Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

HOMELIA E TRIDITËSHES SË SHËN JOZEFIT – 18 mars 2022

Leximi i parë dhe psalmi i kësaj dite të tretë të Triditëshes sonë na rrëfejnë shkurtimisht historinë e njërit prej djemve të Jakobit, Jozefit, i cili, i shitur si skllav nga vëllezërit e tij, bëhet njëri nga personat më të fuqishëm në tokë për të mirën e shtëpisë së babait të tij Jakobit dhe të pasardhësve që prej tij do të lindnin dhe do të rriteshin në Egjipt.

Kjo histori është një simbol i historisë së Krishtit, vëllait të një njerëzimi që dëshiron ta zotërojë Zotin dhe refuzon ta lejojë veten që të zotërohet nga Zoti. Le t’i kushtojmë pak kohë këtij reflektimi, sepse është thelbësor për udhëtimin tonë të Kreshmës.

Dëshira për të qenë “si Zoti” qëndron në cepat më të thellë të njerëzimit tonë: është tundimi i lashtë që përcaktoi mëkatin fillestar të paraardhësve tanë dhe që vazhdimisht kthehet në çdo formë mëkati, madje edhe të mëkateve tona që e quajmë veten besimtarë. Dëshira për të qenë “si Zoti” na bën që ta përjashtojmë Zotin nga zgjedhjet tona të jetës dhe të zëmë vendin e tij, duke sunduar mbi të tjerët për të treguar kështu epërsinë tonë, duke shkelur ligjet për të demonstruar lirinë tonë.

Por Zoti, në mëshirën e tij të pafund, vazhdon të dërgojë profetë, persona që flasin në emrin e tij, që ta duan Atë dhe ta duan të afërmin. Në dukje profetët janë njerëz të dobët, nuk kanë forcë të tyren, nuk u imponohen të tjerëve me dhunë, as me idetë e tyre, as me fjalë, as me veprime të forcës; në të vërtetë, ata shpesh i nënshtrohen dhunës së të dhunshmit. Por veprimi i tyre nuk mbetet i pafrytshëm dhe, si në shëmbëlltyrën e mbjellësit, marrin të korra të shumta pasi toka e tyre është e mirë.

Problemi i vërtetë, pra, nuk është cilësia e profetit (sipas kritereve njerëzore), por mirësia e zemrës së atyre që marrin kumtimin e tyre; sepse Fjala e Hyjit vepron me fuqinë e saj, por gjithmonë respekton gatishmërinë e zemrave që e dëgjojnë atë.

Shën Jozefi bashkëpunoi në mënyrë të përsosur me Marinë në edukimin e fëmijës Jezus për ta dëgjuar Fjalën e Zotit dhe për ta vënë atë në zbatim, derisa Jezusi e kuptoi se Ai vetë ishte Fjala e dërguar nga Ati për shpëtimin e botës dhe e mirëpriti misionin duke e realizuar atë deri në Kryq.

Sot, fatkeqësisht, familjet e krishtera e kryejnë këtë veprim pedagogjik me vështirësi, madje aspak, ndaj fëmijëve të tyre, të cilët në krahasim me të kaluarën, rriten pa e ditur vlerën e Fjalës së Zotit dhe praktikimin e virtyteve të krishtera. Në këtë mënyrë, të rinjtë tanë nuk dinë as se si t’i përgjigjen ftesës së Zotit që i thërret ata të jenë profetët e tij; ndërsa bota ka nevojë për këto figura që, pavarësisht dobësisë së tyre, bashkëpunojnë për të kumtuar Mbretërinë e Zotit që po vjen.

Dua të theksoj se fjalët përmbyllëse të Ungjillit të sotëm nuk thonë se Kisha ka zëvendësuar popullin e lashtë të besëlidhjes; në të vërtetë, Kisha vazhdon misionin e Izraelit në botë (atë që ta çojë botën te Zoti) me fuqinë e Mundimeve, të Vdekjes dhe të Ngjalljes së Jezusit, gurit që ndërtuesit e hodhën poshtë dhe që u bë guri i këndit. Prandaj, paralajmërimi që lëshon Jezusi: “Mbretëria e Hyjit do t’ju hiqet dhe do t’i jepet një populli që do ta bëjë të japë fryt” mund të zbatohet edhe për ne sot.

Nëse Kisha ndalon veprimin e saj profetik në këtë botë, nuk ka më arsye të ekzistojë. Prej këtu rrjedh rëndësia që të lutemi dhe të punojmë shumë për thirrjet meshtarake dhe të jetës së kushtuar, duke filluar nga familjet, duke formuar djemtë dhe vajzat tona për ta dëgjuar dhe për ta vënë në zbatim Fjalën e Hyjit, duke i edukuar ata që të mos jenë “si Zoti”, por ta lënë veten të udhëhiqen nga Zoti në zgjedhjet e tyre të jetës. Kërkojmë ndërmjetësimin e Shenjtes Mari dhe të Shën Jozefit, me qëllim që Kishës sonë në Shqipëri të mos i mungojnë më priftërinjtë e shenjtë dhe rregulltarët e zjarrtë, brezat e rinj të profetëve që bëjnë që zëri i Zotit të kumbojë në këtë botë, që ka kaq shumë nevojë për Fjalën e shpëtimit. Amen.

Exit mobile version