“PAQE NË TOKE NJERËZVE, QË HYJI I DO”
l. Është ky lajmi i Engjëjve i cili, 2000 vjet më parë, shoqëroi lindjen e Jezu Krishtit (krh. Lk 2,14) e që do ta dëgjojmë të jehojë gëzueshëm në natën e shenjtë të Krishtlindjes, kur solemnisht do të hapet Jubileu i Madh.
Këtë mesazh shprese që arrin nga shpella e Betlehemit duam të riparaqesim në fillimin e Mijëvjeçarit të ri: Hyji i do të gjithë burrat dhe gratë e botës dhe u dhuron atyre shpresën e një kohe të re, një kohe paqeje. Dashuria e tij, e shfaqur plotësisht në të Birin e bërë njeri, është themeli i paqes universale. E pranuar në thellësinë e zemrës, ajo pajton secilin me Hyjin dhe me vetveten, ripërtërin marrëdhëniet ndër njerëz dhe ngjall atë etje për vëllazërim që është e aftë të largojë tundimin e dhunës e të luftës.
Jubileu i Madh është i lidhur pazgjidhshmërisht me këtë mesazh dashurie e pajtimi, që interpreton dëshirat më të natyrshme të kohës sonë.
- Në prespektivën e një viti kaq të ngarkuar me domethënie, të gjithëve ua përtërij përzemërsisht urimin e paqes. Të gjithëve u them se paqja është e mundshme. Ajo kërkohet me lutje si një dhuratë e Hyjit, por edhe, me ndihmën e tij, ndërtohet ditë për ditë nëpërmjet veprave të drejtësisë dhe të dashurisë.
Janë sigurisht të shumta dhe të ndërlikuara problemet që e bëjnë të vështirë dhe shpesh shkurajuese ecjen drejt paqes, por ajo është një nevojë e rrënjosur thellësisht në zemrën e çdo njeriu. Ndërkohë nuk duhet të bjerë vullneti për ta kërkuar. Në themel të këtij kërkimi duhet të jetë vetëdija se, ndonëse e provuar nga mëkati, urrejtja dhe dhuna, njerëzimi është thirrur nga Hyji për të formuar një familje të vetme. Ky plan hyjnor të njihet dhe të mbështetet, duke promovuar kërkimin e marrëdhënieve harmonike mes njerëzve dhe popujve, në një kulturë që përputhet me hapjen ndaj Trashendentes, me zhvillimin e njeriut, me respektimin e natyrës.
Ky është mesazhi i Krishtlindjes, ky mesazhi i Jubileut, ky urimi im në fillimin e një Mijevjeçari të ri.
Me luftën, njerëzimi është ai që humb.
- Në shekullin që lamë pas shpine, njerëzimi ashpërsisht është përballur me një varg të pafund dhe të tmerrshëm luftërash, konfliktesh, genocidesh, “pastrimesh etnike”, që kanë shkaktuar vuajtje të patregueshme: miliona e miliona viktima, familje dhe vende të shkatërruara turma refugjatësh, mjerim, uri, sëmundje, nënzhvillim, humbje pasurish të shumta. Në rrënjët e tërë vuajtjes ndodhet një logjikë e tiranisë, e ushqyer nga dëshira për të sunduar e për të shfrytëzuar të tjerët, nga ideologjitë e shtetit të fuqishëm ose utopizmi totalitar, nga nacionalizma të sëmurë ose urrejtje të vjetra tribale. Nganjëherë tek dhuna brutale e sistematike, që synojnë deri edhe në shfarosjen e plotë ose skllavërimin e popujve e krahinave të tëra, ka qenë e nevojshme t’i kundërvihet një resistencë e armatosur.
Shekulli XX na lë në trashëgimi mbi të githa një këshillë: Luftërat shpeshherë janë shkak luftërash të tjera, sepse ushqejnë urrejtje të thella, krijojnë situata padrejtësie dhe shkelin dinjitetin dhe të drejtat e njerëzve. Zakonisht ato nuk i zgjidhin problemet për të cilat luftohet e ndërkaq, përveçse janë tmerrësisht të dëmshme, rezultojnë edhe të kota. Me luftën, njerëzimi është ai që humb. Vetëm në paqe dhe me paqe mund të garantohet respektimi i dinjitetit të njeriut human dhe i të drejtave të tija të patjetërsueshme.[1]
- Përballë skenarit të luftës së shekullit XX, nderi i njerëzimit është shpëtuar prej atyre që kanë folur dhe punuar në emër të paqes.
Është e nevojshme të kujtojmë sa, të panumërt, kanë ndihmuar në afirmimin e të drejtave të njeriut dhe në shpalljen solemne të tyre, në disfatën e totalitarizmave, në fundin e kolonializmit, në zhvillimin e demokracisë, në krijimin e organizmave të mëdha ndërkombëtare. Shembuj të jashtëzakonshëm dhe profetikë na kanë dhënë ata që i kanë karakterizuar zgjedhjet e tyre të jetës me vlerën e mos-dhunës. Prova e tyre e qëndresës dhe e besnikërisë, e arritur shpesh deri në martirizim, ka shkruar fletë të shkëlqyeshme dhe të pasura me mësime.
Mes atyre që kanë vepruar në emër të paqes nuk harrohen burrat e gratë angazhimi i të cilëve ka bërë të mundshëm progrese të mëdha në të gjitha fushat e shkencës dhe të teknikës, duke bërë që të mposhten sëmundjet e tmerrshme, të përmirësohet dhe të zgjatet jeta.
Nuk mundem pastaj të mos përmend vetë Paraprijësit e mi, me emër të respektuar, që kanë udhëhequr Kishën në shekullin XX. Me mjeshtërinë e tyre tejet të lartë dhe me veprën e tyre të palodhshme, kanë orientuar Kishën në nxitjen e një kulture paqeje. Gati në emblemë të kësaj vepre të shumëformshe vendoset intuita e aftë dhe parashikuese e Palit VI që, më 8 dhjetor l967, themeloi Ditën Botërore të Paqes. Vit pas viti, ajo ka shkuar duke u forcuar si përvojë frytdhënëse reflektimi dhe projektimi të përbashkët.
Thirrja për të qenë një familje e vetme
- “Paqe në tokë njerëzve, që Hyji i do!”.Urimi ungjillor na sugjeron një pyetje të saktë: A do të jetë në shenjë të paqes dhe të një vellezerie të rigjetur mes njerëzve dhe popujve shekulli që po fillon? Sigurisht nuk mund ta parashikojmë të ardhmen. Por mundemi të vendosim një parim kërkues: do të ketë paqe në masën në të cilën krejt njerëzimi do të dijë të rizbulojë thirrjen e tij të fillimit për të qenë një familje e vetme, në të cilën dinjiteti dhe të drejtat e njerëzve – të çfarëdo shteti, rrace, besimi – të njihen si parësore dhe të rëndësishme përballë çdo diferencimi dhe specifikimi.
Nga një vetëdije e tillë mund të marrë frymë, kuptim dhe orientim konteksti aktual botëror, i dalluar për dinamizmat e globalizimit. Në procese të tilla, megjithëse jo pa rreziqe, janë të pranishme mundësi të jashtëzakonshme dhe premtuese, pikërisht nën dritën e qëllimit për ta bërë njerëzimin një familje të vetme, të themeluar mbi vlerat e drejtësisë, të paanësisë, të solidaritetit.
- Lipset për këtë të kryhet një përmbysje e perspektivës: mbi gjithçka duhet të sundojë jo më e mira e veçantë e një bashkësie politike, rracore apo kulturore, por e mira e njerëzimit. Ndjekja e të mirës së përbashkët të një bashkësie të veçantë politike nuk mund të jetë në kundërshtim me të mirën e përbashkët të njerëzimit mbarë, e shprehur në njohjen dhe në respektimin e të drejtave të njeriut, të sanksionuara nga Deklarimi Universal i të Drejtave të Njeriut në vitin l948. Duhet të kapërcehen, ndërkohë, konceptimet dhe praktikat, shpesh të kushtëzuara dhe të përcaktuara nga interesa të forta ekonomike, që mbajnë më të ulët nga elementët e quajtur absolutë për kombin dhe Shtetin çdo vlerë tjetër. Ndarjet dhe dallimet politike, kulturore dhe institucionale ku artikulohet dhe organizohet njerëzimi janë, në këtë perspektivë, të ligjshme në masën në të cilën harmonizohen me përkatësinë në familjen njerëzore dhe me kërkesat etike dhe juridike që rrjedhin prej saj.
Krimet kundër njerëzimit
- Nga ky parim del një përfundim me vlerë të madhe: kush fyen të drejtat e njeriut fyen ndërgjegjen njerëzore si të tillë, fyen vetë njerëzimin. Detyra për të mbrojtur të drejta të tilla, ndërkaq, i kapërcen kufinjtë gjeografikë dhe politikë brenda të cilëve ata janë shkelur. Krimet kundër njerëzimit nuk mund të konsiderohen punë të brendshme të një kombi. Istitucioni i nisur i një Gjykate Penale Ndërkombëtare e thirrur për t’i gjykuar, kudo dhe sido që të ndodhin, është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Duhet të falenderojmë Hyjin nëse vazhdon të rritet, në ndërgjegjen e popujve e të kombeve, bindja se të drejtat e njeriut nuk kanë kufinj, sepse janë universale dhe të pandashme.
- Në kohën tonë kanë shkuar duke u pakësuar luftërat ndër Shtete. Ky fakt, edhe pse në vetvete ngushëllues, megjithatë është ridimensionuar fuqimisht nëse merren parasysh konfliktet e armatosura që zhvillohen në brendësi të Shteteve. Ato janë fatkeqësisht mjaft të shumtë, praktikisht të pranishëm në të gjithë Kontinentet, dhe jo rrallë shumë të dhunshëm. Kanë për më tepër arsye të largëta historike të natyrës etnike, tribale apo edhe fetare, të cilave, aktualisht u shtohen edhe arsye të tjera të natyrës ideologjike, shoqërore dhe ekonomike.
Këto konflikte të brendshme, përgjithësisht të luftuara me një përdorim impresionues armësh me kalibër të vogël apo me armë të ashtuquajtura “të lehta”, por në realitet jashtëzakonisht vrasëse, shpesh kanë ndërlikime të rënda që shkojnë përtej kufinjve të Shtetit, duke përfshirë interesa dhe përgjegjësi të jashtme. Edhe pse është e vërtetë se, për shkallën e tyre të lartë të kompleksitetit, rezulton shumë e vështirë të kuptohen dhe të vlerësohen shkaqet dhe interesat në fjalë, një e dhënë del në pah në mënyrë të pakundërshtueshme: pasojat më dramatike të këtyre konflikteve vuhen nga popullatat civile, për shkak edhe të mosrespektimit praktik qoftë të ligjeve të zakonshme qoftë të ligjeve të vetë luftës. Larg qenies të mbrojtur, civilët shpesh janë objektivi i parë i forcave kundërshtare, kur ata vetë nuk përfshihen në veprime të drejtëpërdrejta armësh brenda një vorbulle të mbrapshtë e cila i sheh, në të njëjtën kohë, viktima dhe persekutorë të civilëve të tjerë.
Tepër, dhe tepër të tmerrshëm, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë, skenarët shqetësues në të cilët fëmijët, gratë, pleqtë e paarmatosur, të fajshëm për asgjë, bëhen, për fat të keq të tyre, viktimat e paracaktuara të konflikteve që përgjakin ditët tona; me të vërtetë të tepërt, për të mos ndier se ka arritur momenti për të ndryshuar rrugë, me vendosmëri e me një ndjenjë të madhe përgjegjësie.
E drejta për ndihmë humanitare.
9. Gjithsesi, përballë situatash sa dramatike aq edhe të ndërlikuara, duhet të pohohet, kundër të gjitha “arsyeve” të supozuara të luftës, vlera kryesore e të drejtës humanitare e ndërkohë detyra për të garantuar të drejtën për ndihmë humanitare të popullatës që vuan dhe të refugjatëve.
Njohja dhe përmbushja e vërtetë e këtyre të drejtave nuk duhet t’u nënshtrohet interesave të ndonjërës prej palëve në konflikt. Në të kundërt imponohet detyra për të dalluar të gjitha ato mënyra, institucionale dhe jo, të cilat munden të konkretizojnë më së miri qëllimet humanitare. Ligjshmëria morale dhe politike e këtyre të drejtave qëndron, në fakt, në parimin për të cilin e mira e njeriut human vjen para së gjithash dhe kapërcen çdo institucion njerëzor.
l0. Dua të ripohoj këtu bindjen time të thellë se, përballë konflikteve moderne të armatosura, mjeti i negociatës mes dy palëve, me ndërhyrje të duhura të ndërmjetësimit dhe pacifikimit të zbatuar nga organizma ndërkombëtare dhe rajonale; merr rëndësinë maksimale, qoftë në parandalimin e konflikteve, qoftë, pasi të kenë shpërthyer, për t’i shuar, duke rivendosur paqen nëpërmjet një krijimi të barabartë të të drejtave dhe të interesave në lojë.
Kjo bindje mbi rolin pozitiv të organizmave të ndërmjetësimit dhe pacifikimit shtrihet edhe tek organizatat humanitare joqeveritare dhe tek ato fetare të cilat, me kujdes dhe pa interesa, nxisin paqen ndër grupe të ndryshme, ndihmojnë të kapercehen inate të vjetra, të pajtohen armiqtë dhe të hapen rrugë drejt një të ardhmeje të re dhe të përbashkët. Ndërsa po respektoj përkushtimin e tyre fisnik në rrugën e paqes, dëshiroj t’u drejtoj një vëmendje me një vlerësim të mallëngjyer të gjithë atyre që kanë dhënë jetën e vet që të tjerët të jetojnë: për ata i çoj lart Hyjit lutjen time dhe ftoj edhe besimtarët të bëjnë të njëjtën gjë gjithashtu.
“Ndërhyrja humanitare”
ll. Natyrisht, kur popullatat civile rrezikojnë të humbasin jetën nën goditjet e një agresori të padrejtë, asgjë nuk kanë vlejtur sforcimet e politikës dhe mbrojtja jo e dhunshme, është e ligjshme madje edhe e drejtë të angazhohemi me iniciativa konkrete për të çarmatosur agresorin. Megjithatë këto duhet të jenë të kufizuara në kohë dhe të sakta në objektivat e tyre, të zhvilluara në respektimin e plotë të të drejtës ndërkombëtare, të garantuara nga një autoritet i njohur në nivel mbikombëtar e, gjithsesi, të mos lihen kurrë në logjikën e thjeshtë të armëve.
Do të lipset të bëhet përdorimi maksimal dhe më i mirë i asaj që parashikohet në Kartën e Kombeve të Bashkuara, duke përcaktuar më tej mjetet dhe modalitetet efikase të ndërhyrjes në kuadrin e ligjshmërisë ndërkombëtare. Në këtë rast, vetë Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet t’u japë të gjithë Shteteve anëtare një mundësi të ndershme për të marrë pjesë në vendime, duke lënë mënjanë privilegje dhe diskriminime të cilat ia dobësojnë rolin dhe besueshmërinë.
l2. Këtu hapet një fushë e re reflektimi dhe shqyrtimi, qoftë për politikën, qoftë për të drejtën, një fushë për të cilën të gjithë urojmë që të kultivohet me pasion e me zgjuarsi. Është e nevojshme dhe e pazvarritshme një ripërtërirje e të drejtës ndërkombëtare dhe e institucioneve ndërkombëtare që të ketë në krye të së mirës së njerëzimit dhe të njeriut human mbi çdo gjë tjetër pikënisjen dhe kriterin themelor të organizimit. Një përtërirje e tillë është shumë më urgjente nëse marrim parasysh paradoksin e luftës në kohën tonë, i cili është shfaqur edhe në konfliktet e vona, ku maksimumit të sigurisë së ushtrive i korrespondonin kushtet tronditëse të rrezikut të popullatave civile. Në asnjë lloj konflikti nuk është e ligjshme të harrohet e drejta e civilëve për siguri.
Pastaj përtej perspektivave juridike dhe institucionale, për të gjithë burrat dhe gratë me vullnet të mirë, të thirrur për të angazhuar vetveten për paqen, mbetet themelore detyra për të zhvilluar strukturën e paqes dhe instrumentet e jodhunës, të kryhen të gjitha sforcimet e mundshme për të sjelluar ata që janë në konflikt në tavolinën e bisedimeve.
Paqja në solidaritet
l3. “Paqe në tokë njerëzve, që Hyji i do!”. Nga problematika e luftës, shikimi natyrisht drejtohet tek një dimension tjetër, që lidhet veçanërisht me të: çeshtjen e solidaritetit. Detyra shumë fisnike dhe angazhuese e paqes, e qenësishme në thirrjen e njerëzimit për të qenë dhe për t’u njohur si një familje, ka një pikë force të saj në parimin e destinimit universal të të mirave të botës, parim i cili nuk deligjitimon pronësinë private, por e zgjeron konceptimin dhe organizimin e saj në funksionin e pamohueshëm shoqëror, në dobi të të mirës së përbashkët e në veçanti në dobi të anëtarëve më të dobët të shoqërisë.[2] Ky parim themelor për fat të keq është gjerësisht i papritur, sikurse tregon vazhdimi dhe zmadhimi i ndryshimit mes një Veriu të botës, gjithnjë e më të ngopur me të mira e mundësira dhe i përbërë nga një numër në rritje i pleqëve, dhe një Jugu në të cilin përqendrohet tashmë pjesa me e madhe e breznive të reja, akoma pa një perspektivë të besueshme të zhvillimit shoqëror, kulturor dhe ekonomik.
Askush të mos gënjehet se thjesht mungesa e luftës, megjithëse mjaft e dëshirueshme, të jetë sinonim i paqes së qëndrueshme. Nuk ka paqe të vërtetë nëse ajo nuk shoqërohet nga paanësia, e vërteta, drejtësia dhe solidariteti. Është i prirur të dështojë çdo lloj projekti që mban të veçuara dy të drejta të pandashme dhe të ndërvarura nga njëra- tjetra: ajo e paqes dhe ajo e zhvillimit integral e të qëndrueshëm. “Padrejtësitë, disekuilibrimet e tepruara me karakter ekonomik apo shoqëror, smira, mosbesimi dhe krenaria që shpërthejnë me dëme mes njerëzve dhe kombeve, kërcënojnë pa pushim paqen e shkaktojnë luftërat. Gjithçka që bëhet për të eliminuar këto çrregullime kontribuon për të ndërtuar paqen dhe për të shmangur luftën”.[3]
l4. Në fillimin e një shekulli të ri, varfëria e miliarda burrave dhe grave është çështja që më shumë se çdo çështje tjetër pyet ndërgjegjen tonë njerëzore dhe të krishterë. Ajo bëhet akoma më dramatike nga vetëdija se problemet më të mëdha ekonomike të kohës sonë nuk varen nga mungesa e burimeve, por nga fakti se strukturat aktuale ekonomike, shoqërore dhe kulturore e kanë të vështirë të mbajnë mbi vete kërkesat për një zhvillim të vërtetë.
Me plot të drejtë të varfërit, qoftë ata të Vendeve në rrugën e zhvillimit qoftë ata të vendeve të begata e të pasura, “kërkojnë të drejtën për të marrë pjesë në gëzimin e të mirave materiale dhe për të dhënë fruta aftësia e tyre për punë, duke krijuar kështu një botë më të drejtë e për të gjithë më të begatë. Ngritja e të varfërve është një rast i madh për rritjen morale, kulturore si edhe ekonomike për
mbarë njerëzimin”.[4] T’i shohim të varfërit jo si një problem, por si ata që mund të bëhen subjektë dhe protagonistë të një të ardhmeje të re dhe më humane për mbarë botën.
Urgjenca për një rimendim të ekonomisë l5. Në këtë perspektivë është e nevojshme të pyesim veten edhe për atë shqetësim në rritje që, në ditën e sotme, përballë problemeve që shfaqen në lidhje me varfërinë, paqen, ekologjinë, të ardhmen e të rinjëve, shumë studiues dhe operatorë ekonomik lajmërojnë kur reflektojnë mbi rolin e tregut, mbi dimensionin pushtues monetaro-financiar, mbi largimin mes ekonomikes dhe shoqërores e mbi tema të tjera të ngjashme të aktivitetit ekonomik.
Ka arritur ndoshta momenti i një reflektimi të ri e të thelluar mbi kuptimin e ekonomisë dhe të qëllimeve të saj. Duket urgjente në këtë rast që të rikonsiderohet vetë konceptimi i mirëqenies, që të mos sundohet nga një perspektivë e ngushtë dobishmërie, duke u lënë një hapësirë krejt anësore dhe të tepruar vlerave si ato të solidaritetit dhe të altruizmit.
16. Do të doja të ftoja këtu kultivuesit e shkencës ekonomike dhe vetë operatorët e sektorit, si edhe përgjegjësit politikë, që të marrin parasysh urgjencën që praktika ekonomike dhe politikat korresponduese të synojnë të mirën e çdo njeriu dhe të krejt njeriut. Këtë e kërkon jo vetëm etika, por edhe një ekonomi e shëndoshë. Në fakt duket e njohur nga përvoja që suksesi ekonomik është gjithnjë e më i kushtëzuar nga fakti se vlerësohen njerëzit dhe aftësitë e tyre, mbështetet pjesëmarrja, kultivohen më shumë e më mirë njohjet dhe informacionet, rritet solidariteti.
Bëhet fjalë për vlera të cilat, larg prej të qenurit të panjohura në shkencë dhe në veprimet ekonomike, kontribuojnë për të bërë një shkencë dhe një praktikë krejtësisht “humane”. Një ekonomi që nuk konsideron dimensionin etik e nuk kujdeset për t’i shërbyer të mirës së personit – e të çdo personi dhe të krejt personit – as që mund të quhet “ekonomi”, e njohur në kuptimin e një organizimi të arsyeshëm dhe mirëbërës të pasurisë materiale.
Cilët modele zhvillimi? l7. Prej momentit kur njerëzimi, ndonëse i thirrur të jetë një familje e vetme, është akoma dramatikisht i ndarë më dysh nga varfëria – në fillimin e shekullit XXI, më se një miliard e katërqind milionë njerëz jetojnë në një gjendje të një varfërie ekstreme -, është veçanërisht urgjente një rikonsiderim i modeleve që frymëzojnë zgjedhjet për zhvillim.
Në lidhje me këtë, do të duhet të harmonizohen më mirë kërkesat e ligjshme të fuqisë ekonomike me ato të pjesëmarrjes politike dhe të drejtësisë shoqërore, pa rënë sërish në gabimet ideologjike të bëra në shekullin XX. Konkretisht, kjo do të thotë që të thuren me solidaritet rrjetet e ndërvartësive ekonomike, politike dhe shoqërore, në të cilat proceset e globalizimit në vazhdim kanë tendenca rritjeje.
Procese të tilla kërkojnë një rimendim të bashkëveprimit ndërkombëtar; në lidhje me një kulturë të re solidariteti. E menduar si farë e paqes, bashkëpunimi nuk mund të kufizohet thjesht në ndihmë dhe në asistencë, aq më pak duke synuar avantazhin e kthimit përmes burimeve të vëna në dispozicion. Ai, në të vërtetë, duhet të shprehë një angazhim konkret dhe të prekshëm të solidaritetit, i tillë saqë të bëjë të varfërit protagonistë të zhvillimit të tyre dhe të mundësohet një numër sa më i madh personash të ushtrojnë, në rrethanat konkrete ekonomike dhe politike në të cilat jetojnë, krijimtarinë tipike të njeriut human, në të cilën varet edhe pasuria e Kombeve.[5]
Lipset, në veçanti, të gjenden zgjidhjet përfundimtare të problemit shumëvjeçar të debitit ndërkombëtar të Vendeve të varfëra, duke garantuar në të njëjtën kohë financimet e nevojshme edhe për luftën kundër urisë, kequshqyerjes, sëmundjeve, analfabetizmit dhe përkeqësimit ambiental.
l8. Shtrohet sot, në mënyrë më urgjente se në të kaluarën, nevoja për të kultivuar vetëdijen e vlerave morale universale, për të përballuar problemet e të tashmes, ngjyrimi i përbashkët i të cilëve është dhënë nga përmasa planetare që ato po marrin. Promovimi i paqes dhe i të drejtave të njeriut; pajtimi i konflikteve të armatosura brenda dhe jashtë Shteteve; mbrojtja e minorancave etnike dhe e emigrantëve; ruajtja e ambientit; lufta kundër sëmundjeve të tmerrshme, lufta kundër tregtuesve të drogës dhe të armëve dhe kundër korruptimit politik dhe ekonomik, janë çështje të cilave asnjë Komb nuk është në gjendje sot t’u bëjë ballë vetëm. Ato i përkasin mbarë bashkësisë njerëzore, e prandaj duhet të përballohen e të zgjidhen duke punuar së bashku.
Duhet të gjehet rruga për të diskutuar, me një gjuhë të kuptueshme dhe të përbashkët, problemet e paraqitura nga e ardhmja e njeriut. Themeli i këtij dialogu është ligji moral universal i shkruar në zemrën e njeriut. Duke ndjekur këtë “gramatikë” të shpirtit bashkësia njerëzore mund t’i përballojë problemet e bashkëjetesës dhe të lëvizë drejt së ardhmes duke respektuar planin e Hyjit.[6]
Nga takimi mes fesë dhe arsyes, mes ndjenjës fetare dhe ndjenjës morale del një kontribut vendimtar në drejtimin e dialogut dhe të bashkëpunimit mes popujve, mes kulturave dhe besimeve.
Jezusi, hiri i paqes l9. “Paqe në tokë njerëzve, që Hyji i do!”. Në gjithë botën, në kontekstin e Jubileut të Madh, të krishterët janë të angazhuar për të përkujtuar solemnisht Mishërimin. Duke ridëgjuar lajmin e engjëjve në qiellin e Betlehemit (krh Lk 2, l4), ata e përkujtojnë me vetëdije se Jezusi “është paqja jonë” (Ef 2,14) është hiri i paqes për të gjithë njërezit. Fjalët e tij të para drejtuar dishepujve të vet pas Ringjalljes kanë qenë: “Paqja me ju!” (Gjn 20, l9.2l.26). Ai ka ardhur për të bashkuar atë që ishte ndarë, për të shkatërruar mëkatin dhe urrejtjen, duke rizgjuar tek njerëzimi thirrjen për bashkim dhe vëllazërim. Prandaj, Ai është “krijuesi dhe modeli i këtij njerëzimi të përtërirë të përshkuar nga dashuria vëllazërore, nga sinqeriteti dhe nga shpirti i paqes, tek e cila të gjithë synojnë me dëshirë”.[7]
20. Në këtë vit jubilar, Kisha, në kujtim shumë të gjallë për Zotin e saj, ka për qëllim të konfirmojë thirrjen dhe misionin e vet që të jetë në Krishtin “sakrament” ose shenjë dhe mjet paqeje në botë dhe për botën. Për atë, që të plotësojë misionin e saj ungjillëzues do të thotë të punojë për paqen. “Kështu Kisha, grigja e vetme e Hyjit, si flamur i ngritur ndër popuj, duke vendosur në shërbim të krejt njerëzimit Ungjillin e paqes, kryen me shpresë shtegëtimin e saj në synimin e parajsës.8
Ndërkaq angazhimi për të ndërtuar paqen dhe drejtësinë për besimtarët katolikë nuk është sekondar, por thelbësor, dhe duhet të pranohet me shpirt të hapur ndaj vëllezërve të Kishave dhe Bashkësive të tjera ekleziastike, besimtarëve të besimeve të tjera e ndaj gjithë burrave dhe grave me vullnet të mirë, me të cilët kanë të njëjtin ankth paqeje dhe vëllazërie.
Të angazhohemi me zemërgjerësi për paqen
2l. Është motiv shprese të konstatohet si, pavarësisht nga pengesat e shumta dhe të rënda, vazhdojnë të zhvillohen përditë iniciativat dhe projektet e paqes, me bashkëpunimin zemërgjerë të shumë personave. Paqja është një ndërtese gjithnjë në ndërtim. Për ndërtimin e saj marrin pjesë: – prindërit që, në familje, jetojnë dhe dëshmojnë paqen dhe me të edukojnë femijët e tyre;
- mësuesit që dinë të transmetojnë vlera të vërteta, të pranishme në çdo fushë të dijes dhe në pasurinë historike dhe kulturore të njerëzimit;
- burrat dhe gratë e punës të angazhuar për të përhapur luftën e tyre shekullore për dinjitetin e punës në situatat e reja që, në nivel ndërkombëtar, kërkojnë drejtësi dhe solidaritet;
- qeveritarët që vendosin në qendër të veprimit të vet politik dhe të Vendeve të tyre një vendosmëri bindëse dhe të palëkundur për paqe dhe për drejtësi;
- ata që, në Organizatat Ndërkombëtare, veprojnë, shpesh me mungesë mjetesh, në vijë të parë, ku të jesh “vullnetar i paqes” është një ndërmarrje e rrezikshme edhe për sigurinë vetjake;
- anëtarët e Organizatave Joqeveritare që, me studim e me punë, në anë të ndryshme të botës e në situata nga më të ndryshmet, janë të kushtuar në parandalimin dhe në zgjidhjen e konflikteve; – besimtarët të cilët, të bindur se feja e vërtetë nuk është kurrë burim as i luftës e as i dhunës, nxisin nëpërmjet dialogut ekumenik dhe atij ndërfetar, arsyet e paqes dhe të dashurisë.
22. Mendimi im shkon veçanërisht tek ju, të dashur të rinj, që provoni në mënyrë të veçantë bekimin e jetës dhe keni për detyrë të mos e çoni dëm. Në shkolla e në universitete, në ambjentet e punës, në kohën e lirë dhe në sport, në gjithçka që bëni, udhëhiquni nga ky mendim i vazhdueshëm: paqja brenda jush dhe jashtë jush, paqja gjithmonë, paqja me të gjithë, paqja për të gjithë.
Të rinjëve që fatkeqësisht kanë njohur përvojën tragjike të luftës dhe provojnë ndjenjat e urrejtjes dhe pakënaqësisë, dua t’u them një fjalë lutëse: bëni të mundshmen për të gjetur rrugën e pajtimit dhe të faljes. Është një rrugë e vështirë, por është e vetmja që ju lejon ta shikoni të ardhmen me shprese për ju, femijët tuaj, Vendet tuaja dhe për njerëzimin mbarë.
Do të kem rastin të rimarr këtë dialog me ju, të dashur të rinj, kur do të takohemi në Romë, në gushtin e ardhshëm, për Ditën Jubilare kushtuar juve.
Papa Gjoni XXIII, në njërin prej fjalimeve të tija të fundit, iu drejtua edhe një herë “njerëzve me vullnet të mirë” për t’i ftuar që të angazhohen në një program paqeje të bazuar në “ungjillin e bindjes ndaj Hyjit, mëshirës, dhe faljes”. Dhe shtonte: “Atëherë, pa asnjë dyshim pishtari ndriçues i paqes do ta përshkojë rrugën e tij, duke ndezur gëzimin dhe duke derdhur dritën dhe hirin në zemrën e njerëzve mbi gjithë siperfaqen e tokës, duke bërë që ata të zbulojnë, përtej çdo kufiri, fytyra vëllezërish, fytyra miqsh”.[8] Zbulofshi ju, të rinjtë e 2000, dhe lejoni të zbulohen fytyra vëllezërish dhe fytyra miqsh!
Në këtë Vit Jubilar, në të cilin Kisha do të angazhohet në lutje për paqe me përgjërime të veçanta, t’i drejtohemi me devocionin e të birit Nënës së Jezusit duke e thirrur si Mbretëreshë të paqes, derisa Ajo t’i shpërndajë me shumicë hiret e mirësisë së saj amërore dhe ta ndihmojë njerëzimin që të bëhet një familje e vetme, në solidaritet dhe në paqe.
Nga Vatikani, 8 dhjetor të vitit 1999
[1] Krh., Gjon Pali II, Mesazhi për Ditën botërore të Paqes 1999, nr. l.
[2] Krh. Gjon Pali II, Let. Enc. Centesimus annus (l maj l99l), 30 – 43: AAS 83 (l99l), 830 – 848.
[3] Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 23l7.
[4] Gjon Pali II, Let. Enc. Centesimus annus (1 maj l99l) 28: AAS 83 (l99l), 828.
[5] Krh. Gjon Pali II, Fjalim OKB -së me rastin e 50 vjetorit të themelimit (5 tetor l995), l3: Mësime l82 (l995), 739-740.
[6] Krh ibid., 3: l.c., 732.
[7] Konc. II Ekum. Vat., Dekr. Mbi aktivitetin misionar të Kishës Ad gentes, 8. 8 Konc. II Ekum. Vat., Dekr. Mbi ekumenizmin Unitas redintegratio, 2.
[8] Me rastin e dorëzimit të Çmimit Balzan (l0 maj l963): AAS 55 (1963), 455.