Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Homelia në përkujtomin liturgjik të Martirëve – 5 nentor 2018

Homelia në përkujtomin liturgjik të Martirëve tanë

                        Shkodër, 5 nentor 2018

Vëllezër e motra,

pas kremtimit solemn të vitit 2016 gjatë të cilit Martirët tanë u lumnuan, dhe pas kremtimit të vitit të kaluar, në përfundim të vitit jubilar të lumnimit të tyre, ja tek kremtojmë përkujtimin liturgjik e përvitshëm të Imzot Vinçenc Prennushit dhe të 37 Shokëve të tij të vrarë për urrejtje ndaj fesë në Krishtin.

Ky përkujtim është një pikë referimi e rëndësishme për Arqidioqezën tonë dhe për gjithë Kishën katolike në Shqipëri sepse ata kujtimin e të cilëve jemi duke nderuar janë për ne modele të vërteta të fesë në Krishtin dhe të dashurisë ndaj Atdheut. Shumë prej tyre kanë jetuar këtu dhe shumë prej tyre kanë përshkuar rrugën para Katedrales për t’u çuar në vendin e pushkatimit, një Udhë Kryqi e vërtetë, që ne duhet ta mbajmë mirë parasysh.

Leximi i parë që është shpallur është si një hershim profetik i vuajtjeve që atyre u është dashur të pësojnë për dashuri ndaj fesë së të parëve; një përshkrim pothuajse i përsosur i asaj që ka ndodhur në Shqipëri që prej ardhjes së komunizmit e më tej. Ose ndoshta më mirë duhet të themi se përshkrimi që përmban Libri i Makabejve nuk është gjë tjetër veçse përshkrimi i asaj që rregullisht u ndodh të përndjekurve në emër të Krishtit.

Edhe sot jetojmë kohë përndjekjeje: në anë të ndryshme të botës besimtarët e Krishtit përndiqen e vriten, dhe metoda është gjithmonë e njëjta: duke hequr shenjat e fesë, duke i zëvendësuar ato me shenja të paganizmit, duke i vrarë ata që nuk sillen në mënyrën e paganëve. Po ta mendojmë mirë, ky lloj përndjekjeje nuk është vetëm ai i zbatuar prej armiqve të dukshëm të fesë, por edhe prej paganizmit të ri që është më pak i dukshëm. Në të vërtetë, ekziston një paganizëm i ri që është duke u realizuar edhe në Shqipëri: idhujt e pushtetit, të pasurisë e të kënaqësisë zënë vendin e Hyjit dhe ndërgjegjet më të dobëta, që janë sidomos ato të më të rinjve, pësojnë dëmin më të rëndë sepse druajnë se mos janë inferiorë ndaj bashkëmoshatarëve të tjerë të vendeve të tjera.

Për këtë arsye Papa Françesku i paralajmëron të gjithë besimtarët, dhe në mënyrë të veçantë ne mbarështuesit, para rrezikut të mondanitetit: në të vërtetë, shpirti i botës i hap dyert idhujtarisë dhe kështu Hyji nuk është më në vendin e parë në jetën e besimtarëve.

Por pjesa e fundit e leximit të parë na hap ndaj shpresës sepse, siç ka ndodhur gjithmonë, e si në kohën e Martirëve tanë ashtu edhe sot, ekziston gjithmonë dikush që rri besnik dhe u bën ballë të gjitha forcave të mondanitetit në mënyrë që Hyji të njihet, të duhet e të nderohet gjithmonë.

Këta besimtarë janë ata për të cilët Jezusi në ungjill ka thënë: “Kush do të qëndrojë deri në fund do të shëlbohet”. Dhe ne urojmë të jemi në numrin e atyre që do të shëlbohen. Me siguri jo sepse nderojmë përkujtimin e Martirëve tanë, por sepse, të fortë me shembullin e tyre, edhe ne angazhohemi të jemi të krishterë të sinqertë që, megjithëse mes një mijë vështirësish, dëshirojmë të jetojmë bashkimin me Hyjin.

Si Arqidioqezë, jemi duke u angazhuar në një përtëritje që të çojë pikërisht në këtë bashkim, duke nisur nga “gëzimi i dëshmisë”, ashtu siç kam uruar në Letrën Baritore që ju kam drejtuar të gjithëve ju. Vëllezër e motra, sot nuk kemi tjetër mënyrë për të qenë lajmëtarë të Krishtit përveçse ta dëshmojmë atë me gëzimin e një jete vëllazërore koherente.

Në mënyrë të veçantë, jemi duke u përqendruar në këtë vit baritor në shpalljen e emrit të Jezusit, atij emri tejet të shenjtë në të cilin jemi pagëzuar, në të cilin mund të shëlbohemi dhe, sikurse Ai vetë na ka thënë në Ungjillin që dëgjuam, është ai emër që duhet ta dëshmojmë qoftë edhe me çmimin e vetë jetës sonë, pa u turpëruar për Të para njerëzve.

Pra, ky kremtim nuk mund të jetë vetëm një kujtim i zbrazët i Martirëve tanë, por rasti i privilegjuar që kemi për të përtërirë fenë tonë në Krishtin, mundësinë për një fillim të ri dhe për përtëritjen e jetës sonë të krishterë, një luftim jo aq me forca që janë jashtë nesh të cilat dëshirojnë të na largojnë prej Hyjit, por me forca brenda vetes sonë, duke hequr prej vetes sonë çdo të keqe dhe duke u bashkuar me Zotin.

Në Meshën e shenjtë të djeshme, ditën e diel, kemi reflektuar në lidhje me ftesën e Hyjit për ta dashur me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me të gjitha forcat. Sot kjo ftesë na bëhet përsëri, e pasuruar me shembullin e Martirëve tanë të cilëve u kërkojmë edhe që të jenë ndërmjetësues pranë fronit të Hyjit në mënyrë që, sikurse ata, të mund të jemi dëshmitarë të guximshëm e të gëzueshëm të Krishtit. Atij i qoftë lavdi për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

+ Angelo Massafra OFM

Exit mobile version