Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Homelia per 45 vjetorin meshtarak Mons. Angelo Massafra ofm

HOMELIA PER 45 VJETORIN MESHTARAK Mons. ANGELO MASSAFRA ofm

Shkodër, 21/09/2019

Qofte levduar Jesu Krishti!

Të dashur Meshtarë, Rregulltarë,

Të dashur vëllezër dhe motra,

Festa e Shën Mateut ungjilltar vendoset në fillim të një viti të ri baritor, gati si për të na dhënë nxitjen e nevojshme për të bërë një ecje bashkësiore që na ndihmon të rritemi si Kishë. Nga ana tjetër, Mateu është përkufizuar si ungjilltari i Kishës sepse shqetësimi parësor i Ungjillit të tij është pikërisht ndërtimi i bashkësisë.

Dhe ja ku jemi sot, si Kishë dioqezane, e bashkuar përreth bariut të vet, (disa meshtarë janë duke kremtuar Meshën në famullitë e tyre), por në themel e bashkuar përreth Krishtit, qendrës së vetme të të gjithë jetës sonë personale si besimtarë dhe të gjithë jetës dhe veprave të bashkësisë.

E dëgjuam Shën Palin i cili na tha se “Zoti do që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe të arrijnë njohjes së vërtetes”. Duke drejtuar Timoteut, Shën Pali flet për formimin e bashkesisë së krishterë dhe për misionin e tij i veçantë: misioni për të shpallur  Krishtin. Por shpallja e Krishtit nuk është çeshtje vetëm me fjalët por me jetën konkrete. Është Kisha, si Trupi i Krishtit, që paraqet Krishtin botës: d.m. th: për të zhvilluar misionin tonë, duhet  mbi të gjitha që të rritet Krishti brenda nesh.

Qëllimi i çdo veprimtarie tonë është pikërisht ai i ndërtimit të trupit të Krishtit, Kishës, madje, duket sikur dëshiron të na thotë, i vetë Krishtit në çdo besimtar. Secili prej nesh është i thirrur të rritet dita ditës derisa të arrijë “në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit”.

Pra, për këtë qëllim shërbejnë karizmat, pra dhuratat që Shpirti Shenjt i ka dhënë secilit prej nesh; karizma që patjetër duhet të shndërrohen në shërbesa, pra në shërbim konkret për të mirën e përbashkët. Asnjë dhuratë e marrur nuk mund të jetë për përdorim ekskluziv, por duhet patjetër të vihet në shërbim të bashkësisë. Dhe të gjithë kemi marrë një dhuratë prej Shpirtit. Prandaj sot, në fillim të një viti të ri, jemi të nxitur prej Fjalës së Zotit që të pyesim veten me ndershmëri në lidhje me atë se si i vëmë në shërbim të Kishës dhuratat që kemi marrë… secili sipas gjendjes së jetës në të cilën është i thirrur.

E para ndër të gjitha ajo martesore. Familja, vëllezër e motra, është “kisha shtëpiake”, vendi ku jeta lind, rritet, piqet, shumohet që pastaj t’i hapet jetës së pasosur. Në familje lindin dhe piqen të gjitha llojet e thirrjes së krishterë. Në familje përballohet sfida e formimit dhe e pjekurisë njerëzore, ashtu si edhe sfida e sëmundjes dhe e vdekjes. Në familje jetohen marrëdhëniet njerëzore më të thella dhe personi rritet në dhurimin e vetvetes. Familja, vëllezër e motra, duhet të jetë shqetësimi ynë i parë baritor. Sa karizëm e bukur është ajo e krijimit të familjes! Çfarë përgjegjësie të mrekullueshme u beson Krijuesi krijesave të tij për të vazhduar veprën e tij!

Pastaj të flasim për kushtimin në Jetën rregulltare dhe në shërbesën presbiterale. E, edhe një herë befasohemi përballë përfilljes së mrekullueshme të Hyjit ndaj nesh, kur, megjithëse jemi të vetëdijshëm për kufizimet tona, zbulojmë se jemi objekt i mëshirës së begatshme të Hyjit që na thërret në një jetë përsosurie ungjillore. Por edhe kjo karizmë nuk i besohet individit, për të mirën e tij ekskluzive personale, por bashkësisë që duhet të përfitojë prej saj.

Le ta pyesim veten, vëllezër e motra në jetën e kushtuar Zotit: sa angazhohemi për rritjen tonë “në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit” për t’u ardhur pastaj në ndihmë vëllezërve? A Jemi shembull për të rinj dhe i nxisim të rinjtë dhe të rejat që të përgjigjen “PO” Zotit Jesus, nëse i thërret për jetën meshtarake, rregulltare dhe misionare? Çdo meshtar dhe çdo moter ka këtë detyrë. Dhe çfarë vetëdijeje kemi për detyrat e marrura nga dëgjesa dhe për angazhimin në zbatimin e tyre?

Të dashur, le të pranojme, pra, ftesën e Ungjillit për të qenë shërbetorë besnikë, duke pergjigjur thirrjes, që secili prej nesh ka marrë, me gatishemerinë, me bujarinë dhe gëzim.

Në fillim të këtij viti të ri jeni mbledhur këtu me mua për të falënderuar Hyjin në eukaristinë e shenjtë të kësaj feste e për të kujtuar përvjetorin e shugurimit tim meshtarak. Dhe unë, para jush, i përtërij angazhimet që kam marrë para Hyjit e para bashkësisë së krishterë qoftë si meshtar qoftë si ipeshkëv. Edhe për mua ky moment përfaqëson një gatishmëri të përtërirë për t’u rritur në “pjekurinë e plotë të Krishtit”.

Prandaj le të nxitemi prej vullnetit të mirë dhe le ta rifillojmë me gëzim ecjen tonë, atë gëzim për të cilin kam folur në Letrën time baritore për këtë trevjeçar dhe që duhet ta zbatojmë patjetër. Në lidhje me këtë, le të kujtojmë atë që kemi thënë në asamblenë dioqezane të fundvitit në qershorin e kaluar dhe të nisemi duke iu përgjigjur me bujari nismave që do të propozohen nga Zyra liturgjike dioqezane për këtë vit, tema e të cilit është “Në emër të Jezusit të përkulet çdo gju”.

Çdo gju… tanët dhe ata të vëllezërve tanë tek të cilët duhet të arrijë dëshmia jonë në një shpirt të vërtetë misionar. Prandaj më 1 tetor do të takohemi si Kishë e Shqipërisë këtu në Shkodër për të përuruar muajin misionar që duam ta përjetojmë me entuziazëm dhe angazhim, deri në mbylljen e tij më 26 tetor në Vlorë.

Le të jehoi në zemrat tona nxitja e Papës Françesku gjatë vizitës në tokën tonë si sot 5 vjet më parë; ftesa për “të fluturuar lart”, si shqiponja e flamurit tonë të lavdishëm. Por jo për të braktisur folenë, por për t’u kthyer aty me shpirt të vërtetë përkatësie dhe konstruktiviteti. Prandaj, nesër, në të gjitha Meshët e Shenjta të së dielës, dëshiroj që të lexohet letra që Konferenca Ipeshkvore ka përgatitur për të kujtuar atë ngjarje të pesë viteve më parë.

Të dashur, falënderojmë Zotin që na ka bërë të takohemi dhe që edhe një herë na ka nxitur të marrim në dorë jetën tonë si besimtarë dhe si bashkësi të krishtera. Le të formohet Krishti në ne, në mënyrë që kushdo që na takon të mund të brohorasë: “kam parë Krishtin!”.

Atij i qoftë nderi e pushteti për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

Exit mobile version