Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

HOMELIA E MESHËS PËR NXËNËSIT, STUDENTËT DHE MËSUESIT

29 tetor 2024Imzot Angelo Massafra OFM, Arqipeshkvi

Jemi ende duke hedhur hapat e parë në vitin e formimit që sapo ka filluar dhe është koha e duhur për t’ia kushtuar Zotit ecjen tuaj formuese. Po, shumë të dashur të rinj dhe shumë të dashur mësues, është e rëndësishme që t’ia referojmë Zotit çdo gjë në jetën tonë, veçanërisht angazhimin tonë formues.

Është e rëndësishme për ju të rinj, sepse kjo është koha në të cilën ju vendosni themelet e zhvillimit të “farës”, që Hyji ka hedhur në “fushën” tuaj, duke ju lënë përgjegjësinë për ta bërë atë të rritet dhe të piqet… por me angazhimin që ta mbani mend gjithmonë se, vetëm me Zotin, kjo rritje dhe kjo pjekje është e mundur.

Por është gjithashtu e rëndësishme për ju mësues që t’ia kushtoni Hyjit këtë kohë në të cilën është vënë në duart tuaja përgjegjësia e madhe për të shoqëruar, si një fermer i vëmendshëm dhe respektues, kohët e pjekjes dhe të rritjes së kësaj “fare” të destinuara të zhvillohet për të qenë, që tani, por sidomos në të ardhmen, një bimë e shëndetshme. Dhe në këtë detyrë duhet të mbani mend gjithmonë se, si fermerë, ju përfaqësoni, në një farë mënyre, Hyjin për nxënësit e studentët tuaj.

Pra, le të udhëhiqemi nga liturgjia që Kisha në mënyrë provanore na bën që të kremtojmë sot. Dhe do të nisesha nga antifona fillestare e këtij kremtimi, që, për shkak të këngës, nuk e dëgjuam. Jua propozoj, pikërisht si pikënisje për këtë reflektim: “Le të gladojë zemra e atyre që preferojnë Zotin. Kërkoni Zotin fuqinë e tij, gjithmonë dhe gjithmonë fytyrën e tij”.

Reflektimi i parë ka të bëjë me gëzimin! Gjithçka që bëjmë është për të qenë të gëzuar… disa do të thoshin për të qenë të lumtur; në realitet duhet të pranojmë faktin se lumturia nuk i përket kësaj jete, sepse ajo është diçka jashtëzakonisht e lartë dhe e përsosur, që nuk mund të ekzistojë në një botë që i nënshtrohet papërsosmërisë. Në vend të kësaj, mund të ketë gëzim.

Fatkeqësisht shumë, veçanërisht shumë të rinj, mendojnë se gëzimi qëndron në të pasurit, në kënaqësinë dhe në fuqinë: ngjarjet e ndryshme që shohim apo dëgjojmë na tregojnë qartë se personat, ekzistenca e të cilëve sillet rreth këtyre tri gjërave, i shkaktojnë vetes shumë të këqija dhe bëhen shkak për shumë të këqija të tjera: grabitje, vrasje, grupe kriminale, familje të shkatërruara, padrejtësi private dhe sociale, korrupsion në të gjitha nivelet, etj. Të gjitha këto gjëra nuk sjellin gëzim.

Megjithatë, gëzimi, shumë të dashur, konsiston në kërkimin e Zotit, të fuqisë dhe të fytyrës së tij. Gëzimi është vetëm te Hyji. Në fakt, ata që kërkojnë Hyjin shumë shpejt e kuptojnë se çdo gjë materiale (edhe dashuritë njerëzore) janë të destinuara të ndryshojnë dhe të zhduken; vetëm Hyji është i përjetshëm dhe vetëm Hyji nuk zhgënjen kurrë. Ju ftoj të krahasoni fytyrën e një murgeshe të mbyllur në klauzurë që ka lënë gjithçka për Hyjin dhe fytyrën e çdo personi të famshëm: menjëherë do të vini re ndryshimin dhe do të shihni se ku qëndron gëzimi i vërtetë.

Pra, nëse Hyji është gëzimi i vërtetë, kjo do të thotë se është e rëndësishme që t’i drejtojmë të gjitha angazhimet tona dhe të gjitha përpjekjet tona në këtë jetë kah Ai. Ka shumë mënyra të mundshme për ta përmbushur veten: është martesë (më e përhapura), priftëria, jeta e kushtuar në bashkësi apo privatisht etj. Por nëse në secilën prej këtyre formave të jetës Hyji nuk është qendra dhe qëllimi përfundimtar, atëherë nuk mund të ketë gëzim të vërtetë.

Pra, edhe në angazhimin tuaj të tanishëm si nxënës, studentë dhe mësues, nëse nuk përpiqeni ta përmbushni veten duke e ditur se Hyji është qendra juaj dhe qëllimi juaj përfundimtar, rrezikoni ta humbni këtë kohë të çmuar, e cila është në duart tuaja dhe i është besuar përgjegjësisë suaj të ndërsjellë.

Në Ungjill Jezusi na foli për mbretërinë e Hyjit; imagjinoni se çfarë mund të kishte kaluar në mendjet e bashkëkohësve të tij kur dëgjuan Jezusin të fliste për Mbretërinë: ata menduan për një Mbret politik që mund të krijonte një shoqëri të lirë nga persekutimi dhe skllavëria, siç bënë romakët. Por Jezusi po fliste për diçka tjetër. Mbretëria e Hyjit është si një “farë”: ajo tashmë është këtu, është e pranishme, tani duhet vetëm ta rrisim atë. Mbretëria e Hyji është si “tharm”: ajo tashmë është këtu, është e pranishme, tani duhet vetëm t’i lëmë kohë që të vijë. Në fakt, mund të themi se ne jemi ajo farë që Zoti e hodhi në tokë për të dhënë fryt dhe ajo maja që Zoti e hodhi

në miell për ta bërë atë që të mbrujë. Jezusi dëshiron të na thotë, në fund të fundit, se Zoti është i pranishëm në jetën tonë, por varet nga ne, nga përgjegjësia jonë, që ta lejojmë atë që të veprojë.

Dhe gati sikur të donte ta bënte më të qartë mesazhin e Jezusit, Shën Pali i jep bashkësisë së krishterë të Efesit disa udhëzime në lidhje me jetën martesore: fillon me një deklaratë se si duhet të jetë lidhja midis një burri dhe një gruaje të krishterë, pastaj vendos në qendër Krishtin si model dhe përfundimisht justifikon realitetin martesor të krishterë në dritën e këtij modeli.

Pa dashur që të hyjmë në detajet e këtij mësimi mbi martesën e krishterë, le të përpiqemi ta zbatojmë këtë metodë në jetën tonë.

Unë jam një nxënës i krishterë. Detyra ime është ta edukoj veten jo vetëm nga pikëpamja e përmbajtjes, por edhe të kuptoj se si duhet të jetoj mirë dhe se si duhet të jem në gjendje ta përmbush veten duke përfituar nga përmbajtjet që më janë përçuar nga mësuesit e mi. Por kush është modeli im? Natyrisht, nëse jam i krishterë, modeli im është Krishti. Çfarë bëri Krishti? Ai e përmbushi misionin e tij në këtë botë duke iu bindur me guxim dhe me një ndjenjë të madhe përgjegjësie detyrës që Ati i besoi, duke bërë gjithçka me dashuri dhe për dashuri dhe duke i mësuar të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë. Nëse Jezusi ka bërë kështu, kështu duhet të bëj edhe unë, nëse jam i krishterë.

E njëjta gjë vlen edhe për mësuesit, detyra e të cilëve është t’i shoqërojnë nxënësit në pjekurinë e tyre njerëzore, kulturore dhe profesionale. Por nëse jam një mësues i krishterë, pika ime e referencës duhet të jetë Krishti, i cili jo vetëm përçoi përmbajtje, por edhe u bë model, duke e vënë në praktikë përmbajtjen e mësimit të tij, me dashuri dhe për dashuri. Nëse Jezusi ka bërë kështu, kshtu duhet ta bëj edhe unë, nëse jam i krishterë.

Pra, sot, në fillimin e një viti të ri shkollor, të gjithë kemi një model për të ndjekur: Jezusin. Të gjithë e dimë se kemi në dorë përgjegjësinë për të realizuar, nëpërmjet edukimit tonë, mbretërinë e Hyjit që është gjëja më e rëndësishme dhe është i vetmi që mund të na japë lumturinë e vërtetë. Çdo gjë tjetër nuk llogaritet!

Ju siguroj se nëse e bëni këtë sot ju do të ndërtoni të ardhmen tuaj personale, por edhe të shoqërisë në të cilën do të jetoni nesër… dhe vetëm Zoti e di se sa shumë ka nevojë shoqëria jonë që të realizohet mbretëria e Zotit.

Atëherë sot, kur themi lutjen “Ati ynë”, ju kërkoj që t’i kushtoni vëmendje të veçantë fjalëve “ardhtë mbretëria jote” dhe të kujtoheni në atë moment se mbretëria është tashmë e pranishme dhe se ne duhet të jemi të gatshëm për ta ndërtuar atë me ndihmën e Hyjit.

Atij i qoftë nderi dhe lavdia në shekuj të shekujve. Amen.

Exit mobile version