Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Katekeza Kreshmore me Ipeshkvin Gjn 4, 4-42

KATEKEZA KRESHMORE ME IPESHKVIN

Gjn 4, 4-42

Rr. 4: Që prej vitit 722 para Krishtit Samaria kishte zhvilluar një kult sinkretist për shkak të pranisë së Asirëve. Ja pse Jezusi e ndiente “të nevojshme” që të kalonte, edhe pse rruga nuk i binte andej.

Rr. 5: Sihari, sipas gjasave Sikemi, është vendi i parë ku Abrahami ndërtoi një altar te lisi i Marmës, ku Jakobi bleu një copë tokë, që më pas iu dhuroi Jozefit, djalit të dashur, i cili u varros aty. Po aty u bë edhe ripërtëritja e besëlidhjes me Jozuehun.

Rr. 6: Pusi është simbol i ligjit dhënë Moisiut prej nga ku buron plotësia e jetës. Më pas vëmendja do të zhvendoset prej pusit te dhurimi i ujit (domethënë e Shpirtit që vetëm Jezusi jep).

Shfaqet natyra njerëzore e Jezusit të munduar dhe të lodhur prej udhëtimit në orën gjashtë (ajo e dënimit të tij me vdekje).

Rr. 7: Gruaja vjen, jo prej fshatit, por prej Samarisë, simbol i të gjithë popullit samaritan. Jezusi pasi i kërkon të pijë ujë, i bën një dhuratë: etja e Jezusit është ajo që t’ua shuajë etjen të tjerëve.

Takimi ynë me Jezusin nuk nis prej nesh, por prej një pyetjeje që Ai na bën. Po ashtu, as nuk nis prej një dënimi për mënyrën se si ne jemi, por prej pozitivitetit që Ai ka, të cilin dëshiron t’ua dhurojë të gjithëve.

Rr. 9: Gruaja mrekullohet, meqë e di se judenjtë dhe samaritanasit nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Përveç kësaj, ajo është grua. Qëllimi i ungjilltarit është i qartë: Jezusi i tejkalon rregullat e kohës duke u vënë në planin thjesht njerëzor.

Dialogu i vërtetë (sidomos në fushën fetare), mund të lindë vetëm duke u nisur prej asaj që personat kanë të përbashkët, jo prej asaj që i ndan ata.

Rr. 10-12: Kalimi i bisedës në një nivel tjetër: kalohet prej etjes te dhurata.

Shpesh mendojmë se duhet ta blejmë atë për të cilën kemi nevojë. Ashtu si personat që e jetojnë fenë e tyre duke menduar se mund ta arrijnë atë që kërkojnë vetëm duke zbatuar disa rregulla (Ligje), duke keqtrajtuar në këtë mënyrë dhuratën e Hyjit që dhurohet.

Jezusi paraqitet si Ai që është më shumë sesa Jakobi.

Gruaja (ashtu siç bëjmë shpesh edhe ne) pyet se deri në ç’pikë Jezusi është në gjendje t’i japë asaj atë që Ai i premton.

Rr. 13-14: Ligji jep etje, sepse nuk e shuan dhe nuk e heq atë përgjithmonë. Vetëm takimi me Hyjin mund ta shuajë etjen.

Prej takimit me Jezusin mund të përmbushet ajo etje për dashuri, që secili prej nesh ka në zemër, sepse Jezusi dhuron Shpirtin që është dashuri, dashuri mes Atit dhe Birit, një rreth brenda të cilit ai që dëshiron mund të hyjë pikërisht falë dhuratës që Biri bën.

Rr. 15: Është momenti i përshtatshëm: te gruaja ka filluar të lindë dëshira. Biseda e Jezusit ka pasur efekt. Ajo e pranon se ka etje për këtë ujë dhe e kërkon këtë dhuratë.

Jezusi pret prej nesh që pasi na ka nxitur, ta kërkojmë atë.

Rr. 16-18: Kalimi i bisedës nga dhurata te dhuruesi: Dhëndrri, Ai që mund t’i përgjigjet etjes së saj duke ia shuar atë.

Ndryshe prej Ligjit që padit tradhtitë dhe idhujtaritë tona, Jezusi nuk padit, por vë në dukje pakënaqësitë e gruas, pakënaqësinë tonë që na shtyn të kërkojmë dikë tjetër.

Interesant është fakti se, meqë gruaja nuk ka të drejtë të divorcohet, ajo bie viktimë: e joshur dhe e braktisur prej burrave të ndryshëm, domethënë prej realiteteve të ndryshme ku ka besuar se do të gjejë përgjigje dëshira e saj për dashuri. Këto realitete në vetvete nuk janë të këqija, por bëjmë gabim nëse i absolutizojmë ato. Cilët janë këto idhuj?

Rr. 19: Njohja e dytë e Jezusit: nga njeri judeas në profet. Është edhe një gjetje letrare për të filluar bisedën fetare.

Rr. 20-24: “Të adhurosh” do të thotë “të çosh te goja”, “të puthësh”: bashkimi me objektin e dëshirës sate. Pikërisht si uji: nivelet takohen dhe argumenti i parë i dialogut (uji që çohet në gojë për të shuar etjen) i jep fill të dytit (Hyji që “adhurohet”).

Interesante është biseda mbi vendin e adhurimit të Hyjit, sepse aty njeriu takon veten e vet, vendin e tij, atë që e karakterizon, shtëpinë e tij.

Jezusi qartëson identitetin e tij si judeas, sepse shpëtimi vjen prej judenjve. Duhet treguar kujdes ndaj të gjitha formave të antisemitizmit.

“Grua-tani”: dy termat e përdorur në dasmën e Kanës përdoren edhe këtu me të njëjtën vlerë: gruaja është Nusja, tani është përmbushja e misionit të Birit/Dhëndrrit: çuarja e njerëzimit në takim me Hyjin prej të cilit ai ishte ndarë për shkak të mëkatit.

Kthimi te Hyji shënohet prej adhurimit në Shpirt dhe në të vërtetë: vetëm në Shpirt njohim të vërtetën mbi veten tonë si bij dhe mbi të tjerët si vëllezër të dashur prej një Ati të vetëm.

Rr. 25-26: Mesia/UNË JAM. Edhe samaritanasit e njohin Shkrimin e shenjtë (të paktën Pesëlibërshin) dhe presin Mesinë.

Tani që gruaja ka kërkuar, e shtyrë prej “etjes” së nxitur prej Jezusit, Mesia më në fund mund t’i zbulohet: UNË JAM.

Jezusi shton: “unë që po flas me ty”: ai është Fjala e bërë mish, e vetmja që, e dëgjuar, bën që të më lindë dëshira, që ta pranoj se jam i etur dhe që Ai është “shuesi” i etjes sime. Vetëm në dialog me Të (adhuroj) e njoh dhe e shuaj etjen time.

Rr. 27-30: Ardhja e nxënësve e ndërpret magjinë dhe gruaja e lë aty enën e vet, shenjë e sigurive të veta, por edhe e përpjekjeve për të fituar atë që i duhet. Tashmë kjo enë nuk i shërben më: ajo ka gjetur atë që dhuron falas dhe vrapon për të shpallur lajmin e mirë, siç do të ndodhë me Marinë Madalenë.

Samaritanasit dalin prej fshatit për ta takuar Jezusin: është fryti i parë i korrjes.

Rr. 31-34: Biseda zhvendoset tani prej ujit te ushqimi, te buka e jetës. Është rasti për Jezusin që t’i katekizojë edhe të tijtë në lidhje me identitetin e vet, si Ai që plotëson nevojat më të thella.

Edhe Jezusi, si njeri, ka një ushqim për të konsumuar: të zbatojë vullnesën e Atit.

Rr. 35-38: Edhe një kalim tjetër niveli: prej ushqimit te korrja, te puna me të cilën sigurojmë ushqimin. Është një vepër që sapo ka filluar dhe që nuk ka mbaruar ende, sepse të shumtë janë ata që nuk e njohin “dhuratën” e Birit/Dhëndrrit.

Ai që mbjell është Biri, ata që korrin jemi ne nxënësit, që i jemi bashkëngjitur veprës së tij. Gëzimi ynë lind kur shohim se “etja” e botës është shuar dhe takohemi me gëzimin e mbjellësit hyjnor që gëzohet kur shuan etjen tonë.

Rr. 39-42: Të besuarit e samaritanasve është korrja e parë e bollshme e Ungjillit.

Këta i kërkojnë Jezusit që të rrijë tek ata: bëjnë të njëjtën përvojë të njohjes si edhe nxënësit e parë (“Jezusi ndenji mes tyre dy ditë”).

Prej nivelit të parë të fesë (kumtimi bërë gruas) kalojnë në nivelin e dytë, atë të përvojës personave të dëgjimit të Fjalës.

Jezusi njihet si Shpëtimtari i botës: kjo është përgjigjja e lexuesit ndaj kësaj pjesë të Ungjillit.

Exit mobile version