Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Homelia 19 qershor 2015 – Imzot Angelo Massafra OFM

Homelia 19 qershor 2015 – Imzot Angelo Massafra OFM

Te nderuar Ipeshkvinj,
Te nderuar Meshtarë, Rregulltarë, Rregulltare,
Të dashur vëllezër e motra,

pas dëgjimit të Fjalës së Zotit, është detyrë për ne të meditojmë për të verifikuar jetën tonë si individë dhe si bashkësi. Në fund, ajo që jemi duke jetuar këto ditë ka pikërisht qëllimin të verifikojë veprën tonë, veprimin tonë kishtar. Tundimi gjithmonë në veprim është ai që të përdorim vetëm kritere të frymëzuara nga dija njerëzore.
Sigurisht! Edhe kriteret njerëzore mund t’i shërbejnë çështjes, por nuk mund të harroj fjalët e Jezusit që kemi dëgjuar në asambletë tona liturgjike të dielën e kaluar: ato jehojnë si një qortim i fortë për të mos e bazuar gjithë angazhimin apostolik në forcat tona, por në një besim të pamasë në Hyjin që vepron në realizimin e Mbretërisë së tij.
Jo se kjo do të thotë se duhet të lidhim krahët sepse “Njësoj, i bën Hyji të gjitha!”. Jo. Neve na kërkohet thjesht të veprojmë me zemërgjerësi, por duke u kujtuar gjithmonë se, nëpërmjet angazhimit tonë, është Hyji ai që vepron.
Kjo vetëdije na ndihmon të mos ndihemi të domosdoshëm; na ruan nga çdo formë “ankthi për rezultat”, frustrimi dhe depresioni; na edukon në durimin që çdo bujk i mirë është i thirrur të ketë; na kthen në atë përvujtëri aq të nevojshme sepse kuptojmë se jemi jo vetëm “veprues” të Mbretërisë, por “pjesë” e po asaj Mbretërie, të thirrur të rritemi së bashku me ata që Zoti na i ka besuar.
Kështu, Fjala e Zotit bëhet kriteri ekskluziv i shoshitjes së çdo veprimi tonë baritor, një pasqyrë për një ballafaqim të kthjellët, të bërë sipas së vërtetës dhe lirisë. Po, së vërtetës dhe lirisë!
E vërteta: sepse përballë Fjalës nuk mund ta gënjejmë vetveten, por mund të pranojmë vlefshmërinë e zgjedhjeve tona apo dështimin e përpjekjeve tona.
Liria: sepse e vërteta na bën të lirë.  Dhe nëse jemi të lirë nuk kemi çfarë të humbim; e nëse nuk kemi asgjë për të humbur jemi të gjithë për Zotin.
Kështu, edhe sot vendosemi përballë Fjalës së Zotit që ajo të na udhëheq gjithmonë në zgjedhjet tona dhe në veprimin tonë.
Ftesa e parë që vjen prej Ungjillit është në lidhje me qëllimin e fundit të gjithçkaje që vendosim dhe bëjmë: Qielli. Sikur ta kishim gjithmonë para syve këtë cak! Sa më shumë dashuri dhe zell do të kishim; sa probleme dhe sa spekullime të kota do të kishim; sa më shumë do të arrinim ta bënim kohën tonë të japë fryt.
Nëse u flasim për Hyjin vëllezërve e motrave tonë, kjo është sepse i duam me vete në Qiell, kështu edhe nëse u ndajmë atyre sakramentet dhe i nxisim të jenë bashkësi feje. Nëse qëllimi nuk është ai i Qiellit është më mirë t’i lëmë të gjitha; nëse e kemi harruar këtë, le ta kujtojmë: jemi gjithmonë në kohë për të rifilluar.
Ftesa e dytë e Ungjillit është ajo e “syrit të thjeshtë”, të pastër, të kthjellët. Kjo karakteristikë që Jezusi dëshiron prej nesh është e lidhur ngushtë me karakterin e të qenit bij: të jem bir i Hyjit më vë në marrëdhënie vëllazërie me të gjithë dhe syri i thjeshtë është i aftë ta shohë të njëjtin karakter edhe në vëllezërit e mi dhe në motrat e mia.
Me këtë ftesë na tregohet edhe një metodë / sipas të cilës duhet të veprojmë në shërbim tonë baritor, apostolik dhe misionar. Nëse ata tek të cilët Zoti më dërgon nuk janë vëllezërit e mi në Krishtin, ata, që sikurse unë, janë shëlbuar prej Gjakut të tij të çmueshëm, atëherë kush janë? Kujdes se si përgjigjemi, sepse prej përgjigjes sonë varet edhe identiteti ynë. Nëse ata nuk janë vëllezërit dhe motrat e mia, atëherë as unë nuk jam bir i Hyjit. Nëse ata janë disa “të nënshtruar”, atëherë unë jam pronari i tyre ose, sipas etimologjisë, jam “despoti” i tyre. Të dashur, Jezusi na ka thirrur në atë vëllazëri që synon t’i shohë të gjithë bijtë e Hyjit të mbledhur në Mbretërinë e tij!
Dhe së fundi reflektimi i shën Palit. Edhe ai na jep një metodë që, mund të themi, është rrjedhoja e asaj që na ka treguar Jezusi dhe që përmbledh gjithsa kemi thënë deri tani.
“Dobësia” jonë është e vetmja gjë me të cilën na lejohet të mburremi: jo strategjitë baritore, jo realizimet e mëdha dhe as kremtimet e bukura apo pagëzimet e shumta të të kthyerve, por dobësia.
Dobësia për të cilën flet Pali nuk është ajo e atij që nuk di të mbajë në dorë frenat e jetës së vet apo e atij që nuk di të drejtojë një bashkësi, as dobësia e karakterit. Këtu Pali na flet për dobësinë e atij që është i gatshëm të pësojë gjithë negativitetin që bota, armike e Krishtit, është e gatshme t’i hedhë kundër. Është dobësia e kryqit që, në të njëjtën kohë, është edhe urtia e kryqit; sepse në kryqin gjendet shëlbimi.
Krishti na ka shëlbuar me kryqin e vet, dhe ne marrim pjesë në kryqin e tij për të zgjatur në kohë dhe në hapësirë veprën e tij të shëlbimit. Dishepullati i vërtetë është ai që na sheh të ngjitemi me të në Jerusalem për të bashkëndarë fatin e tij të vdekjes dhe të lavdisë.
Jemi në prag të një përvjetori të rëndësishëm: 25-vjetori i Meshës së Parë në varrezat e Shkodrës, 25-vjetori i fundit të atyre vuajtjeve të pësuara nga Kisha për Krishtin dhe 25- vjetori i rifillimit të jetës kishtare dhe të lirisë në Shqipëri.
Të dashur vëllezër e motra, ne ndoshta nuk do të vdesim prej të njëjtit martirizim të etërve tanë në fe; por sidoqoftë jemi të thirrur në një martirizim ndoshta edhe më të madh: ai i përditëshmërisë. Pikërisht këtu, në përditëshmëri, luhet rritja e bashkësive tona:
–    Angazhimi për katekezën si shpallje/përçim i fesë që – e dimë mirë, nuk përbëhet vetëm në indoktrinimin, por në shoqërimin e fesë së secilit besimtar në të gjitha fazat e jetës së tij që nga Pagëzimi deri në përshëndetjen e fundit.
–    Angazhimi liturgjik, edhe ky për r’u rishikuar në organizimin e tij bazë, që të mos jetë i kufizuar në kremtimin e jashtëm të sakramenteve por që të jetë në vazhdimësi si me jetën e barinjve që drejtojnë ashtu edhe me jetën e atyre që marrin pjesë në të.
–    Angazhimi i bamirësisë, jo i kuptuar thjesht si vepër e mëshirës trupore, por edhe shpirtërore, duke shkuar përtej asistencializmit të thjeshtë, që gjithsesi është i rëndësishëm, për t’u shndërruar në ndërtim bashkësish të gjalla, ku dashuria vëllazërore të jetë e dukshme për të gjithë, që prej kësaj do të na njohin si nxënës të Krishtit.
Vuajtjet që duhet të durojmë sepse i kemi qëndruar besnikë angazhimit tonë të jetës së krishterë do të jenë garancia e vetme për një ungjillëzim të ri, të vetëdijshëm sikurse “Martirët” tanë se, edhe pse nuk do të jemi ne ata që do të korrin frytet e asaj që mbjellim në shpresë, Zoti do t’i bëjë të rriten farat tona për një korrje të begatshme sepse, sikurse thotë psalmi 125, “në të shkuar ecnin e qanin duke mbartur farën për ta mbjellë kurse në kthim do të vijnë plot gëzim”.
Zoti e bekoftë Kishën tonë që është në Shqipëri dhe “dobësinë” e saj që në të, të jetë edhe forca e vet: “Kur jam i ligshtë – atëherë jam i fortë” (2Kor 12, 10).
Atij i qoftë nderi e lavdia për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

Exit mobile version