Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

HOMELIA E TRIDITËSHES SË SHËN JOZEFIT – 16 mars 2022

Ekziston një kontrast i dukshëm që në mënyrë liturgjike e jetojmë këtë javë të dytë të Kreshmës: nga njëra anë hyjmë gjithnjë e më thellë në misterin e Krishtit, i cili, për ne, është dorëzuar për t’iu nënshtruar Mundimeve dhe Vdekjes; nga ana tjetër, duket se këtë ashpërsi zbutet prej kremtimit të disa festave shumë të rëndësishme për ne të krishterët, domethënë Solemniteti i Shën Jozefit dhe Lajmërimi i Zotit.

Por, nëse i kushtojmë vëmendje, kuptojmë se në realitet bëhet fjalë gjithmonë për të kremtuar misterin e vetëm të madh të Krishtit, i cili për ne mishërohet në kraharorin e Virgjërës Mari, bëhet njeri falë kujdesit të dashur dhe atëror të Jozefit, rritet në vetëdijen e misionit të tij si Bir i Hyjit që i dhurohet Atit për shpëtimin e njerëzimit.

Para së gjithash, liturgjia e kësaj të mërkure nxjerr në pah pikërisht madhështinë e këtij akt dhurimi të Jezusit, të të Drejtit, ashtu siç thotë edhe Ungjilli për Jozefin se ishte “i drejtë”. Në mendësinë hebreje, të thuash se dikush është “i drejtë” është pak a shumë e barabartë me kanonizimin tonë, domethënë me shpalljen e atij personi si Shenjt.

Jozefi, i drejti, i mësoi djalit të tij Jezus se çfarë është drejtësia, domethënë të bënte atë që është e drejtë përpara Hyjit: jo përpara njerëzve, por përpara Hyjit! Kjo do të thotë se për të qenë me të vërtetë i drejtë është e nevojshme të hysh në një marrëdhënie me Zotin në mënyrë që të kuptojmë vullnesën e tij dhe ta zbatojmë atë pa përjashtim. Në këtë, Jozefi ishte një mësues i madh për Jezusin dhe është akoma për të gjithë ne: një mësim i bërë jo me fjalë, por me shembullin e zgjedhjeve të tij, si kur i bindet urdhrit për të mos e lëshuar Marinë, ashtu edhe kur i bindet urdhrit për të ikur në Egjipt dhe pastaj për t’u kthyer.

Por Ungjilli që kemi dëgjuar nxjerr në pah edhe një aspekt tjetër: Jezusi përfshin edhe nxënësit e tij, pra ne, në përgjigjen e tij të dhurimit ndaj Atit. Të gjithë nxënësit janë me Të, por më pas Ai i merr apostujt mënjanë dhe për të tretën herë u tregon se cili do të jetë fati i tij i Mundimeve dhe i Ngjalljes.

Ja, ne nxënësit jemi gjithmonë në ecje me Jezusin për të plotësuar edhe në veten tonë “çfarë u mungon Mundimeve të Krishtit”, siç na mëson Shën Pali. Por çfarë u mungon Mundimeve të Krishtit? Mungon pjesa jonë, kontributi ynë, ai i vuajtjeve që ka ose duhet të ketë secili prej nesh dhe që duhet të bashkohet me vuajtjet e Krishtit për shpëtimin e botës.

Dhe nga Ungjilli mësojmë gjithashtu se ekziston një kontrast i fortë midis asaj që Jezusi sapo ka zbuluar dhe moskuptimit të apostujve, të cilët, në vend të kësaj, bëjnë luftë me njëri-tjetrin për një çështje se kush qëndron më sipër tjetrit. Me sa duket ky mjerim i shpirtit njerëzor nuk është zbehur dhe ndoshta nuk do të shuhet kurrë. Aq sa edhe sot jemi të trembur nga tmerri i një lufte që po zhvillohet brenda kufijve të Evropës sonë.

Rreziku që na kanoset edhe një herë është të gjykojmë se kush ka të drejtë apo gabim, dhe kështu të biem në vorbullën e urrejtjes që Jezusi e dënon hapur. Të gjitha luftërat janë gjithmonë të padrejta, qoftë edhe vetëm sepse mbjellin viktima të pafajshme. Dhe të dielën Papa thirri: “Në emër të Zotit, ndalojeni këtë masakër!”. Po, ta ndalojmë këtë masakër! Mund ta bëjë secili prej nesh në jetën e tij të përditshme, duke u mësuar fëmijët tanë që të mos konkurrojnë, por të bashkëpunojnë, të mos dominojnë mbi të tjerët, por të falin dhe të përqafojnë.

Le të kujtojmë se paqja nuk është thjesht “mungesë lufte”, por një kulturë që duhet kultivuar, ditë pas dite, qoftë edhe me vuajtje, duke shndërruar çdo krenari, çdo egoizëm, çdo kërkim të mirëqenies që, në mënyrë të pashmangshme, bie mbi të tjerët, duke shkaktuar varfëri, dëme dhe luftëra të tjera. Luftërat, për fat të keq (na mëson historia), nuk do të mungojnë kurrë, por, nëse bëhemi artizanë të paqes, në jetën tonë të përditshme mund të kontribuojmë në ardhjen e mbretërisë së Hyjit, që është mbretëria e drejtësisë, e dashurisë dhe e paqes.

Shën Jozefi na mësoftë të punojmë me mençuri për t’u bërë punëtorë të paqes dhe marrtë për ne lumturinë e shpallur prej Jezusit: “Lum punëtorët e paqes, sepse do të quhen bij të Hyjit”.

Exit mobile version