Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Homelia – 27/03/2015 – Katedralja e Shkodres

Homelia – 27/03/2015 – Katedralja e Shkodrës – Imzot Angelo Massafra OFM


    Qoftë lëvduar Jezu Krishti.
Mirë se keni ardhur të gjithë dhe ju falënderoj që keni ardhur në Shkodër, ku jeni duke përjetuar e duke prekur me dorë vendet e vuajtjes e të martirizimit  dhe jemi duke kremtuar në katedralen që qe shndërruar prej diktatorit në Pallat sporti dhe ku më 25 prill 1993 Shën Gjon Pali II ka kremtuar Meshën e Shenjtë duke shuguruar 4 ipeshkvinjtë e parë e duke ringritur në këmbë Hierarkinë e Kishës sonë “Martire”.
        “Po blasfemon!”.
Është akuza që judenjtë i drejtojnë Jezusit. E kemi dëgjuar në Ungjill: «Nuk duam të të vrasim me gurë për shkak të ndonjë vepre të mirë, por për shkak të blasfemisë: pse ti, duke qenë njeri, e bën veten Hyj!».
Efektivisht, rojtarët e Besëlidhjes kryejnë detyrën e tyre: të zbatojnë Ligjin dhe të shkulin çdo rrënjë të së keqes. E ku ka të keqe më të madhe se sa pretendimi nga ana e një njeriu se është i barabartë me Hyjin! Në fund të fundit, a nuk qe kjo arsyeja e dëbimit të prindërve të parë prej parajsës tokësore?
Jezusi sapo kishte thënë: “Unë dhe Ati jemi një”. Më qartë se kështu? Kjo, të dashur vëllezër e motra, është blasfemia më e madhe që mund të ekzistojë. Por ajo që është blasfemi për të gjitha besimet e botës, për ne të krishterët është e vërteta që shëlbon botën. Dhe Jezusi përpiqet t’ua shpjegojë kundërshtarëve të vet: madje duke cituar Shkrimet dhe duke i bërë të shohin se “ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Hyjit” janë bij të Hyjit. Aq më tepër Ai që është i dërguari i Atit, madje vetë Fjala e Atit.
Sa mundim i madh ai i Jezusit: t’i bindë anëtarët e një besimi mijëvjeçar se janë gabuar, se duke u përqendruar në Ligjin, duke dhënë shpjegime e duke formuluar rregulla për zbatimin e tij të saktë, kanë harruar se më i rëndësishëm se Ligji është vetë Hyji i cili e ka shpallur atë. Jezusi na zbulon në këtë pjesë të Ungjillit një rrezik të madh për njerëzit e fesë: të mos e konsiderojnë më veten në shëmbëlltyrë dhe përngjasim të Hyjit dhe të fillojnë të bëjnë një hyjni në shëmbëlltyrë e përngjasim të vetin. Këtu gjendet përmbysja e vetë konceptit të mëkatit! Mëkati nuk është edhe aq të bëhemi si Hyji (në fund të fundit hyjnizimi i njeriut është një prej boshteve të fesë), se sa ta bëjmë Hyjin të bëhet si ne: i ashpër, despot, i aftë vetëm për të luajtur me fatin e njerëzve, nganjëherë edhe mizor. Jezusi ka ardhur për ta liruar njerëzimin pikërisht prej këtyre ideve të gabuara në lidhje me Hyjin dhe për të zbuluar fytyrën e vërtetë të Atit dhe dashurinë e tij për njerëzimin.
Dhe prova e kësaj dashurie është Biri. Të mohosh se Jezusi është Biri i Hyjit do të thotë të mohosh dashurinë e Hyjit për njerëzimin, do të thotë të biesh në humnerën e asgjësë, gjë e tmerrshme që ndodhte ende në kohët e Jezusit: të mos harrojmë se mes judenjve praktikantë, një pjesë e klasës priftërore, ata që i përkisnin sektit të saducenjve, nuk besonin në ringjalljen prej të vdekurve.
Vëllezër e motra, fjala e sotme e Jezusit na mëson se nuk mjafton të jemi persona fetarë; është e nevojshme ta pranojmë Hyjin në të vërtetën e tij, atë që Jezusi na e ka zbuluar, dhe t’i lejojmë atij të na lirojë prej ideve të rreme që vazhdimisht jemi të tunduar të ndërtojmë në lidhje me Hyjin si dhe në lidhje me njeriun.
            “Po blasfemon!”.
Është edhe refreni që, me fjalë të ndryshme por me të njëjtën domethënie, e ka shoqëruar dhe ende edhe sot e shoqëron martirizimin e Kishës. Shpallja e fesë në Jezusin, e dashurisë së Atit për njerëzimin, është arsyeja e dënimit që duket mbi kryqat e përhapur në kohë e në hapësirë, që nga Jezusi e deri në ditët tona. Bota i urren Jezusin dhe nxënësit e tij sepse besojma e tyre shemb çdo pretendim për sundim të njeriut mbi njeriun dhe i kthen Hyjit vendin që i takon.
Është e pashmangshme, për atë që shpall autonominë e plotë të njeriut prej Hyjit, që të imponojë zhdukjen e vetë konceptit të Hyjit prej ndërgjegjeve; o dalle coscienze; deri në atë pikë sa të zhdukë, në emër të së njëjtës liri, edhe ata që nuk përputhen me parimet e këtij “spastrimi”. Është ajo që i ka ndodhur Kishës sonë që është në Shqipëri në kontekstin e totalitarizmit më të ashpër: një vuajtje plagët e së cilës shihen ende dhe itinerari i shërimit të së cilës është ende i gjatë dhe i vështirë.
Martirët tanë janë eksponentët e shkëlqyer të kësaj masakre fetare e kulturore dhe procesi i lumturimit të tyre, që e kemi dëshiruar dhe dashur me forcë, përbën për ne një arsye për të përkujtuar dhe për të bërë thirrje për një të ardhme lirie të vërtetë.
Dhe siç e kuptojmë mirë, përballë faqeve të historisë të shkruara me gjakun e martirëve të rinj në këto ditë të fundit, vuajtja e atyre besimtarëve të Krishtit gjaku i të cilëve i thërret Hyjit prej tokës dhe, i bashkuar me atë të Krishtit, kërkon për njerëzimin shëlbim e falje.
Testament i martirëve?
            “Po blasfemon!”.
Është tundimi që është gjithmonë i fshehur, si mëkati i Kainit (Zan 4,7), te dera e Kishës. Shpirti i botës përpiqet gjithmonë të ndikojë edhe në mënyrën e të menduarit të Kishës, në tërësinë e saj si popull e barinj. Prandaj duhet të kemi Shpirtin e Hyjit, shpirtin e shoshitjes, në mënyrë që praktika kishtare përballë sfidave të kohës sonë të jetë gjithmonë besnike ndaj Ungjillit dhe ta shmangë tundimin që të mendojë me parametrat e kësaj bote.
Në të vërtetë, bota, të dashur vëllezër e motra, ka kritere gjykimi të realitetit dhe të të afërmit që nuk janë ato të Hyjit: a keni vënë re, për shembull, se edhe përballë një katastrofe natyrore, disa përpiqen gjithmonë të gjejnë me çdo kusht një fajtor? “Gishti paditës dhe fjala e keqe”, prej të cilëve na thotë të ruhemi Isaia profet në kap. 58, është stili i botës që Hyji përpiqet ta ndreqë, sidomos brenda popullit të tij.
Pra, mblidhen gurë të pastër; por jo për të gjuajtur të tjerët, por për të ndërtuar struktura të drejtësisë me çimenton e mëshirës. Ftesa e Papa Françeskut është nxitëse në lidhje me këtë dhe ne duam ta pranojmë atë për të shmangur rrezikun që në Kishë të bëhen sot të njëjtat gabime të së kaluarës me rrezikun që ajo të bëhet përndjekëse, në çështjet e mëdha të historisë ashtu si edhe në ngjarjet e vogla të përditshme, në nivelet e larta institucionale ashtu si edhe në administrimet famullitare.
        “Po blasfemon!”.
Është edhe tundimi që fshihet shpesh në bashkësitë rregulltare, vende ku përvoja e vëllazërisë duhet të gurgullojë si përrua i furishëm prej burimit të vet që është dashuria e Hyjit e përjetuar dhe e bashkëndarë. Dhe falë Hyjit shpesh është kështu. Megjithatë, nuk mund ta mohojmë se pikërisht brenda bashkësive rregulltare vazhdojnë situata e qëndrime që nuk kanë aspak të bëjnë me dashurinë e Hyjit.
Nga ana tjetër bashkësitë janë vendi ku njerëzit përjetojnë këtë dashuri, ku ata rriten në të, ku piqet gjatë viteve një përgjigje që në fillim ndikohej prej “dashurimit”, por që me kohën kërkkon të shndërrohet në “dashuri”. Pikërisht siç ndodh në marrëdhënien e çiftit dhe në pjekurimin e marrëdhënieve familjare.
Për shokët e parë të Françeskut të Asizit tregohet se kur përndiqeshin dhe gjuheshin me gurë rrugëve, atëherë ata vëllezër bëheshin mburojë e njëri-tjetrit. Pra, vëllazëria e të kushtuarve nuk është vend për të gjuajtur me gurë, por vend ku personat bëhen mburojë e njëri-tjetrit… si nga gurët e përndjekjes fizike, ashtu edhe nga gurët e përndjekjes morale dhe nga ata gurë, shumë më të rrezikshëm, të përndjekjes shpirtërore të vënë në lëvizje prej mëkatit dhe prej të Keqit.
Mbetet e vërtetë se, për ta kryer këtë rrugë në mënyrë të përshtatshme, Fjala e Hyjit dhe Eukaristia duhet të përbëjnë qendrën absolute, referimin e parë dhe të fundit të jetës së të kushtuarit. Jashtë këtyre nuk ka Jetë të Kushtuar Zotit; e nëse nuk ka Jetë të Kushtuar Zotit, këtë e ndien e gjithë Kisha.
Në të vërtetë, pikërisht të kushtuarit, të përfshirë në trupin e Kishës, janë për vetë Kishën thirrje në vlerat e amshuara dhe garantojnë, kështu, atë shoshitje të shëndoshë për ta menduar dhe gjykuar realitetin sipas Ungjillit dhe për të dashur vëllezërit e botën e krijuar me zemrën e Hyjit.
Vëllezër e motra, Jezusi është përpjekur t’i bindë kundërshtarët e vet duke nisur prej mirësisë së veprave të tij: ato vepra dëftonin të vërtetën e pohimeve të tij sepse nuk mund të ketë kundërshti mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet. Jeta e Kushtuar Zotit, dhe bashkë me të i gjithë populli i shenjtë i Hyjit, ka vetëm këtë shans për t’u përpjekur që t’i bindë burrat e gratë e kohës sonë për mirësinë e mësimit të tij: përputhja e veprave me atë që shpall.
Prandaj, në këtë vit hiri, të kushtuar prej Papës Françesku jetës rregulltare, të përpiqemi ta njësojmë jetën tonë si të kushtuar, ta shpëtojmë atë prej copëzimit nëpërmjet leximit të Fjalës dhe pjesëmarrjes në Eukaristi, ta lirojmë atë prej kushtëzimeve të kësaj bote të sugjeruara prej princit të kësaj bote. T’i japim një hov të ri formave të dëshmisë që flasin vetë: vepra të mira që i dëshmojnë qartazi botës se Krishti është Shëlbuesi i vetëm, Biri i Hyjit të bekuar të cilit i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

Exit mobile version