Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Intervista per diocesi Mirdita

ANGELO MASSAFRA
Argjipeshkëv Metropolit i Shkodrës

Mons. Angelo Massafra është italo-shqiptar (arbëresh), lindur në San Marzano të San Giusepes (Itali) në vitin 1949. Bën pjesë në Urdhërin Françeskan. Është shuguruar meshtar në vitin 1974. Ka mbuluar funksione të ndryshme, veçanërisht në formimin e studentëve të rinj françeskanë, më parë në Itali dhe më vonë në Shqipëri, ku punon qysh prej vitit 1993. Ka qenë Këshilltar i Provincës Françeskane shqiptare dhe Famullitar i Troshanit.
Me 7 dhjetor 1996, Papa Gjon Pali II themelon Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë), në vend të Abacisë territoriale të Oroshit, që përfshin rrethet Mirditë, Burrel, Bulqizë e Peshkopi, duke emëruar si të parin Ipeshkëv të Rrëshenit dhe Administrator Apostolik të Dioqezës së Lezhës Mons. Angelo Massafrën OFM. Ndërmerr një varg projektesh për kishat e Dioqezës së re, bashkëpunon për krijimin e Shoqërisë Kulturore Katolike “Abat Doçi”.
Në marsin e vitit 1998 Selia e Shenjtë e emëron Argjipeshkëv Metropolit të Shkodrës, detyrë në të cilën gjendet dhe sot.
Është zgjedhur Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, në qershor 2000.

MIRDITA, SHTËPI E KATOLICIZMIT
 
    Pyetje: Jeni i pari Ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit, krijuar nga Papa Gjon Pali II në dhjetor të vitit 1996. Ç’do të thotë për një arbëresh të Urdhërit Françeskan misioni i shenjtë në Mirditën e besimit katolik të pa bjerrë asnjëherë për gjatë historisë së saj?

    Përgjigje: Shugurimi Ipeshkvnor që Papa më ka bërë mua si Ipeshkëv i parë i Dioqezës së Rrëshenit të porsa themeluar, është jo vetëm një nder, por dhe një detyrë, duke parë se është një Dioqezë në ndërtim, krejt e re, pra që do të ndërtohet prej fillimit, prej themeleve. Prandaj kjo përbën për mua një nder dhe detyrë si françeskan, për të realizuar atë që Jezusi i tha Shën Françeskut në Kishën e Shën Domjanit: “Shko e ndërto kishën time që është rrënuar”.
Shugurimi ipeshvnor ka qenë një thirrje që Papa më ka bërë mua dhe më ka besuar në kushtet e mia, që të bëja si Shën Françesku dhe të rindërtoja kishën dhe institucionet që kanë qenë të ndërtuara në Rrëshen dhe për të vënë themelet e një dioqeze që do të ecë sipas parimeve të Koncilit të Vatikanit II. Në këtë kuptim mund të them se ka qenë edhe angazhimi im për të ndërtuar Kishën Katolike më të plotë, duke ndërtuar strukturat e saj për të ecur më tej. E për këtë them se për mua është një nder dhe detyrë, sepse si ipeshkëv françeskan unë kam patur këtë angazhim vërtetë për të ndërtuar vendin tonë dhe kishën tonë në çdo vend e fshat të Dioqezës.
    Duke kujtuar e duke nderuar ata që më kanë paraprirë si Abatë në Abacinë e Oroshit, që kurrë nuk duhet t’i harrojmë, duhet të them se një prej angazhimeve që kam pasur ka qenë rindërtimi i kishës së Oroshit, kjo dhe për të nderuar ish Abacinë. Jam i kënaqur që duke u larguar nga Rrësheni, pas emërimit si Arqipeshkëv në Dioqezën e Shkodrës, Kisha e Oroshit kishte filluar rindërtimin. Thirrja ime si ipeshkëv është një vazhdimësi por dhe një hap i ri për jetën e re në Kishën Katolike të Mirditës.
 
Pyetje: Cilat janë mbresat më të forta tuajat nga kohëqëndrimi në Mirditë, në mënyrë të veçantë roli i ipeshkvit dhe i misionarëve në krizën e vitit 1997? Po në bashkëpunimin me shoqatën kulturore katolike “Abat Doçi”?
    
Përgjigje: Unë kam jetuar në Rrëshen në vitin më të vështirë. Është e vërtetë, edhe unë s’e di se si kam patur mundësi për të tejkaluar një moment shumë të vështirë njerëzor, shpirtëror, nga ana shoqërore dhe nga ana kishtare, kur në Shqipëri në atë moment kishim humbur arësyen, logjikën kishim humbur gjithçka. Vetëm Zoti na ka liruar nga kjo e keqe, nga humnera më e tmerrshme. E them me vetëdije, unë dua të falënderoj të gjithë mirditorët. Unë kurrë nuk do t’ju harroj, sidomos në ditën e pranimit, më keni pranuar si bariun tuaj në një mënyrë të veçantë. Edhe unë besoj nuk ju kam zhgënjyer dhe kurrë nuk ju kam braktisur. Largimi nuk ka qenë faji im, por kam zbatuar vullnetin e Papës. Mua, duke qenë françeskan, dhmth.për kushtet e dëgjesës, unë kam dëgjuar Papën, qoftë në emërimin si ipeshkëv i Rrëshenit, qoftë si argjipeshkëv i Shkodrës. E atëherë duke dëgjuar diçka do të bësh, diçka do të nisësh e diçka do të lëshë. Do t’ju falënderoj ju, sepse kudo ku kam qenë kurdoherë, kam pranuar me gëzim këtë detyrë dhe me pak frikë: sepse kur isha frat isha mësuar me qenien frat, por që të shërbesh ipeshkëv do të mësosh. Jam shumë i gëzuar, se kudo kam shkuar pa frikë në vitin 1997, e askund personalisht nuk kam patur probleme, as në Kaçinar, as në Orosh e as në ndonjë vend tjetër në atë moment. Si kishë kemi patur problem në Malaj kur janë sulmuar meshtari dhe motra.
Pasi kam hyrë solemnisht si Ipeshkëv, më 19 janar në Rrëshen e më 26 në Lezhë, në  momentet kur filluan rrëmujat dhe problemet në Jug, dhe më vonë në mars kur shpërthyeu gjithçka, në atë kohë kemi ecur dhe unë nuk kam patur kurrë probleme, s’kam pasur kurrë frikë. Kam qenë edhe vetë i kujdesshëm, kam evituar të ecurën natën. Por kudo na kanë mirëpritur.
Fakti që kemi qenë këtu, kemi qëndruar me popullin tonë pa u larguar ka qenë një shënjë shprese për të gjithë. Po kemi guxuar të ecim se nuk i kemi patur borxh kujt dhe kemi shpallur vetëm fjalën e Hyut dhe kemi vazhduar celebrimin e meshëve.
Një gjë tjetër që dua të them është se kam kaluar mirë edhe me misionarët e tjerë dhe me murgeshat. Të gjithë  kemi bashkëpunuar mirë, kemi arritur të realizohen marrëdhënie vëllazërore të forta.
Një gjë që unë kujtoj shumë dhe që më ka ndihmuar është se këtu kam gjetur një tokë të përgatitur me punën e misionarëve dhe një moment i rëndësishëm është themelimi i Shoqërisë Kulturore Katolike “Abat Doçi”, të cilën unë e kam për zemër. Kështu unë krenohem për këtë gjë e kënaqem kur dëgjoj se ju keni vazhduar punën tuaj si Shoqatë Kulturore dhe për së largu ju ndjek.

Pyetje:Ndërtimi i Katedrales së re në Rrëshen, është një ngjarje e rëndësishme për komunitetin katolik të Mirditës dhe për Kishën në tërësi. Cili është vlerësimi për këtë dhe si e shihni të ardhmen e Mirditës dhe të Kishës Katolike aty?

Përgjigje: Një prej angazhimeve që kemi patur prej fillimit ka qenë ndërtimi i një katedraleje që i përkiste Dioqezës së Rrëshenit. Padër Lino kishte filluar një projekt me Dioqezën e Bolonjës për ndërtimin e një kishe në Rrëshen, por kjo kishë menjëherë pas emërimit të Dioqezës së Rrëshenit, ka qenë e detyruar të bëhet katedrale, prandaj u bë e detyrueshme të ndryshojë programi. Duke qenë katedrale duhej projekt tjetër e ne bëmë atë që tash është në përfundim. Na u desh shumë punë gjersa zgjidhëm problemin e truallit për të cilin kemi patur shumë probleme. Kam shkuar më pas në Bolonja, në shtator të vitit 1997 në Kongresin Kombëtar Eukaristik dhe kam qëndruar atje 9 ditë, me qëllim që prania ime të nxiste më tepër ipeshkvinjtë, Kardinalin dhe besimtarët e Bolonjës për të na ndihmuar e për të na mbështetur më tepër, për të ndërtuar Katedralen, duke shumëfishuar angazhimin, pasi nuk ishte më një kishë e zakonshme.
Ndërtimi i katedrales që kemi nisur është një nder i madh që po bëhet realitet për mirditorët.
Për këtë falënderoj Zotin dhe Administratorin Apostolik të sotëm padër Kristoforin që ka vazhduar me një angazhim të jashtëzakonshëm dhe me mundim ndërtimin e kësaj Katedraleje.
Por çfarë domethënie ka ndërtimi i Katedrales?
Është një shpresë mbi të gjitha nga ana e idealitetit por edhe nga ana e punësimit. Kjo krahinë gjatë shekujve njihet si krahina më katolike në vend. Ka qenë një krenari për të krijimi i një Dioqeze të re me një ipeshkëv. Kjo Katedrale do të tregojë se çfarë do të bëhet tani Mirdita. Duke qenë krahina më e fortë nga ana katolike, jo vetëm ka qenë krenare, por ajo i ka rezistuar më tepër komunizmit. Por ajo ka qenë edhe më e vuajtura dhe ka pasur shumë më tepër pasoja negative. Atëherë ndërtimi i një katedraleje është një nxitje, dmth:
”o Mirditë, o krahinë e Mirditës, që ti krenohesh pse ke qenë shtëpi e katolicizmit, mbrojtëse e katolicizmit, atëherë në kohën e turqve, kthehu dhe tani ajo që je – krahina katolike e vërtetë që ndjek Papën, Zotin dhe që riformohesh e rindërtohesh mbi parimet e Kishës Katolike Botërore, që ka si themel tani në shekullin e ri Koncilin II të Vatikanit dhe ky është dhe një urim”.
Një prej gjërave që dua të them është se etërit vinçensianë së bashku me motrat e pranishme kanë punuar shumë për Mirditën, për këtë vend. Por duke mos harruar se kur kam qenë Ipeshkëv unë, Dioqeza u formua në katër rrethe, ku janë Mati, Dibra, Bulqiza me qendër në Mirditë. Ne kemi shkuar edhe në Mat edhe në Peshkopi edhe pse koha qe e kufizuar për mua. Gëzohem kur shoh se ato projekte që kemi menduar atëherë janë vazhduar.

Pyetje: Në të kaluarën në mes Mirditës dhe Shkodrës ka pasur lidhje të forta dhe bashkëpunim në rrafshin kulturor, arsimor, fetar që në njëfarë mënyre vazhdon edhe sot. A mendoni se ka arsye dhe vend për një bashkëpunim edhe më të madh midis këtyre dy trevave dhe na cilat kahje?

Përgjigje: Ju kujtoj se ne duhet të kemi një pamje e gjithmbarshme duke qenë në Kishën Katolike që është unike. Atëherë ndarja dioqeziane është, mund të them, një ndarje administrative. Por nga ana e qëllimeve dhe bashkëpunimit në çdo pikpamje, qoftë dhe atë të mbështetjes, duke shikuar se Rrësheni është një Dioqezë sufragane të Kryeipeshkvisë së Shkodrës, mendoj se pavarësisht nga marrdhniet shumë të mira nga ana njerëzore, shpirtërore, kulturore, është i domosdoshëm një bashkim, sepse jemi një krahinë kishtare, ku përfshihet Shkodra si Dioqeza kryesore me katër dioqezat e tjera që janë Lezha, Rrësheni, Sapa dhe Pult-Bajza. Atëherë kuptohet Metropolia ka një rëndësi të veçantë në shkallë vendi. Ka një rëndësi si nga ana kulturore, fetare, arsimore. Pra ka dhe një nevojë bashkëpunimi. Gjithmonë unë i kam thënë At Kristoforit, Administratorit Apostolik të Rrëshenit, nëse ka nevojë për diçka, mund ta bëjmë dhe së bashku, qoftë nga ana e ndihmës meshtarake por dhe në aspekte të tjera. Duke respektuar pavarësinë e secilit dioqezë, ne bashkëpunojmë qoftë ndërmjet dioqezave të Shqipërisë qoftë me Kishën të tërë në mbarë Botën me Papën në krye dhe mendoj se do të vazhdojmë. Në Shkodër për shembull, kemi Seminarin Ndërdioqezian dhe Shkollën e  lartë për filozofi-teologjinë, ku vijnë të gjithë seminaristët e vendit.
    
Pyetje: Tani jeni në detyrën e lartë të Argjipeshkvit të Shkodrës dhe Kryetar i Koferencës Ipeshvnore të Shqipërisë. A mendoni se Kisha Katolike po i kryen detyrat e saj madhore, pas ringjalljes së saj në fillimin e viteve `90 dhe “ç’lajme të mira” do të kemi prej saj në të ardhmen? Në këtë sens a mendoni të veçoni ndonjë eveniment a diçka tjetër lidhur me Dioqezën e Rrëshenit, ku dihet se ajo përfshin edhe rrethet Mat, Bulqizë dhe Peshkopi?
 
Përgjigje: Unë mendoj se dhe Dioqeza e Rrëshenit është duke marrë një pamje, pavarësisht nga numri i vogël i meshtarëve. Një pamje përgjithësisht të plotë edhe nga ana strukturore. Dioqeza e Rrëshenit ka më shumë kisha të ndërtuara se Dioqeza e Shkodrës. Për këtë unë e falënderoj Padër Kristoforin. Është e vërtetë, është një nder për vinçensianët, por është edhe një angazhim që Kisha Katolike ka bërë në tërë Shqipërinë.
 Unë dua të trajtoj edhe një problem të dytë, problemin e shkollës profesionale. Gjithmonë kemi punuar për të varfërit, për ndërtimin e kishave, por  sa kemi punuar së bashku për këtë shkollë vetëm Zoti e di. Tani duket se jemi duke ecur mirë. Së bashku i kemi dëshiruar dhe së bashku i kemi nisur.
Është një gjë e rëndësishme se shkollat janë një ndër faktorët kryesorë për zhvillimin e vendit tonë. Shkolla profesionale me emrin e “Shën Jozefit Punëtor” besoj se pas një a dy vitesh do të ketë përfunduar. Ajo ndërtohet për të rinjtë e fshatrave në mënyrë që të punësohen, pra që të mësojnë zanatet, pasi ajo do të jetë një shkollë profesionale, në mënyrë që qoftë në Shqipëri, qoftë kudo që do të shkojnë, të jenë ndërtues. Edhe nëse shkojnë në mërgim të shkojnë si punëtor me një profesion, të jenë punëtorë të vlerësuar, e jo si sot kur shqiptarët e në përgjithësi emigrantët kudo nuk i vlerësojnë, përkundrazi shpesh herë i shfrytëzojnë.
Dioqeza e Rrëshenit ka marrë një pamje që i përfshin të katër rrethet. Kudo janë duke punuar e kudo do të vijnë meshtarë të tjerë që të shpallet Ungjilli.
Jo vetëm në Mirditën e vjetër, por edhe në zonën e Suçit, Burrelit apo në zonën e Dibrës. Por mund të them se jemi duke ecur me shumë vështirësi. Në qoftë se bëjmë një pamje retrospektive, unë them se me gjithë problemet që kemi pasur si dhe emergjencat, po të kemi parasyshë që unë kam celebruar 5 vjetorin e shugurimit ipeshkvnor, se unë kam lindur si Ipeshkëv në emergjencë: më 1997 kemi filluar emergjencën; më 1998 ka qenë emergjenca e Kosovës; më 1999 ka qenë shpërthimi i luftës. Pra po të kemi parasyshë se sa emergjenca kemi kaluar mund të them se Kisha Katolike ka bërë hapa shumë të rëndësishëm e të jashtëzakonshëm. Kudo na nderojnë, kudo na respektojnë, kudo shohin se ne kemi ardhur këtu për të mos fituar asgjë për vete, por për Zotin dhe për popullin. Pra i kemi kushtuar jetën tonë Zotit, besimtarëve shqiptarë, dhe ne jemi të kënaqur kur shohim se shkon mirë gjithçka. Fitimi ynë i vetëm është shpirtëror se kemi qenë të dobishëm për Kishën Katolike dhe për shqiptarët dhe jemi duke ecur drejt një objektivi që kishim parashikuar.

Pyetje: Edhe diçka, qoftë edhe shkurt, për ditët e pajtimeve që keni organizuar në Shkodër?

Përgjigje: Një prej angazhimeve që kam pasur, sidomos pas ardhjes si Ipeshkëv në Rrëshen, si françeskan, ka qenë futja e jetës time në pajtimin e njerëzve me njëri-tjetrin. Kemi punuar për këtë qëllim edhe në Shkodër duke parë se ka pasur shumë probleme. Ka më shumë, ndoshta, raste vrasjesh e hakmarrjesh se në zonën e Mirditës për gjakmarrje. Gjatë konfliktit në Kosovë, kishim ndërtuar një fshat për të strehuar kosovarë, të emëruar fillimisht “Brescia”, në malin e Taraboshit. Falënderoj Zotin, ata u kthyen më herët se sa kishin menduar dhe këto struktura mbetën bosh. Atëherë menduam, që ta shndërrojmë këtë vend, që ishte një zonë e policisë kufitare, në mes Shqipërisë e Malit të Zi, në një vend paqeje. Kemi kërkuar fondet, kemi bërë një gjë të jashtëzakonshme. Falënderoj të gjithë ata që na kanë ndihmuar, disa shoqata të Kishës Katolike europiane etj. Është vërtetë një mrekulli. Ky është fshati i Paqes, ku gjendet edhe shtëpia e paqes. Atje kemi bërë shumë aktivitete.
Në fshat ka shkollë për romët, kemi bashkësinë Gjovani XXIII, që merret me fëmijët e braktisur. (Ka 5-6 fëmijë të braktisur). Kemi kurse për ato fëmijë që janë të ngujuar për t’i mbështetur nga ana psikologjike. Ka raste të veçanta, ngjarje që ndodhin menjëherë, atëherë i strehojmë atje njerëzit deri sa gjejmë një zgjidhje tjetër. Është një vend ku bëjmë takime për paqen. Qëllimi është që të bëjmë një shkollë të formimit për paqen në Ballkan: ky është dhe qëllimi kryesor. Ne aty kemi bashkuar fëmijët e dhjetë kombeve të Ballkanit dhe të Europës. Pra do të jetë shkolla e formimit për paqen, për bashkëjetesën dhe pajtimin midis popujve në Ballkan.
Së fundi kemi realizuar në këtë Shtëpi paqeje disa pajtime, që të jetë shembull pë rastet e tjera..

Exit mobile version