Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

HOMELIA në 5 Vjetori e Lumnimit të Martirëve tanë.

HOMELIA

Ne 5 vjetori e Lumnimit t eMartireve tane Imzot Angelo Massafra ofm
5 nëntor 2021

Ky pesëvjetor i Lumnimit të Martirëve tanë na gjen edhe një herë të mbledhur rreth tryezës së Fjalës dhe të Bukës Eukaristike për të vazhduar, me jetë tonë personale dhe atë bashkësiore, përvojën e bashkimit me Krishtin Mbret, që ata patën përpara nesh; në fund të fundit, ky është qëllimi drejt të cilit secili prej nesh duhet të priret çdo ditë dhe në këtë ecje ata qëndrojnë para nesh si fenerë ndriçues, që na tregojnë rrugën për të ecur: atë të besnikërisë ndaj Zotit Jezu Krisht.

Leximi i parë na ka treguar për një faqe të trishtë në historinë e popullit të Izraelit, shumë e ngjashme me përvojën që populli ynë ka jetuar gjatë kohës së përndjekës së fesë, që Martirët tanë e përjetuan në lëkurën e tyre dhe shumë prej të pranishmëve ende e kujtojnë shumë qartë këtë gjë. Përvoja që liria e rigjetur e kultit, me kushtet e ndryshuara të jetës së popullit tonë, mund të ndikojë që të rinjtë të mos i njohin apo të mos i kushtojnë vëmendjen e duhur këtyre gjërave, me rrezikun se mund të biem sërish në skllavëri… ndoshta jo në atë të një diktatori, por të një diktature mendimi që kalon nëpër kanalet kulturore të ditëve tona, për të cilën flasin qoftë Papa Emerito Benedikti XVI qoftë Papa Françesku. Në fakt, ka një atmosferë lirie, por duket se liria është bërë shkak për përhapjen e modave të rrezikshme që minojnë besnikërinë tonë ndaj Krishtit dhe mësimeve të Tij.

Sidomos më të rinjtë, të pavetëdijshëm për rrezikun, rrezikojnë të përfshihen në këtë skllavëri jo të dukshme dhe të fshehur në mirazhin e një mirëqenieje që duhet fituar me çdo kusht: eksterioriteti në kurriz të brendësisë, seksualiteti në kurriz të afektivitetit, argëtimi në kurriz të lumturisë që konsiston në bërjen e asaj që është e drejtë dhe jo të asaj që plotëson një nevojë imediate. Me rrezikun gjithashtu që, për të arritur qëllimet e veta, njeriu mund të përdorë dhunën dhe trafikun e paligjshëm.

Përndjekja që po bëhet sot ndryshon, ndoshta, format e saj të agresionit, por fuqia e saj shkatërruese mbetet e pandryshueshme. Na takon neve inteligjenca e fesë për të identifikuar rreziqet dhe për t’u ikur atyre. Por kjo është e mundur vetëm nëse i qëndrojmë besnikë Krishtit, nëse dëgjojmë dhe meditojmë Ungjillin e Tij, nëse gjejmë kohë të ndalemi para Tij të pranishëm në Tabernakull dhe ta lejojmë të flasë, në mënyrë që t’i kuptojmë dhe të vendosim për gjërat e jetës sonë.

Në fakt, ajo që duhet të na shqetësojë më shumë nuk është përndjekja: ka qenë gjithmonë dhe gjithmonë do të jetë; por aftësia jonë për t’i qëndruar besnikë Krishtit sot, siç thotë Ungjilli: “Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij“. Kjo duhet të jetë e rëndësishme për ne! I përkasim Krishtit dhe dëshmojmë me gëzim përkatësinë tonë ndaj Tij.

Çfarë na sjell fakti që i përkasim Krishtit? Po në njetin verset Ai vetë na e zbulon këtë gjë: të njihemi para Atit si “të Krishtit” në ditën që do të dalim përpara lavdisë së Tij. Atë ditë, ndoshta, nuk do të kemi gjëra të mëdha për të marrë me vete; ndoshta nuk do të kemi vepra të mëdha meritore për të paraqitur: me siguri do të paraqitemi përpara Zotit me të vërtetën e vetvetes. Dhe nëse e vërteta e vetvetes është ajo e besnikërisë sonë ndaj Krishtit dhe Ungjillit të Tij, atëherë nuk kemi pse të frikësohemi, por përkundrazi do të kemi shumë për të gëzuar. Lumturia jonë e përjetshme do të jetë, duke përdorur imazhin që na propozoi Shën Gjoni si shembull në leximin e dytë, duke qenë ditë e natë përpara fronit të Zotit, përfundimisht i lirë nga çdo dhimbje.

Por kjo është koha e punës: është koha e mbjelljes së bërë me vështirësi, koha e misionit. Në fakt, nuk mund ta imagjinojmë se i përkasim Krishtit dhe se zbatojmë Ungjillin e Tij, nëse nuk kemi në ne dëshirën për të arritur lumturinë e përjetshme së bashku me sa më shumë njerëz, duke i ndihmuar ata të takojnë Krishtin. As nuk mund të mendojmë se i mjaftojmë vetes sonë; kemi vepra trupore dhe shpirtërore të mëshirës për të bërë: ato janë misioni ynë në këtë tokë.

Në të gjitha këto, nuk duhet të kemi frikë se nuk do t’ia dalim, sepse nuk jemi vetëm: jemi një bashkësi feje, Kisha e Krishtit, Trupi mistik i Krishtit, i cili vazhdon ta bëjë të pranishëm Mësuesin dhe Zotin e tij në çdo kohë dhe në çdo vend. Statistikat e publikuara javën e kaluar tregojnë se, me përjashtim të Evropës, katolikët në botë janë rritur me 15 milionë e gjysmë. Është një e dhënë statistikore që nga njëra anë na gëzon, por nga ana tjetër, duhet të rritet në ne ndjenjën e përgjegjësisë; si dhe duhet të na bëjë të reflektojë fakti se Evropa po bëhet gjithnjë e më e pandjeshme ndaj aspektit të fesë…dhe ne jemi Evropa!

Sot më shumë se kurrë, duhet t’i bashkojmë forcat për ta përmirësuar përvojën tonë si nxënës të Krishtit të mbledhur në Kishën e Tij. Kjo është arsyeja pse Ati i Shenjtë, Papa, e ka dashur këtë Sinod që do t’i përfshijë të gjithë të krishterët, duke filluar nga famullia më e largët në botë deri te metropolet më të mëdha. Në fakt, fjalët e këtij Sinodi janë: Bashkim, PjesëmarrjeBashkepërgjegjsi dhe Mision; për të ritheksuar atë që po thoja pak më parë: nuk jemi vetëm në kryerjen e Misionit të Krishtit, por një bashkësi e gjallë e krishterë që vepron dhe punon.

Së bashku do të kujdesemi për ruajtjen e besnikërisë sonë ndaj Krishtit; së bashku do të përpiqemi t’i kuptojmë kufijtë tanë dhe ato të botës në të cilën jetojmë, në mënyrë që t’i kapërcejmë ato dhe të përmirësojmë veten; së bashku do ta shpallim fenë tonë, me gëzim dhe guxim, rrugën e njerëzimit drejt Krishtit, Mbret dhe Zot.

Përkujtimi i këtyre pesë viteve nga Lumnimi i Martirëve nuk mund dhe nuk duhet të jetë një përvjetor i thjeshtë, pas të cilit, secili prej nesh kthehet i lumtur në shtëpinë e vet, por marrja e një angazhimi serioz: atë të ripërtëritjes së fesë sonë, të përkatësisë sonë ndaj Krishtit në Kishë, të misionit tonë personal dhe bashkësior për ta çuar botën te Krishti dhe atë të angazhimit të të gjithëve: familjet, të rinjët, meshtarët dhe motra për thirrjet mesharake dhe rrgulltare-misionare.

Martirët tanë na ndihmofshin, me ndërmjetësimin e tyre, në këtë ecje sinodale dhe gjatë gjithë jetës sonë dhe sëbashku me ta themi: Rroftë Krishti Mbret!

Imzot Angelo Massafra ofm


Exit mobile version