Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

HOMELIA E TRIDITËSHES SË SHËN JOZEFIT – 17 mars 2022

Në ditën e dytë të kësaj triditësheje për nder të Shën Jozefit, jemi të shoqëruar nga Fjala e Zotit për të reflektuar dhe për t’u lutur për familjet që po përjetojnë kaq shumë vështirësi objektive në këto kohë krize. Vështirësitë janë kryesisht në rrafshin ekonomik dhe më pas përcaktojnë lloje të tjera vështirësish: për shembull, kërkimi i një mirëqenieje më të madhe, mosbesimi tek institucionet dhe si pasojë fenomeni migrator që po godet dhe po dëmton me dhunë tokën tonë.

Duam të lutemi sot për të gjitha këto situata të vështira, por edhe të reflektojmë, të ndihmuar nga Fjala e Zotit, se si është e mundur që edhe nga situata vuajtjeje si kjo të nxjerrim të mira.

Duke u nisur nga Ungjilli me shëmbëlltyrën e famshme të Lazrit dhe të pasurit, do të tundoheshim të humbnim çdo shpresë në një ndryshim të situatës, duke imagjinuar se ky ndryshim mund të ndodhë vetëm në jetën tjetër. Në realitet nuk është kështu: ndryshimi është i mundur që tani, sepse thelbi i shëmbëlltyrës së treguar nga Jezusi nuk është përmbysja e fatit të të varfërve dhe të pasurve, por mundësia e ndryshimit që kanë vëllezërit e të pasurve, në masën në të cilën ata mësojnë nga dëgjimi i Fjalës së Hyjit të besojnë më shumë tek Ai sesa në pasuritë e tyre.

Në këtë konsiston edhe mësimi i Jeremisë profet që dëgjuam në leximin e parë, të cilit i bëri jehonë edhe psalmi që lutëm: të mallkuar janë ata që besojnë në forcën e tyre (mishin); lum ata që kanë besim te Hyji. Në fakt, i pari do të duhet të përballet me brishtësinë e asaj që kalon (sot është dhe nesër nuk është më) dhe me brishtësinë e ndjenjave njerëzore (ndjenjat ndryshojnë vazhdimisht!). Nga ana tjetër, ata që kanë besim te Zoti, qëndrojnë të qetë edhe nëse e gjejnë veten në një mijë vështirësi dhe edhe nëse u duhet të luftojnë një jetë të tërë për mirëqenien e tyre.

Një shembull kuptimplotë të asaj që kemi thënë deri tani e kemi te Familja e shenjtë e Jezusit, Jozefit dhe Marisë: të gjithë e dimë se ata nuk ishin të pasur; nga ungjijtë apokrifë mësojmë gjithashtu se Jozefi u detyrua që të shkonte të punonte edhe larg Nazaretit, me qëllim që të siguronte jetesën e familjes së tij; Jezusi e mësoi menjëherë zanatin e të atit vetëm e vetëm që ta ndihmonte familjen e vet. Megjithatë, ata besojnë te Zoti dhe jetojnë të qetë pavarësisht gjithçkaje! Kush beson te Zoti nuk qan për varfërinë e tij, por varfërinë e kthen në një mundësi, sepse nuk është i pasur ai që ka shumë të mira, por ai që është i lumtur që të angazhohet për ta bërë më dinjitoze jetën e tij me ndershmëri, pa pritur asgjë nga të tjerët ose nga institucionet.

Sigurisht kohët kanë ndryshuar dhe sot flasim edhe për të drejta, të cilat, në kohën e Jezusit, nuk ekzistonin. Është e drejtë që të kërkosh të drejtat e tua; është e drejtë që të presësh diçka më shumë; është e drejtë që institucionet të kujdesen për nevojat e familjeve, sepse ato janë qeliza e parë e shoqërisë. Por është gjithashtu e drejtë që të mos delegosh totalisht, të angazhohesh për ta bërë ekzistencën më dinjitoze, për të krijuar diçka të mirë për shoqërinë ku jeton.

Po, një komb përbëhet nga të gjitha familjet që e përbëjnë atë dhe, në këtë kuptim, institucionet duhet të kujdesen për të siguruar të mirën e tyre nëse duan që shoqëria të jetë në mirëqenie; por pikërisht për këtë arsye është edhe e drejtë që çdo familje të japë kontributin e vet për mirëqenien e shoqërisë. Dhe ne të krishterët kemi mënyrën tonë për ta bërë këtë gjë: veprat e mëshirës. Nëse i vëmë në praktikë veprat e mëshirës, do të japim kontributin tonë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, mirëqenia e të cilës do të binte edhe mbi ne.

Dje i kërkuam Shën Jozefit që të na merrte nga Zoti lumninë e punëtorëve të paqes. Sot i kërkojmë atij që të marrë për ne lumninë e të varfërve në shpirt, të cilëve u përket Mbretëria e Qiellit: jo një realitet që presim ta kemi vetëm në amshim pas vdekjes, por që mund ta ndërtojmë që tani dhe të cilin e kërkojmë çdo ditë me lutjen “Ati ynë” kur themi: Ardhtë mbretëria jote!

O Shën Jozef, kujdestari i Familjes së Shenjtë, lutu për të gjitha familjet në vështirësi. Amen.

Exit mobile version