk shkëlqen me dritën e vet, por që pasqyron vetë shenjtërinë që është Hyji. Atij i qoftë ndera, fuqia e lavdia për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.